E Enjte, 03.28.2024, 02:46pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
PROJEKT I SAMI FRASHËRIT PËR NDARJEN ADMINISTRATIVE TË PERANDORISË OSMANE
Nga KUJTIM NURO, historian

E Hënë, 08.25.2014, 10:31am (GMT+1)


Perandoria Osmane, gjatë gjithë kohës së ekzistencës së saj, ka bërë ndryshime të shumta në organizimin dhe ndarjen administrative të territoreve qe ajo ka pasur nën administrim për një periudhë të gjatë shumëshekullore. Përsosjen dhe organizimin administrativ të këtyre territoreve, ajo e ka parë si një nevojë të domosdoshme në përputhje me shtrirjen e gjerë të tyre gjeografike dhe funksionimin sa më mirë të pushtetit qendror dhe lokal. Sigurimi i rendit publik, kryengritjet e vazhdueshme të popullsisë, vjelja e taksave në mënyrë të rregullt dhe grumbullimi i ushtarëve për ekspeditat ushtarake, kanë qenë disa nga problemet kryesore që kanë diktuar atë të bëjë ndryshimet e mësipërme. Kjo ka sjellë që sistemi dhe organizimi administrativ i Perandorisë Osmane nuk ka qenë i njëjtë në periudha të ndryshme kohore. Një proces i tillë ka ndodhur dhe me territoret shqiptare gjatë kohës që ato ndodheshin nën administrimin e Portës së Lartë. Njësia më e gjerë në organizimin administrativ të kësaj Perandorie ka qenë vilajeti, që në kuptimin e sotëm do të thotë provincë. Vilajeti ka qenë i ndarë në nënprovinca ose prefektura të quajtura me emrin sanxhak. Sanxhaku ishte i ndarë në kaza dhe kazaja në nahije, (komuna - K.N). Organizimi administrativ i shekujve XVIII - XIX -të, ndryshon mjaft nga ai i fillimeve të saj, fundi i shekulli XIV-të deri në fund të shekullit XVII-të. Nëqoftëse në vitin 1520 Perandoria Osmane kishte 80 - 90 sanxhaqe, në vitin 1570- 1580 numri i tyre u rrit në 250-260. Përmirësimet në strukturën administrative filluan t'iu përshtateshin dhe traditat lokale dhe largësisë nga kryeqendra e Portës së Lartë, Stambolli.

Sistemi i vjetër administrativ

Në vitin 1840 me fillimin e Reformave të Tanzimatit, sistemi i vjetër administrativ u ndërrua me një sistem të ri administrativ. Qëllimi kryesor i këtyre reformave ka qenë forcimi i kontrollit shtetëror, i cili kishte qenë i dobët. Nga ana tjetër, kërkesat e shteteve perëndimore kanë bërë që t'i jepnin Perandorisë Osmane një formë në kuptimin perëndimor dhe kryesisht t'i njiheshin popullsisë, pa bërë dallime fetare, parimet e të drejtave njerëzore, të cilat kishin filluar me revolucionin francez. Hapat më të rëndësishëm të këtij procesi janë Dekreti Perandorak i Gylhanese i vitit 1839, fermanët e viteve 1852, 1856 dhe 1858, reforma ligjore e vitit 1864, e cila i dha formën përfundimtare administrimit provincional të Perandorisë Osmane, rregulloret e administrimit të përgjithshëm të vilajeteve të hartuara gjatë vitit 1867 dhe 1870 dhe me Kushtetutën që hyri në fuqi më 23 dhjetor 1876, vilajeteve, qendrave të tyre, sanxhaqeve, livave( prefekturave), kazave dhe nahijeve u jepeshin kompetenca të shumta, të cilat nuk i kishin pasur më parë dhe e ndjenin veten më të pavarur njëra nga tjetra në raport me vartësinë e tyre. Por këto rregullime dhe përmirësime që ishin bërë mbi letra, në praktikë në kuptimin bashkëkohor nuk kishin siguruar ndryshimet pozitive qe priteshin nga dalja e fermanëve dhe miratimi i rregulloreve. Për ketë arsye, Sulltan Abdylhamiti i II që në vitet para të ardhjes së tij në fron, i cili vazhdoi për një kohë të gjatë nga viti 1879- 1909, për çështjet që kishin dalë gjatë funksionimit të administratës