VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - KUFIRI SHQIPTARO-GREK DHE TELININga BESNIK BAKIU

                                                                                      

E Enjte, 04.25.2024, 04:13pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
KUFIRI SHQIPTARO-GREK DHE TELINI
Nga BESNIK BAKIU

E Mërkurë, 08.27.2014, 08:45am (GMT+1)


27 gushti është data e vrasjes së gjeneral Enriko Telinit, kryetarit të Komisionit Ndërkombëtar të Caktimit të Kufijve dhe bashkëpunëtorëve të tij, të cilët e paguan me gjakun e tyre atë që gjenerali i shkruante Konferencës së Ambasadorëve, më 26 gusht 1923, pikërisht një ditë prapa datëlindjes dhe para vrasjes, se "... vendimet e komisionit janë të paanshëm" dhe ai "po kryen detyrën e tij, duke u bazuar në ndërgjegjen e vet e drejtësinë".

Në këto kohë ku po ridiskutohet marrëveshja me detin midis Shqipërisë dhe Greqisë, përkujtimi i kësaj figure dhe veprimtarisë të Komisionit Ndërkombëtar për Kufirin meriton një vëmendje e vlerësim të veçantë, pasi po të shohim dinamikën e marrëdhënieve shqiptaro-greke, vërehet nga njëra anë orientimi konstant i Greqisë, për të pasur një kufi tokësor dhe detar sa më të përshtatshëm dhe më të kontrollueshëm në pikëpamje strategjike, pa marrë parasysh vlerësimin real të së drejtës, bazuar mbi kritere etnografike, gjeografike, ekonomike dhe strategjike dhe nga ana tjetër, pamundësia konstante e shtetit shqiptar për të ndërtuar përfaqësime institucionale politike, që do të lehtësonin ushtrimin e mirëfilltë të integritetit territorial shtetëror.

Caktimi i kufijve shqiptaro-grek është një problem që fillon në shekullin e XIX dhe vazhdon deri në ditët e sotme, me ligjin e luftës me Greqinë, që "de jure" është akoma në fuqi nga pala greke, si dhe problematika për ndarjen e kufirit detar.

Kjo çështje e ka zanafillën e vet para krijimit të shtetit shqiptar, pas Kongresit të Berlinit të 13 qershorit 1878, kur trajtohej si një çështje greko-turke dhe vazhdoi kështu deri në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, e cila i kushtoi shumë kohë caktimit të këtij kufiri. Në mënyrë të padrejtë Shqipëria konsiderohej si vend humbës i luftës dhe tokat shqiptare nuk mundën t'u shpëtonin pasojave të disfatës së Turqisë në Luftën Ballkanike, duke injoruar faktin që Shqipëria jo vetëm nuk kishte asnjë lidhje me luftën e Turqisë me shtetet e tjera të Ballkanit, por përkundrazi kishte dhënë një kontribut të paneglizhueshëm në këtë luftë.

Ndarja e këtij kufiri u bë në dëm të Shqipërisë, me arsyetimin për të mos prishur "konceptin europian", që mund të çonte sipas tyre, në një luftë europiane dhe jo sipas parimeve etnografike, historike, ekonomike etj.

Më 11 gusht 1913 Konferenca e Ambasadorëve miratoi propozimin e kryetarit të Konferencës, E. Grey, mbi kufirin jugor të Shqipërisë, i cili përcaktonte se: Shqipërisë i mbetej Korça e Sazani, Greqia merrte Janinën. Ngritjen një komisioni ndërkombëtar për përcaktimin me detaje të vijës kufitare, si dhe u vendos se, "... Greqia detyrohej që, jo më vonë se një muaj pas përfundimit të punimeve të komisionit të tërhiqej nga territoret e pushtuara shqiptare".

Duhet theksuar se në këtë periudhë shumë të rëndësishme për Shqipërinë patën ndikim të qenësishëm edhe "agresioni" diplomatiko-ushtarak grek, edhe gjendja e mjeruar ekonomiko - sociale e identitare në të cilën ndodhej kombi ynë. Populli akuzoi "Shqipërinë e vogëluat, e bëtë siç deshët vetë".

Ishte kjo padrejtësi historike ndaj një prej popujve më të vjetër të Evropës, që do të sillte ndeshje, gjak, mërira, dhunë dhe lot deri në fillimin e shekullit të XXI. (E drejta vonon, por s'mungon).

Kjo konferencë bëri padrejtësi të mëdha ndaj Shqipërisë, të cilën e ka pohuar vetë kryetari i saj, Eduart Grej, në deklaratën e tij të 17 prillit 1913, "...Unë e di fare mirë se kur gjithçka do të bëhet e njohur, kjo zgjidhje në shumë pika do të japë shkas për kritika të forta...".

