E Premte, 03.29.2024, 04:46pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
NJË REPLIKË E DETYRUAR ME PËLLUMB XHUFIN
Nga ARDIT BIDO

E Premte, 08.29.2014, 09:55am (GMT+1)


Gjatë javëve të fundit kam mësuar një fjalë të re. E pranoj se gjuha shqipe nuk është pika ime e fortë. Si gazetar për disa vite, si shkrues artikujsh qoftë gazetaresk, publicistikë apo shkencorë, përdorimin e gjuhës sonë amtare e kam lënë kurdoherë në plan të dytë. Fal Zotit, ndodhi që Kryepiskopi Anastas dhe prof. Pëllumb Xhufi të m'i hapin horizontet në këtë lëmë të panjohur për mua, duke më mësuar fjalën "riosh"!

Fillimisht ishte Fortlumturia e Tij, që duke e përdorur Kishën si agoranë pagane të Greqisë së Lashtë, u referua me përbuzje ndaj meje, duke më quajtur "riosh", përse paskësh sulmuar Shën Kozmain, një akuzë kjo e rrejshme dhe e pabazuar në qëndrimet e mia. Dje, ishte prof. Pëllumb Xhufi, i cili gjeti po të njëjtën fjalë për të më përçmuar, porse këtë herë, për faktin se unë e kisha mbrojtur Shën Kozmain dhe kisha nënkuptuar se prof. Xhufi me qëndrimet e tij i bën një shërbim Kryepiskopit Anastas. Fakti që ai përzgjodhi të njëjtën fjalë më bën të besoj se mentalitetet e tyre janë shumë të përafërta dhe që të dy, në mungesë argumenti turren në sulme personale.

Por le të shohim se çfarë ka shkruar z. Xhufi. "Ky (unë), pasi para disa ditësh botoi, pa më cituar, një shkrim për Shën Kozmain, të bazuar kryekëput në shkrimet e mia, në datën 27 gusht u rishfaq në 'Gazetën Shqiptare' duke më kritikuar, mua historianin 'ish-deputet', se jam treguar ekstremist, kur e paskam cilësuar Shën Kozmain si 'apostull të helenizmit'. Ky riosh ndihet aq i sigurt, sa të më shtrembërojë edhe fjalët, pasi 'apostull të helenizmit' Shën Kozmain e kanë shpallur historianët grekë dhe jo unë, që vetëm sa i citoj për t'ua sjellë të gatshëm trimoshëve të palexuar, si z. Bido. Me sa duket, ky grabitës i vogël, po kërkon të ndërtojë karrierën e vet politike dhe siç ndodh shpesh me rioshë të tillë, përpiqet ta bëjë këtë duke u rënë në qafë të tjerëve dhe duke marrë pozat e një fac-totumi. Sepse, të bësh njëherësh edhe të riun, edhe plakun, edhe demokratin, edhe rilindësin, edhe çamin, edhe kosovarin, edhe politikanin, edhe historianin, edhe fajkoin, edhe pëllumbin: këto janë shumë për këllqet e z. Bido".

Personalisht nuk kam ndërmend të merrem me këllqet e askujt, çka duket se është një zanat i preferuar për z. Xhufi. Mirëpo, duke qenë se me sa duket ka interes të madh se çfarë cilësish i jap unë vetes, e siguroj që nuk bëj as të riun apo rioshin, as plakun, as demokratin e as rilindësin, as politikanin e as historianin, që nga shpejtësia i kanë shpëtuar z. Xhufi, i cili ka kaluar vetë në këto monopate. Sa për çamin dhe kosovarin, unë ka rastisur të kem origjinën nga Delvina, por si shqiptar, e pranoj me krenari, që jam edhe çam, edhe kosovar; një mentalitet ky që për produktet e regjimeve diktatoriale nuk mund të jetë realist. Sepse sikurse thotë vetë z. Xhufi, të gjithë jemi produkte të rrethanave kohore kur jemi rritur. Si pjesë e propagandës gebelsiane, që ai dhe Kryepiskopi Anastas e kanë shumë përzemër, ra edhe në kontradiktë. Nga njëra anë shkruante se unë qenkësha "trimosh i palexuar", dy epitete që janë njëherazi fyerje dhe në mungesë modestie edhe të pavërteta, e nga ana tjetër shkruante se jo vetëm që e paskam lexuar me vëmendje z. Xhufi, por edhe qenkam bazuar kryekëput në mendimet e tij, duke u bërë "grabitës i vogël", epitet i ardhur me shumë gjasa prej moshës. Ndërkaq, termin "apostull i helenizmit" nuk e kam përmendur ndonjëherë.

