VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - IKJA DHE KTHIMI PAS 100 VITESH I MBRETIT WILHELM WIEDINga PËRPARIM KABO

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 12:20am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
IKJA DHE KTHIMI PAS 100 VITESH I MBRETIT WILHELM WIEDI
Nga PËRPARIM KABO

E Hënë, 09.15.2014, 09:56am (GMT+1)


Ai që kishte mbërritur i pari në Shqipëri si për të shtruar rrugën për Mbretin Wilhelm Wiedi, Zoti Fon Trotha, po largohej i pari. Mbreti mbeti pa të. Më 1 gusht 1914, ai u largua nga Durrësi. Procesi ikjes ishte tashmë pa kthim. Megjithëse ambasadori gjerman, zoti Von Luis bënte të paditurin për mobilizimin e përgjithshëm në Gjermani, era e luftës ishte pezull në qiell. Nga momenti në moment ajo do të shpërthente në befasi dhe si një kurth marrëzie do të kapte miliona njerëz. Bashkë me Fon Trothën ikën dhe disa shërbyes. Tani "pallati mbretëror" dukej i zbrazët. Kishin mbetur vetëm shërbyesi anglez, shërbëtori plak gjerman, që i përkiste vetëm "Landsturm" dhe Hasani, një shërbyes arab i mbretëreshës. Nuk kam dijeni se çfarë bënte ky shërbyes, por ma do mendja se do t'i shkonte që Hasani me duart e tij të shkathëta dhe me erëzat aromatike të Arabisë, të shërbente për çlodhje dhe relaksim mbi mishrat e bukura dhe të freskëta të mbretëreshës. Një grup shërbyesesh gra të trembura, tashmë që burrat iknin, mësynë tek Armstrongu. Ato qaheshin me shqetësim dhe me përunjësi, duke kërkuar të largoheshin me anijen më të parë. Ishte shembur gjithçka jashtë. Vala po godiste diçka më butë edhe brenda pallatit mbretëror. Ditët e gushtit u rrokullisën dhe misioni i rebelëve shqiptarë anti-Wiedi po shfuqizohej. Një ngjarje e madhe për herë të parë në shekullin XX po vinte, ishte Lufta e Parë Botërore. Të ikim nga ky vend, ku nuk kemi me se ç'bëjmë. Nuk ishin shkruajtur kund, por lexoheshin këto fjalë në qiellin e kohës dhe artikuloheshin çdo ditë në gjestet dhe veprimet e kryera. Kishte filluar ikja. Ikje nga deti e njerëzve dhe tanimë edhe e anijeve.

Po zbrazej porti Durrësit dhe fuqitë e kohës kishin marrë tjetër mision, shumë më të madh dhe shumë më të paparashikueshëm. Ai vend ishte tepër i ngushtë, pa rëndësi dhe jashtë fokusit për ta. Bregdeti, që shumë xhelozi dhe konflikte kishte prodhuar, po hynte si pa lejen e tij në një mega-arithmetik. Lufta botërore ishte në prag. Po largohej flota ndërkombëtare, që deri në fund të gushtit ishte e ankoruar në brigjet e Durrësit.

E para u largua anija luftarake ruse "Askold". Iku në mesnatë pa njoftuar kërkënd. Ishte një befasi që nuk la shumë hapësirë për habi, sepse pas saj nisi procesioni i anijeve që iknin, si njolla hijesh që treteshin në horizont, duke iu larguar bregut. Pas dy netësh iku anija franceze. Ato shtete që ishin më larg interesave shqiptare të kohës, ato që ishin pro-sllave dhe antishqiptar po vepronin më me shpejtësi. Pas saj iku anija angleze "Defence", e cila së paku për mirësjellje njoftoi në momentet e fundit. Anija "Breslau" dhe anijet austriake u larguan pak ditë më pas.

Në mbrojtje dhe kujdes të mbretit mbetën vetëm anijet italiane, që në një farë kuptimi nuk kishin pse të iknin dhe nuk kishin se ku dhe pse.

