VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - HipotezëRRETH PORTIT TË MUNDSHËM DETAR TË APOLONISËNga ARISTOTEL MICI, Tribuna Shqiptare

                                                                                      

E Martë, 04.23.2024, 08:49pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
Hipotezë
RRETH PORTIT TË MUNDSHËM DETAR TË APOLONISË
Nga ARISTOTEL MICI, Tribuna Shqiptare

E Enjte, 08.28.2014, 08:50am (GMT+1)


Aristotel Mici

Hyrje:

Sa herë shkruhet për daljen në detin Adriatik të Apolonisë, përmendet lumi Vjosa, që dikur ka pas kaluar anës kodrës së qytetit të moçëm dhe kish grykën të lundrueshme. Ndër kohë nuk përmendet mundësia e një porti detar për bri këtij qyteti antik. Mundësia që Apolonia të ketë pasur edhe një port detar, mendoj se është një hipotezë, që do t'ia vlente të diskutohej lidhur me të kaluarën e kësaj qendre antike. Për të ndriçuar sado pak këtë ide hipotetike, do të parashtrojmë në këtë trajtesë disa arsye përmes vëzhgimesh dhe gjellitjesh me bazë krahinore. Këto motive sugjestive kanë të bëjnë me anën perëndimore tëhinterlandit më të afëret të Apolonisë. Argumentet dhe arsyetimet, që po radhisim kanë karakter të përzier historik, gjeologjiko-hidrik, toponomastik, kishtar, etnografik dhe gojëdhanor, të cilat hasen në trevën e rrethinave të Apolonisë. Me këtë rast e quajmë me vend, që para se të japim arsyetimet tona lidhur me portin e mundshëm detar dhe gjirin e Apolonisë , të bëjmë edhe një përshkrim të shkurtër rreth historisë shekullore të këtij qyteti të famshëm në brigjet e Adriatikut:

Apolonia Magna Urbs et Gravis[1]

Qyteti antik i Apolonisë u themelua rreth fillimit të shekullit VI para Krishtit nga kolonistë helenë të ardhur nga Korinthi, Korkyra (Korfuzi), po ndoshta edhe nga Dyrrahu (Durrësi i sotëm). Apolonia qe vendosur që prej asaj kohe në tre kodra, të cilat arrijnë një lartësi deri 105 metra mbi nivelin e detit.

Ky qytet- shtet, (polis), jetoi për rreth tetë shekujsh, që nga shekulli i VI para Krishtit dhe deri nga fundi i shekullit të IV pas Krishtit. Gjatë kësaj periudhe historike në Apoloni u përzjenë me njera tjetrën tre kultura të lashtësisë: kutura ilire, ajo e helenëve dhe kultura romake.      

Midis këtye shekujve Apolonia do të rritej e zgjerohej nga koha në kohë. Në këtë qytet do të ndërtoheshin pallate luksoze e faltore madhështore, si tempulli i Artemidës, godina e administratës qeverisëse, biblioteka , odeoni, theatri i Madh. Pjesa qendrore e qytetit do të rrethohej nga një mur i trashë , me gjërësi 2.5 metra dhe me një gjatësi prej katër kilometrsh. Për këto ndërtime u sollën gurë të skalitur me dimensione nga 60 centimetra deri në dy metra. Vetëmpër të ngritur murin rrethues të qytetit duhet të jenë sjellë në Apoloni 100,000 metra kub gurë dhe tulla.[2]

Po ky qyteti qe bërë i famshëm dhe për arkitekturën e artin e tij. Shkolla Apoloniate e retorikës dhe e filozofisë kishte fituar emër dhe tërhiqte të rinjtë e shtresave të larta të shoqërisë së kohës antike. Për këtë mjafton të përmendim se në Apoloni ka studiuar për retorikë dhe filozofi edhe perandori Oktavian Augusti. Për më tepër, ai do të ndodhej këtu më 15 mars, 44, para Krishtit, kur në Romë komplotistët do të vrisnin ungjin e tij, Jul Cesarin. Po ashtu, në këtë kohë ndodhej për studime në Apoloni edhe një personalitet tjetër i asaj kohe, Agripa[3], që më vone do të njihej si një nga strategët më të shquar romak, emrin e të cilit mban Pantheoni dymijëvjeçar i Romës.

Oratori i famshëm romak, Ciceroni, i cili e vizitoi qytetin e Apolonisë, mbeti i mrekulluar nga pamja e këtij qyteti madhështor, me gjashtëdhjetë mijë banorë, dhe shkroi për të këto fjalë lapidare "Magna Urbs et gravis" që duan të thonë "qytet i madh dhe hijerëndë"

Qyteti antk i Apolonisë do të vazhdonte jetën e tij urbane deri në shekullin e katërt, pas Krishtit. Po që, më vonë, në shekujt e parë të kohës së Mesjetës, ky qytet do të tëkurrej dalëngadalë në një qendër të vogël peshkopale dhe administrative dhe me një emër fshati të shkurtuar nga ana fonetike, Pojan, si rikujtim i Apolonisë së dikurshme.

