VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

GJAKOVA BËN VEND PËR BUSTIN E POETIT TË SAJ ALI PODRIMJA

E Enjte, 07.10.2014, 09:36am (GMT1)



Gjakovë, 9 korrik - Busti i poetit Ali Podrimja do të vendoset buzë lumit Krena, në qendër të Gjakovës, përkatësisht pas objektit të shkollës së parë shqipe.

Në atë lokacion prej 30 arësh do të ndërtohet edhe një park që do të mbajë emrin e tij. Ndarja e kësaj parcele është zyrtarizuar edhe me një vendim të Kuvendit të Komunës.

Sipas Ali Tafarshikut, zyrtar për informim në kabinetin e kryetares së Komunës, Mimoza Kusari-Lila, e guri i themelit pritet të vendoset më 21 korrik, në dyvjetorin e vdekjes së poetit. Gjakova është vendlindja e mjeshtrit të vargut poetik.

Busti ka kohë që është gati. Ajo është vepër e punuar nga skulptori Luan Mulliqi. Ndërkaq për idenë dhe detajet e tjera të parkut është përkujdesur "Maden Group", i cili ka bërë projektimin.

Përfaqësuesi i kësaj kompanie, Ideal Vejsa, ka thënë se lokacioni përgjatë lumit na kujton veprën e njohur të autorit "Lum Lumi".

"Duke dashur që të bëjmë një lidhje shpirtërore të të ndjerit me vendin që përkujtohen jeta dhe vepra e tij, natyrshëm inspirimi na vjen në parqet në të cilat i kaloi shumicën e viteve të fundit të jetës se tij, aty ku dhe ndërroi jetë", ka thënë Vejsa, duke shpalosur detaje të projektit. Ali Podrimja u gjet i vdekur në një park në qytetin jugor të Francës, Lodève, ku po merrte pjesë në një festival poezie.
"Për të krijuar ambientin adekuat që reprezenton poetin e shquar Ali Podrimja, kemi marrë një detal të cilin shumë shpesh e hasim në parqet e Francës. Gjashtëkëndëshi i rregullt i formuar me gjelbërim, me mermer, me shtigjet e ecjes më së miri përshtatet me terrenin dhe arrihet lidhja e dëshiruar", ka treguar më pas ai për detajet.

Vejsa ka thënë se "multiplikimi i gjashtëkëndëshit mundëson që edhe dizajni të jetë i kohës, si dhe parakushtet së bashku me synimet, të plotësohen në kompozicionin e parkut, që të jetë simbol i qytetit, por në të njëjtën kohë të lartësojë veprën e poetit dhe përfaqësuesit tipik të letërsisë së sotme shqiptare".

Para tri javësh gazeta kishte raportuar se dy buste të Ali Podrimjes kanë mbetur në atelienë e skulptorit Luan Mulliqi. Përderisa Komuna e Prishtinës ende nuk ka caktuar vend, për veprën e realizuar qysh para një viti, ajo e Gjakovës ankohej për mungesë buxheti. Ka qenë vetë skulptori Mulliqi ai i cili u kishte kërkuar autoriteteve komunale të Gjakovës që t'i bënin vend bustit të Podrimjes.

Ndërkaq një tjetër vepër, pena 8-metërshe e planifikuar të vendosej në afërsi të bibliotekës kombëtare "Pjetër Bogdani", ka mbetur në letër. Modeli i veprës monumentale ku shkruhej vargu: "Kryesorja jetën ta jetosh pa e vrarë - Lum Lumi", në mungesë mjetesh ka mbetur në oborrin e ateliesë pa u derdhur në bronz, ndërkaq tash Mulliqi thotë se vepra duhet të rimodelohet.kd
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.