VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

NJË KOMB I TËRË NË UDHËKRYQ...
Nga PANO HALLKO

E Martë, 09.02.2014, 03:17pm (GMT1)



Duke u nisur për në Konferencën e Berlinit, kryeministri Rama, ndër të tjera tha: "Europa duhet të dijë se shqiptarët janë një asset  i paçmuar për të". Padyshim kryeministri e kishte fjalën për bashkëjetesën shembullore të shqiptarëve mes të gjitha feve dhe sekteve që lulëzuan ndër shekuj, e kryesisht me shumë etje në këto 24 vite.

A kishte të drejtë në këtë frazë ai? Thënë sipas Naimit të madh, ai kishte të drejtë, sepse Naimi na thoshte: - "Bëni kujdes, pasi atë notë që i vendos vetes çdo komb, atë notë i venë edhe të tjerët atij".

Por përtej harmonisë fetare të mirënjohur, çfarë bën ky kombi ynë, brenda dhe jashtë kufijve administrativë të Shqipërisë?

I gjithë kombi është në një luftë të brendshme të shprehur në një instinkt gati shtazarak (e që asnjë shtazë nuk e ka), instinktin e vëllangrënies. Jo thjesht të vëllavrasjes, pasi atë vepër makabre po e kryejmë tmerrësisht mrekullueshëm në 24 vitet e demokracisë së supozuar. E tamam ky instinkt e ka çuar atë në një udhëkryq, aspak historik, përkundrazi të pështirë. Shqipëria londineze, e cila ka edhe tagrin e shtetit amë-pavarësisht sa e ka justifikuar këtë në 24 vite, në funksionimin shtetëror të saj, ndeshet me pritat e ngritura nga ata që ikën, në emër të interesave që mesa duket qëndrojnë e rezistojnë, të trembura se mos mbi to ndonjëherë bie drita e ligjit.

Në kohën kur lokomotiva e Europës, Gjermania, përmes kabinetit të Kancelares ka lajmëruar vendet pjesëmarrëse se në konferencën përmbyllëse të shtypit Angela Merkel do të paraqitet vetëm me Kryeministrin e Shqipërisë dhe jo me të gjithë kryeministrat e Ballkanit, mërzitet Beogradi, por edhe ca "shqipo" këtu nuk ndjehen mirë.

Por Europa na sheh në televizor...

Presidenti i shtetit "amë" shkon në Austri e atje padit qeverinë e vendit të vet, në thelb shtetin e tij, qytetari nr. 1 i të cilit ai është, në emër të interesave të errëta të klaneve të partisë që "e lindi" (vërtet, cila parti e lindi këtë?).
Është po ky president, që duhej të ishte nëpunësi numër 1 i këtij shteti, e jo militanti numër 1 i partisë që e emëroi dhe iku, i cili mbledh komunarët "e djathtë", i kthen ata në tokmakër traseje, e me kokat e tyre, i bie...ligjit të reformës territoriale.

E kështu, presidenti hedh qeverinë e vendit të vet (në thelb shtetin që ai drejton), në gjyq, pra në Gjykatën Kushtetuese. Pra shteti në gjyq, në gjykatën e vet, që presupozohet se është kolonë e pavarur e po këtij shteti. Themi shteti, pasi nuk bëhet fjalë për një ligj, për hartimin e të cilit qeverisë "i mori koka erë". Jo, bëhet fjalë për paketë të tërë ligjesh thelbësore, të cilat mëtojnë të ndryshojnë faqen e këtij vendi në të gjitha kuptimet, e ta bëjnë të vijë edhe erë shtet.

Askush nuk mund të ngatërrojë konceptet shtet dhe qeveri, por kur qeveria ka edhe mbi tre të katërtat e votave-të pa vjedhura kësaj here, atëherë besoj nuk ka vend për keqkuptime.
 
Qëndrimi i nëpunësve eunukë të këtij shteti është i njëjtë me atë që shpalli më 14 tetor të vitit 1925 në kuvendin zogollian, kur Eshref Frashëri kur tha: - "Nuk kam ndërmend të lë karrigen, për punërat e shtetit".
Kështu, nëpunësi që duhet t'i bëjë gjëmën keqbërësit në emër të shtetit, katandiset qenie biologjike, e kështu, mbetet që ai të marrë rrogën e benefitet, pa shteti... "aty është, do bëhet"!...

