E Enjte, 03.28.2024, 10:27pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
KUPTIMI LIGJOR I PLURALIZMIT FETAR NË SHQIPËRI
Nga Prof. dr. GJERGJ SINANI

E Enjte, 04.17.2014, 09:42am (GMT+1)


Monografi a e Giovanni Cimbalo- s, profesor i së drejtës në universitetin e Bolonjës, botuar si libër fillimisht në Itali dhe tashmë edhe në  gjuhën shqipe nga shtëpia botuese "Naimi" nën titullin "Pluralizmi i besimit dhe komunitetet fetare në Shqipëri", mund të konsiderohet me plot të drejtë si një ngjarje e rëndësishme shkencore dhe kulturore. Përbën një ngjarje të rëndësishme për nga këndvështrimi i problemit, si dhe për faktin se në larminë e studimeve mbi fenomenin fetar në Shqipëri, si gjatë periudhës së komunizmit, por edhe gjatë periudhës së tranzicionit, argumenti fetar është vendosur ndërmjet dy ekstremesh; ose në mallkimin absolut, ose në glorifikimin absolut. Kjo vepër do mbetet një pikë e rëndësishme referimi jo vetëm për këndvështrimin e problemit, siç është ai i të drejtës së krahasuar dhe sidomos raportit ndërmjet të drejtës kishtare dhe të drejtave njerëzore, por për forcën induktive që na ofron. Për herë të parë e shikojmë historinë e fesë nga pikëpamja e historisë ligjore dhe si pjesë të historisë së shtetit dhe shoqërisë shqiptare. Që në parathënie autori shpall një vlerë të historisë kushtetuese të shtetit shqiptar, që ne shpesh e kalojmë me deklarata tubimesh, por jo me studime të këtij karakteri, siç e gjejmë në këtë vepër të re. "Nga shqyrtimi i historisë kushtetuese - shkruan Giovanni Cimbalo, - del se, që në zanafillë të shtetit të vet, Shqipëria moderne ka ndër parimet e saj themelore ndarjen mes shtetit dhe fesë, laicitetin e institucioneve, e kryesisht pluralizmin fetar, i parë si format i rëndësishëm i sistemit ligjor, një prej përbërësve themelorë për ndërtimin e unitetit kombëtar, si vlerë e epërme për vendin. Ky qëndrim bëri të mundur që i vetmi shtet në Europë me shumicë myslimane të përpunojë një trajtë dhe vizion pluralist për islamin dhe të kapërcejë pengesat për proselitizëm të besimeve të tjera joislame, edhe pse ky i fundit ka epërsi shifrash". Duke evokuar dekretin e vitit 1923, autori thekson se ky dekret "përbën edhe sot një prej normave më të përparuara për rregullimin e marrëdhënieve me kultet dhe një mjet të admirueshëm për parandalimin e konflikteve ndërfetare, një instrument juridik, që nuk i zbehet vlera e origjinalitetit që mbart".

Në studimin e autorit shikojmë të shpaloset para nesh një dialektikë shumë interesante, siç është prirja kombëtarizuese e historisë sonë politike, që përputhet me prirjen zotëruese europiane dhe atë të vendeve fqinje dhe prirjeve universalizuese që qëndron në themel të feve monoteiste dhe veçanërisht atë katolike. Studimi ka veçorinë se këtë dialektikë na e paraqet përmes evolucionit kushtetues dhe ligjor të historisë së shtetit shqiptar. Kjo dialektikë ndërmjet kombëtares dhe universales, së bashku me implikimet e tyre politike, na paraqet një pamje shumë interesante të historisë sonë në aspektin fetar.