Me shpërthimin e "Luftës Botërore", ata në Shqipëri do të zbarkonin. Gjithçka ishte tretur në pak se gjashtë muaj. Në një ironi therëse, mbretin po e ruanin ata që e kishin rrëzuar nga froni pa e "ngrohur" atë. Një anije moderne italiane u zëvendësua nga një "rrangalle" që quhej "Dandolo". Kishte rënë heshtja. Askush nuk merrej më që ta shqetësonte mbretin. Paqja dukej e brishtë gati si një copë e hollë që të lejonte të shihje matanë saj. Një tejdukshmëri që të shponte sytë frikshëm.

Italia ishte më afër se kurrë realizmit të qëllimeve të saj ekspansioniste ndaj Shqipërisë. Në këto momente të një pezulli mbytës për çiftin mbretëror, janë me vend ato që shkruan për italianët në kujtimet e tij Heaton Armstrongu:

"Ata e dinin se Vlora, si një kumbull e pjekur, do të binte në duart e tyre, kur të vinte koha, dhe kështu ata mund të prisnin".

Pas këtyre ngjarjeve kaq komplekse dhe tragjike në Shqipëri, kishte pasur edhe një qeveri e një kryeministër, që edhe siç shihet nga rrjedha e dinamika e tyre, kreu i ekzekutivit kishte qenë "kukulla e madhe" e teatrit të ngjarjeve.

Një natë Turhan Pasha, Kryeministri i Shqipërisë, kishte humbur shërbëtorin e tij, një zezak që ai e kishte blerë qysh djalë të vogël në Stamboll. U bë nami, sepse plaku nuk vishej dot. Duhet të imagjinohet se si Turhani matuf ishte nervozuar, qe i merakosur se mos i kishte ndodhur gjë të gjorit. Shërbëtori ishte arrestuar. Ishte dyshuar se u kishte dhënë rebelëve mesazhe me anë të sinjaleve. E gjitha kjo ishte një blof. Zezaku i gjorë jo që nuk kishte shërbyer ndonjëherë në ushtri, por ai ishte edhe analfabet. Ndërhyrja e mbretit e lëroi dhe e solli tek i zoti, i cili u qetësua si fëmija që i sjellin lodrën e humbur për pak kohë.

Shkaku i arrestimit kishte qenë një kurth i disa nacionalistëve, të cilët të pakënaqur nga kryeministri Turhan Pasha, e sajuan këtë gjë për ta goditur atë. Ky kryeministër mund të stigmatizohej për inaktivitet dhe plogështi totale, që tregonte se ai nuk kishte qenë për atë post, por se kurrsesi nuk mund të akuzohej si një bashkëpunëtor i fshehtë me rebelët.

Nëse kishte diçka që fliste më shumë si "braktisje e Mbretit", ishte fakti që mirditorët largoheshin për ditë nga ushtria dhe hapur e pa pengesa ishte krijuar tregu i shitjes së armëve.

Një pushkë shitej me 5 deri në 10 franga. Armët që ishin blerë me paratë e Europës në buxhetin që i ishte dhuruar mbretit, kur e nisën në fron, këmbenin duart në këtë treg të turpshëm.

Mbreti kur pati pranuar këtë fron pushteti në Shqipëri, kishte kërkuar plotësimin e dy kushteve.

Kurorën t'ia sillnin vetë shqiptarët, që e kërkonin dhe pranonin si mbretin e tyre, si dhe një buxhet të nevojshëm që shteti të niste të punonte. Panorama ishte e zymtë dhe kaotike.

Zoti Harry Lamb dhe gjenerali De Veer, shkuan në Shijak të çlironin dy oficerë holandezë të zënë robër në Elbasan, por nuk patën rezultat.

Në një mbrëmje gushti, shumica e vullnetarëve austriakë dhe gjermanë u larguan nga Durrësi. Përfundimisht "godinës së mbretërisë" i ishte hequr trau mbajtës. Këta ushtarë kishin qenë mbështetësit kryesorë të mbretërisë. Ata patën një mision shumë të rëndësishëm për historinë e Shqipërisë, krijimin e shtetit shqiptar me orientim perëndimor dhe në mënyrë speciale, të tipit gjermanikë. Ushtarakët ishin entuziastë. Ata kryen një parakalim ceremonial për të treguar se po iknin me dinjitet nga ky vend, edhe pse qëllimi mbeti në mes të rrugës dhe po thuaj i dështuar.

