E Enjte, 04.25.2024, 08:04pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
GAZETA TELEGRAF
SHINASI RAMA: SHQIPËRIA ËSHTË KTHYER NË SHTETIN E EUNUKËVE DHE KOPUKËVE (Intervistë)

E Premte, 08.22.2014, 08:09am (GMT+1)



Pyetje:Si i vjen vendlindja një shqiptari të larguar? Si e përjetoni Shqipërinë në distance?
Përgjigje :
Për të larguarin, mëmëdheu është nëna dhe nëna nuk mundet me kenë kurrë e keqe. Unë shqiptar jam, nuk mundem me u ba tjetër, sado mirë që të ndjehem si individ dhe sado mirënjohës që i jam vendit ku jetoj. Në Shqipëri më rrin mendja sepse guri është i rëndë në vend të vet, sepse kam familjen, por edhe pse, me moshë, njeriu e kerkon vendin e vet. Shtetin shqiptar unë e shoh me dhimbje të madhe, si vendin e mundësive të mëdha që u shpërdoruan dhe të shanseve që u humbën qëllimisht e shumë keq nga paria sunduese e Tiranës. Rruga që duhej të ndiqej duhej të vendoste themele të shëndosha politike e shoqërore në mënyrë që brezat e rinj e të ardhshëm të mund të kishin atë siguri, stabilitet, mbrojtje e përkujdesje që e meritojnë. Mirëpo këta ishin tejet të vegjël e të deformuar dhe menduan e mendojnë vetëm për vete dhe rrethet e tyre. Edhe më keq, këta ecin me parimin "hajt ta shtyjmë sa ta shtyjmë." Por, tre armiqtë kryesorë që nuk na lënë me ecë në rrugën e duhur janë, NJERIU i zvetënuar, në një shoqëri të pamoralshme; QEVERITARI i korruptuar me një shoqëri të nënshtruar; dhe SISTEMI I ndërtuar për të përfituar pakicat e papërfillshme e të huajt që i përdorin këto veglat e parisë si marioneta të veta. Tani që këta kanë dështuar vazhdojnë e thonë se "nuk bëhet më ky vend." Por, ndryshe nga shumë të tjerë, unë besoj se Shqipëria mund të bëhet e do të bëhet. Shqiptarët e kanë vitalitetin, mencurinë, dëshirën e vullnetin me ndrrue rrugën e të keqes dhe me punue për të ardhmen që meritojmë. Pra, unë e përjetoj me shumë shpresë e besim tek e ardhmja dhe brezat që vijnë.

Pyetje : Ngjarjet e rënda në Shqipëri nuk paskan të sosur. Besoj se jeni njohur nëpërmjet medieve me skandalin më të fundit, atë ku një punonjës i Zyrës së Punës i deputetit socialist Koço Kokëdhima në Sarandë i kërkoi një qytetareje të ve t'i gjente punë në këmbin të marrëdhënieve seksuale me të bijën 14 vjeçe, pra minorene. Cili do të ishte komenti juaj për këtë ngjarje të rëndë, a do të shërbente ky rast për një reflektim total të Shtetit shqiptar për të pastruar njëherë e mirë administratën nga ai që u quajt "pedofilizim" i administratës shtetërore?
Përgjigje :
Si ky rast ka sa të duesh, dhe dallimi është se "këtij deshën t'ia rrasin," e për të tjerët heshtin. Po nuk pastrohen punet me fshese e me propagandë mediatike, sepse ashtu pluhuri, edhe në një dhomë të thjeshtë, thjesht lëviz nga nje vend ne tjetrin. Problemi është se jemi kalbur nga brenda. Do ikë njëri, do vijë tjetri, puna është se kjo sjellje që i lejon abuzuesit të dalin mbi ligjin është bërë rrugë e metodë pune e jetese. Nuk ka dyshim që të gjithë shoqëritë ka njerëz që janë "drunj të shtrembër" mirëpo shteti shqiptar tashmë është bërë shteti i eunukëve dhe kopukëve dhe po vazhdon të prodhojë tipa të tillë të zvetënuar nga të gjithë anët. Struktura që do të ndrrojë kahjen është shteti dhe ligji i fortë. Frika e ligjit i ban edhe më të rrezikshmit me u përmbajtë e mos me guxue me ba krime. Prandaj ajo që na duhet ne është vendosja e një standardi që nuk mund të shkelet pa një dënim maksimal e të pamëshirshëm. Një shtet që nuk mbron fëmijët, të varfërit, dhe të pambrojturit është shtet i kthyer në instrumentin e krimit sepse kjo është edhe detyra e parë e shtetit. Shkurt, keta duhet me i varë tek dera e shtëpisë së tyre edhe ata që sillen si nuk duhet po ashtu. Atëherë do ta shohim se si do të sillen të tjerët dhe këta që i komandojnë. Mirëpo, si e kam shpjeguar edhe në librin tim Përrallat e Tranzicionit Shqiptar, këta janë ata që i duhen më së shumti dhe që i shërbejnë parisë sunduese të Tiranës. Nuk e vënë ligjin që duhet sepse kanë frikë edhe hijen e tyre nga krimet e panumërta që kanë bërë e që bëjnë dhe sepse janë thjesht vegla të krimit.