Përmes një pasurie referencash të shumta, autori na tregon se shteti shqiptar i njohu të gjitha komunitetet fetare, duke vendosur epërsinë e vet mbi besimet e ndryshme, "pa e zbehur, ndërkohë vigjilencën ndaj tyre". Duke vlerësuar këtë themel juridik në fillimet e shtetit shqiptar, në një shënim autori thekson se "Sistemi shqiptar është laik, por nuk i kundërvihet fesë, madje kërkon të bashkërendojë laicizmin me tolerancën dhe pluralizmin fetar". Shteti nuk ndërhynte për emërimin e anëtarëve të hierarkisë fetare, as për përcaktimin e dogmave apo për organizimin e besimeve fetare në vend. Ka rëndësi të theksohen këto elemente të zanafillës së shtetit shqiptar për të kuptuar më mirë prirjen e mëvonshme të Zogut dhe regjimit komunist në këmbënguljen e tyre në emërimin e hierarkisë fetare në vend, sidomos emërimin e krerëve katolikë. Njohja e kësaj beteje ligjore në emërimin e hierarkisë fetare na mundëson të kuptojmë edhe shumë aspekte të tjera të marrëdhënieve të fesë me shtetin si dhe persekutimin e feve, sidomos asaj katolike, gjatë periudhës totalitare komuniste. Nisur nga rëndësia juridike dhe politike e çështjes, autori thekson se "Rregullimi i marrëdhënieve mes komuniteteve fetare ekzistuese në Shqipëri dhe krerëve të tyre shpirtërorë përbën thelbin e marrëdhënieve që do të nënshkruhen mes qeverisë shqiptare dhe krerëve të këtyre kulteve. Sistemi shqiptar i përmbahet parimit bilateral të marrëdhënieve me komunitetet fetare si tipar dallues i formës së shtetit dhe qeverisë, që në kohën e themelimit të tyre". Në funksion të kombëtares shikohet edhe kërkesa për përdorimin e gjuhës shqipe në shërbesat fetare si dhe në shkollat e kultit. Përdorimi i gjuhës shqipe kishte për qëllim të zbehte zonat e influencës së fuqive të huaja, qoftë edhe nëpërmjet kufizimit të përdorimit të gjuhëve fetare, si për shembull arabishtes dhe greqishtes, vetëm gjatë celebrimit të riteve përkatëse. Kjo bëri që komunitetet myslimane të parashikonin në statutet e tyre përdorimin e gjuhës shqipe edhe si gjuhë liturgjike, ndërkohë që Kisha Ortodokse e mori këtë vendim gjatë rrugës së vështirë për të fituar autoqefalinë. Nga aktet e para të shtetit shqiptar, vendimet e Kongresit të Lushnjës, ku teksti i hartuar nga ky kongres përbënte një "arkitekturë të vërtetë kushtetuese të llojit europian", statuti i Mbretërisë Shqiptare në periudhën e Zogut, marrëdhëniet e regjimit komunist me komunitetet fetare, rilindja e besimit fetar mbas viteve '90, historia legale e marrëdhënieve të shtetit me fenë na shpaloset në tërë problematikën e brendshme, rajonale dhe më gjerë në kuadrin europian. Për më tepër, ky evolucion historik jepet edhe përmes veçanësive të çdo komuniteti fetar me shtetin, qoftë ai monarkist, komunist dhe ai pluralist. Nuk mund të mos theksohet edhe fakti se arsyeja pse ky model bashkëjetese në diversitet, që paraqet përvoja historike shqiptare, çka ushqehet nga parimet e laicitetit, të ndarjes dhe pluralizmit qëndron edhe te struktura e islamit shqiptar, "natyra e tij pluraliste dhe respekti ndaj degëzimeve fetare në brendësi, por edhe jashtë tij". Përmes akteve ligjore, statuteve të komuniteteve fetare, marrëveshjeve të komuniteteve fetare me shtetin, na shpaloset një përvojë ligjore dhe një jurisprudencë shumë interesante dhe shumë e pasur edhe me zgjidhje origjinale, që reflektojnë veçanësinë shqiptare të myslimanizmit dhe krishterimit dhe vlerën e tolerancës fetare në Shqipëri. Në studimin e profesor Cimbalos, ne njihemi me veçoritë e islamit shqiptar "që vishet me tipare dalluese të një islami të shtrirë në territorin europian e veçanërisht në Ballkan", ne njihemi me veçoritë e bektashizmit shqiptar dhe rolin e tij në idenë kombëtare, por edhe me marrëdhëniet tepër interesante dhe tragjike me regjimin komunist, veçoritë e Kishës Ortodokse dhe problematikat politike të brendshme dhe rajonale, ne njihemi me veçanësitë e Kishës Katolike në Shqipëri, për shkak të pozicionit të saj gjeografik si vend në mes të Lindjes dhe Perëndimit, që e bënte të pashmangshëm varësinë e saj ndaj Selisë së Shenjtë, e cila e shihte me interes strategjik veprimtarinë e konsolidimit dhe shtrirjes së katolicizmit në Shqipëri, por që u ndesh me idenë kombëtare dhe prirjen e kombëtarizuese dhe centralizuese të Zogut dhe Enver Hoxhës dhe në përpjekjen e saj ekzistenciale njohu edhe një tjetërsim dhe persekutim tepër të madh.