Demonstrimi i tyre para pallatit mbretëror ishte madhështor "duke brohoritur dhe kënduar këngë patriotike gjermane". Të gjithë vullnetarët u dekoruan sipas gradave që kishin. Të dalluarit në fushën e betejës morën dekoratën e "Shpatave të Kryqëzuara". Oficerëve iu dha Urdhëri Klasit të Katërt dhe të Pestë, sipas gradës. "Dy ditë pas tyre u larguan edhe oficerët holandezë të xhandarmërisë. Ata ishin thirrur nga qeveria e tyre dhe bashkë me ta edhe disa vullnetarë. Kishin lënë në atë tokë të ngatërruar një nga oficerët më të zotë dhe më krenarin, kolonel Tomsonin. Kishte humbur jetën jo thjeshtë një njeri, por bashkë me trupin e tij të pajetë, ishte shkruar një histori që bartte enigma dhe sublimitet. "Omnia Munda Mundis"-Njerëzit me zemër dhe shpirt të pastër mundohen të shohin gjithnjë anën pozitive të gjërave. Ishte mbyllur një kapitull shumë i rëndësishëm i periudhës së mbretërimit të Wiedit. Largimi i ushtarakëve me mandat ndërkombëtar shënoi jo thjesht fundin e mbretërimit, por se diçka më të rëndësishme. U bllokua ngritja e shtetit shqiptar pas ndarjes me Perandorinë Osmane. Fati nuk ishte me ne edhe për fajin tonë. Kjo është humbje që nuk u riparua. Sa e vështirë dhe sa mund të ngresh një administratë shtetërore.

Nëse ajo do t'i kishte themelet edhe me një xhandarmëri të tipit holandez, ne sot në Shqipëri do të kishim një tjetër traditë dhe kulturë shtetërore. Kur lufta vjen në prag, gjëja e parë që duhet të bësh është të paraqitesh në vendin e duhur si ushtarak në rezervë. Këtë duhej të bënte edhe Armstrongu, por ndërhyrja e Zotit Lamb te ministri i Jashtëm, Eduard Grey, i dha mundësinë që ai të qëndronte në Shqipëri deri në një urdhër të dytë. Oborri mbretëror dukej si ajo kulla e rrethuar, që dita-ditës braktiset nga besnikët, nga rojet, nga ushtarakët dhe më në fund edhe nga ata që sigurojnë ushqimin. Kishte mbërritur koha e hijeve. Me këtë punën e fundit merrej austriaku Lloyd, që "bënte psoni" në Trieste. Me largimin e tij, pazari bëhej në Durrës, shumë, shumë deri në Bari dhe familja mbretërore dukej si një familje qytetare e Durrësit.

Nuk rrekem të jap shumë argument. Gjithsesi, mua më pëlqen kjo gjendje e tyre. Kjo situatë e tyre kaq njerëzore që notonte mes pushtetit të humbur dhe marrëdhënieve humane të pastra. Gjithçka gatuhej nga kryekuzhinieri gjerman, që mbeti pa u larguar si ushtarak rezervist në atdheun e tij, sepse atij iu sigurua një raport mjekësor që ishte i "paaftë."

Kjo u realizua nga Armstrongu, nga ky anglez, sepse po të kishte qenë për gjermanin, nuk ndodhte kurrë. Ai nuk do të gënjente qoftë edhe i pajisur me një certifikatë justifikuese me vlerë zyrtare të njohur në mënyrë legale. Të gjithë këtë dekor që bjerrej dita-ditës, e përshkruan edhe me një tis të hollë humori Armstrongu te shkruan në kujtimet e tij: "Gjendja në vend po bëhej gjithnjë e më kaotike dhe unë vazhdimisht e këshillova mbretin të largohej nga ky fron i vështirë. Meqenëse çdo gjë ishte absolutisht e pashpresë, unë i propozova gjithashtu të pinim të paktën ato verërat e mira që kishim në qilar dhe t'i linim ato më pak të mirat për vartësit tanë. Fatkeqësisht kjo ide e shkëlqyer u injorua dhe ushtarët më të mirë të mbretit nuk u dehën".