Pyetje : Supervjedhja në Bankën Kombëtare të Shqipërisë e 713 milion lekëve, (e tipit të filmave në Hollivud), një skandal i përmasave që rrezikoi deri edhe sigurinë kombëtare financiare, tronditi e shokoi opinionin mbarëshqiptar. Guvernatori nuk luajti vendit. Si e shpjegoni qendrueshmerine e këtij shtetari e qytetari që ka bërë të heshtë politika?
Përgjgje :
Shiko, askush nuk e din se si është vjedhë, sa është vjedhë, kush e vodhi, sa kohë zgjati e me rradhë. Këto numrat që jepen janë si çmimi i teshave të Gabi... E vë kaq çmimin sepse kaq mund të paguash ti dhe kaq "e ha pazari". Të gjithë japin shfaqje për mediat, sepse duan të mbyllin sherrin në mes të vetes, "vrasësit erdhën nga jashtë" edhe kur flasin shqipen e kulluar, dhe në këtë rast paratë shkuan në kazino, mirëpo ka një system shumë të sofistikuar vjedhjeje që nuk e prek njeri.... por të vërtetën e dinë vetëm ata që sundojnë dhe që e shohin se po plas qelbi i krimit gjithkund. Zotnia në fjalë është pjesë integrale e parisë së Tiranës, i lidhur me mijra fije me kupolën kriminale që na sundon, dhe nuk do të preket sepse po u prek ky, hapet thesi I krimit e nuk dihet se cfarë gjarpërinjsh na dalin e cfarë sherresh happen midis palëve të parisë.

E pastruan Artan Santon, dhe kjo nuk ishte e rastësishme dhe e palidhur me çka po ndodh edhe me Bankën që duhej të ishte e Shtetit Shqiptar, por që dikush po lufton fort ta vërë edhe më shumë nën kontrollin e vet. Kjo është mafia kriminale politike që na sundon dhe ky është pjesë e parisë. Këta do të heshtin, qeveri dhe opozitë, sepse janë dy duart e të njëjtit trup, dhe sepse kanë frikë se iu plas sherri diku tjetër, mirëpo e vërteta shihet qartë. Në një vend hajnash, bankieri është hajni më i ndershëm, edhe kur thuhet se ka vetëm katër vite që vjedh, sepse vjedh më shumë se të gjithë dhe sepse nuk të fut dorën në xhep, edhe pse nuk vjedh kurrë vetëm.

Pyetje : Në Shqipëri politika edhe këtë herë nuk u bë bllok kundër kësaj dukurie, por bllok për ta politizuar fenomenin, secila palë për interesat e veta, secila palë për të fituar pikë. Mund të thuhet se kjo është efekt i imazhit turbullues i pushtetit që merret ose i pushtetit që mund të ikë nga duart I cili nuk lejon të gjykohet me qetësi, jashtë politizimit, jashtë interesit politik të ditës?
Përgjgje :
Shiko, këta grinden kur iu preken interesat por janë në tavë të gjithë bashkë. Ndryshe, këta i bëjnë bashkë të gjithë poshtërsitë e pisllëqet e imagjinueshme dhe mandej japin shfaqje të Enjten kur dalin e bëhen palaco estrade kooperativiste. Politika e Tiranës është thjeshtë me iu hedhë hi syve njerëzve, kinse po bëjmë sherr sepse si thonë kavajasit, "mos ha tek fiku im". NË fakt këta janë të gjithë bashkë në një thes, dhe të kontrolluar prej dikujt tjetër. Mirëpo, kur i fut gjarpërinjtë ne thes, çfarë bëjnë? Do grinden për të ngrënë çka mund të hahet, dhe kur nuk kanë cfarë të hanë, do të hanë njëri tjetrin. prandaj edhe këta janë të gjithë bashkë, kundër shqiptarëve, dhe në shërbim të atyre që nuk ua duan të mirën shqiptarëve.