Nuk mund të lihet jashtë vëmendjes analiza e periudhës aktuale dhe juridiksioni përkatës që shoqëron këtë periudhë në lidhje me marrëdhëniet e shtetit me fenë. Këtu shikojmë se problemi i lirisë së ndërgjegjes kërkon një trajtim shumë të kujdesshëm ligjor, sidomos për një vend që kalon nga një regjim totalitar, ku feja ishte ndaluar me ligj, në një shoqëri të lirë dhe demokratike. Përveç analizës së marrëveshjeve të komuniteteve tradicionale me shtetin, ne njihemi edhe me marrëdhëniet e komunitetit ungjillor me shtetin. Duhet theksuar se çdo studiues, por edhe çdo autoritet shtetëror do të gjejë në këtë pjesë parime dhe përvoja që do të mund ta drejtojë në rrugën e përballjes me problemin e kuptimit të lirisë së ndërgjegjes në Shqipëri.

Autori është i ndërgjegjshëm se "krijimi i enklavave me strukturë homogjene, bie ndesh me nënsistemet fetare që nuk gëzojnë farë mbështetje juridike, për sa kohë komunitetet etniko-fetare përdoren si kafaze për të kyçur aty grupe të ndryshme popullsish, gjë që me kalimin e kohës degjeneron në luftë civile". Prandaj, modeli i pluralizmit fetar është zgjidhja juridike që ofroi Shqipëria që në krye të historisë së saj me shtet. Autori thotë se "bankëprova e vërtetë e sistemeve të marrëdhënies mes shtetit dhe komuniteteve fetare gjendet në trevat kufitare të Ballkanit, i cili gjithmonë ka qenë kryqëzim i paqes dhe i luftës në Europë". Së fundi, do të theksoja se studimi i profesorit italian, G. Cimbalo, ekspert i njohur në shkallë evropiane, hap edhe një perspektivë të re në fushën e studimeve sociale në përgjithësi dhe ato albanologjike në veçanti. Nisur nga metodologjia e përdorur, burimet e larmishme, sita që profesori ka krijuar me tërë dokumentet dhe materialet në lidhje me raportet fe-shtet, duke i bërë një shërbim të madh komunitetit shkencor, mendoj se studiues të rinj do të gjejnë në këtë punim bërthama të rëndësishme kërkimore, që do të thellojnë njohjen e kësaj problematike, por edhe njohjen e kësaj përvoje në Europë. Në qoftë se Europën do ta shikojmë në radhë të parë si një komunitet shpirtëror, këtë përvojë shqiptare në relacionet e fesë me shtetin mund ta konsiderojmë si një kontribut të rëndësishëm shqiptar. Në këtë kuptim nuk na mbetet gjë tjetër, veçse të shprehim një mirënjohje të thellë për autorin që na zbuloi përmes një dokumentacioni të pasur një vlerë tonën shumë të përdorur për efekte propagandistike, por pak të njohur shkencërisht. Sigurisht, mallkuesit dhe glorifikuesit e fesë mund të gjejnë pika të pakëndshme për bindjet e tyre, por duke njohur këtë punim ne do të njohim më mirë unin tonë shoqëror dhe siç do të shprehej Niçe, do të ndikojë në rregullimin e unit tonë shoqëror tepër të hallakatur dhe të tronditur në këtë periudhë tranzicioni.
Prof. dr. GJERGJ SINANI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
BLUSHI - SHQIPTARËT RREZIKOHEN SERIOZISHT NGA ISLAMI POLITIK (04.16.2014)
RIKTHEJENI FISHTËN NË TEKSTET SHKOLLORENga FRANO KULLI (04.16.2014)
UNË JAM ARBËR: 800 VJET SHTET!Nga AZGAN HAKLAJ (04.14.2014)
10-vjetori i ndarjes nga jeta: PROF. BEDRI DEDJA-AKADEMIK: KRIJUES, STUDIUES E BOTUES SHUMËPLANËSH, AUTOR I SHQUAR I SHEKULLIT XXNga Prof. MURAT GECAJ publicist e studiues - Tiranë (04.14.2014)
Marrëdhëniet mes shtetit dhe fesë në ShqipëriGIOVANNI CIMBALO - PLURALIZMI I BESIMIT DHE KOMUNITETET FETARE NË SHQIPËRI (04.13.2014)
DISA MENDIME MBI GJENDJEN DHE RIORGANIZIMIN E SHKENCËS NË SHQIPËRINga Prof. Dr. BETIM MUÇO* (04.13.2014)
KY BURRË, AZGAN HAKLAJ, IA LANË NDEREN SHTETIT TË VET...Nga MARK DUSHA, historian, Tuzi – Malësi, Mali i Zi (04.12.2014)
A ISHTE ENVER HOXHA “ATEIST”?!Në 70 vjetorin e permbytjes së Shqipnisë...Nga FRITZ RADOVANI (04.11.2014)
PSE HESHTIN 'INTELEKTUALËT OPOZITARË'?Nga FADIL LUSHI (04.10.2014)
HËNA VERDHANE E BEN BLUSHIT Opinion nga KOLEC TRABOINI (04.09.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart�]