* * *
Rebelët vijonin të qëllonin me një top që kishin zënë si trofe, por se të gjorët aventurierë nuk e dinin që ajo "xhepane" (turqisht-top) donte dhe topçinj. Ata të tillë nuk ishin. Predhat e tyre shkuan dëm dhe dukeshin si bubullima të vonuara në një qiell nga ku ç'kishte për të rënë, tashmë ishte derdhur. "Bella Matribus Detestata" - Tmerret e luftërave urrehen së pari nga nënat. Një rebelim pa mision, gjak shqiptarësh derdhur pa motiv, një anarki totale ku të gjithë ishin përdorur me keqpërdorim kundër interesave të atdheut. Rebelët kishin kaluar nga iluzioni në diziluzion. Fatkeqësisht kjo u ka ndodhur shpesh shqiptarëve në histori. Me largimin e oficerëve holandezë, në Durrës u krijua "Komiteti i Mbrojtjes", që kishte përbërje mikste, shqiptarë dhe të huaj. Ishin disa austriakë që ende nuk ishin thirrur në armë, një oficer rumun dhe dy-tre komandantë vendas. Më shumë se një komitet, dukej si një "çetë" e personave të pafuqishëm, të cilët gjenin nxitje të kryenin një detyrë që praktikisht nuk kishte se për çfarë të shërbente më. Mision pa mision! Një revolucionarizëm i zbrazët! Transhet boshatiseshin çdo ditë nga dezertimet. Vapa e gushtit dhe kushtet mizerabël të higjienës ishin të papërballueshme në atë ambient kënetor. Shumë nga dezertorët justifikoheshin se po shkonin në shtëpi pas një kohe të gjatë, me premtimin se do të ktheheshin. Në fakt, ato ishin ikje pa kthim. Më 13 gusht, qeveria nuk kishte më asnjë "kacidhe".

U dha urdhri që nga fondet e oborrit të jepeshin para për t'u paguar trupat ushtarake. Ky gjest zemërgjerësie i mbretit, ma do mendja që ka pasur edhe "klemencën" e mbretëreshës. Ajo nuk donte që në ikjen e tyre si çift mbretëror, ata të mbuloheshin me turpin e gënjeshtrës për mospagesën e pagave luftëtarëve. Të gjithë, në kushtet e parave që fitonin e kishin në majë të gjuhës: "Lartmadhëri, ik sepse nëse një ditë krejt të afërt nuk do të kesh mundësi se me çfarë të paguash njerëzit e tu, ata natyrisht që do të kthehen kundra". Edhe ambasadori gjerman vazhdimisht i thoshte mbretit, se në kushtet e një sigurie të munguar, ju duhet të ikni një orë e më parë. Wilhelm Wiedi nuk dëgjonte. Përse?! Është e vështirë ta thuash sot.