qendrore dhe lokale u kërkoi valinjve t'i përgatitnin dhe t'i dërgonin raporte lidhur me gjendjen e përgjithshme dhe problemeve të provincës ku ata drejtonin. Njëkohësisht, u kërkohej që në këto raporte të jepeshin dhe mendimet e tyre për rrugët se si mund të zgjidheshin problemet dhe shqetësimet e dala në provincat që ata drejtonin. Menjëherë për realizimin e kësaj kërkese, filluan nga çdo anë e vendit t'i dërgoheshin Portës së Lartë, projekte për zgjidhjen e çështjeve të dala dhe kontrollin e zbatimit të urdhrave dhe rregulloreve të dala. Nga ana tjetër edhe ambasadoret e shteteve të huaja filluan t'i paraqisnin qendrës qeverisëse së Stambollit, një sërë raportesh dhe projektesh për përmirësimin e reformave në kuptimin bashkëkohor dhe perëndimor. Por, një ndihmesë të madhe për modernizimin e Perandorisë Osmane kanë dhënë dhe përpjekjet e intelektualëve të saj shtetërorë të kohës. Kjo elitë e kishte kuptuar se institucionet e Perandorisë Osmane kishin ngelur mbrapa dhe filloi të japë mendime për të ndryshuar pamjen e institucioneve qeveritare duke i krahasuar këto me institucionet që kishin shtetet perëndimore dhe të emëronin në krye të institucioneve shtetërore, njerëz të aftë dhe të përkushtuar.

Ndihma e
shqiptarëve


Kur Ferhat Pashë Vlora, me ardhjen e tij në detyrë, si kryeministër i Portës se Lartë (1903-1908), përgatiti një listë me emrat që do të caktonte si valinj në provinca të ndryshme të Perandorisë Osmane, ia tregoi vëllait të tij, Syrja Vlorës për t'i dhënë ndonjë mendim, përpara se të jepte vendimin përfundimtar, Syrja Vlora, pasi e lexoi me vëmendje, ia ktheu menjëherë mbrapsht, me të vetmen arsye, se në atë listë nuk kishte parë valinj me origjinë shqiptare, të cilët kishin treguar aftësi se si mund të drejtonin mjaft mirë provinca të ndryshme. Një shembull të tillë e kishin dhënë: Ismail Qemali dhe Vaso Pasha. Ismail Qemali, i kishte drejtuar dhe disa projekte Portës se Lartë, lidhur me mënyrat e qeverisjes së vendit dhe politikën që duhej ndjekur në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare. Një nga këto projekte të tij është ai i vitit: 24 shkurt 1897. Ndër të tjera, ai do t'i shkruajë Sulltan Abdylhamitit të II se: "Brezat e ardhshëm do të japin gjykimet dhe mendimet e tyre lidhur me veprimet e ndodhura sot. Këto veprime janë në kundërshtim me ato të fillimit të mbretërimit tuaj. Ata do të gjejnë dhe do të kritikojnë shkaqet e thella të këtyre mjaft fatkeqësive të mëdha që kanë mbuluar Perandorinë dhe popullin që prej 20 vjetësh e këndej. Gjithashtu, brezat e ardhshëm, nuk do të gjejnë dot fjalët për të mallkuar drejtuesit e kohës gjatë mbretërimit të kohës suaj. Këta drejtues për të mbajtur postet e tyre të larta dhe për të shtuar pasuritë e tyre, kanë hedhur poshtë autoritetin e Madhërisë suaj dhe interesat e shenjta të Perandorisë, duke krijuar kështu gjendjen e tanishme. Përhapja pa masë e korrupsionit, veçanërisht në shtresat e larta, ka sjellë si rrjedhojë mosekzistencën e një administrate qendrore për të mbrojtur të drejtat e shtetit perandorak. Kjo ka sjellë në të njëjtën kohë dhe mosekzistencën e një qeverie që të punonte për të zgjidhur realisht shqetësimet e popullit". Por kjo gjendje e rënduar që kishte mbërthyer Perandorinë Osmane, nuk i shpëton as syrit të njërit prej dijetarëve më të mëdhenj të kohës me origjinë shqiptare: enciklopedistit, romancierit, gjuhëtarit, dramaturgut, përkthyesit të mirënjohur Sami Frashërit.

