E Premte, 03.29.2024, 01:55pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
SPASTRIMET GREKE NË FOLLORINË E KOSTUR
Nga VELI HAKLAJ

E Enjte, 09.25.2014, 07:47am (GMT+1)



1. Hyrje

Krahina e Çamërisë, si një nga trevat jugore të banuara prej shqiptarëve, zë një vend të rëndësishëm në zhvillimet historike të popullit tonë. Gjatë luftërave ballkanike 1912 - 1913, popullsia e Çamërisë, së bashku me njësitë ushtarake që dërgoi Qeveria e Përkohshme e Vlorës, iu kundërvu me vendosmëri ushtrive pushtuese greke, që u dyndën në këtë trevë shqiptare. Por Konferenca e Ambasadorëve në Londër (1913), në kundërshtim me vullnetin e popullsisë së Çamërisë, vendosi t'i jepte pjesën më të madhe të saj Greqisë. Pas Luftës së Parë Botërore, qeveritë e ndryshme greke shpërngulën me dhunë dhe dërguan në Anadoll si turq dhjetëra mijë çamë myslimanë.

Shkëmbimet filluan pas nënshkrimit në Lozanë (Zvicër) më 30 janar 1923 të konventës ndërmjet Greqisë e Turqisë për shkëmbimin e popullsive greke e turke. Mirëpo qeveria e Athinës, në kundërshtim me zotimet që kishte marrë, si dhe në kundërshtim me dispozitat ndërkombëtare, po ndiqte kundër shqiptarëve të besimit mysliman politikën e shpërnguljes me forcë nga vatrat e tyre për në Turqi, duke i paraqitur si turq. Për popullsinë shqiptare në Çamëri dhe në viset e tjera u krijua kështu një gjendje shumë e rëndë, që ndikoi edhe në marrëdhëniet ndërmjet Shqipërisë dhe Greqisë.

Megjithëse kryeministri shqiptar, Fan Noli u prit ftohtë në selinë e Lidhjes së Kombeve, ai e shfrytëzoi rastin në sesionin V të Asamblesë së Lidhjes së Kombeve për të mbrojtur edhe interesat kombëtare të popullsisë shqiptare të mbetur brenda kufijve të Greqisë, e cila ishte përfshirë në atë kohë padrejtësisht në shkëmbimet e popullsive greke e turke.

Lidhur me këtë çështje, në fjalën e tij në fund të shtatorit 1924, Fan Noli kritikoi qëndrimet e Komisionit Mikst ndërkombëtar, të ngarkuar për shkëmbimin e popullsive, i cili dukej qartë se po mbante anën e përfaqësuesve grekë, duke përfshirë në shkëmbim edhe shqiptarët myslimanë, që do të thoshte se po zbatonin politikat e Athinës për pastrimin etnik të Çamërisë e të viseve të tjera nga shqiptarët. Fan Noli kërkoi që Këshilli i Lidhjes së Kombeve të ndërmjetësonte pranë qeverisë së Athinës për ta përjashtuar nga shkëmbimi të gjithë trevën e Çamërisë, e banuar nga shqiptarë. Por Këshilli nuk mori asnjë vendim dhe e shtyu shqyrtimin e kësaj çështjeje për një kohë të pacaktuar.

Me disa aspekte të mizorive që ka pësuar popullsia çame, veçanërisht në vitet 1923 - 1924, do të njihet lexuesi i "Gazeta shqiptare" në vijim të këtij dossieri. Faktet e publikuara janë konsultuar në dokumentet arkivore të shtetit shqiptar.

II. Zbrazja e fshatrave shqiptare në Greqi

1. Mit'hat Frashëri takon kryeministrin grek Papanastasiu
Nisur nga zhvillimet në muajt e parë të vitit 1924, më 14 maj 1924, përfaqësuesi i Shqipërisë në Athinë, ishte pritur në takim nga kryeministri grek, zoti Papanastasiu. Kryeministri grek i kishte deklaruar përfaqësuesit tonë se politika e Republikës Greke është që të mos intervenonte në Shqipëri po të lërë Shqipërinë të forcohet dhe të marrë fuqi. Në deklaratat që kishte bërë në Selanik, Papanastasiu kishte theksuar se, në qoftë se intervenonte ndonjë fuqi e huaj në Shqipëri, atëherë edhe Greqia mund që të marrin pjesë për të ndihmuar Shqipërinë, sepse qeveria greke s'ka asnjë qëllim të rritet në dëm të një shteti tjetër.