Ta pyesësh mbretin, heshtjen do të marrësh përgjigje. Gjykoj se ndoshta ai donte që ndaj Fuqive të Mëdha, të cilat kishin dhënë fondet, të ishte korrekt deri në qindarkën e fundit. Gabimisht ata që e rrethonin kishin menduar se ai ishte naiv dhe ende besonte se do të gjente fonde nga Italia apo Austria. Ata e paragjykuan si optimist të skajshëm që sillej gati si unikal, në këtë ndjenjë pozitive, çka e shtyu atë që të qëndronte edhe disa javë të tjera në vendin që po braktisej. Mbretëria kishte rënë, mbreti ndodhej ende në atë "vakuum". Mbretëresha tregoi se ishte një grua stoike dhe nuk kapej nga paniku. Me fjalë të zgjedhura me "cepa", ajo nuk i falte ata, që në ato ditë të vështira mezi prisnin që t'ia mbathnin, me "argumentin" se nuk kishin se ç'të bënin më atje. Ajo parashikonte të ardhmen. Si çift mbretëror në atë kohë dhe në histori, ata do të kujtoheshin me të mirat dhe me të këqijat e tyre, ndaj nëse po humbnin fronin, nuk dëshironin dhe nuk duhej të humbisnin edhe nderin. Jetohej në një qytet që nuk mund të lëvizje më shumë se disa kilometra, sepse mund të "haje" ndonjë plumb që t'a ndërronte jetën me vdekjen. Mbreti në një bisedë në studion e tij ia lehtësoi brengën Armstrongut, duke i thënë se, "me që ti dëshiron të shkosh në front, është më mirë të ikësh që këtej". Aludohej se gjërat ishin ngatërruar kur një natë në ballkon Armstrongu i kishte thënë mbretit: "Gjermanët ishin çmendur dhe Gjermania e ka të humbur luftën ditën që Britania e Madhe ishte bashkuar me Francën". Mund të ishte kjo arsyeja e ftohjes, por ka diçka njerëzore që flet se nuk ishte gjithçka ashtu. Kishin mbaruar marrëdhëniet shtetërore, por jo ato njerëzore, sa kohë që çifti mbretëror ia kishte besuar fëmijët Armstrongut, duke bërë kujdes që edhe "xhepi" tij të mbushej dëng me të holla, aq të nevojshme gjatë këtij udhëtimit delikat. Në fakt, ishte vetë Armstrongu që ia propozoi mbretit këtë shërbim të fundit dhe ai u gëzua shumë nga ky gjest human dhe mjaft prekës. Qeveria shqiptare ishte shprehur asnjanëse në këtë luftë. Në kushtet e mosveprimit të mbretit në Shqipëri, po krijoheshin me shpejtësi grupe të armatosura kundër serbëve. Shquhej në këtë ndërmarrje një ish-ministër, Hasan Prishtina. Kjo situatë po t'i informohej "Foreign Office" nga Armstrongu, e përfshinte mbretin me mosveprimin e tij në një situatë të pakëndshme me impakt europian në kushtet e një lufte në shpërthim e sipër. Ishte pasdite e 22 gushtit, kur Armstrongu, dy fëmijët e mbretit, dy infermieret, damat shoqëruese, kryekuzhinieri u nisën nga Durrësi me një anije italiane. Te shpirti i mbretëreshës kishte pikëllim. Lotët e saj flisnin qartë se çfarë ndjente. Po ndahej nga fëmijët në një kohë lufte. Ata kishin qëndruar në Shqipëri në muajt e trazirave. Rebelimi ishte bërë pjesë e historisë së tyre në atë moshë, kur ende nuk kuptohet më shumë se sa lumturia që të dhurohet nga prindërit, kujdesi dhe lodrat. Ata fëmijë pa asnjë lutje dhe kërkesë ishin bërë pjesë e historisë së Shqipërisë në fillimin e shekullit XX. Në Bari ata u pritën nga kapiteni italian, Conte Andreoli dhe prej tij u përcollën deri në kufirin austriak. Ikja e ka një formulë që e shpreh atë. A ka një slogan që e thotë? Sigurisht që po. Ja si shkruan Armstrongu:

"Kisha ëndërruar të qëndroja këtu e të bëja karrierë dhe kjo ëndërr po tretej në errësirë. Të tre plepat e vetmuar pranë bregut të detit, shëtitjet tona të dashura në mbrëmje po i shihnim për herë të fundit, por edhe ato u tretën shumë shpejt në muzg! Të gjithë ishim shumë të mërzitur dhe secili bluante mendimet e veta.... Ikja është pak si vdekje!". Atje nga ditët e fundit të gushtit, pas disa predhave, rebelët dërguan edhe një ultimatum me anë e të cilit kërkonin largimin e menjëhershëm të mbretit, në të kundërtën do ta nxirrnin me forcë nga Durrësi. Kishte marrë fund çdo gjë. Arka ishte bosh, njerëzit të rraskapitur, lufta në prag. Ai më në fund u largua nga Durrësi në datën 3 shtator 1914, fiks gjashtë muaj pas një aventure në një vend krejt të panjohur prej tij, por që ai e deshi me sinqeritet. Ose duhej të udhëhiqte shqiptarët në luftë kundër Serbisë si edhe e urdhëroi Austro-Hungaria, duke prishur neutralitetin e shtetit shqiptar ose ai duhej të largohej. Fillimi luftës prishi balancat në mënyrë radikale. Fillimisht ai shkoi në Zvicër, në Lugano dhe qëndroi atje disa javë.