Komisioni i parë Ndërkombëtar për Kufirin, megjithëse u kundërshtua fort nga Athina zyrtare (vetë Mbreti Konstandin, sfidonte hapur vendimet e Konferencës së Londrës për kufirin e jugut) filloi punën e tij më 4 shtator 1913 dhe e përfundoi më 17 dhjetor 1913 në Firence, ku në hartat të përgatitura nga topografët King e Grabau, shënohet vija kufitare midis Shqipërisë dhe Greqisë, e cila është pothuajse edhe sot. Kjo vijë fillon nga pika ku "...vija kufitare meridionale e Kazasë së Korçës bashkohet me kreshtën e Gramozit dhe mbaron me gjirin e Ftelias..."

Lufta e Parë Botërore e ndërpret këtë proces, që rinis me Konferencën e Paqes së Parisit, e cila me ndërhyrjen energjike të SHBA-ve dhe Presidentit Willson për zbatimin e parimit të vetëvendosjes së popujve, nuk arriti të ricopëtonte akoma më tej kufijtë e Shqipërisë. Kjo konferencë më 9 nëntor 1921 vendosi që kufijtë shqiptaro-grekë të mbeteshin po ato të caktuara nga Protokolli i Firences i 1913. Për këtë u ngrit Komisioni Ndërkombëtar i Caktimit të Kufijve të Shqipërisë, i cili kishte për detyrë: të vazhdonte punimet e zhvilluara më 1913-1914 nga ana e komisionit të atëhershëm, duke u mbështetur në vendimet e miratuara nga Konferenca e Ambasadorëve; të caktonte në terren kufirin greko-shqiptar deri në "pikën ku e kishte lënë punën komisioni i caktimit të kufijve të Shqipërisë jugore", të sanksionuara në protokollin e Firences të 17 dhjetorit 1913; të "kompletojë punimet e këtij komisioni aty ku shihej e nevojshme".

Komisioni, i formuar më 18 janar të 1922, mbërrin në Shqipëri në mars 1922. Ai përbëhej nga përfaqësues të Anglisë, Francës, Italisë. Japonia nuk dërgoi delegatin e saj. Përfaqësuesi i Italisë, gjeneral Enriko Telini u zgjodh kryetar. Përfaqësues i Shqipërisë në fillim u caktua Ali Riza Kolonja, më pas Bajram Fevziu, i cili pas emërimit të tij si kryetar i shtabit, u zëvendësua nga Dhimitër Berati, sekretar i Ministrisë së Punëve të Jashtme; kurse përfaqësues i Greqisë ishte koloneli Karkancos, që më vonë do të zëvendësohej nga nënkolonel Boçaris.

Komisioni i kryesuar nga Telini punoi në kushte shumë të vështira, që nga problemet shumë dimensionale që nxirrte pala greke dhe deri te kushtet e banimit dhe punës, ku ishin të detyruar të bashkëjetonin midis njerëzve me kombësi, tendenca, mendësi të ndryshme.

Gjeneral Telini gjatë punës së tij u përpoq të ishte i paanshëm në marrjen e vendimeve. Gjatë qëndrimit në zonat shqiptare, gjeneral Telini u prit si mik dhe u respektua për punën që po bënte. Shpesh i shoqëruar nga delegati shqiptar dhe nga anëtarë të tjerë të komisionit, ai bëri vizita në fshatrat shqiptare. Banorët sa herë që e takonin në rrugët e Korçës, në koncertet e Bandës Kombëtare "Vatra" apo në kinema "Modern", ku shëtiste lirisht, e përshëndesnin me gëzim e dashuri të dukshme.

Krejt e kundërta ndodhte në shtetin fqinj, ku ndaj punës së komisionit kishte një qëndrim agresiv e sabotues. Këtë e ilustrojmë me dy raporte të gjeneral Telinit, drejtuar Konferencës së Ambasadorëve, ku për palën greke thuhet se: "... Ky delegacion nuk më jep besim për një bashkëpunim të sinqertë. Delegacioni kërkon me të gjitha mjetet dhe pretekstet për t'u larguar.... Autoritetet dhe trupat greke nxjerrin pengesa nga më të ndryshmet", "...Gjithë kjo atmosferë e krijuar më bën të dyshoj se mos e gjithë puna e bërë do të shkatërrohet nga koloneli grek, Boçari, i cili gjithmonë shpik pretekste dhe incidente që të mos u bindet vendimeve të komisionit...".

Po ashtu, sipas një raporti të Konsullatës italiane në Janinë, gjatë një diskutimi në një moment zemërimi, përfaqësuesi grek kishte thënë për gjeneral Telinin: "Duhet vrarë". Këtë gjë ata e realizuan më 27 gusht 1923 me vrasjen e delegacionit italian të kryesuar nga gjeneral Telini dhe të përbërë nga adjutanti Mario Bonaçini, shoferi Renixho Farneti dhe përkthyesi shqiptar, Thanas Kraveri (Leskoviku).

