VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

1945 - SI U PËRZU NGA SHQIPËRIA DELEGATI APOSTOLIK

E Martë, 09.02.2014, 03:10pm (GMT1)



Në kohën e rrokopujës ballkani ke dhe botore, në Selinë Diplomatike në Shqipëri, në vitin 1938 erdhi Delegati Apostolik, Leone Nigris.

Lindi në Ampezzo ( Carnia) në vitin 1884. Pas shkollimeve në Uddine, u shugurua meshtar në 1908. Pastaj ishte profesor i Letërsisë në Seminar të Uddines dhe në vitin 1929 u zgjodh kanonik-gjyqtar në metropolin e Uddines. Ai shquhej për botimin e disa librave në fushën teologjike. Për shkak të zgjuarsisë që kishte, Papa Pio XI, në vitin 1938 e emëroi Delegat Apostolik në Shqipëri. Ardhja e tij zyrtare në Shqipëri, shënohet më 16 tetor 1938, duke zbarkuar në orët e mëngjesit me anije në Durrës, i shoqëruar nga sekretari i Dërgatës Apostolike në Shqipëri, Dom Nikollë Gjinaj.

Në Durrës, krahas besimtarëve të shumtë, u prit nga Imzot Pjetër Gjura, kryeipeshkv i Durrësit dhe famullitari Dom Anton Zogaj e famullitari i Tiranës, Dom Shtjefën Kurti. Duke vazhduar rrugën për në Selinë e tij në Shkodër, Delegati Apostolik Nigris, në ora 12, arriti në Milot dhe Gurrës. Në Lezhë, vizitoi Qendrën Jetimore të Etërve Françeskanë, ku me këtë rast u recitua poezia e poetit Mjeda, "Lissus". Nga Lezha për në Shkodër i shoqëruar nga besimtarët të cilat e përshëndesnin gjatë rrugës, Nigris u ndalua pran Kalasë Rozafa në Shenjtëroren "Zoja e Këshillit të Mirë", për ta vazhduar rrugën për në Katedralen e Shkodrës, ku u prit nga qindra besimtarë dhe hierarkia e lartë kishtare, Imzot Gapërr Thaçi e ipeshkvijtë të tjerë. Leone Nigris si diplomat i fundit, qëndroj në Shqipëri deri më 11 tetor vitit 1945.

Ngjarjet kishtare dhe politike në Shqipëri
Nigris, në jug të Shqipërisë nga viti 1939, vepronte në cilësinë e ordinariatit, për Administraturën Apostolike të Jugut, duke themeluar disa famulli dhe shumë qendra misionarësh.
Ai i propozoi Selisë së Shenjtë transferimin e Zyrës Apostolike nga Shkodra në Tiranë, për arsye se do ishte më e volitshme prania e Delegatit Apostolik në kryeqytet si qendër, sesa në Shkodër që ishte skaj i Shqipërisë. Ndërkohë që rreth kësaj çështjeje po zhvilloheshin bisedimet, ndodhi që natën e 18 dhjetorit të vitit 1943, të digjet Selia Apostolike në Shkodër. Përgjigjja e autorizimit vonoi të vinte dhe ndërkohë erdhi pushtimi ushtarak i 7 prillit (1939), që e bëri të vështirë problemin e blerjeve të shtëpive në kryeqytet, duke mbetur kështu pezull ideja e tij.

Në Arkivin Sekret të Vatikanit, Nigris, ka dy relacione shumë të rëndësishme për vendin tonë dhe jetën kishtare.
Në një nga relacionet e dt. 11, tetor 1945, ndër të tjera rrëfen se, "Ipeshkvijtë e Arbërisë, janë të mirë, por nuk mund të thuhet se ishin në lartësinë e mandatit të tyre! Numri i Dioqezave ishte i tepërt! Gjashtë Ipeshkvij mbi rreth 120 meshtarë shekullarë dhe rregulltarë." "Shenja dominuese e klerit, - thekson Nigris, - ishte plogështia baritore. Populli kishte një tendencë të theksuar për politikanizëm, një dhënie e dukshme pas parasë!" "Kryedioqeza e Tivarit, - thotë Nigris, - ishte në gjendje të mjerueshme, kurse ajo e Shkupit (e cila përfshinte dhe Kosovën) me probleme sociale". Në relacionin e dt. 1. janar 1945, për periudhën 1938-1944, dërguar Papa Pio XII, Nigris flet gjerësisht për situatën politike dhe shprehet se, "gjatë pushtimit italian vizitova katër Kampe të burgosurish Grekë dhe Jugosllavë; gjatë pushtimit gjerman u interesova për të burgosurit dhe për qytetarët italianë. Si në regjimin italian, ashtu dhe gjatë pushtimit gjerman, iu bëra mbrojtës hebrenjve".

