VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NIS PUNIMET SEMINARI NDËRKOMBËTAR PËR GJUHËN, LETËRSINË DHE KULTURËN SHQIPTARE

E Hënë, 08.18.2014, 05:51pm (GMT1)



Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare këtë vit shënon edicionin e tridhjetetretë. Sesioni do t'i zhvillojë punimet nga 18 deri më 30 gusht.

Ky Seminar organizohet për studentë e studiues që merren me probleme të gjuhës, të letërsisë e të kulturës shqiptare, po edhe me albanologjinë përgjithësisht.

Drejtori i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare, Bardh Rugova, për KultPlus tha se sesioni i këtij viti nuk është se ka ndonjë ndryshim në aspektin organizativ, sipas tij, ajo që ndryshon për këtë vit nga vitet e kaluara është aspekti përmbajtjesor.

"Nuk ka dallime të mëdha në aspektin organizativ, ato që dallojnë këtë vit dhe që besoj që do të ndryshojnë edhe viteve të ardhshme janë temat e sesionit si dhe ligjëratat. Në sesionin e letërsisë do ligjërohet me temën "Letërsia shqipe dhe kodet e mëdha", kurse në sesionin e gjuhës shqipe do të ligjërohet mbi temën "Gjuha shqipe dhe ideologjia". Këtë vit gjithashtu do të festohet 200 vjetori i Jeronim De Radës me një ligjëratë nga Francesko Altimari, gjuhëtari më i madh arbëresh", tha Rugova.

Në këtë sesion, i cili shënon më shumë se tri dekada, ai tha se më 21 gusht 2014, në kuadër të Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, do të zhvillohet punëtoria me temën: "Shqiptarët në Komunizëm", ku do të paraqiten kumtesa të ndryshme mbi jetën e shqiptareve ne periudhën e komunizmit .

Programi bazë i Seminarit të tridhjetetretë:

1. Kurse intensive të mësimit të shqipes (tri shkallë);
2. Ligjërata të veçanta të gjuhësisë;
3. Ligjërata për letërsinë shqiptare;
4. Referime shkencore;
5. Ligjërata të përgjithshme;
6. Tryezë e rrumbullakët;
7. Program kulturor plotësues për t'i njohur seminaristët me bukuritë natyrore, me veprimtaritë kulturore e të mira të tjera në qendra të Kosovës

Gjithashtu do të ketë sesion shkencor, më 29 dhe 30 gusht, mbi temat: Gjuha shqipe dhe ideologjia; Letërsia shqipe dhe kodet e mëdha

Seminari Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare është themeluar në vitin 1974 në Fakultetit të Filologjisë (atëherë Fakulteti Filozofik) të Universitetit të Prishtinës. Seminari ka zhvilluar gjithsej tridhjetedy sesione. Në vitin 1991 është ndërprerë veprimtaria e tij nga organet e dhunshme serbe. Në vitet 1995 e 1996 sesionet e këtij Seminari u mbajtën në Tiranë në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë e të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. Nga viti 2000 Seminari zhvillohet sërish në Prishtinë. Sesionet 19 dhe 20 (2000-2001) janë organizuar në bashkëpunim me Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.