Kjo ngjarje krijoi problem në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe ato greko-italiane në veçanti, që arriti kulmin me pushtimin e Korfuzit.

Dom Ndoc Nikajt shkruan se: "... Vrasja e Gjeneral Telinit pshtjelloj Greqin. Grekt kërkuenë me ja ngarkue fajin shqyptarve prej se kje vra në tokën shqyptare kurse shqyptarët siguroshin se vrasa nuk ishte e bame prej tyne, por prej grekve...".

Qeveria italiane bëri përgjegjëse palën greke dhe kërkoi dëmshpërblim për këtë vrasje. Më 7 shtator, Konferenca e Ambasadorëve propozoi krijimin e një komisioni ndërkombëtar për të vëzhguar hetimet rreth vrasjes dhe urdhëroi Athinën të depozitonte 50 milionë lira në një bankë zvicerane për të shlyer dëmshpërblimin.

Më 18 shtator, në katedralen e Athinës për të rënët në pritë u dha një meshë madhështore. Pas ngushëllimeve zyrtare, trupat u përcollën për në Prevezë, ku autoritetet dhe ushtria greke bënë nderimet që i ishin urdhëruar Greqisë dhe u nisën drejt Italisë. Nga Taranto u transportuan në Romë, ku u pritën nga një masë e madhe njerëzish. Trupave të pajetë të misionit ushtarak italian iu bënë nderime zyrtare me madhështi në kishën "Santi Apostuli". Pastaj u dërguan për t'u prehur në banesën e fundit, secili në vendin e lindjes. Gjeneral Telini u varros në Firence. Pasi u bë pagesa e 50 milionë lirave më 26 shtator 1923, u bë tërheqja e trupave italiane nga Korfuzi.
Kjo vrasje shkaktoi një zi të përgjithshme në Shqipëri. Parlamenti shqiptar, në shenjë zie ndërpreu punimet e tij për 24 orë. Autoritetet më të larta shqiptare u dërguan telegrame ngushëllimi personaliteteve italiane dhe familjeve të viktimave. Telegrame dërguan dhe bashkitë dhe populli i të gjitha qyteteve shqiptare. Në shumë objekte kulti u organizuan ceremoni përshpirtje për të rënët.

Si përfundim, mund të themi se veprimtaria e këtyre komisioneve përfaqëson një nga faqet e fundit të procesit dramatik, për të mos thënë tejet tragjik, të copëtimit të trojeve shqiptare. Punimet e këtyre komisioneve për caktimin në terren të kufijve të vendosur më 1913 dhe vendosja e gurëve të kufirit, edhe pse në dukje një detyrë e thjeshtë teknike, nuk rezultoi e tillë, për shkak të orekseve të pangopura të qarqeve sunduese të shtetit fqinj.

BESNIK BAKIU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
E HARRUAN ARTAN SANTON!Editoriali sot në KOHAJONË, Gusht 26, 2014 (08.26.2014)
ALI PASHË TEPELENA - PRONA DHE BURRA PËR KONKUBINAT E HAREMITNga BLERINA GOCE (08.26.2014)
PROJEKT I SAMI FRASHËRIT PËR NDARJEN ADMINISTRATIVE TË PERANDORISË OSMANENga KUJTIM NURO, historian (08.25.2014)
4 PAPËT ME ORIGJINË SHQIPTARE (08.25.2014)
SK TIRANA - MBRETËRESHA ME 49 YJE E FUTBOLLIT TË SHQIPËRISËNga ZYDI ALI TURDIU (08.24.2014)
IPESHKVI I KOSOVËS IMZOT MARK SOPI (1938-2006) NJË VIJUES I DENJË I TRADITËS PËR FE E ATDHENga TOMË MRIJAJ, New York (08.23.2014)
LEKSIONE NGA DEKANATI I LLESH ZEF DOÇIT TË LURËSNga RAMIZ LUSHAJ (08.22.2014)
GAZETA TELEGRAFSHINASI RAMA: SHQIPËRIA ËSHTË KTHYER NË SHTETIN E EUNUKËVE DHE KOPUKËVE (Intervistë) (08.22.2014)
Romeo Gurakuqi: VEHBI ISMAILI, VAZHDUES I DENJË I VEPRËS SË HAFIZ ALI KORÇËS, PIKË REFERIMI PËR KONCEPTIMI​N E QËNIES TONË NACIONALE (08.20.2014)
PROMOVOHET LIBRI 'NË ANKTHET E GOLI OTOKUT' (08.20.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]