Dhe Sami Frashëri

Pena e tij nuk do të hedhë vetëm rreshta brilantë, që shkëlqejnë dhe sot, për të hartuar vepra në dobi të botës së qytetëruar apo veçanërisht të vendlindjes së tij, Shqipërisë. Ai, njëkohësisht, edhe si qytetar edhe si shtetas, edhe si nëpunës i asaj Perandorie, do të mendojë dhe do të hedhë rreshta, përsëri në dobi të njerëzimit, edhe se si mund të përmirësohej situata e krijuar, e cila nuk iu përgjigjej , veçanërisht zgjidhjes së kërkesave të popullsisë. Ai, do të përgatisë në këtë kohë një projekt të hollësishëm lidhur me ndarjen e re administrative të Perandorisë Otomane duke iu përshtatur kushteve të reja të kohës që ishin krijuar. Ky projekt i panjohur nga historiografia shqiptare dhe turke, është bërë i njohur për herë të parë nga studiuesja turke Prof. Dr. Selda Kaja Kilic. Ajo e ka gjetur projektin e përgatitur nga Sami Frashëri në Arkivat e Stambollit dhe në publikimin e bërë prej saj thekson se: " ky dokument nuk ka tërhequr dhe aq vëmendjen". Sami Frashëri e ka hartuar këtë projekt i vetëm, kur sot shtete të ndryshme, të cilat kërkojnë të bëjnë ndryshimet e domosdoshme në organizimin dhe ndarjet e tyre administrative, angazhojnë grupe të shumta, harxhojnë kohe e diskutime pambarim. Njohuritë e shumta historike dhe gjeografike që zotëronte ai, e kanë bërë atë që të përfundojë një projekt të hollësishëm dhe konkret për riorganizimin administrativ të Perandorisë Osmane. Sami Frashëri për hartimin e këtij projekti është mbështetur jo vetëm në njohjen e thellë të organizimit administrativ ekzistues të Perandorisë Osmane, por për t'i paraqitur Sulltanit një projekt sa më bashkëkohor të kohës, ka studiuar dhe ka krahasuar edhe si e kanë pasur organizimin administrativ vendet Perëndimore si Austria, Gjermania dhe Franca, për të marrë si shembull prej tyre atë që ishte më e mira. Ai ka dhënë dhe arsyet për ato modele organizimi, të cilat nuk ishin të dobishme për t'iu përshtatur Perandorisë Osmane. Njëkohësisht, në interes të këtij riorganizimi administrativ, ai ka parë dhe sistemin administrativ rus. Projekti i hartuar nga Sami Frashëri, nuk ka datë , por ashtu siç thekson dhe Prof. Dr. Selda Kaja Kilic, ai mund të ketë hartuar atë gjatë viteve 1880- 1899. Për këtë, në ndihmë të përcaktimit të datës, se kur Sami Frashëri e ka përgatitur projektin, vjen nënshkrimi i tij në përfundim të tij me shënimin: Sekretar i Komisionit të Inspektimit Ushtarak- Shemseddin Sami - vula. Sami Frashëri, detyrën e sekretarit të Komisionit të Inspektimit Ushtarak e mori në vitin 1880 me kërkesë të Sulltan Abdylhamitit të II. Ai e kreu këtë detyre deri në vitin 1892 dhe po gjatë këtij, Sami Frashërit do t'i ngarkohej detyra e kryesekretarit të komisionit të lartpërmendur, detyre të cilën e mbajti deri në fund të jetës së tij. Gjatë kësaj kohe, Sami Frashëri ka përgatitur një numër të shumtë botimesh, ndërmjet tyre edhe veprën

"Shqipëria ç'farë ka qenë, ç'është dhe ç'farë do të jetë", e cila u botua në vitin 1899. Sulltan Abdylhamiti i II e vlerësonte Sami Frashërin si një njeri erudit i dy kulturave: të Lindjes dhe të Perëndimit dhe që i kishte dhënë dhe po i jepte aq shumë gjuhës dhe letërsisë Turke. Edhe kur pati zëra në Parlamentin Osman nga disa deputetë lidhur me largimin e Sami Frasherit nga Stambolli në Anadoll, sepse vëllai i tij, Abdyl Frashëri ishte vënë në krye të Lidhjes së Prizrenit, Sulltan Abdulhamiti II as nuk ua vuri veshin këtyre zërave, por e la Sami Frashërin të punojë dhe të shkruajë i qetë.