Pyetje :Në rast se një skandal i tillë do të ndodhte në Banken Qëndrore të Amerikës, cili do të ishte reagimi i shoqërisë ameriake, i shtetit amerikan, i politikës amerikane?
Përgjgje :
SHBA është vend me ligje. Pardje, Guvernatori i Teksasit, që është kandidat i mundshëm për president, shkoj në gjykatë për një fjalë që i kishte thënë një zyrtari të zgjedhur. Ka pasur raste të tilla edhe këtu, por drejtësia këtu nuk ka shumë mëshirë për këtë nivel krimi dhe ligji sundon.

Pyetje : Meqenëse jemi duke folur për administratën shtetërore, a ju ka rënë në sy fakti se, megjithse është folur se po punohet për një modernizim të saj, pra për një administratë të shtetit, në shërbim të qytetarit, ajo mbushet e zbrazet me militantë partiakë, me njerëz të farefisnisë? Përse kaq i fuqishëm ky nepotizën?
Përgjigje :
Po nuk ka rrugë tjetër. Në një vend ku e vetmja rrugë pasurimi, dhe e vetmja rrugë e ruajtjes së pasurisë është përmes shtetit, gjithkush kërkon sigurinë që të jep një punësim i tillë. Dikur kishim planet pesëvjeçare ku thuhej se do të ndërtohej kjo e ajo. Tani kemi zgjedhjet katërvjeçare, kur fitimtarët e dinë se kaq kohë kanë me vjedhë sa më shumë dhe me u bë rehat, edhe për shtatë breza ata dhe familja e tyre. Mirëpo, në shpërbërjen e shtetit, ka dalë e fortë struktura katundare dhe klanore, dhe ata që kontrollojnë votat, i këmbejnë për vende pune. Tani edhe partitë nuk kanë fare ndrojtje dhe bëjnë deputet kë munden e kë gjejnë në rrugë vetëm që të mund të mbledhin votat. Si kanë shkuar punët, gjërat do të shkojnë edhe me keq sepse njerëzit nuk I janë më besnikë shtetit e kombit por fisit, rrethit dhe kuletës, dhe rruga e vetme me mbrritë qëllimet është nepotizmi. Me kohë do të bëhet edhe me keq sepse do të vazhdojë të fuqizohet roli I familjeve mafioze e kriminale. Shtet-kombi dhe forcimi i tij është celësi, zgjidhja, dhe e vetmja rrugë për të dalë nga kjo gjendje. Zgjidhja është me pasë: SHTET me Legjitimitet, SHOQERI me Moralitet dhe SHQIPTAR me Dinjitet. Atëherë do të vihemi në rrugën e mbarë.

Pyetje : Përse e kanë të vështirë të japin dorëheqjen politikanët dhe pushtetarët tanë? Mos vallë ky akt është i lidhur me formimin e tyre, me kulturën, me traditën, me historinë e pakët shtetit shqiptar (100 vjet shtet )?
Përgjigje :
Nuk është puna vetëm tek dorëheqja, se ne kemi pasur figura historike që e kanë dhënë dorëheqjen dhe janë larguar me dinjitet nga jeta politike. Por këta e duan pushtetin sepse është e vetmja mënyrë me u pasurue, e vetmja mënyrë me ruajtë familjet e tyre të kriminalizuara, dhe më e keqja sepse nuk dalin dot prej lojës mafioze. Të gjithë janë të kapur në fyt nga interesa kriminale dhe në lojën e mafias ka një rregull, që praktikisht thotë se po deshe të dalësh nga loja duhet të përfundosh si Hajdari, Olldashi e Santo, ose të vetëmërgohesh si Nano e ca të tjerë që tani rrinë urtë dhe i rrinë afër gotës por që nuk kanë lënë gjë pa bërë dhe nuk do të lënë gjë pa bërë kur të iu jepet mundësia.