I kërkoj ndjesë lexuesit, që harxhova kaq shumë kohë për përsiatje vetjake. Mirëpo, duke qenë se dinjitetin personal nuk e kam lënë rrugëve si shumë në këtë vend, refuzoj të pranoj fyerje të ulëta, që të emëruarit profesor me vendim qeverie, janë mësuar të bëjnë për shkak të komplekseve që kanë kaluar nga një regjim shtrydhës si ai komunist.
Prandaj, le të hyjmë në thelb të çështjes që po flasim. Qëndrimi im mbi Shën Kozmain, që u anatemua edhe nga Kisha, edhe nga z. Xhufi ishte se Shën Kozmai ka jetuar përpara lindjes së nacionalizmit grek dhe shqiptar. Rrjedhimisht, mveshja ndaj tij e epiteteve "antishqiptar" apo "nacionalist grek" janë një revizionizëm historik. Kjo mveshje u bë qëllimisht nga nacionalizmi grek prej vitit 1961, për t'a pasqyruar shenjtorin si një simbolikë e nacionalizmit grek në këto troje. Ndaj, edhe përpara vitit 1961, Shën Kozmai u respektua nga Hirësi Kristofor Kisi dhe Hirësi Theofan Noli, të cilët botuan akoluthi për të, sikurse edhe nga banorët ortodoksë dhe myslimanë të Myzeqesë, që e respektonin si shenjtor, pa u shpallur i tillë.

Në këtë mes është përmendur edhe prof. Xhufi, si një historian që e ka cilësuar Shën Kozmain si "antishqiptar" dhe "pararendës i nacionalizmit grek". Në artikullin e botuar dje në "Gazetën Shqiptare", ai u shmanget këtyre epiteteve, për të treguar post-factum (siç kam mësuar përdorimi i termave latin të tregon më të zgjuar) se ai i përafrohet mendimit që unë kam shprehur, pra "rishpikjen" e Shën Kozmait.

Mirëpo, unë nuk jam në gjendje të imagjinoj ndryshimet e qëndrimeve të z. Xhufi, pa i bërë ai këto ndryshime. Kur unë shkruaj, bazohem mbi ato që kam lexuar. Dhe ndaj unë kisha replikuar me prof. Xhufi e parë, atë që në artikullin e ribotuar më 15 gusht 2014, në gazetën "Dita", me titullin "Shën Kozmai dhe misioni i tij në Shqipëri", shkruan dy pasazhe. I pari thotë se çelja e shkollave greke prej Shën Kozmait e bën atë "padyshim një pararendës të helenizmit në Shqipëri". Që Shën Kozmai ishte greqizues, e kam përmendur edhe në unë shkrimin tim, por asesi i frymëzuar prej z. Xhufi, sepse unë e kam pështjelluar krejt ndryshe këtë fjalë. Fjalën greqizues, unë e kam sqaruar, se i kam dhënë konotacionin etnik, pra përhapës i gjuhës greke dhe i shkollave greke. Ndërkaq, ai qartazi i jep fjalës "helenizim" karakteristikat e lëvizjes kombëtare greke, që nuk kishte ardhur ende. Duke qenë se nuk dyshoj se z. Xhufi mund të jetë keqpërdorues i shqipes, me fjalën "pararendës", ai nuk mund të nënkuptojë greqizimin në konceptin etnik, sikurse unë, teksa etnia greke dhe ajo shqiptare ekzistonin dhe Shën Kozmai nuk kishte pse të ishte "paraardhës" i helenizmit në kuptimin etnik, por veçse në kuptimin kombëtar.