Në mbyllje të relacioneve të tij, Leone Nigris thotë: "Kështu u mbyll në mënyrë drastike një periudhë prej gjashtë vitesh e gjysmë mjaft e gjallë, me pasimin e katër regjimeve të kundërt mes tyre: 3 luftëra, 2 pushtime ushtarake, luftë civile, një seri Qeverish antagoniste kryesisht me bazë ambicionesh personale, një vazhdimësi e 'tour de force' për të ruajtur ekuilibrin dhe për të mos kompromentuar Përfaqësinë e Selisë së Shenjtë, pa numëruar aventurat e shumta të rrezikshme personale", përfundon Nigris.

Dëbimi
Në fund të marsit 1945, Enver Hoxha thërret Delegatin Apostolik Nigris, duke i kërkuar qe të shkojë në Romë dhe t'i paraqesë Papës Pio XII dëshirën e Qeverisë Shqiptare për të pasur marrëdhënie diplomatike me Vatikanin. Por ky udhëtim i diplomatit të Vatikanit qe pa kthim, sepse i qe ndaluar kthimi në Shqipëri. Ky ishte momenti kur Shqipëria ia mbylli dyert për dyzet e pesë vite me radhë Papatit, qytet-shtet në Romë, apo Selisë së Shenjtë, që është shteti virtual me juridiksion në të gjithë botën, e i njohur ndërkombëtarisht, i cili ka marrëdhënie diplomatike me 178 shtete të botës. Shqipëria i mbylli portën mikut të çmuar, i cili në shekujt e vështirë, ka ndihmuar Shqipërinë dhe shqiptarët, në fushën sociale, politike e arsimore, deri në largimin përfundimtar të diplomatit të vyer Leone Nigris, i cili, sikur pas vetes la mallkimin hyjnor, duke na mbuluar më pas mortja e zezë e komunizmit.

Pas largimi të tij në janar të vitit 1945, nga regjimi i Enver Hoxhës, rolin formal të delegatit Apostolik e luante Imzot Frano Gjini, ipeshkëv i Abacisë së Mirditës, deri në pushkatimin e tij në zalle të Kirit, në vitin 1948. Si rezultat i komunizmit ateist, bilanci ishte: krahas shkatërrimeve e konfiskimeve të objekteve fetare, shënohet se shumë pak klerikë kishin mbetur ende gjallë. Sipas një statistike mësohet se gjatë periudhës (1945-1980) kur regjimi komunist erdhi në fuqi, kishin vdekur nëpër burgjet e shtetit, 2 argjipeshkvi, 5 ipeshkvi, 1 abat, 65 priftërinj dioqezanë, 33 françeskanë, 14 jezuitë, 10 seminaristë dhe 8 murgesha.

Me ndryshimet e mëdha që ndodhën në Shqipëri në fillim të viteve '90, në lidhje më respektimin e të drejtave të njeriut dhe futjen e pluralizmit politik në vendin tonë, u bë e mundur që të fillonin kontaktet e para me Selinë e Shenjtë, me Shtetin e Vatikanit. Si rezultat i bisedimeve qe vendosja e marrëdhënieve diplomatike midis Shqipërisë dhe Shtetit të Qytetit të Vatikanit, më 7 shtator 1991 në nivel ambasadorësh. Selia e Shenjtë ka akredituar pranë qeverisë shqiptare në vitin 1992, Nuncin e parë Apostolik, Imzot Ivan Dias; në vitin 1997, Nuncin Imzot, Giovanni Bulaitis dhe në vitin 2008 e në vazhdim, Nuncin Apostolik të Selisë së Shenjtë, Imzot Ramiro Moliner Ingles. Ndërsa në vitin 1992, ambasadori i parë shqiptar pranë Selisë së Shenjtë ishte z. Wili Kamsi.

Pas vendosjes së marrëdhë-nieve diplomatike mes të Shqipërisë dhe Selisë së Shenjtë, u krijuan mundësitë për rritjen e bashkëpunimit dypalësh. Një pikë kulmore është vizita e Papës Gjon Pali II në Shqipëri më 25 prill 1994. Atit të Shenjtë iu rezervua një pritje e shkëlqyer dhe madhështore nga populli shqiptar. Vizita e Shenjtërisë së tij qe një mbështetje morale dhe politike për Shqipërinë. Le të shpresojmë se ardhja e Papa Françeskut, më 21 shtator në Shqipëri do ketë po aq jehonë sa e Papa Gjon Palit II dhe do shërbejë më tej, përveç diplomacisë, edhe në marrëdhënie bashkëpunimi në fushën e kulturës, arsimit, shëndetësisë dhe ngritjes shpirtërore të popullit tonë.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.