Pyetje : Ju jeni padyshim një nga figurat kryesore të asaj lëvizje që quhet Lëvizja e Dhjetorit 90 dhe jeni i njohur për qëdrimet tuaja kritike ne lidhje me klasën politike shqiptare. Ku qendron thelbi i zhgënjimit tuaj, nese mund ta quajme keshtu dhe nese do t'ju jepej edhe nje here mundësia për t'u kthyer prapa ne kohe, ne ato vite, çfarë mendoni se u bë gabim, çfare do të bënit ndryshe, çfarë do të ndreqnit?
Përgjigje :
Nuk jam fort i zhgënjyer sepse në atë rrugë kam hyrë me ndërgjegje, edhe pse e kam ditur se jam i sakrifikuar dhe thjesht po bëja një detyrë qytetare që këta të tjerët nuk e bënë, asnjëri, edhe kur patën rastin. Mendimet që them tani i kam thënë edhe atëherë, mirëpo nuk dëgjonte njeri sepse nuk kishte rëndësi mesazhi por ai që e jepte. Kam mbetur fillikat vetëm dhe kam ikur me zemër të plasur sepse e kam ditur shumë mirë që këta do të vazhdojnë të bëjnë këtë që po bëjnë edhe tani sepse ishin edhe të thyer që fëmijë, edhe të uritun, dhe të përdhunuar deri në fund të shpirtit. Çdo të bëjë gjarpëri dje, sot dhe nesër? Mirëpo, në atë kohë duhej shmangur Lufta Civile dhe vetëm njerëz si këta që dolën në krye të lojës mund ta bënin. Aq ishte detyra e tyre mirëpo oreksi vjen duke ngrënë dhe në vend që të bënin atë që duhej, këta u turrën për pushtet, para e pasione që nuk janë të burrave të shtetit e as të njerëzve normalë. Por, me i ra shkurt, për mua dhe pak të tjerë, ato kohë kanë qënë një shans i papërsëritshëm për me ndrrue rrugë dhe me hy si duhet në rrugën e modernizimit dhe të ndërtimit të një shteti-komb të mbështetur në drejtësinë, interesin kombëtar, në të mirën e përgjithshme, drejtësinë, të mbrojtjes se shtetasve dhe të së ardhmes. Ne e patëm rastin tonë, bëmë atë që bëmë dhe kaq mundëm. Unë vetë nuk kam ndonjë peng, por ndjehem shumë mirë në lëkurën time. Si atëherë, edhe në këtë kohë, të gjithë po presin heronjtë, dhe heronjtë do të lindin prej nesh, sepse nuk ka dënue Zoti deri në atë pikë, por heroi që na duhet ne shqiptarëve është fjala, parimi, fillesa, kuptimi i drejtë. Njerëzit janë të gabueshëm, parimet nuk janë. Kur kuptohet si duhet parimi I ndertimit të shoqërisë normale e moderne, atëherë, njeriu i thjeshtë ruhet shumë mos me ba keq sepse morali shoqëror të dënon; politikani e qeveritari druhet me u përzie në korrupsion sepse ligji të ndëshkon; dhe zhvatësit ngado që vijnë, e dijnë se rruga është e mbyllur dhe një shtet i fortë i pengon. Tani do të shkoja derë më derë jo duke ua vënë thikën në fyt, por duke kërkuar me durim me i bindë njerëzit një e nga një. Ka zgjidhje që na shërbejnë të gjithëve dhe të gjithë duhet të japim dicka për të mbrritë ekuilibret shoqërore që na duhen.

Pyetje :Partia socialiste ka me se 300 ditë në pushtet.A mendoni se programin e saj të Rilindjes po zbatohet nga qeverisja e deritanishme?
Përgjigje :
Si edhe e kemi thënë në blogun Rrethi i Ferrit dhe tek Bleta Shqiptare me shumë nga kolegët e mi, edhe këta janë të destinuar të dështojnë. Ja do ta shtyjnë edhe këtë vit me ndërrim qeverie, me borxhe, e me propagandë, dhe shfaqje televizive, me skandalet e opozitës, nga vjeshta tjetër do të vijë LSI dhe kanë edhe ata radhën e tyre me bashkinë e Tiranës dhe me një kryeministër të ri. Këta duhej të punonin që të bënin shtet, të ndryshonin kushtetutën, të vinin ligjin, të dënonin krimet e maskarenjtë, të jepnin shenja se e dinë se ku po shkojmë. Mirëpo, duhet edhe kjo qeverisje për me tregue se edhe këta janë të dështuar sepse nuk morën shumë nga njerëzit e duhur. Gabimi më i madh është se rruga që po ndiqet nuk është rruga e drejtë... kur e fut makinën në lumë, nuk e din kur do të të fiket motori, shtyje sa të duash. Kështu edhe Rilindja bëhet Rrulindja. Duhej ndërruar rrugë, dhe atëherë do të kishte rezultate të tjera. Ajo që na duhet janë NJERËZIT që ndahen me të keqen dhe që duan një shoqëri ndryshe për fëmijët e familjen e tyre shqiptare, QEVERITARËT E politikanët që punojnë për të fitura respekt e dinjitet prej kombit të vet, dhe BOTËKUPTIMI KOMBËTARIST që të mëson se kombi dhe shteti janë rruga e vërtetë e shpëtimit. Këta nuk I kanë asnjërën nga këto elemente.