Në fillim të projektit, Sami Frashëri, thekson se vendet e Perandorisë Osmane me organizimin e tanishëm administrativ të vilajeteve ndodhen në disa pengesa dhe vështirësi. Nëqoftëse është e mundur pranimi i një ndarjeje tjetër administrative,- vazhdon ai me poshtë,- këto pengesa dhe vështirësi do të lehtësohen dhe do të sjellin mjaft të mira dhe dobi në interes të provincave të saj. Me ndarjen e re administrative që duhej bërë, sipas Sami Frashërit, administrata e vilajeteve do të mbahej vetëm me gjysmën e shpenzimeve që harxhohen sot. Do të ketë rregull, punët e shtetit dhe punët e tjera do të përmirësohen,- shkruan me poshtë Sami Frashëri. Çdo kategori nëpunësi , - nënvizon me tej ai-, do të jetë i zënë me punë, do të jetë në shërbim të kryerjes se detyrave dhe do të jetojë më mirë se sot. Duke parë domosdoshmërinë e ndryshimeve të riorganizimit dhe ndarjes së vilajeteve Sami Frashëri i shkruan Sulltanit, se po iu parashtroj mendimet e mia mjaft të qarta dhe të shkoqura se si duhet të jetë në të ardhmen administrata dhe ndarja e vilajeteve. Ai, për përgatitjen e këtij projekti përqendrohet në tre çështje kryesore:

Së pari, Sami Frashëri thekson se duke u mbështetur në sistemin administrativ ekzistues, vilajetet janë ndarë në sanxhaqe, sanxhaqet në kaza dhe kazatë në nahije. Kjo ndarje nuk është e përshtatshme dhe pozitive. Sipas praktikës së ndjekur deri tani, një ndarje e tillë administrative krijon vështirësi në zgjidhjen e kërkesave të qytetarëve. Çfarë do lloj kërkesë e bërë prej tyre, për të mbërritur deri tek autoritetet përkatëse për të dhënë urdhrin e zgjidhjes së problemit, duhet të kalojë në të paktën në 4-5 zyra. Kjo mënyrë, e ndjekur deri tani, sjell vetëm zgjatjen shumë të kohës së zgjidhjes së kërkesës. Gjithashtu, për mbërritjen në vendin e caktuar të këtij dokumenti duhet të punojnë disa nëpunës, gjë që është e panevojshme. Kjo lloj burokracie dëmton shtetin, qoftë në rritjen e numrit të nëpunësve dhe të sekretarëve, të cilët punojnë në shtet, qoftë dhe në fryrjen e rrogave që duhen për të paguar ata.

Së dyti, Sami Frashëri përqëndrohet në mënyrën se si i kryejnë detyrat e tyre valinjtë (guvernatorët , administratorët e provincave) dhe raportin ndërmjet tyre, mytësarifëve (prefektëve) ,kajmekamëve (kryetarëve të bashkive) dhe drejtorëve të nahijeve (kryetarët e komunave). Valinjtë, -shkruan ai -, me detyrë në vilajete duhet të drejtojnë direkt nga qendra dhe ata që vijnë përpara vilajetit. Për ketë arsye, vilajetet nuk kanë siguruar qetësinë publike, duke mos pasur një administrim të mirë të tyre. Mytesarifet, nuk japin vendime dhe të veprojnë në mënyrë të pavarur. Ata ndodhen nën urdhrin e valinjve dhe duke pasur një rrogë të vogël nuk mund të bëjnë një punë me kokë të tyre. Për rrjedhojë, kanë rënë në pozitën e një lajmëtari ndërmjet valinjve dhe kajmekamëve. Kajmekami dhe duke ardhur deri tek drejtorët e nahijeve, të cilët për arsye së krahinës së vogël që administrojnë, kanë hyrë nën urdhëresat e valinjve. Shumica e tyre, kanë rënë në pozicionin të quajtur me emrin" Roja i nahijes, ( roja i komunës)". Shkurtimisht, të gjithë valinjtë duke qenë në një pozicion të lartë, nuk denjojnë të kryejnë të gjitha punët. Kurse, ata qe ndodhen poshtë tyre, për arsye se nuk mund të bëjnë një punë pa u njoftuar nga valiu, drejtimi i vilajetit është prishur dhe në këtë mënyrë nuk mund të sigurojë sigurinë publike.