Një burim nga antikiteti tregon qe Apolonia lidhej me detin Adriatik me anë të Vjosës, që kalonte pranë kodrës së saj dhe që kishte grykë të lundrueshme, pra në faqen lindore të këtij qyteti duhet të këtë qënë një port lumor. Por kur shikojmë sot gurët e stërmëdhenj të murit ciklopik, në hyrje të tempullit të Artemidës, si edhe gurët e tjerë të godinave antike, del pyetja se si janë mbartur ata gurë me ato pesha dhe përmasa aq të mëdha vetem nëpërmjet një porti lumor ? Pyetja tjetër që del ështëse nga janë gjetur ata gurë të rëndë për ato ndërtime?! As fushat, dhe as kodrat e Myzeqesë nuk kanë asnjë lloj guri. Pra, ata gurë duhet të jenë sjellë nga vende të largëta, ndoshta nga ishujt shkëmborë të Mesdheut a po të detit Egje. Dhe mjeti kryesor për t'i mbartur deri tek porti lumor i Vjosës duhet të kenë qënë anijet e asaj kohe. Po a do të ishte i mjaftueshëm vetëm porti lumor i Vjosës për të përballuar gjithë ato mijëra e mijera tonelata me gurë!? Dalin dy arsye që të bëjnë të dyshosh se porti lumor i Vjosës ka qënë mundësia e vetme e lidhjeve të Apolonisë me detin.

E para, si port lumor ai duhet të ketë qënë nje port me kapacitet te kufizuar nga ana hapsinore për nevojat e një qyteti shtet (polis) prej 60,000 banorësh.

Arsyeja e dytë që të bën të dyshosh për këtë çështje është fakti që ana lindore e kodrës së Apolonisë është shume e thepisur, gjë që do ta bënte tepër të vështirë mbartjen e peshave të atilla, për t'i ngritur ato deri tek kulmi i kodrës në kuotën 105 metra lartësi . Prej aty, ato materiale shumë të rënda do të transportoheshin nga ana perëndimore e kodrës, ku shtrihej kryesisht qyteti. Në ndryshim nga nga ana lindore, faqja perëndimore e kodrës është shumë më e butë dhe bije shtruar buzë kënetës det, qe ndodhej menjëherë ndënë kodrën te Apollonisë, kënetë e cila eshte e dallueshme edhe sot e kesaj dite. Këtorrethana të bëjnë të mendosh për mundësinë e ekzistencës së një porti detar ndën kodrën e Apolonisë.

 

Gjiri detar i Apolonisë apo Këneta e Hoxharës

Prej shumë kohe më parë, ndën kodrën e Apolonisë shtrihej këneta e Hoxhares si një pellg i madh me ujë, ne formën e një patkoj, që ngjante si gji deti. Gjatë dimrit, kur ngrihej niveli i detit nga lartësia e dallgëve, anës perëndimore të saj nuk i dasllohej me sy kufiri, sepse ajo bëhej gati njësh me detin, duke u kthyer kështu në një kënetë-det, siç po e quaj une ne kete trajtese. Kurse në muajt e verës këneta thahej, duke marrë pamjen e një gjysmë shkretëtire. Ajo sipërfaqe ujore tani mbase nuk është më, si rrjedhojë e punimeve bonifikuese, po që deri në mes të shekullit të kaluar ishte krejt e dukshme si një pellg i gjërë uji në formën e një "patkoj" të madh ndën kodrën e anës perëndimore të Apolonisë. Kjo pamje ujore, në formën e patkojit, qe e rrethuar nga disa fshatra, të cilët fillonin me Pishë Poron, Dëllinjasin, Fikthin, Boçovën, Sopin, Pojanin, Hoxharën, ku merr kthesën ana perëndimore e "krahut të patkojit" për gjatë shtratit të Lumit të Vdekur, duke u shtrirë në të gjithë bregun e tij nga fshati Shën-Pjetër deri tek kisha e Shëne-Premtes, tek Pirgjet e Laçenjve, buzë bregut të dikurshëm të detit Adriatik.

            Gjatë shekullit të XIX- të, ky masiv ujor do të quhej këneta e Hoxharës, nga emri i fshatit Hoxharë, që ishte kryeqendra e çifligut të bejlerëve të Fierit, ku ata ngritën dhe konakët e tyre si vazhdim i sarajeve në qytet. Kështu, nga emri i çifligut, këneta mori emrin e Hoxharës, duke u lënë në harresë si emri i Pojanit, dhe ai i Apolonisë.

Kjo kënetë, me gjithë xhepat dhe brrylakët e saj kishte një sipërfaqe harkore rreth 50 kilometra katrore. Ishte ashtu një det- kënetë, një gji prej lagune. Kjo lagunë përgjatë vjeshtës dhe dimrit lidhej me detin përmes grykave të saj, po kur fillonte vera, këto lidhje ndërpriteshin dhe ujtë e kënetës , nga java në javë, avullonte derisa këneta shterronte, duke nxjerrë tabanin e saj të shëllirtë e të kripur.