Pyetje : Situata kriminale është alamante .Krimi ordinere përdhos çdo ditë policinë dhe organin e akuzës. Ç'ju ngjall fenomeni i pandëshkueshmerise se djeshme dhe mbase te sotme? Po mungesa e zbulueshmërisë duke patur parasysh shumë ngjarje ku më tipikja harresa për ekzekutimin e bankierit Artan Santo ?
Përgjigje :
Situata është si thoni ju, por ajo dihet. Sa zgjohen njerëzit mendojnë se si të bëjnë ca poshtërsi të vogla apo si të ruhen nga poshtërsitë që ua bëjnë të tjerët. Krimi është mënyrë jetese. Ajo që ka rëndësi është rruga që duhet ndjekur për të dalë nga kjo gjendje. Dhe ne na duhet, STRUKTURIMI i vlerave më të pastra e të mira që ka kombi, që nga individi tek bashkësitë e ndryshme; MOBILIZIMI politik i atyre që duan të shërbejnë me mjete sa më demokratike; NDËRTIMI I shtet-kombit Funksional dhe në shërbim të shqiptarëve. Ndryshe do të mbesim në vendnumëro.

Pyetje : Shqipëria dhe BE. Si i gjykoni hapat e hedhura në kete drejtim dhe a është Shqipëria e gatshme per të hedhur hapa të tjere të guximshëm?
Përgjigje :
Detyra e jonë është të bëjmë shtetin tonë që të jetë shteti i shqiptarëve të ndershëm e që e duan familjen, kombin e shtetin e tyre. Ky është edhe objektivi parësor. Detyra e politikës është SIGURIMI i jetës me dinjitet, mbrojtja e nderit, dhe përkujdesja për shqiptarin dhe familjen shqiptare; NDËRTIMI I një shoqërie me vlera e me moral që ushqen më të mirën tek njeriu dhe familja; FUNKSIONIMI I një shtet në shërbim të shtetasve, me burimet e me mundësitë që ka. Nuk jemi europianë, nuk behemi dot europianë, dhe këto gërr-vërret e integrimit janë thjesht pallavra për konsum politik.

Pyetje :Eshte folur dhe flitet shume per mundesite e medha qe ka Shqiperia per t'u kthyer ne nje vend terheqes turistik. Jane hartuar plane e prograne dje dhe sot, por fakti qe aktualisht ka ende probleme elementare si, bie fjala, furnizimi me energji elektrike të zonave bregdetare,mungesa e ujit, kanalizimeve, shërbimi dobët shëndetsotr në plazhe të cilat të zhgenjejnë e te lenë nje shije te hidhur. A mund të quhen te deshtuara hapat e hedhura ne kete drejtim?
Përgjigje:
Po, në letër planet janë të sakta e të qarta, dhe unë vetë kam lexuar shumë plane zhvillimore nga niveli i komunës deri tek i shtetit që të impresionojnë. Mirëpo, kur vjen puna që të zbatohen janë një dështim i përplotë, sepse këta që na sundojnë duan të vjedhin shumë e shpejt dhe nuk kanë fare interes që të zhvillohen kombi e shteti. Turistët e vetëm që kanë me ardhë e që do të kontribuojnë në shumë mënyra në shtetin shqiptar, përvec atyre që duan të shkojnë në zona ku prodhohet canabisi i famshëm, janë shqiptarët emigrantë. Tashmë kemi hyrë e kemi ngelur në rrugën e emigrimit ekonomik. Ky do të jetë një rreth vicioz nga i cili paria e Tiranës nuk do të lejojë shqiptarët që të dalin. Argatë e proletarë, intelektualë e profesionistë ne jetojmë e punojmë në botën e huaj dhe vendet e punës, fabrikat, punishtet e tokat I kemi në vendet e huaja. Mirëpo harxhojmë mijra euro e dollar në shtetin shqiptar në vit, dhe shpresojmë të kalojmë moshën e tretë e pensionin. Të gjithë këto janë burime që mbajnë gjallë familjet, shtetin, dhe biznesin. Prandaj, shteti shqiptar, infrastruktura, administrata, dhe shërbimet duhet të fillojnë e të drejtohen nga emigrantët shqiptarë. Gjysma e popullit shqiptar, në shtetin shqiptar, në Kosovë e në Iliridë jeton në emigrim.