Së treti, - vazhdon Sami Frashëri-, në zyrat e vilajetit punojnë shumë nëpunës. Një pjesë e tyre marrin rroga të larta, vetëm se nuk interesohen për popullin, dhe nuk denjojnë të dëgjojnë çështjet e tij. Kurse nëpunësit e vegjël që do të bëjnë plotësisht punët, marrin rroga shumë të ulëta. Dhe këta, për shkak të rrogave që i kanë aq të vogla, saqë me vështirësi përballojnë jetesën, e shpërdorojnë keq detyrën e tyre. Në këtë mënyrë, një pjesë e madhe e të ardhurave shtetërore shpenzohet kot. Për rregullimin e kësaj gjendjeje tre-shkallëse, Sami Frashëri parashikon zbritjen e ndarjes se vilajetit nga tre shkallë në dy shkallë. Ai kërkon ndarjen e territoreve të Perandorisë Osmane në vilajete dhe vilajetet në kaza, duke suprimuar sanxhaqet, Me ketë rindarje, Sami Frashëri parashtron domosdoshmërinë e rritjes se numrit të vilajeteve dhe zvogëlimin e numrit të kazave. Veçanërisht është e domosdoshme të zvogëlohen rrogat e valinjve dhe të nëpunëseve me gradë të lartë të vilajetit si dhe rritjen e rrogave të kajmekamëve dhe të nëpunësve të tjerë të kazasë. Ajo që është më e rëndësishme nga këto propozime, siç shkruan dhe Selda Kaja Kilic, është ideja e Sami Frashërit për suprimimin e sanxhaqeve, apo livave (prefekturave). Ashtu, siç e kemi përmendur dhe më lart, njësitë administrative të territoreve osmanë ishin ndarë duke u mbështetur në organizimin: vilajet, sanxhak ose liva dhe kaza. Sanxhaqet janë suprimuar, ashtu siç kerkonte dhe Sami Frashëri në projektin e tij në periudhën e Republikës Turke, duke krijuar në vend të tyre: rajonet. Sipas këtij projekti, Sami Frashëri i ndan njësitë territoriale të Perandorisë Osmane në 50 vilajete dhe sipas kësaj ndarjeje Porta e Lartë do të kishte 50 valinj dhe 200 kajmekamë, sepse çdo vilajet do të kishte 5 kaza. Ai nënvizon se këtë ndarje e kanë disa shtete të mëdha të Evropës, duke u ndare në kantone të mëdha, si Austria të cila drejtohen me një rregullore të veçantë. Sipas tij, ndodhja veç e veç në vilajet e nëpunësve të tillë si inspektori i drejtësisë, drejtorët e zyrave arsimore, të punëve botore(të ndërtimit), të bujqësisë dhe të tregtisë kanë sjellë rritjen e shpenzimeve. Për këtë arsye, ai kërkon që jo çdo vilajet t'i ketë nëpunësit e lartpërmendur, por për pesë-gjashtë vilajete, të ketë nga një komision dhe nën drejtimin e një kryeinspektori, komisioni të përbëhet nga drejtoret e arsimit, punëve botore, të bujqësisë, të tregtisë, së bashku me inspektoret e drejtësisë. Bile, nën kryesinë e inspektoreve të drejtësisë të krijohet dhe gjykata e Diktimit. Këto komisione, nën drejtimin e inspektorit të drejtësisë, në të gjithë territoret e Perandorisë Osmane, së bashku me nëpunësit nuk mund të jenë më tepër se tetë. Gjithashtu, ai shkruan se në çdo vilajet nuk është e domosdoshme të ndodhen regjimente xhandarmërie që e kalojnë numrin me 1000 persona. Në çdo qendër vilajeti mund të ketë një batalion dhe në çdo qendër kazaje mund të ketë një komision. Meqenëse një komandant regjimenti nuk është i mjaftueshëm, ai mund të ketë dhe një ndihmës. Sami Frashëri, duke u mbështetur në këtë ndarje , i ndan vilajetet e Perandorisë Osmane në krahina të mëdha , në 8 Drejtori të Zyrave të Inspektimit. Qendrat e këtyre Zyrave të Inspektimit do të ishin : 1.Manastiri, 2.Selaniku ose Edreneja, 3.Izmiri , 4. Ankaraja, 5.Kajseir ose Konja, 6. Bagdati, 