Shkoi më pas në Gjermani dhe pasi kaloi ca vështirësi, u rikthye në ushtri në profesionin e tij të parë. Wilhel Wiedi nuk ishte më mbret dhe Shqipëria nuk ishte më mbretëri. Ata kishin ikur nxitimthi dhe nuk patën mundësi që të merrnin gjërat personale dhe shumë objekte që lidheshin me jetën e tyre. Lanë gjithçka në atë të ashtuquajtur Pallat Mbretëror, nën kujdesin e Qeverisë italiane, e cila në vend që të brengosej për këtë detyrim deri në kryerjen e tij, menjëherë risolli në Shqipëri Esad pash Toptanin. Historia ishte kthyer kokëposhtë! Perëndimi ishte larguar i përzënë nga shqiptarët për të pritur gjatë në historinë e tyre, gati 6-7 dekada deri në 1990-ën kur u rikthye në Shqipëri demokracia perëndimore.

Esad Pasha kishte një humor të zi! "In Cauda Venenum"- Në fund është helmi.
Ai që ishte përbetuar në largimin e tij nga Shqipëria se jepte dhe jetën për mbretin, si një gjarpër e lëshoi helmin e tij. Esadi ua dërgoi baulet mbretit dhe mbretëreshës, të cilët u gëzuan pa masë.

Kur i hapën ato, ata u zhgënjyen deri në ofendim. Brenda tyre kishte, gazeta, lodra kalamajsh dhe dru zjarri. Mesazhi kishte qenë i qartë. Ju më bombarduat shtëpinë, unë u'a kthej kusurin duke mos ju dërguar asgjë nga shtëpia juaj. Është fakt që edhe tani vonë në ditët tona, pinjollë të ish-familjes mbretërore u interesuan për këtë trashëgimi. Përgjigja rezultoi dëshpëruese. Gjithçka nuk gjendet se ku është fshehur, apo nëse ka një histori tjetër më fatale të asgjësimit të tyre barbarisht. Princ Wiedi humbi këtu dhe kujtimet e jetës së tij, që nuk kishin pasur lidhje me Shqipërinë. Gjurmët e fshehura nuk kanë gojë të flasin. Ka humbur një pjesë e historisë sonë. Kështu ndodhi edhe me ministrat dhe mbështetësit e Mbretit.