Njerëz barkmëdhenj (siç shumica dërrmuese e shqiptarëve u katandis në shoqërinë e konsumit), banorë të Lazaratit të veriut-Dukagjin, shkojnë e bëjnë foto pranë "trofeut" të tyre-helikopterit të shtetit të tyre, që ata me plumbat e shtetit të tyre, e rrëzuan plot krenari, në mbrojtje të drogës që e kultivonin ndër vite.

Në Kosovë ish-kryeministri (që ende është në detyrë), e pranon që fituan "ata të tjerët", por thotë se kryetarin e Kuvendit në Prishtinë do ta emërojë ai vetë, e se në krye të qeverisë së atyre që fituan, do të jetë po vetë ai.
Pra, edhe Kosova është në gjyq, pra në Gjykatën e saj Kushtetuese.

Në Shkup të shtata partitë shqiptare-dhurata më e mirë për Gruevskin, në vend që të "rrihen" me maqedonasit për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, e cila mbeti në thelb një kartë e përdalë, hanë mishin e njëri-tjetrit përpara maqedonasve dhe kamerave të tyre, për t'u treguar atyre se janë më besnikë karshi tyre, shumë më besnikë sesa ata e mendojnë. Dhe maqedonasit, me "njerëzillëk xhentëllmenësh", ndërhyjnë për të ndarë... shqiptarët!

Tenton njeriu të hyjë në websitin e Bashkisë së Ulqinit shqiptar të Malit të Zi, por gjen përgjigjen, citoj:
"Webfaqeja është vetëm në gjuhën serbe, se di sa mund të të hyj në punë". Këmbëngul njeriu për faqen shqip të atij web-i, por merr sërish përgjigjen e "kulturuar":

"http://opstinaulcinj.com/ Kjo faqe tjetër është edhe shqip, por më duket se është në punim e sipër dhe nuk është funksionale".

Çfarë do të (ri)shkruanin dy njerëz?

Mark Milani, edhe po të ngjallej sot, do të rishkruante po ato që shkroi dikur: - "Siç e kam thënë dhe diku tjetër, ata kërkojnë diçka dhe ajo që kërkojnë është lavdia (sot euro e dollarë- P.H), sepse vetëm me anë të saj ata mund të ngrenë lart si emrin e tyre, ashtu dhe atë të fisit (sot lenë të pasur të pjellët e tyre dhe jo vetëm-P.H). Kjo vjen ngaqë këta njerëz dikush i mëson së prapthi, e ai dikushi fillon t'i lavdërojë dhe t'u aprovojë veprën e tyre të mbrapshtë. Në një vend ku nuk ka gjyqe (siç sot nuk kemi drejtësi-P.H), i keqi ndihmohet nga më i keqi, ndërsa gjyqi turk (pse jo ai grek, serb, maqedonas, italian &CO sot? P.H), i ndihmon të dy së bashku, dhe si për çudi, një punë e shëmtuar lavdërohet, madje mund të këndohet edhe në këngë. Një gjë të tillë turqit (lexo: "avokatët" bashkëkohorë të shumëpaguar-P.H), e bëjnë për ta shtuar krimin dhe të keqen në mes shqiptarëve. Në këtë mënyrë, duke u mbështetur i keqi tek më i keqi, gjë për të cilën edhe vetë turqit kanë ndihmuar jo pak, njerëzit detyroheshin të përballonin krime të tilla si: i ati ndaj të birit, vëllai ndaj vëllait, fshatarët ndaj njëri-tjetrit, aq sa të krijohej përshtypja se sundimi i së keqes dhe i krimit ka mbirë në shpirtin e këtyre njerëzve dhe ata të ndodhur mes të mirës dhe të devotshmes, pa dashje apo pa u menduar mirë (kjo e dyta ka shumë mundësi P.H), i shkaktojnë aq shumë të këqija njëri-tjetrit". (M.Milan- "Jeta dhe zakonet e shqiptarëve", faqe 85).
Pra, këto do të rishkruante Mark Milani edhe sot po ngrihej nga varri e të shikonte bëmat e shqiptarëve, si "jashtë shtetit", ashtu edhe "brenda atdheut".

Mendoj se edhe Noli ynë i madh, nëse do të ngrihej nga varri, përsëri do të rishkruante vargjet e tij famozë:
"Ç'thot' ajo e vé e gjorë/- Mbretëreshë pa kurorë/Faqe-çjerrur, lesh-lëshuar/ Shpirt e zëmër përvëluar/Gjysm' e vdekur:-"O Shqiptarë!/Nënës, mos ia bëni varrë!".
Dhe udhëkryqi po aty. Deri kur?!..
PANO HALLKO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.