7. Erzurumi ose Erzincani, 8. Sham, përfshirë dhe Stambollin, ku e kishte qendrën Porta e Lartë. Me këtë ndarje administrative, ai zvogëlon numrin e nëpunësve për të bërë sa më shumë kursime. Ndër të tjera, ai vë në dukje se sekretarët e vilajeteve nuk janë të zënë me shumë punë. Këta nga që ndodhen në një kategori, shkallë të ulet dhe nga që nuk dinë shumë gjëra nuk janë në lartësinë e duhur për të kryer detyrat dhe valinjtë detyrohen t'i shkruajnë dokumentet, në vend që duhet t'i shkruanin sekretarët. Kjo bëhet pengesë lidhur me kryerjen e detyrave të tyre funksionale dhe sjell dhe humbje kohe. Kështu, që ata kanë nevojë të kenë ndonjë zëvendës që t'i përfaqësojë dhe të interesohen për punët e hartimit dhe të shkrimit të dokumenteve, të cilat do të lëshohen në emër të valinjve. Për ketë arsye duhet t'iu jepet më shumë rëndësi sekretarëve, të cilët të marrin më tepër përgjegjësi në kryerjen e punëve në emër të valinjve. Dhe, për ketë është e nevojshme që sekretarëve t'iu jepet titulli "ndihmës i valiut" dhe rrogat e tyre të qëndrojnë në shkallën që ndodhen tani. E njëjta gjë duhet të bëhet dhe me sekretarët e drejtorive të kazave, të cilëve duhet t'iu jepet titulli: ndihmës i kajmekamit. Zyra e taksave, sipas asaj qe vazhdon , në çdo vilajet dhe në çdo kaza është e domosdoshme të ketë nga një drejtor dhe nga një nëpunës takse. Do të jetë e dobishme zvogëlimi i rrogave të tyre dhe ato të jenë nën drejtimin e tagrambledhësve ose të llogaritareve. Gjithashtu, me krijimin e gjyqeve të Diktimit të sanxhaqeve të sotëm në çdo vilajet do të bëhen akoma më pak shpenzime. Kurse në kazatë të ketë nga një gjykatë Diktimi më të vogël se sa gjykata e Diktimit të sanxhakut të sotëm. Sigurimi i qetësisë kërkon për të bërë në kohën e duhur punën e mbledhjes se taksave dhe të ketë një administratë të mirëorganizuar. Është e domosdoshme dhe formimi i nahijeve. Vetëm, ashtu siç është në formimin e krahinave franceze, nuk është e përshtatshme që një nahije të përbëhet nga disa fshatra të vegjël. Nëqoftëse marrim modelin gjerman dhe rus do të jetë akoma më i lehtë për t'iu përshtatur . Kështu, një nahije, komunë duhet të jetë e përbëre nga 40-80 fshatra dhe çdo komunë të ketë në përdorim si çarshi, tregje pazari, kullota , xhami etj . Dhe kjo gjë duhet të bëhet zyrtarisht dhe të ketë një qendër të saj. Drejtuesit e komunës, sipas rregullores së bashkisë duhet të përbëhen nga një drejtor (kryetar komune), kryetari i një gjykate të pavarur, një këshill administrativ, një gjykatë pajtimi, anëtarë të së cilës të jenë dy përfaqësues të vjetër të zgjedhur. Me ndërmjetësinë e kajmekamit duhet t'i vërtetohet valiut të vilajetit. Nëpunësit e nahijes duhet të shërbejnë papagesë ose përkundrejt një rroge të vogël të paguar nga bashkia. Kurse kryetari i komunës, edhe pse zgjidhet nga populli, ai duhet të takohet me kajmekamin në cilësinë e nëpunësit të shtetit. Përveç kësaj, duhet të ketë një njësi xhandarmërie, të drejtuar nga një mbledhës taksash, e cila duhet të sigurojë qetësinë dhe të jetë përgjegjëse përballë qeverisë në mbledhjen e taksave. Kryetari i gjykatës së Pajtimit duhet të bëjë detyrën e tij duke u mbështetur në një rregullore të veçantë. Ai përkundrejt zgjidhjes se mosmarrëveshjeve që lindin ndërmjet fshatarëve, duhet të marrë shpërblimin e shpenzimeve. Gjithashtu, kryetari i gjykatës së