Të gjithëve ose iu konfiskuan pronat, ose iu shkatërruan. Shumë prej tyre u larguan jashtë atdheut. Lufta kishte filluar. Vlora u pushtua nga italianët. Castoldi që kishte punuar pranë Wiedit ishte caktuar guvernator i qytetit. Durrësi e kishte tanimë sundimtarin e vet. Ky ishte Esad pash Toptani. Pa më voglin "qeder", nëse atdheu digjej apo copëtohej, rëndësi për të kishte pushteti tij personal. Veriu dhe lindja e Shqipërisë u pushtuan nga serbët dhe malazezët, gjoja për interesa strategjike sepse edhe në këto hapësira të shpallura neutrale do të duhej të mbahej rregulli. Jugu po thuaj ishte i pushtuar nga grekët. Epiri veriut ishte aneksuar dhe kishte filluar rekrutimi në ushtri nga këto zona të jugut të Shqipërisë, duke i konsideruar si popullsi greke. Ka të drejtë Armstrongu kur shkruante: "Është vërtetë për të ardhur keq që eksperimenti me Shqipërinë dështoi, edhe pse vendasit kanë shumë cilësi negative, ka shumë mirësi brenda tyre". Ndoshta Shqipëria kishte dashur një trajtim tjetër. Një mbret i edukuar dhe tolerant, zemërgjerë dhe paqësor, paskish qenë i paragjykuar gjatë gjithë kohës. Enkas ishte zgjedhur apo miratuar një person i tillë me qëllimin e mbrapshtë që asgjë mos funksiononte?! Ndoshta! Kështu bashkë me rrëmujën që do të shpërthente dhe me planet djallëzore antishqiptare të fqinjëve do të mund të bëheshin realitet projektet antishqiptare të kohës. "Komisioni Ndërkombëtar" që u vendos në Shqipëri, veproi në mënyrë të turpshme. Gjithçka e tërhoqi zvarrë deri në braktisje. Si thotë Armstrongu: "Kam frikë se Fuqitë e Mëdha, asnjëherë s'e dëshiruan suksesin e mbretërisë dhe kam përshtypjen se disa prej tyre ishin armiqësorë që në fillim, megjithëse nuk e shprehën këtë. Është e sigurt që austriakët intriguan për pushtet, por të paktën ata nuk patën asnjë pretendim për territorin shqiptar si italianët, grekët, serbët dhe malazezët. Ata donin një Shqipëri të pavarur dhe të fortë, që simpatizonte Perandorinë Austro-Hungareze dhe që do të ishte aleate e dobishme kundër serbëve në rast lufte dhe për këtë arsye, ata u përpoqën me të gjitha forcat ta mbështesnin mbretin. Unë besoj se austriakët ishin të vetmit miq të vërtetë, Anglia dhe Gjermani ishin tërësisht të painteresuar, ndërsa pjesa tjetër ishte kundër... "Dukej sikur Shqipëria do të zhdukej nga harta dhe kombi do të humbiste, aq sa Armstrongu me dhimbje të thellë thotë: "E mjera Shqipëri!".
--
*Shkëputur nga studimi me titull: "Një brengë e vjetër për Princ Wiedin", botuar në librin "˜EPISTOLATE-Antropologjia e Frymës', korrik 2014.

Ps/ Pas 100 vitesh samiti gjerman për Ballkanin, në gusht 2014, më në fund e risolli ëndrrën dhe shansin e humbur, si realitet tashmë pa kthim, ndoshta edhe për Princ Wiedin, mbretin e shqiptarëve!

Historia e re ku rrethanat karakterizohen me një prezencë gjermano-austriake në Ballkan, ëndërr e vjetër në kohë moderne!

Historia vazhdon...!
PËRPARIM KABO


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
RISHKRIMI (A)POLITIK I HISTORISËNga Dr NDRIÇIM MEHMETI (09.12.2014)
SHQIPTARJA QË U ZGJODH SHOQËRUESJA E DYTË E MISS WORLD BIKINI (09.11.2014)
JEMI OSE NË PRAG TË NJË NDRYSHIMI TË MADH, OSE TË NJË FUNDOSJEJE TËRËSORENga SPARTAK NGJELA (09.11.2014)
ÇFARË I THA PEPE BEKIM BALËS? (09.10.2014)
GJASHTËDHJETË E TETË VJET NGA KRYENGRITJA ANTIKOMUNISTE E POSTRIBËSNga ILIR SECI (09.09.2014)
HARADINAJ - CERTIFIKATË EVROPIANE PËR KOSOVËNNga DËFRIM CANI, publicist e studiues, Tiranë (09.06.2014)
NJË KOMB I TËRË NË UDHËKRYQ...Nga PANO HALLKO (09.02.2014)
1945 - SI U PËRZU NGA SHQIPËRIA DELEGATI APOSTOLIK (09.02.2014)
NDAHET NGA JETA PROFESOR SHABAN DEMIRAJ - AKADEMIK, PERSONALITET I SHQUAR I SHKENCËS, ARSIMIT E KULTURËS SONË KOMBËTARENga Prof. MURAT GECAJ (09.01.2014)
PLAZHET NË SHQIPËRI TË NDOTURA NGA UJËRAT E ZEZA - KJO SHKAKTON INFEKSIONE TË LËKURËS TEK PUSHUESIT (09.01.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]