Nga ana e formimit të saj këneta e Hoxharës i përgjan Kënetës së Nartës, pra i ngjet një gjoli, që ushqehet me ujin e kripur të detit. Po ndersa Këneta e Nartës e ruajti kanalin ndërlidhës me detin për gjithë kohën, Këneta e Hoxharës i humbi ato lloj gryka ndërlidhjesh si pasojë e lëvizjeve hidrike të ekuilibrit të detit.

Këneta e Hoxharës nga pikëpamja e formimit ngjan edhe me Karvastanë si kënetë, po me ndryshimin se edhe Këneta e Karvastasë , si ajo e Nartës, i ka ruajtur kanalet lidhëse me detin, kurse Këneta e Hoxharës jo.

E bëmë këtë arsyetim me analogji midis tipeve të kënetave kripura për të mbështetur idenë që Këneta e Hoxharës jo vetëm që ka origjinë detare, po ka qënë pjesë e detit, ose më qartë gji i detit Adriatik ndën kodrën e Apolonisë. Në të njëjtën kohë, me këtë mënyrë arsyetimi, duam të kundërshtojmë mendimin e shprehur nga ndonjë komentues gjeografie, që deklaron se "Semani dhe Vjosa kishin formuar në Hoxharë një kënetë të madhe nën kodrat e Apolonisë antike"[4], . Një deklarim i tillë, që është shkruar edhe në Fjalorin Enciklopedik, nuk i përgjigjet të vërtetës për këto arsye:

Së pari, se të dy lumenjtë, si Semani dhe Vjosa, nuk janë lumenj të kripur, kurse Këneta e Hoxharës ishte me ujë të kripur, kripësia e ujit të së ciles ndryshonte sipas muajit dhe zonës.

Së dyti, lumenjtë e përmendur nuk e përmbysnin Myzeqenë çdo vit, kurse Këneta e Hoxharës thahej e mbushej me ujë në çdo vit në periudha sezonale të ndërvarura nga kushtet atmosferike dhe niveli i valëve të detit.: Ajo thahej çdo vit në fillim të verës dhe fillonte të mbushej me ujë në muajt e vjeshtës e të dimrit.

Së treti, për rreth periferisë së kënetës rriteshin bimë të tokave të kripura si jamruku, fshesa kripje, laboti i eger, grëmi i egër dhe të tjera bimë, që duan toka shumë të kripura dhe nuk rriten në toka me ujëra të të ëmbla. Kjo tregon se shkalla e kripësimit të ujit ishte e fortë edhe në brigjet e kënetës.

Se katerti në qendër të kënetës, atje ku kryqëzohen diagonalet e lagunës, që lidhin Pojanin me Shën-Pjetrën dhe Hoxharën me Boçovën, atje ku thellësia është më e madhe, pas avullimit të ujit, formohej një shtresë kripe. Atëherë,kjo pjesë e kënetës kthehej ashtu në një kripore primitive. Jam dëshmitar okular për këtë realitet dhe mbaj mend se deri në mesin e viteve pesëdhjetë të shekullit të kaluar, në fillim të çdo vere turma njerzish nga fshatrat rreth e rrotull vinin dhe mblidhnin kripë me shporta, me kosha e shosha. Ky episod është më domethënësi që e kundërshton idenë se këneta e Hoxharës është formuar nga uji i Semanit dhe i Vjosës.

Së pesti, banorët e krahinës rreth e përqark kënetës së Hoxharës e qujanë tabanin e tokës së saj si tokë shëllirë, dhe tokë trok, dhe jo tokë të ujërave të ëmbla.

 

Të gjitha gjasat si me sipër, japin të kuptosh se Këneta e Hoxharës duhet të jetë krijuar nga një gji i detit Adriatik ndën kodrën e Apolonisë, i cili, me kalimin e shekujve, me levizjet hidrike te ujrave detare u kthye në një lagunë, që komunikonte me detin Adriatik përmes grykave të njohura e të panjohura sot. Ky fenomen i levizjeve hidrike te detit është aq i dukshme në bregun tjetër të tij, në bregun italian, konkretisht në Venecia, ku valët e Adriatikut futen deri në qytet, duke lëpirë edhe shkallët e katedrales së Shën-Markut. Ndërsa në bregun shqiptar, vetëm disa kilometa në veriperëndim të Apolonisë, në Gjirin e Semanit, deti ka prirje të futet në tokë. Si rast konkret për këtë fenomen të ekuilibrit hidrik të detit po tregojmë një shembull nga jeta reale: Në mes të shekullit të kaluar, ndërmarrja komunale e qytetit të Fierit, ndërtoi dy rreshta me godina të thjeshta, tip kabinash për pushuesit. Po ç'ndodhi!? Pas 40 e ca vjetësh ato godina u pushtuan nga valët e detit; pra deti mori tokë. Po kështu ndër kohë, më në jug, deti lë vend, ose largohet duke, krijuar terrene moçalor. Po kjo dukuri e ekuilibrit detar të Adriatikut nuk është e re, ajo është një veti e tij e ngaherëshme. Dhe kur në dyzet vjet deti mori aq tokë në një anë dhe lëshoi aq vend moçalor në anën tjetër, çfarë duhet të ketë bërë ai për gjatë njëzet e ca shekujve në grykën e ish gjirit të Apolonisë, që shumë më vonë do të quhej Këneta e Hoxharës? Gjatë kësaj kohe shekullore deti Adriatik është spostuar pak nga pak, duke lënë prapa një terren me pirgje rëre (bëse) , ose "duna" dhe gjole të kripur, që dalë nga dalë e zunë grykën e ish gjirit të Apolonisë, duke e kthyer atë në një lagunë të mbyllur për gjatë verës. Po,ndër kohë, ajo do të mbushej me ujë në vjeshtë e sidomos në dimër nëpërmje grykave të ndryshme, që janë të dallueshme edhe sot e kësaj dite.