Pajtimit, edhe që mund të konsiderohet si nëpunës i drejtësisë, duhet të jetë përgjegjës për shkak të detyrës dhe zbatimit të saj përpara qeverisë. Drejtorët e zyrave të arsimit, të punëve botore, të bujqësisë dhe të tregtisë, të cilët do të ndodhen në qendrat e zyrave të inspektimit, në kohën që dalin për të inspektuar vilajetet, do të përbëhen nga një komision vendor. Në këtë komision, ata do të punojnë nën mbikëqyrjen e valinjve dhe nën kryesinë e sekretarit. Sekretari, i cili është dhe kryetar komisioni, do të komunikojë drejtpërsëdrejti me këta drejtorë. Sami Frashëri dëshiron që në çdo vilajet dhe ngritjen e një shtypshkronje, e cila do të ishte nën kontrollin e drejtorëve të zyrave të arsimit. Kjo shtypshkronjë përveç gazetës që do të nxirrte, do të bënte dhe botimin e dokumenteve zyrtare lidhur me provincën, botimin e librave që do të përdorin nxënësit në shkolla, si dhe nxjerrjen e revistave. Nën urdhrin e drejtorit të punëve botore, inxhinieri do të bënte shpërndarjen e botimeve të mësipërme. Qendrat e vilajeteve,-kërkonte Sami Frashëri-, sa të ishte e mundur dhe në kazatë, qendrat e zyrave të redifeve dhe ato të komisioneve të inspektimit të ndodheshin në një vend. Në këtë mënyrë, vendndodhja e këtyre qendrave në një vend të përbashkët, ishte e rëndësishme qoftë nga ana administrative për sigurimin e lehtësirave, qoftë dhe nga ana e kursimeve. Në kohën që është e domosdoshme, -shkruan ai-, duke i lënë mareshallit të ushtrisë detyrën si inspektor i përgjithshëm zyrën e redifëve të vilajetit dhe majorit të batalionit, zyrën e redifëve të kazasë, i gjithë vendi është marrë nën një administrim ushtarak. Për realizimin e kësaj mundësie, është e domosdoshme gjetja për secilin prej tyre e një ndihmësi për inspektorin e përgjithshëm. Në drejtoritë e zyrave të inspektimit të provincave mund të jenë 3 kontrollorë për të inspektuar çështjet financiare, të të dhjetave , të pyjeve dhe të vakëfeve. Siç shihet më lart, Sami Frashëri, duke e ndarë Perandorinë Osmane në 8 zyra inspektimi sheh mundësinë e kapërcimit të vështirësive dhe të gjendjes jo të mire të organizimit të vilajeteve. Duke shkurtuar numrin e nëpunësve dhe duke i përqendruar ata që bëjnë të njëjtën detyrë në çdo qendër vilajeti , ai parashikon zgjidhjen e mjaft problemeve të pushtetit qendror dhe lokal, si dhe zgjidhjen sa më të shpejtë të kërkesave të popullsisë. Gjithashtu, Sami Frashëri duke llogaritur shkurtimin e numrit të nëpunësve, është i mendimit se do të shkurtohen dhe shpenzimet lidhur me pagesat e tyre. Por, në të njëjtën kohë, ai thekson në projekt dhe zvogëlimin e rrogave të drejtuesve të organeve qendrore. Për këtë, ai paraqet dhe listat përkatëse. Një listë përmban organiken e nëpunësve ekzistues dhe në listën tjetër, ai jep organikën qe ai parashikon që mund të jetë në të ardhmen. Në të dyja listat, ai jep emërtimin e titullit dhe numrin e nëpunësve, rrogën që merr dhe do të marrë secili prej tyre si dhe shumën e përgjithshme që shpenzohet dhe do të shpenzohet për pagesën e rrogave. Shuma e përgjithshme e rrogave që shpenzonte shteti për një vit për administratën e vilajeteve dhe të organeve vartëse arrinte në 6. 