Për të mos lodhur asnjë trimosh të lexuar, po sjell edhe atë çfarë shkruhet në fjalorin e gjuhës shqipe për fjalën "pararendës": "Ai që me punën e veprimtarinë e tij përgatit rrugën e zhvillimin në një fushë të caktuar të jetës shoqërore, shkencore etj.; paraardhësi i një rryme të mendimit a i një lëvizjeje politike, kulturore etj".

Që të bëhet e qartë se nuk është çështje semantike, z. Xhufi e mbyll atë shkrim, duke e cilësuar Shën Kozmain "shenjtor" në thonjëza dhe njëherazi "antishqiptar", përtej epiteteve të tjera. Pra, duke e mveshur shenjtorin me ato cilësi që ai nuk i ka pasur kurrë dhe që nacionalizmi grek prej vitit 1961 ka tentuar ta paraqesë përpara shqiptarëve. Të dyja këto pasazhe nuk ekzistojnë në shkrimin e ri të z. Xhufi në "Gazetën Shqiptare" dhe rrjedhimisht nuk më mbetet veçse që ta pranoj pa ekuivoke qëndrimin e ri të tij. Fundja, si kushdo edhe profesori ka të drejtën e Zotit, të ndryshojë qëndrime, ndonëse për të arritur këtë, titulli që mban nuk i jep të drejtën për të fyer askënd.

Megjithatë, edhe në shkrimin e ri, ai lë të nënkuptohet që meqenëse në vitin 1987, historianët grekë rrejshëm e kanë quajtur pararendës të nacionalizmit grek Shën Kozmain, diçka e tillë mund të merret për bazë, duke qenë se ai nuk ishte frenues i islamizimit. Madje, ai vijon që ta quajë Shën Kozma Etolosin, pra po ashtu si nacionalizmi grek, do që ne ta quajmë dhe jo Shën Kozma i Kolkondasit apo Shën Kozma i Beratit që Kristofor Kisi dhe Fan Noli e kanë quajtur. Kjo, ndoshta për shkak të iluzionit që dikush mund të ketë se Noli e Kisi ishin më pak patriotë se ne.

Ky moment vjen sërish në përputhje me shkrimin që kam botuar përpara pak ditësh në "Gazetën Shqiptare", ku kam theksuar se Shën Kozmai i Etolisë, i rishpikur si nacionalist prej nacionalizmit grek, tentoi të zëvendësojë Shën Kozmain tonë të Kolkondasit, që nuk mund të ishte një nacionalist grek, por kishte shumë veti shenjtori, që z. Xhufi, tashmë i radhit në qëndrimin e tij të ri.

E megjithatë, përqendrimi im nuk ka qenë ndaj z. Xhufi, por ndaj dyfytyrësisë së hierarkisë së KOASH, që historianët shqiptarë që, po e ritheksoj, gabimisht e quajtën Shën Kozmain nacionalist grek, i sulmon, ndërsa deputetët grek si z. Harakopulos që kanë të njëjtat gjykime, i shtron dreka e darka. Ndaj "hedhja ime në fyt", siç pretendon profesor Xhufi, është vetëm fjala "gabimisht" që kam përdorur për qëndrimin e tij të vjetër, që me sa duket e ka sjellë në qëndrimin e tij të ri. Sepse epitetet e tjera kanë pasur një destinacion: drejtimin nacionalist grek të Kishës Shqiptare.

Ajo që kam thënë është se Kryepiskopi përzgjodhi ta kremtojë ditën e Shën Kozmait si të ishte nacionalist grek, me asnjë përfaqësues të lartë ortodoks shqiptar dhe me një guvernator e një deputet grek. Ajo që kam thënë është se Kryepiskopi, pikërisht me idenë e gabuar se Shën Kozmai ishte pararendës i nacionalizmit grek, përzgjodhi të bëjë bujë në 300-vjetorin e tij, ndërkohë që më 11 gusht 2008 nuk kreu asnjë shërbesë për 500-vjetorin e një shenjtori të madh shqiptar, vëllamin e Skënderbeut e më vonë Patriark Ekumenik, Shën Nifonin. Ajo që kam thënë është se Fortlumturia mbron priftin mursiot, Kozma Papa, që bën veprime antikombëtare, antiligjore dhe antifetare në Sarandë, pikërisht sepse e ndjen veten përfaqësues të nacionalizmit grek në Shqipëri.
Dhe në këtë mes, çdokush që sulmon shenjtorin pa të drejtë, i bën atij nder, sepse i jep të drejtën që të anashkalojë mbrojtjen e herezisë që bën, punën nacionaliste greke që bën, harrimin e figurave të mëdha fetare shqiptare, e çdo veprimtari antikombëtare.