 

Keneta e Hoxhares ka qenë e lundrueshme për nevoja peshkimi me lundra qe voziteshin me shkop të gjatë. Zona më e lundrueshme e lagunës, që mbeti deri vonë si e tillë, fillonte prej Lumit të Vdekur e deri tek Gjoli i Kërrnicës dhe ai i Povelçës.

Lundrat, që përdoreshin kishin formën e "sovajkës", pra të holluara nga të dyja anët dhe nuk voziteshin me lopatë, po ngiteshin me një dru të gjatë, që në të folmen e karahinës quhet "koll". Këtë dru të gjatë lundërtari e vendoste në tabanin e lagunës, dhe shtynte me të tokën, po edhe toka, sipas ligjit të fizikës, ligjit të kundërveprimit, e shtynte lundrën dhe ashtu realizohej vozitja mbi ujin e lagunës, që dikur pati qënë kënetë-det. Druri i gjatë, pra "kolli", i shërbente lundërtarit edhe për të bërë kthesat, a po t'i jepte drejtimin lundrës. Nga kjo anë, dashje , pa dashje, këto lundra primitive të Kënetës së Hoxharës të kujtojnë "gondolat" e gjirit të Venecias, se edhe ato vihen në lëvizje po me anë të atij druri të gjatë, "kolli", që venecianët e quajnë "palo".

 

           Këneta e Hoxharës[5], para se të fillonin punimet nga ndërmarja e bonifikimit në mesin e shekullit të kaluar, siç është thënë më sipër, mbushej me ujë për gjatë vjeshtës dhe dimrit dhe thahej në mbarim të pranverës. Nga kjo anë këneta e Hoxharës ngjan edhe me regjimin ujor të Lumit të Vdekur, i cili po ashtu, thahej në muajt e pranverës dhe "ringjallej" me ardhjen e vjeshtës. Gjithë lumenjtë e shpjenë e ujin nga toka në det, kurse Lumi i Vdekur bënte të kundërtën, merr ujin e detit dhe e sillte në vendet e ulta, duke mbushur Kënetën e Hoxharës. Ky veprim i këtij lumi, ose ky komunikim midis detit dhe kënetës, ishte më i dukshëm veçanrisht tek një kurorë e lumit, që populli e quan "Tek Rrjedh Ujtë", sepse atje uji i lumit lëpinte bregun dhe teptiste në kënetë. Po, ashtu, ka pasur edhe shtigje ose gryka të tjera, ku uji i detit çante drejtë kënetës. Ky fenomen ndodhte atëherë kur vinte "bura", kur shtoheshin erërat dhe ngriheshin dallgë të larta sa futeshin në grykën e Lumit të Vdekur dhe në grykat e tjera si Vija e Mollës e kështu me radhë. Kjo kënetë, me ardhjen e burës në vjeshtë, niste të mbushej me ujë të kripur deti edhe nga ato rrjedha gati të padukshme, që populli i quante "burishte" e "notishte", të cilat sillnin ujë si arterie gati të nëndheshme.

Pra, dhe këta shembuj mbrojnë idenë se Këneta e Hoxharës ka origjinë detare dhe para se të bëhej kënetë, ka qenë gji deti. Ajo nuk ka qenë si kenetat e tjera të Myzeqesë me ujëra jo të kripura, të cilat nuk kishin asnjë lidhje me detin dhe mbusheshin nga ujërat e shiut , si edhe nga ujërat e përrenjëve, nga ujërat e rrëkeve dhe nga kanalet, si dhe prej degëve të lumenëve, siç kanë qënë këneta e Sheqit, këneta e Grizës, këneta e Rroskovecit e ndonjë tjetër.

.Duke qënë se dikur Këneta e Hoxharës ishte si një gji deti anës faqes së zbutur të Apolonisë, lejohemi të hamendësojmë mundësinë e ekzistencëns së një porti detar për nevojat e banorëve të këtij qyteti antik tek ndonjë breg i saj . Një port i tillë do ta lidhte më shumë Apoloninë me detin Adriatik, aq më tepër kur kjo anë e kodrës, pra faqja perëndimore e saj, është me një pjerrësi shumë të zbutur në krahasim me faqen lindore të kodrës së këtij qytetit. Një dëshmi materiale, si monument historik, në këtë rast, mund të shërbejë, për të rënë në gjurmim të këtij porti, kisha e Shëne-Premtes në Laçanë.            Po ç'është kjo kishë?

 

Kisha e Shëne-Premtes si një çelës për portin e Apolonisë

Kisha e Shen e Premets ne Laçanë është një godinë e vjetër kulti, që ka një pozicion dhe një vend-ndodhje shumë domethënëse. Ajo gjendet në pikën më skajore të krahut perëndimor të "patkoit ujor" të Apolonisë, atje tek mbaron gryka e Lumit të Vdekur, buzë bregut të dikurshëm të detit, ku duhej të ketë pas qënë një një qytezë e banuar nga familje detarësh, lundërtarësh, po edhe peshkatarësh. Atje, tek ky vend i populluar, kjo kishë duhej të ketë qënë epiqendra e asaj qyteze të zhdukur .                                                                                                        

Kjo kishë, e cila ndodhet në një terren të pabanuar, si në një gjysëmshkretëtirë, pa asnjë shtëpi për qark, pa as edhe një kasolle, a po tend barinjësh pranë, të tërheq vemendjen me ekzotikën e saj.    

Kështu, për specifikën e saj, kisha e Shëne-Premtes, si një faltore e moçme, duhet marrë si një çelës, për të shikuar në thellësi të shekujve lidhur me pellgun ujor të Apolonisë, pra të gjirit të saj detar, në kërkim të portit të mundshëm.  

Ashtu si e mbaj mend, deri në vitin 1955, kur e kam vizituar tok me shkrimtarin Jakov Xoxa,[6] kisha e Shëne-Premtes ngrihej në një vend gjysëm të shkretë, në bregun e majtë të Lumit të Vdekur, afër grykës së tij. Nga jugu kishte kufi një rrëke të kripur , që quhej Vija e Mollës dhe nga ana tjetër, në lindje shtrihej kënetës e kripur e Hoxharës, kurse në anën veriore të saj ndodhej një pyll i degraduar me vidha, verrinj, frashër dhe dëllinja, po ku nuk mungonin shkurret e marinave. Ky ishte Pylli i Shëne Premtes, që nuk prekej për dru zjarri nga banorët e zonës përqark. Ky pyll dukej nga portiku i Apolonisë si në pëllëmbë të dorës tok me gjithë kishën e Shëne-Premtes. Jo kujdesi shtetëror, po "hija" e vetë shënjtores kishte ruajtur për shekuj me radhë edhe kishën edhe Pyllin e Shëne-Premtes. Mbaj mend mirë se në të majtë të këtij pylli ndodheshin edhe disa rrënjë ullinj, në grup, si një korije e vogël ngjitur me drurët pyjorë. Ishin ullinj me kokërra të vogla dhe bërthamë të madhe, por shumë vajës. Në të folmen e vendit quheshin "ullastra", mbase nga latinishtja "oleastro", ulli i egër. Prania e atyre ullinjve afër kishës së Shëne-Premtes të kujtonte me një herë ullinjtë tek kodra e Apolonisë, atje tek hyrja e tempullit të Artemidës. Në rastin konkret kjo dukuri është domethënëse, sepse flet për një pikëtakimi midis dy qendrave të lashta. Shenojmë se gjithë fshatrat e zonës përqark nuk e kanë praktikuar kulturën e ullirit; kështu që këta ullinj tek Pylli i Shëne Premtes tregojnë indirekt për mundësitë e lidhjeve të vjetra jetësore midis Apolonisë dhe qendrës së banuar dikur për rreth Shëne-Premtes. Është me rëndësi të shënojmë se këta ullinj nuk ishin vetëm tek Pylli i Shëne-Premtes, po ata dukeshin edhe përgjatë kurorave të Lumit të Vdekur në një distancë prej një qind ose dyqind metra larg njeri tjetrit. Barinj dhe peshkatarë pleq të zonës për rreth tregonin "se ato ullastra janë shënja që dëshmojnë se për rreth tyre dikur, një herë e njkë kohë , kishin pas qënë oborre shtëpish. Mirëpo, gjithë gjurmët e atyre shtëpive janë zhdukur, po ullinjtë jo, ullinjtë nuk u zhdukën, sepse ulliri është si i shenjtë, është i uruar nga zoti dhe nuk prishet nga moti". Gjithënjë sipas rrëfimeve gojëdhanore të peshkatarëve dhe të barinjve, "njerzit në ato kohëra i lanë shtëpitë, i braktisën nga shkaku i shejtanëve të tmerrshëm, që dilnin nga deti. Këta shejtanë quheshin Laço. Nga ky emër i "Laçove" vendi u quajt Laçanë, kurora e lumi atje u quajt kurora e Laçanit dhe kisha filloi të thërritej po ashtu Shëne-Premtja në Laçanë".

Është e qartë se në këto rrëfime kemi të bëjmë me një bestytni. Po me gjithë atë, brenda kësaj bestytnie, lihet i nënkuptuar një realitet gojëdhanor. Në këtë rast, me shejtanët, që vini nga deti, duhen marrë me mend grupe piratësh, grabitsish, ose ushtri të fisve barbare, që sulmonin duke u future nga ana e detit dhe terrorizonin familjet e pambrojtura të qendrës së banimit rreth Shëne-Premtes. Kështu që kjo qendër e populluar dhe e pasur u kthye në shkretim. Po para se të meditojmë për qytetërimin e mundshëm të këtij vendi të braktisur, vendit ku ndodhet sot kjo kishë e Shëne-Premtes, le t'i bëjmë një përshkrim sa do të thjeshtuar kësaj faltoreje të moçme:

Kisha e shëne-Premtes në Laçanë ka formën e një katërkëndëshi kënd- drejtë. Gjatësia e brendshme është shtatë metra, kurse gjërësia e saj është tre metra e gjysëm. Lartësia nga dyshemeja në tavan arrin pesë metra. Në anën ballore nga lindja muri i kishës merr një formë sferike, me rreze deri një metër, në trajtë ovale, si për të treguar vendin e altarit, po pa u ndarë nga dyshemeja e platesë[7]. Themelet dhe pjesa bazale e mureve janë të përbërë nga gurë të mëdhenj që të kujtojnë muret ciklopike si tek hyrja e tempullit të Atremidës në Apoloni, dhe që kanë një metër trashësi. Kurse pjesa e tjetër e mureve është e përbërë nga tullat e mëdha të tipit alla-Apolonia, të lidhura me gëlqere, që ngjajnë me teknikën e ndërtimit të murit rrethues të Apolonisë. Trashësia e murit me tulla mund të përllogaritet nga 100 deri në 80 centimetra. Dera shikon nga veriu dhe ndën të janë shkallë të vjtra, që të shpjenë brenda kishës. Tipari më dallues i tipit ndërtimor të kishës është çatia, që ka një formë ovale, si një gysëm cilindri, si një lloj qemeri e vendosur sipër, duke u shkrirë njësh me muret. Pra çatija është vazhdimi i natyrshëm oval i mureve. Kjo çati dhe ( në të njëjtën kohë edhe tavan) ka qënë shumë e fortë. Për rezistencën materiale dhe fortësinë e kësaj çatije mjafton të përmendim se gjatë Luftës së Parë Botërore anijet luftarake italiane, duke e parë të ngjajshme me ndonjë objekt ushtarak austriak, e qëlluan me artileri. Predha e arriti shenjën dhe goditi anën perndimore të kishës. Ashtu, gati një e katërta e çatisë u rrëzua. Po me gjithë këtë goditje, kisha e Shëne-Premmtes do t'u qendronte rrebesheve të kohës për disa dekada, deri nga vitet shtatëdhjetë të shekullit të kaluar, kur godinën do ta merrte në mbrojtje Instituti i Monumenteve dhe do t'i vinte një çati të re përsipër. Pra shkurt, ndërtesa e kishës së Shëne-Premtes është e veçantë nga gjithë kishat. Specifika e saj duket së pari nga teknika ndërtimore, ku bije në sy mjeshtëria greko-romake, mjafton të shikosh me vemendje gurët e themelit dhe tullat e mureve. Së dyti, altari nuk është i ndarë nga plateja, kështu që altari më tepër është simbolik se sa funksional, së treti, në kishën e Shëne-Premtes mungojnë simbolet religjioze, nuk ka asnjë afresk, asnjë skulpturë, asnjë imazh të ndonje shenjtori të krishter, asnjë gjë të gëdhëndur në mur, madje asnjë shënjë të kryqit. Pra, kemi një godinë të fortë dhe shumë te vjetër, nga njera anë, dhe nga ana tjetër, një kishë në gjendje primitive. Po që të dyja këto anë, si konstrukti i fortë dhe gjendja primitive e faltores së Shëne-Premntes flasin për lashtësinë tepër të herëshme të themelimit të saj. Për hamendjen tonë, kisha e Shëne-Premtes, që ndryshon nga paraqitja dhe kompletimi i kishave të tjera, nuk duhet parë si rast i veçuar nga Apolonia, po si një pjesë integrante e hinterlandit të saj më të afërt, ose të paktën një vazhdim i vonuar i qytetërmit të atij qyteti antik. Nga kjo anë, nga ana e antikitetit, kisha e Shëne-Premtes të kujton "Shtyllën" e Shtyllasit, një kolonë , që duket për kundruall kësaj kishe në distancë si një gisht gjiganti drejtuar qiellit.. Ashtu si "Shtylla" e Shtyllasit, tre metra e ca e lartë, qendron në këmbë e patundur si shprehje e qytetërimit antik, dhe Shëne-Premtja në Laçanë qendron dhe ajo ende e fortë, po si një godinë "e gjallë" prej një kohe të vjetër. Po ndërsa "Shtylla" e Shtyllasit tregon kulmin e lulëzimit të Apolonisë, "godina" e Shëne-Premtes duhet të shprehë fundin e Apolonisë, periudhën kur qyteti-shtet (polis) nuk kishte më asnjë autoritet dhe kish humbur çdo lloj pushteti, për të mbrojtur jetën edhe banesat e qytetarëve. Pra, mund të ketë qënë ajo periudhë kohore, kur vinin nga deti shejtanët e këqij,(Laçot) siç i ka quajtur populli keqbërësit grabitqarë, që masakronin banorët në shtëpitë e tyre deri sa i detyromnin të braktisnin vendin, atë vend që mori pastaj emrin Laçanë, (pra ana e Laçove) dhe që, mbase, ka mundësi të koincidojë me fundin e Apolonisë në mbarim të shekullit të IV pas Krishtit, kur faltoret e paganizmi politheist po zëvendësheshin nga kishat paleokristiane. Hamendësojmë këtë ide hipotetike, së pari duke parë konstruktin e fortë e të qendrueshëm mural të tipit apoloniat të godinës, nga njera anë dhe mungesën e përgjithshme të simboleve të një faltoreje krishtere të kompletuar, nga ana tjetër. Dhamë kështu disa detaje rreth kishës së Shëne-Premtes, jo për t'u future në kompetencat e arkeologëve dhe të studjuesve të tempujve të kultit, po vetëm e vetëm që të theksojmë se kisha e Shëne-Premtes mund të jetë si një pikë referimi lidhur me hipotezën që Apolonia duhej të ketë pasur edhe një port detar brenda harkut ujor të lagunës së saj, që sot quhet Këneta e Hoxharës dhe që dikur ka qënë pjesë e detit, një kënetë-det, që atëherë lagte rrëzat e kodrës nga ana perndimore e qytetit.                                                                                                                                 E bëmë këtë trajtesë, si një prezantim faktesh, për t'iu përgjigjur indirekt pyetjeve: Pse ka qënë ngritur kjo kishë? Kujt i është dashur në një vend të shkretë që të ngrerë një godinë me materiale aq të rënda dhe të kushtueshme për atë kohë historikisht të largët?! Cilës kohe i përket kjo kishë? Sa kohë ka zgjatur shërbimi i kësaj kishe? Pse e braktisën besimtarët faltoren e tyre? A mund të jetë kjo kishë vazhdim i vonuar i qytetërimit apoloniatë?

 

 

           Toponimia rreth Shëne-Premtes në Laçanë                                            

Në mungesë të fakteve dhe dokumenteve lidhur me hipotezën se Apolonia duhet të ketë pasur edhe një port të mundshëm detar, krahas atij portit lumor të Vjosës, na vjen në ndihmë gjuhësia me anë të toponomastikës. Deti, duke u larguar nga laguna e Hoxharës, ka lënë pas tokë me pirgje rëre, që vendësit, siç e përmendëm, u thonë "bëse", po që në gjeografi quhen "duna" dhe midis këtyre bëseve shtrihen disa gjole me emrat e tyre të përveçëm..

 

               1)Për këtë dukuri le të përmendim në fillim faktin se më në perëndimë të kishës së Shëne-Premtes, gjendet një gjol i vogël, me emrin Portiq. Siç kuptohet, rrënja gramatikore e këtij emri  perbëhet nga fjala "Port", kurse mbaresa e fjalës  "-iq" është një prapashtesë ende e gjallë në të folmen e zonës dhe formon emra zvogëlimi, ose emra zvogëlimi dhe me kuptim pejorativë. Po nga kjo prapashtesë janë formuar edhe emra të tjerë si shkuratabiq, furriq, korroziq, ashtu si edhe fjala Portiq . Pra shekuj më parë banorët e kesaj zone duhet ta kenë quajtur gjolin fare pranë Shëne-Premtes "Port-iq", që në kuptimin e parë leksikor do të thotë "Port i vogël". Me një fjalë është e pranueshme nga goja e popullit se pranë Shëne-Premtes ka pas qënë një "port" detar, ku duhet të jene ankoruar lundrat e dimensioneve të ndryshme.

            2)Në ndihmë të hipotezës se Apolonia duhej te ketë pasur edhe një port detar brenda ish gjirit të saj,( detit kënetë), që sot quhet këneta e Hoxharës, na shërben edhe një detaj tjetër linguistik, nje emër vendi, toponomastik, Gjoli i Gallan-it, i cili ndodhet gjithashtu pas shpinës së kishës së Shëne-Premtes, në perëndim të saj. Nuk është e vështirë të marrësh me mend se rrënja gramatikore e këtij emri "Galla-n" ka lidhje me një fjalë me origjinë latino-veneciane nga sfera e lundrimit lagunor, siç është fjala "galla", që në fjalorin italisht shqip shpjegohet: "rri mbi ujë, ose dal mbi ujë", (ifinitivo, galleggiare= rri mbi ujë),( galleggiante=bovë). Vetëkuptohet se ky toponim e merr emrin nga qendrimi i lundrave mbi ujë, ose nga lëvizja e këtyre lundrave mbi ujët e lagunës, po që, gjithësesi zanafilla e fjalës ka pas të bëjë me sferën e lundrimit, aq shumë sa i ka dhënë dhe emrin gjolit në fjalë, Galla-n.

            3)Në favor të hipotezës se Apolonia duhet të ketë pasur edhe një port të sajën detar është edhe një emer tjetër, një tjetër toponimi domethënëse, "Gjoli i Gjemisë", që ndodhet po në perëndim të Shëne-Premtes së Laçan-ës. Ky gjol, pjesë e lagunës së Hoxharës, dikur ka pas qënë port, ku vinin e qendronin gjemitë . Pra, gjuhësia me anë të toponomastikës, na sqaron vendin, ku tradicionalisht kanë ardhur e janë ankoruara anije ose gjemi të ndryshme drejtë Apolonisë.

           I parashtruam këto raste të mikro-toponimive, që ndodhen në perëndim të Apolonisë dhe ngjitur me kishën e Shëne-Premtes në Laçanë, atje ku mbaron Lumi i Vdekur dhe shtrihej ish bregdeti, me qëllim që të forcojmë idenë se Shëne-Premtja mundet të ketë pas qënë epiqendra e një porti të zhdukur në hinterlandin e Apolonisë.

           Si përfundim, nga gjithë këto fakte dhe arsyetime lejohemi të hamendësojmë që hipoteza se Apolonia duhet të ketë pasur edhe një port të mundshëm detar përgjatë pellgut ujor të ish gjirit të saj, ka një bazë reale që duhet marrë në konsideratë nga studjuesit e antikitetit, ku duhet të gërshetohen të dhënat e disa kërkimeve sipas motiveve dhe fushave studimore që kemi përmendur në këtë trajtesë, dhe ku pika orientuese duhet te jete kisha e Shënë-Premte në Laçanë.

 

Massachusetts, Korrik, 2014

 

 --

 

[1] Fjalë të oratorit të famshëm romak, Cieronit, që duan të thonë: Qytet i madh dhe hijerëndë

[2] H. Ceka, Apollonia, Tiranë, 1958, f.32

[3] M. Agrippa, (63-12, Para Krishtit), strateg i Romës së vjetër

[4] R. Saraçi, Fjalori Enciklpedik Shqiptar, f. 1156

[5] Laguna që shtrihej në rrëzë të kodrave të Apolonise u quajt "Këneta e Hoxharës" gjatë shekullit të XIX , kur fshati Hoxharë, që është ngjitur me Pojanin ,u bë kryeqendër e çifligut të bejlerëve të Fierit. Aty bejlerët ngriten edhe konakët e tyre si vazhdim i sarajeve që kishin në qytet. Kështu që emri i çifligut të Hoxharës arriti të dalë para emrit antik të Apolonise, ose dhe atij të Pojanit të sotëm.

[6] Shkrimtari Jakov Xoxa mbeti i impresionuar me pamjen dhe gjendjen ekzotike të kishës së Shëne-Premtes; disa nga episodet e romanit "Lumi i Vdekur" ai do t'i vendoste për rreth kësaj kishe.

[7] Të dhënat për dimensioned ek ishës së Shëne-Premtes më janë sjellë të verifikuara edhe nga ing. Ardian Tanku, anëtar i shoqatës "Rilindja e Apolonsë".

ARISTOTEL MICI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KUFIRI SHQIPTARO-GREK DHE TELININga BESNIK BAKIU (08.27.2014)
E HARRUAN ARTAN SANTON!Editoriali sot në KOHAJONË, Gusht 26, 2014 (08.26.2014)
ALI PASHË TEPELENA - PRONA DHE BURRA PËR KONKUBINAT E HAREMITNga BLERINA GOCE (08.26.2014)
PROJEKT I SAMI FRASHËRIT PËR NDARJEN ADMINISTRATIVE TË PERANDORISË OSMANENga KUJTIM NURO, historian (08.25.2014)
4 PAPËT ME ORIGJINË SHQIPTARE (08.25.2014)
SK TIRANA - MBRETËRESHA ME 49 YJE E FUTBOLLIT TË SHQIPËRISËNga ZYDI ALI TURDIU (08.24.2014)
IPESHKVI I KOSOVËS IMZOT MARK SOPI (1938-2006) NJË VIJUES I DENJË I TRADITËS PËR FE E ATDHENga TOMË MRIJAJ, New York (08.23.2014)
LEKSIONE NGA DEKANATI I LLESH ZEF DOÇIT TË LURËSNga RAMIZ LUSHAJ (08.22.2014)
GAZETA TELEGRAFSHINASI RAMA: SHQIPËRIA ËSHTË KTHYER NË SHTETIN E EUNUKËVE DHE KOPUKËVE (Intervistë) (08.22.2014)
Romeo Gurakuqi: VEHBI ISMAILI, VAZHDUES I DENJË I VEPRËS SË HAFIZ ALI KORÇËS, PIKË REFERIMI PËR KONCEPTIMI​N E QËNIES TONË NACIONALE (08.20.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]