620.200. kurush. Kurse sipas projektit të hartuar prej tij duke bërë shkurtime të këtyre nëpunësve dhe ndryshime në rrogat e tyre, kjo shume përgjysmohej në 3.320.200 kurush. ( Kurush është një nga njësitë monetare turke. Emri i saj iu është dhënë monedhave metalike, që janë shtypur për herë të parë në vitin 1688, në kohën e Sulejmanit të II - të . Ajo kishte ngjashmëri me monedhat evropiane, të cilat përdoreshin gjerësisht - K.N.). Valiu, i cili merrte 17.000 kurush në vit, sipas projektit të Sami Frashërit, rroga e tij duhej të ishte 10.000 kurush, 7.000 kurush me pak. Gjithashtu, ndërsa në gjithë Perandorinë Osmanë kishte 102 mytesarrife (prefektë), të cilët merrnin nga 6.000 kurush secili, me një shumë të përgjithshme 612.000 kurush, këtë kategori nëpunësi, Sami Frashëri në projektin e paraqitur e suprimonte, duke i kursyer kështu buxhetit të shtetit një shumë të konsiderueshme në vit. Në administratën osmanë ekzistuese ishin 21 lloj kategori nëpunësish, në projektin e tij, ai e zbriste numrin e tyre në numrin 14. Krahas këtyre dy listave, Sami Frashëri ka përgatitur dhe një listë të veçantë në të cilën jep nëpunësit e vilajetit dhe nëpunësit e kazasë. Në të dy kategoritë e nëpunësve të vilajetit dhe të kazasë, ai përcakton dhe rrogat që duhet të kishin ata, të ndarë në tre kategori. Ndryshimi i rrogës së secilit ndryshonte në vartësi jo vetëm në saj të kategorisë por dhe të pozicionit që kishte. Projekti shoqërohet dhe me një ndarje të hollësishme të drejtorive të zyrave të Inspektimit për të gjithë Perandorinë Osmane dhe vilajetet që ato do të kishin nën vartësinë e tyre. Sami Frashëri thekson së këtij projekti i ka bashkangjitur dhe hartat përkatëse, duke përcaktuar edhe kufijtë e vilajeteve, duke u mbështetur në njohuritë gjeografike që ai kishte. Për të bërë dallimin e qartë të vilajeteve, kazave dhe zyrave të inspektimit, ai shpjegon në mënyrë të hollësishme se kufizimet e vijave me ngjyrë të zezë tregojnë vilajetet, vijat me ngjyrë të gjelbër tregojnë kazatë dhe vijat me ngjyrë të kuqe tregojnë qendrat e zyrave të inspektimit. Mbasi jep ndarjen e vilajeteve sipas zyrave të inspektimit, që ato do të vareshin dhe kazatë , të cilët do kishin nën vartësinë e tyre, me poshtë Sami Frashëri shkruan: Duke ardhur në ndarjen administrative të nahijeve po iu parashtroj më poshtë se si do të mund të jetë ndarja administrative e nahijeve të vilajetit të Beratit. Po iu jap vetëm si shembull i vetëm ketë, nga që kam pasur nevojë, kam mjaft njohuri të hollësishme gjeografike të përcaktimit të kufijve të këtyre zonave.
KUJTIM NURO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
4 PAPËT ME ORIGJINË SHQIPTARE (08.25.2014)
SK TIRANA - MBRETËRESHA ME 49 YJE E FUTBOLLIT TË SHQIPËRISËNga ZYDI ALI TURDIU (08.24.2014)
IPESHKVI I KOSOVËS IMZOT MARK SOPI (1938-2006) NJË VIJUES I DENJË I TRADITËS PËR FE E ATDHENga TOMË MRIJAJ, New York (08.23.2014)
LEKSIONE NGA DEKANATI I LLESH ZEF DOÇIT TË LURËSNga RAMIZ LUSHAJ (08.22.2014)
GAZETA TELEGRAFSHINASI RAMA: SHQIPËRIA ËSHTË KTHYER NË SHTETIN E EUNUKËVE DHE KOPUKËVE (Intervistë) (08.22.2014)
Romeo Gurakuqi: VEHBI ISMAILI, VAZHDUES I DENJË I VEPRËS SË HAFIZ ALI KORÇËS, PIKË REFERIMI PËR KONCEPTIMI​N E QËNIES TONË NACIONALE (08.20.2014)
PROMOVOHET LIBRI 'NË ANKTHET E GOLI OTOKUT' (08.20.2014)
KOHË NDRYSHIMESH NË 'DOKUFEST' (08.19.2014)
NIS PUNIMET SEMINARI NDËRKOMBËTAR PËR GJUHËN, LETËRSINË DHE KULTURËN SHQIPTARE (08.18.2014)
HAJDUTËT 'ME DUAR TË PASTRA'Nga MIMOZA DAJÇI (08.17.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart�]