Kushdo që sulmon shenjtorin i jep mundësinë Fortlumturisë që të thotë se "sulmohet feja" dhe jo se kritikohet një Kryepiskop që po e përçundon fenë, duke e prezantuar si vatër të nacionalizmit grek, në vend që të ishte nxitës i patriotizmit shqiptar. Fortlumturia fërkon duart sa herë fyhet Shën Kozmai, sepse me këtë mënyrë tenton të futë përçarjen në shoqërinë shqiptare mbi baza fetare, kjo edhe si pasojë e xhelozisë që ka pse është rritur në një shoqëri që nuk e di se çfarë është toleranca. Dhe këtë "fërkim duarsh", ai e tregoi edhe këto ditë, duke mos kundërshtuar deputetin grek Maksim Harakopulos që i tha në sy se Shën Kozmai është greqizues, apo Mitropolitin Maksim të Janinës që rrejshëm deklaroi se Shën Kozmai mësoi "Kishë dhe Greqi". Thënë ndryshe, ata që mendojnë se Kisha Ortodokse Shqiptare duhet të jetë më pak ortodokse, nuk ndryshojnë nga asgjë me Kryepiskopin Anastas që KOASH e do më pak shqiptare. Sepse, mësimi që na vjen nga Noli dhe Kisi është që tradita ortodokse shqiptare mund dhe duhet të jetë edhe ortodokse, edhe shqiptare.

Duke qenë se qëndrimi i parë ishte ose problem semiotik, ose është ndryshuar në një qëndrim të ri të z. Xhufi, atëherë mbetet pyetja e vetme: A do të kritikojë Kryepiskopi deputetin grek, Maksim Harakopulosin dhe Mitropolitin Maksim të Janinës, për deklaratat fyese ndaj Shën Kozmait të Kolkondasit, apo ato i përshtaten për të pasqyruar një shenjtor të rishpikur të nacionalizmit grek dhe për të krijuar përçarje fetare në Shqipëri, që ndonëse e mban, ai tregon se e urren me shpirt?
ARDIT BIDO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Shën Kozmai shenjtor? Ai është si Ballaban PashaEDHE NJË HERË PËR SHËN KOZMAINNga PROFESOR PËLLUMB XHUFI (08.29.2014)
HipotezëRRETH PORTIT TË MUNDSHËM DETAR TË APOLONISËNga ARISTOTEL MICI, Tribuna Shqiptare (08.28.2014)
KUFIRI SHQIPTARO-GREK DHE TELININga BESNIK BAKIU (08.27.2014)
E HARRUAN ARTAN SANTON!Editoriali sot në KOHAJONË, Gusht 26, 2014 (08.26.2014)
ALI PASHË TEPELENA - PRONA DHE BURRA PËR KONKUBINAT E HAREMITNga BLERINA GOCE (08.26.2014)
PROJEKT I SAMI FRASHËRIT PËR NDARJEN ADMINISTRATIVE TË PERANDORISË OSMANENga KUJTIM NURO, historian (08.25.2014)
4 PAPËT ME ORIGJINË SHQIPTARE (08.25.2014)
SK TIRANA - MBRETËRESHA ME 49 YJE E FUTBOLLIT TË SHQIPËRISËNga ZYDI ALI TURDIU (08.24.2014)
IPESHKVI I KOSOVËS IMZOT MARK SOPI (1938-2006) NJË VIJUES I DENJË I TRADITËS PËR FE E ATDHENga TOMË MRIJAJ, New York (08.23.2014)
LEKSIONE NGA DEKANATI I LLESH ZEF DOÇIT TË LURËSNga RAMIZ LUSHAJ (08.22.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart�]