Emigracioni shqiptar tashmë përbën jo vetëm ajkën e kombit, por ka në gjirin e vet edhe kontribuesit më të mëdhënj ekonomikë, sepse, përveç botës së krimit, në shtetin shqiptar prodhohet pakgjë tjetër. Miliardat që këta i kanë vënë dhe nuk i përdorin në shtetin shqiptar i kanë vënë me mundin e vjedhur të emigrantëve, por sa më shumë që vijmë në shtetin shqiptar, aq më të palumtur jemi e ndjehemi. Problemi është se këta që sundojnë duan paratë e nuk na duan ne, dhe ne vijmë me mall e nuk gjejmë asgjë nga ato që kemi nevojë dhe që I gjejmë në vendet ku jetojmë, me dinjitet e me nder. Si të këputen edhe këto lidhjet e brezave në këto vite që po vijnë, do ta gjejmë veten në një udhëkryq aspak të kandshëm.

Pyetje: Mbase ia vlen te komentojme pak nja dy thenie te njerezve tane te medhenj. Poeti yne i shquar Dritero Agolli ka thene se PS dhe PD kane dale nga e njejta miter...Kurse intelektualët thonë se Shqipëria eshte sketerra e te ndershmit dhe parajsa e maskarait... Cili do të ishte komenti juaj?
Përgjigje:
Ajo qe ka thene z. Agolli dhe ajo qe ndjejne njerezit e ndershem nuk jane perjashtuese. Njerezit e uritun me gjetë shpresë e zgjidhje ma të mirë për të ardhmen po presin që zgjidhja do të vijë dikur e prej dikah, presin, të gjithë presin, e vetë nuk bajnë asgja. Tranzicioni drejt askundit po përfundon me oligarkinë e krimbur në miliarda e një popull që han bukë, jeton, por në thelb e ka të parashkruar rrugën e skllavnimit. Mirë ne jemi popull i vështirë dhe nuk sundohemi lehtë. Sa kohë që kishte me hangër e me pi të gjithë, pavarësisht se ato para ishin para gjaku e djerse, duhej se kishte ardhur batica që i bëri të gjithë barkat që të lundronin. Tani nuk ka para, piramidat e shumta do të fillojnë të shemben edhe më shpejt, dhe paria sunduese duhet të fillojë që të taksojë rëndëshëm ose shqiptarët ose veten. Dhe taksa është në para, në mundësi, në shpresë dhe në garanci për të ardhmen. Por si themi ne katundarët, po vjen dimri I tranzicionit dhe mullari me bar të thatë, kur nuk është stivuar si duhet, ose digjet verës, ose kalbet dimrit.

 

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Romeo Gurakuqi: VEHBI ISMAILI, VAZHDUES I DENJË I VEPRËS SË HAFIZ ALI KORÇËS, PIKË REFERIMI PËR KONCEPTIMI​N E QËNIES TONË NACIONALE (08.20.2014)
PROMOVOHET LIBRI 'NË ANKTHET E GOLI OTOKUT' (08.20.2014)
KOHË NDRYSHIMESH NË 'DOKUFEST' (08.19.2014)
NIS PUNIMET SEMINARI NDËRKOMBËTAR PËR GJUHËN, LETËRSINË DHE KULTURËN SHQIPTARE (08.18.2014)
HAJDUTËT 'ME DUAR TË PASTRA'Nga MIMOZA DAJÇI (08.17.2014)
ARRESTIMET NË KOSOVË NUK I PREKËN BOSËT DHE NXITËSIT RADIKALË TË TERRORIZMIT!Opinion nga ASLLAN DIBRANI (08.17.2014)
SË SHPEJTI PANAIRI I LIBRIT “ULQINI-2014”Nga Prof. MURAT GECAJ publicist e studiues Tiranë (08.16.2014)
POLICI SI NË KOHËN E GJYMRYKUTNga KOLEC TRABOINI (08.15.2014)
XHULI SPAHIU SHPALOS POTRETIN E HUMANISTES DHE VEPRIMTARES BEHIDE HASANIFotoreportazh nga ASLLAN DIBRANI (08.15.2014)
MJESHTRI I FOTOGRAFISË ARTISTIKE ALEX SELIMAJ - DRITË E PASTËR E KOHËSNga RAMIZ LUSHAJ (08.12.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart]