VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Shën Kozmai shenjtor? Ai është si Ballaban Pasha
EDHE NJË HERË PËR SHËN KOZMAIN
Nga PROFESOR PËLLUMB XHUFI

E Premte, 08.29.2014, 09:51am (GMT1)



Ribotimi para pak javësh i një artikullit tim të vitit 1995 mbi Kozma Etolin, atë kohë shkruar për gazetën e mirënjohur "Dita Informacion", u prit nga një sulm i orkestruar anonimësh, që mbushën dhe qelbën blogjet me fyerjet dhe sharjet e tyre të zakonshme pagane. Nuk e kam atë interes që Kristoforidhi kishte për gjuhën shqipe dhe që e shtynte atë të mblidhte me durim deri dhe sharjet e mallkimet që prodhonte dikur me bollëk tregu fshatar i Elbasanit. Përndryshe, do kisha vepruar si ai, do i kisha mbledhur qetë-qetë të pëgërat e kripto-anonimëve e makar do kisha bërë një vepër dyfish të mirë duke ia dorëzuar Sektorit të Kulturës së KOASH-it. Kush e di, mund t'i duheshin për të mos lënë gjë mangët gjatë sulmit të ardhshëm, ndaj meje apo ndaj "jezitëve" të tjerë si unë. Tashmë na duhet të mësohemi edhe me këtë situatë. Bashkë me të huajt, në Kishën Ortodokse Autoqefale Shqiptare kanë vërshuar edhe intoleranca e fanatizmi, që e kanë karakterizuar hierarkinë e kishës sonë ortodokse në vitet më të errëta të pushtimit osman, kur ajo kishë, ashtu si sot, drejtohej nga klerikë-misionarë grekë.

Megjithatë, sa për të ndërtuar dialogun, po i jap një emër masës së anonimëve të orkestruar, po i jap emrin e një farë z. Cako, në mos qoftë ky një nga ata "Çakot" që ia ka përshtatur grafinë e vet kërkesave të një alfabeti të huaj. Ky, z. Cako, pra, u shfaq para pak ditësh në televizionin "News 24", i veshur civil, por me pamje të rreptë prej luftëtari, me zë të plotë prej baritoni dhe me trup prej atleti. Me sa dukej, kishte marrë përsipër t'i jepte një "crescendo vigoroso" sulmeve që zakonisht isha mësuar t'i prisja nga njerëzit me veladon të Rrugës së Kavajës, gjithsesi të qetë e të përshpirtshëm. E kishte të gjithë bagazhin fizik për të më futur dridhmat, kur më shuajti nga lista e qenieve të denja duke më quajtur "mysliman", "ateist", "komunist", "ortodoksofag" dhe, mbi të gjitha, kur i hoqi vërejtjen qeverisë.... që po vonon të marrë masa ndaj meje! Gjë që më bën ta marr shumë seriozisht rastin në fjalë, pasi sikur për një çast qeverisë t'i mbushej mendja e të dëgjonte sugjerimin e z. Cako, unë do rrezikoja burgun, në rastin më të keq, dhe humbjen e vendit të punës, në rastin më të mirë. Besoj se këto dy dënime kishte parasysh z. Cako kur i shkulte veshin qeverisë, dhe jo (ruajna Zot!) ndonjë ndëshkim më të rreptë. Gjithsesi, më duhet të them se rastin e mora seriozisht, sepse nuk është pak ta pësosh, siç i thonë, "për mustaqet e Cakos"!

Por edhe kështu, z. Cako do të ishte gjysma e së keqes. Sepse, kur s'e prisja, këto ditë m'u hodh në fyt edhe z. Ardit Bido. Ky, pasi para disa ditësh botoi, pa më cituar, një shkrim për Shën Kozmain, të bazuar kryekëput në shkrimet e mia, në datën 27 gusht u rishfaq në "Gazetën Shqiptare" duke më kritikuar, mua historianin "ish-deputet", se jam treguar ekstremist, kur e paskam cilësuar Shën Kozmain si "apostull të helenizmit". Ky riosh ndihet aq i sigurt, sa të më shtrembërojë edhe fjalët, pasi "apostull të helenizmit" Shën Kozmanë e kanë shpallur historianët grekë, dhe jo unë, që vetëm sa i citoj për t'ua sjellë të gatshëm trimoshëve të palexuar, si z. Bido. Me sa duket, ky grabitës i vogël, po kërkon të ndërtojë karrierën e vet politike, dhe siç ndodh shpesh me rioshë të tillë, përpiqet ta bëjë këtë duke u rënë në qafë të tjerëve dhe duke marrë pozat e një fac-totumi. Sepse, të bësh njëherësh edhe të riun edhe plakun, edhe demokratin edhe rilindësin, edhe çamin edhe kosovarin, edhe politikanin edhe historianin, edhe fajkoin edhe pëllumbin: këto janë shumë për këllqet e z. Bido.

Por le ta lëmë Cakon në arrogancën e tij, le ta lëmë edhe Bidon në kotësinë e tij, e t'i kthehemi objektit të polemikës, që ka në qendër figurën e murgut ortodoks të shek. XVIII, Kozmait nga Etolia, që ndryshe njihet si Shën Kozmai. Siç e thamë më sipër, polemika mori zjarr nga ribotimi i një shkrimi të vjetër, të botuar atë kohë në gazetën "Dita Informacion". Atëherë, artikulli nuk shkaktoi reagimin e egër, që ndeshi sot pas njëzet vjetësh. Shenjë kjo, e një intolerance dhe agresiviteti të shtuar në mjediset e KOASH-it. Megjithatë, për të respektuar të gjithë ata besimtarë ortodoksë që në 24 gusht përkujtojnë me nderim ditën e Shën Kozmait, nuk ndërhyra në polemikë. Por tani që përkujtimi dhe ritet fetare për Shën Kozmain janë kryer, e ndjej me vend të sjell, nga pozitat laike të një historiani profesionist, disa të dhëna të panjohura, as nga z. Cako e as nga porositësit e tij, që shërbejnë, mendoj, për t'i kthyer historisë një figurë që trajtohet si shenjtor (dhe "shenjtorët nuk preken", na mëson avokat Ngjela), por që ka qenë një person real, i gatuar me mish e me gjak, si të gjithë ne vdekatarët e tjerë, dhe që meriton të zhvishet nga lëvozhga mitologjike, me të cilën e kanë mbuluar rrëfenja injorantësh, predikime fanatikësh dhe manipulime politikanësh. Dhe këtë e bëj jo për t'i shërbyer dikujt, dhe as për të goditur dikë, siç duan të thonë, po thjesht për të kryer një gjest rutinë që ma dikton profesioni, i cili më shtyn drejt kërkimit të së vërtetës edhe aty ku autoritetet e shenjtëruara besojnë se nuk mund të hyjë askush tjetër veç tyre.

SË PARI, duhet sqaruar se fakti që Shën Kozmai është nderuar e nderohet nga besimtarët ortodoksë nuk përbën një argument, siç pretendojnë Cakot, për ta lënë të qetë shenjtorin në shenjtërinë e tij. Dikur, në vitet 1960, kur na çonin të vizitonim kështjellën e Skënderbeut në Petrelë, ne nxënësve të Tiranës na bënte përshtypje fakti që banorët myslimanë të atyre anëve nderonin si shenjtor renegatin Ballaban Pasha dhe faleshin gjithë përgjërim përpara tyrbes së tij, që ndodhej pikërisht aty, në këmbë të kështjellës së Skënderbeut. Sot, nuk më rezulton ta bëjnë një gjë të tillë, ose e bëjnë gjithnjë e më pak. Me sa duket kanë mësuar diçka më shumë për figurën dhe për bëmat e Ballaban Pashës. E pra, mosdija dhe fanatizmi i kohëve të shkuara na ka lënë trashëgim edhe ndonjë hero e profet të rremë. Dyshimin se i tillë mund të ishte, në këndvështrimin laiko-historik, edhe Shën Kozmai, na e futën, shumë vite më parë, në 1987, punimet e një simpoziumi shkencor, të mbajtur në qytetin e Konicës nën logon "Vorio-Epiri dhe Shën Kozmai", ku referuesit, mes tyre edhe emra të njohur të historiografisë greke, bashkoheshin kur e përcaktonin Shën Kozmain si "martir të kombit", "apostull të helenizmit", "grishje për Vorio-Epirin". Nëse ishte vërtet i tillë, atëherë adhurimi i besimtarëve ortodoksë shqiptarë për Shën Kozmain duhet të ishte një keqkuptim, siç ishte edhe vetë adhurimi i besimtarëve myslimanë për Ballaban Pashën. Në fakt, studimet e para që bëra atë kohë, më nxorën në konkluzionin se murgu Kozma nuk ishte një klerik çfarëdo, i ardhur në Shqipëri i shtyrë nga kushedi çfarë inspirimi fetar. Rezulton qartësisht e dëshmuar, se Kozmai erdhi në jugun e Shqipërisë si emisar i Portës së Lartë dhe njëherësh i Patrikanës greke të Stambollit, i pajisur me dekretet përkatëse nga të dyja këto autoritete. Qysh përpara, por sidomos pas humbjes së luftës me Rusinë, në 1774, Sulltani e kishte humbur plotësisht autoritetin e vet mbi Shqipërinë (E. Hösch, Geschichte der Balkanländer, München, 1988, f. 156).

Nga ana tjetër, edhe autoriteti i Patrikanës mbi të krishterët ortodoksë shqiptarë ishte dobësuar së tepërmi. Ndryshe nga drejtuesit e kishës shqiptare, si patriarku Athanas i Ohrit, kryepeshkopi Dionis i Paramithisë etj., të cilët u vunë në krye të kryengritjeve të mëdha antiosmane të shek. XVII-XVIII, Patrikana e Stambollit dhe jerarkia e lartë e klerit grek, siç pohon helenisti i njohur amerikan R. Clogg, "i kishin bashkuar interesat e veta me ato të shtetit osman". Vetë Kozma Etoli deklaronte në një letër dërguar prej tij kadiut të Filatit, në 13 qershor 1767: "Unë, imzot, si i krishterë i padenjë dhe shërbëtor i sovranit tim, Sulltan Hamitit, po bredh fshat më fshat për t'u mbushur mendjen të krishterëve të ruajnë besën e Zotit dhe t'u binden urdhrave të Sulltanit, siç kam porosi edhe nga Patriarku dhe nga të parët e Kishës". Që misioni i Kozma Etolit zhvillohej në Epirin shqiptar dhe në ishujt e Jonit me mbështetjen e autoriteteve qendrore e lokale osmane, këtë e provon edhe një letër e komandantëve turq të Çamërisë drejtuar qeveritarit venecian të Korfuzit, ku "i sugjeronin" atij ta trajtonte mirë murgun Kozma (lettera in di lui favore a me scritta da Turchi comandanti). Sigurisht, siç e dëshmon edhe vetë letra e mësipërme e tij për kadiun e Filatit, misioni i Kozma Etolit kishte edhe komponentin e vet të mirëfilltë fetar. Por nuk është aspak e vërtetë se qëllimi i tij ishte frenimi i procesit të islamizimit në trevat jugore shqiptare. Në vitet 1770, kur Kozmai vizitoi ato treva, procesi i islamizimit kishte më shumë se një shekull që kishte përfunduar dhe konfigurimi fetar që mori formë në shek. XVII ka mbetur i tillë, pa pësuar ndryshime relevante, deri në ditët tona. Ndaj, nëse forcimi i ortodoksisë ishte një nga qëllimet e misionit të Kozma Etolit në Shqipërinë e Poshtme, kjo kishte të bënte jo në raport me islamin. Kozmai nuk mund ta luftonte islamin me mandat të Sulltanit, që ishte vetë kryetari i fesë islame. Rivali i kishës ortodokse në tokën shqiptare atë kohë ishte katolicizmi, i përfaqësuar nga Papati dhe mbretëritë katolike të Perëndimit. Prej dy shekujsh këta po zhvillonin një aksion të fuqishëm duke tërhequr drejt vetes popullsitë dhe klerikët ortodoksë shqiptarë të atyre trevave, të cilët ishin zhgënjyer nga nënshtrimi i Patrikanës ortodokse ndaj pushtetit të Sulltanit dhe kishin treguar gatishmëri të lidheshin me Papën e Romës duke përqafuar sektin uniat. Jo më kot, në vitin 1798 një bashkëkohës i Kozma Etolit, Patriku Anthim, predikonte se "të krishterët nuk duhej të ngriheshin kundër rendit aktual, pasi Perandoria Osmane ishte gatuar nga vetë Zoti për të mbrojtur Ortodoksinë nga Perëndimi katolik" (Richard Clogg, A concise history of Greece, Cambridge University Press, 1994, f. 11, 13). Kush dëshiron të informohet për këtë çështje, mund të lexojë dokumentet e Vatikanit të shek. XVII-XVIII, botuar që në vitet 1930 nga Nilo Borgia, dhe që së fundi i janë përcjellë të përkthyera lexuesit shqiptar nga shtëpia botuese "Naimi".

Në këtë pikë, vlen të shtohet edhe veprimtaria e kryer nga Kozma Etolit në Shqipëri për hapjen e shkollave greke. Kjo veprimtari, e zhvilluar nën hijen e Patrikanës greke, pati edhe mbështetjen politike e materiale të vetë Sulltan Hamitit I, i cili, jo më kot ishte shpallur nga Patrikana ortodokse si "Inspektor i Përgjithshëm i Shkollave Greke të Perandorisë". Historianët grekë, që morën pjesë në simpoziumin e Konicës të vitit 1987, sjellin mjaft të dhëna për këtë pjesë të misionit, që Shën Kozmai zhvilloi në favor të helenizmit. Tani, persona afër KOASH-it e justifikojnë këtë veprimtari të Kozmait, duke thënë se në shek. XVIII gjuha shqipe ende nuk shkruhej dhe Rilindja Kombëtare ndodhej akoma larg në kohë. Të njëjtët persona, që nën shembullin e kreut grek të KOASH-it stigmatizojnë si "komunistë" e "antiortodoksë" çdo kritikues të gjesteve të shpeshta antikanonike e antishqiptare të tyre, kësaj radhe preferojnë t'i referohen historiografisë komuniste dhe periodizimit të historisë të bërë prej saj, duke e shtyrë Rilindjen Kombëtare Shqiptare përtej viteve 1850. Ndërkohë, pikërisht kur Kozmai hapte shkolla greke, në mesin e shek. XVIII, në Shqipërinë e jugut kishte shpërthyer një garë e ethshme për krijimin e një alfabeti origjinal shqip nga ana e intelektualëve ortodoksë, si Dhaskal Todri, Konstantin Berati, i ashtuquajturi "Anonimi i Elbasanit" etj. Albanologë të njohur, siç është edhe i mirënjohuri Robert Elsie, kanë parë në këto përpjekje të para për një alfabet origjinal shqip, fillimet e Rilindjes Kombëtare tek shqiptarët. Shqipëria e shek. XVIII nuk ishte aq "osmane" sa duan ta paraqesin, "ethet" e Perëndimit e kishin kapur edhe atë. Rreth 10 vjet pas vdekjes së Shën Kozmait, Ambasadori i Francës në Stamboll konstatonte se "tregtarët e Shqipërisë janë revolucionarë, që kanë përkthyer dhe kanë mësuar përmendësh "˜Kartën e të Drejtave të Njeriut". Dhe ne e dimë, se qysh nga fundi i shek. XVII, tregtarët shqiptarë nga Shkodra, Prizreni, Durrësi, Elbasani e Voskopoja udhëtonin nga Italia, në Austri, Hungari, Gjermani, Poloni. Falë tyre, idetë e Iluminizmit dhe të Revolucionit Francez kishin depërtuar mjaft herët në mjedisin shqiptar. Në këto rrethana, misioni i Kozma Etolit në jugun e Shqipërisë nuk mund të shihet jashtë përhapjes së këtyre ideve të reja, që në thelb ishin liberale dhe antiklerikale. Ne e dimë se Patrikana e Stambollit ndërmori një aksion të fuqishëm për të kundërshtuar përhapjen e ideve të tilla dhe për të mbytur prirjet drejt krijimit të kulturave e të kishave kombëtare. Pasojë e aksionit të saj antireformist në trevat shqiptare, ishte edhe zhbërja e autoqefalisë së Patrikanës së Ohrit dhe shkatërrimi i Voskopojës, në 1769.

Pra, ky është konteksti historik në të cilin zhvillohet misioni i Kozma Etolit në Shqipëri. Një morì dokumentesh të panjohura, që kemi ndeshur gjatë kërkimeve tona kryesisht në Arkivin e Venecies pas vitit 1995, na mundësojnë zbulimin e disa anëve të panjohura të veprimtarisë së Kozma Etolit në Shqipërinë e Poshtme në vitet 1777-1779. Unë do të kisha shumë dëshirë, që të mund të referoja për to në një simpozium shkencor, makar të organizuar nga KOASH, ashtu siç do të kisha shumë dëshirë që këto dokumente t'ia falja kishës, nëse diçka do ndryshonte për mirë edhe aty. Mes raporteve të funksionarëve dhe të agjentëve venecianë që e ndiqnin me vëmendje veprimtarinë e tij, në Arkivin e Venedikut kemi gjetur edhe dy dorëshkrime, të cilat i përkisnin Kozma Etolit. I pari është një shërbesë (omeli) e mbajtur nga ky i fundit gjatë udhëtimit të tij të vitit 1777 në viset e Epirit shqiptar. Kozmai e kishte hedhur në letër në greqisht dhe në italisht tekstin e shërbesës, i cili ra në duart e autoriteteve veneciane të Korfuzit. Teksti i omelisë trajton probleme të fesë e të raportit të besimtarëve me besimin e krishterë. Por aty jepen gjithashtu konsiderata mbi kozmogoninë, mbi bazat e besimit të krishterë, por dhe mbi marrëdhëniet mes njerëzve, mbi respektin, dashurinë e, në mënyrë mjaft interesante, edhe ide mjaft të përparuara mbi gruan dhe rolin e saj në shoqëri. Ky dokument na shtyn edhe neve të tërhiqemi nga vlerësimi si "gjysmanalfabet", që kishim dhënë dikur për murgun nga Etolia. Kozmai rezulton person me nivel mjaft të lartë kulturor dhe, shpesh herë, edhe me ndjenja të holla njerëzore. Në mjaft raste ai shfaqet në cilësinë e edukatorit e paqtorit të turmave. Në 9 korrik 1777, Antonio Basta, qeveritar i Qefalonisë, raportonte se gjatë qëndrimit të tij në atë ishull, që zgjati 20 ditë, Kozmai arriti të pajtojë edhe persona të ndarë nga një armiqësi e egër (le reconcilazioni anco tra persone d'indole feroce). I njëjti pohon se pas largimit të murgut Kozma, për meritë të tij kishte ndryshuar edhe mënyra e jetesës së atyre njerëzve (comparisce rifformato il loro sistema di vivere à merito di detto religioso). Por pikërisht në Qefaloni, Kozmai evidentoi edhe një anë tjetër, më pak simpatike, të personalitetit të tij. Siç njoftonte qeveritari venecian, Nicolò Minio, me fjalimet e tij kundër hebrenjve, ai kishte shtyrë banorët e atij ishulli t'i bojkotonin mallrat e tyre, duke i çuar tregtarët hebrenj në limitet e ekzistencës (aveva ridotto à mal partito i pochi Ebrei colà stanziati, che non trovavano più chi seco loro commerciasse, ciò che li faceva a mancare l'istessa loro susssistenza). Kjo i shtyu autoritetet veneciane, që kur Kozmai u hodh në ishullin e afërt të Zaçintit, ta paralajmëronin atë që as mos t'i zinte në gojë hebrenjtë (istruendoli di insinuargli destramente a neppure nominare gl'Ebrei in mezzo ad una popolazione pericolosa specialmente in materia e in confronto della religione giudea). Thënë kjo, do të ishte e padrejtë ta akuzonim Shën Kozmain për antisemitizëm, përderisa antisemitizmi ishte atë kohë një karakteristikë e kulturës së krishterë, dhe rrjedhimisht e kulturës evropiane. E theksojmë këtë detaj, për të treguar edhe njëherë që Kozmai ishte, në fund të fundit, një produkt i kushteve, i rrethanave dhe i mjedisit ku jetoi. Kjo, të paktën, mund të vlejë për t'i prerë hovin ndonjë ithtari të shenjtorit, që nesër mund të pretendojë se Shën Kozmai ishte edhe mik i hebrenjve.

Thamë, se në 1777 autoritetet veneciane të Korfuzit kishin shtënë në dorë një tekst me lutje, të hartuar nga Kozmai, i cili, sipas tyre, ishte i mbushur me fjalë me dy kuptime (termini ripieni di dubio senso). Predikimet e Kozmait, thonin ato, mund të kuptoheshin si thirrje për kryengritje për shtetasit venecianë të ishujve të Jonit dhe të Pargës (il pieno sovertimento de suditi). Nisur nga kjo, venecianët dyshonin se Kozmai mund të ishte një agjitator politik që kishte synime të largëta (politici suoi riguardi...mirar potrebbe viste lontane), ose predikimet e tij mund të ishin produkt i një mendjeje fanatike e të çekuilibruar (potrebbe essere un derivato di mente fanatica e irregolare). Të njëjtën mëdyshje e pati edhe Benetto Pieri, komandanti i kështjellës së Pargës, në Çamëri, aso kohe një zotërim venecian, kur në 27 maj 1777, murgu Kozma ishte shfaqur në qytetin e tij. Kozmai vinte nga territoret osmane (proveniente dallo stato ottomano) dhe kishte hyrë në Pargë i shoqëruar nga 4000 njerëz të armatosur, gjë që e shqetësoi jashtë mase komandantin venecian. Sipas tij, murgu Kozma, më shumë se një klerik, ishte "kreu dinak i një grupimi politik, që përpiqej të tërhiqte sa më shumë përkrahës" (mi spicca un scaltro capo di fazione, che vuol acressere partito). Sipas venecianëve, banorët e Pargës ndaheshin në vlerësimin e Kozmait. Shumë prej tyre e konsideronin atë një shenjtor (santo), të tjerë një emisar të dërguar nga Porta për të qetësuar popullsitë ortodokse të atyre trevave (emissario della Porta per assetare gli animi de'Greci). Por kishte ndër ta që dyshonin se ai ishte thjesht një agjent (esploratore). Njerëzit e armatosur, që jo rastësisht ishin myslimanë të rrethinave, i ishin bashkëngjitur murgut Kozma me urdhër të dinjitarëve osmanë të Margëlliçit e të Paramithisë, dhe me të drejtë komandanti venecian i Pargës trembej se turqit donin ta shfrytëzonin hyrjen e Kozmait në Pargë dhe tubimet e tij kinse fetare, për të krijuar trazira dhe për t'ia kaluar qytetin Portës së Lartë. Në këto kushte, komandanti venecian i Pargës, bëri ç'ishte e mundur që Kozmai të mos hynte në qytet dhe të predikonte jashtë mureve të tij.
Një aspekt i patrajtuar i veprimtarisë së Shën Kozmait në viset jugore shqiptare, është edhe angazhimi i tij i fshehtë për të inkurajuar emigrimin e popullsive ortodokse në Akuilea të Italisë. Raportet veneciane e dëshmojnë më së miri këtë veprimtari, e cila duket se nuk është specifike për vetëm për Kozmain. Në vitet 1740, një prift shqiptar, Vasil Varfi nga Himara, merrej me rekrutimin e të rinjve shqiptarë për llogari të Mbretërisë së Napolit, e cila atë kohë kishte krijuar një forcë të zgjedhur me rekrutë shqiptarë, të ashtuquajturin "Regjimenti Mbretëror Maqedon". Largimi i të rinjve shqiptarë drejt Napolit inkurajohej atë kohë edhe nga Porta e Lartë, pasi e zhvishte vendin nga forcat e gjalla luftarake, aq më shumë që ata nuk përdoreshin kundër turqve, por angazhoheshin vetëm në luftërat e Napolit me principatat e tjera italiane, mes të tjerave edhe me Republikën e Venedikut. Kjo është arsyeja, që në shkurt 1770, prifti Vasil Varfi vdiq i helmuar nga agjentë venedikas. Nga ana e tij, njëlloj si Vasil Varfi, Kozmai ishte bërë aktor kryesor i një projekti që prekte rëndë interesat e Venedikut dhe që parashikonte shpërnguljen e bashkësive ortodokse në Akuilea të Italisë. Ky projekt ishte frut i një afrimi që ndodhi midis Patrikanës e Portës së Lartë, nga njera anë, dhe Perandorisë Austro-Hungareze, nga ana tjetër, pas disfatës turke të vitit 1774 dhe rritjes së presionit rus në Evropën Lindore. Frut i këtij afrimi ishte pranimi, nga ana e Austro-Hungarisë, e krijimit të një kolonie në Akuilea të Italisë me të shpërngulur ortodoksë nga territoret osmane. Marrëveshja, siç rezulton qartë edhe nga një broshurë e botuar nga Perandoresha Maria Tereza e Austro-Hungarisë dhe e shpërndarë në Epirin shqiptar pikërisht nga Kozma Etoli, parashikonte "ringjalljen" Patriarkatit të dikurshëm bizantin të Akuilesë. Në zbatim të këtij projekti, Kozma Etoli rezulton të jetë angazhuar shumë seriozisht. Me sa duket, përtej interesave të Patrikanës së Stambollit dhe të vetë portës, ai kishte edhe arsye personale. Privilegjet e shpallura me këtë rast nga Perandoresha Maria Tereza, në pikat 2 dhe 3 parashikonin që në koloninë e re të Akuilesë, të krijohej një seli e veçantë peshkopale, me një peshkop, i cili do të shpërblehej me pagën mujore prej 1500 fiorinësh në muaj, shumë që do lëvrohej nga arka perandorake. Ka të ngjarë, që në marrëveshje me Patrikanën dhe me Portën, Kozmai të aspironte për ta siguruar për vete postin e peshkopit të kolonisë ortodokse të Akuilesë. Sigurisht, poste të tilla në hierarkinë e kishës ortodokse, duke filluar nga ai i Patriarkut, bliheshin me shuma të mëdha të hollash, që i dorëzoheshin Sulltanit si peshqesh. Në këtë vështrim vlen të shqyrtohen edhe disa raporte të mëparshme të të dërguarve venecianë, sipas të cilëve Kozmai e shfrytëzonte fushatën për mbledhjen e fondeve për hapjen e shkollave greke në Epir, për të siguruar shuma të mëdha për vete (sotto il pretesto di erigere alcune scuole sul confine di Prevesa... raccolse in un momento la non spregievole somma di 10 mila piastre).

Nxitja e emigracionit drejt Italisë dhe e krijimit të një kolonie në Akuilenë austro-hungareze, mu nën hundën e Venedikut, përbënte aktin e fundit "politik" të Kozma Etolit, që i shtyu venecianët të merrnin masa drastike ndaj tij. Në 21 mars 1779 mësohet se qeveritari venecian i Korfuzit kishte urdhëruar vrasjen e Kozmait gjatë kohës që ai, nga Korfuzi, ishte hedhur në Çamëri (eliminimi i tij në Korfuz ose në territore të tjera veneciane mund të shkaktonte konflikt me Portën e Lartë). Për këtë qëllim u dërgua në sterè korfioti Andrea Marmora, të cilit iu paguan edhe 60 piastra turke (somministrando al capitano Marmora piastre 60 per l'eccidio di detto calogero). Por, në 16 maj 1779, qeveritari i Korfuzit raportonte se Murgu Kozma ruhej mirë nga autoritetet osmane dhe, për rrjedhojë ai kishte vendosur ta shtyjë për më vonë projektin e vrasjes së tij (differire la commissione di morte di tale figura). Ndërkohë, i informuar për rrezikun, Kozmai u largua në malësinë e Zagorit, në lindje të Janinës. Vdekja e tij, gjithsesi erdhi vetëm pas pak kohe, në 24 gusht 1779. Por, ndryshe nga ç'thonë kronikat kishtare, ku shquhet qartë nervi antisemit, vrasja e tij nuk erdhi si rezultat i një komploti të hebrenjve të Beratit, por si rrjedhojë e një ujdie të arritur midis venecianëve të Korfuzit dhe Kurt Pashës, mik i tyre.
PROFESOR PELLUMB XHUFI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.