Kryeministri grek i deklaroi përfaqësuesit tonë se në Selanik kurrë në ndonjë këshillë ministror ose militar s'u bë fjalë për Shqipërinë dhe se transferimi i trupave të ushtrisë nga Negreponte dhe Moreja në Maqedoni s'kishte fare lidhje me Shqipërinë.
Zoti Papanastasiu, duke folur për sentimentet e Greqisë për Shqipërinë, kishte thënë se ajo që dëshironte ishte të shihte se trajtohet mirë elementi grek i Shqipërisë duke pasur të drejtat për shkollë dhe kishë. Ai tha se në Selanik, vorio-epirotëve që e kishin vizituar (pa dyshim Josif Adhamidhi me shokë) u kishte këshilluar që të rrinë urtë se politikën e jashtme e bënte vetë qeveria dhe jo ata.

Kryeministri grek ishte çuditur kur kishte mësuar se në Epir vetëm 5% qenkan shqiptarë, kurse 95% ishin deklaruar turq (siç trajtohet në këtë dossier, këto deklarime ishin bërë në kushtet e terrorit të qarqeve zyrtare dhe jozyrtare greke - V.H.).
Në përgjigjen e tij, përfaqësuesi i Shqipërisë në Athinë i kishte thënë kryeministrit grek se, siç kërkoni ju për elementin grekofon në Shqipëri, kërkojmë edhe ne trajtimin reciprok për shqiptarët që janë në Greqi.

2. Zbrazja e fshatrave shqiptare në Follorinë dhe Kostur

Në komunikimin e datës 29 maj 1924, përfaqësuesi i Shqipërisë në Athinë do t'i sugjeronte ministrit të Punëve të Jashtme, në Tiranë, se do të ishte mirë që të bëheshin hapa në S.D.N. që të kërkohej një studim i paanshëm dhe me kolaborim të një interpreti shqiptar, nga ana e Komisionit Mikst për shkëmbimin e popullsive ndërmjet Greqisë dhe Turqisë. Një ditë më pas, më 30 maj, ai do t'i lutej ministrit të Jashtëm që të ndaheshin ato masa edhe për katundet e Kosturit.

Në vijim të këtij komunikimi, përfaqësuesi ynë në Athinë do ta vinte në dijeni ministrin e Jashtëm mbi evenimentet që kishin ndodhur, që nga shkresa e fundit që i kishte dërguar mbi situatën e çamëve.

Zoti Ekstrand ishte kthyer nga udhëtimi në Maqedoni, po kishte shkuar vetëm në Selanik dhe në Soroviç. Shqiptarët e Selanikut, Karaforia, Vodanë, Elasona, Ratorina kishin përgatitur kataloge të plotë dhe i paraqitën me anë të zotit Qenan Pesserena. Çdonjëri kishte dhe dokumentet e duhura, me një mënyrë që defterët qenë fare në rregull. Këta shqiptarë ishin nga Shqipëria, me dokumente të rregullt. Për ndarjen e këtyre shqiptarëve definitivisht do të ngarkohej për dy javë një nënkomision në Selanik. Zoti Qenan ishte nisur prapë për në Selanik që të rregullonte çështjen e shqiptarëve atje.

Për sa u përket shqiptarëve autoktonë, 7 katunde në Follorinë dhe 24 katunde në Kostur, përfaqësuesi ynë do të raportonte se nga të 7 katundet e Follorinës pothuajse asnjë shqiptar s'ka mbetur, të gjithë kanë shkuar si turq dhe kjo ishte bërë me propagandën dhe përpjekjen e një të quajturi Haki, biri i Jusuf bej Qafëzezit, i vendosur në Follorinë. Hakiu vetë do të ikte si turk, kurse të atin, Jusuf beun, kërkonte ta linte si shqiptar.

Nga 24 katundet e Kosturit, më 29 maj 1924, përfaqësuesit tonë në Athinë i kishte ardhur një delegat nga Shenedielli, i cili e lajmëroi se 11 katunde po zbrazeshin fare dhe gjithë banorët kanë në mend të ikin, 7 katunde zbrazeshin për gjysmë dhe vetëm 6 katunde mbesnin krejt. Në këtë mënyrë 4 000 banorët e katundeve të Follorinës i humbisnim krejt dhe nga 13 000 shqiptarë të Kosturit mund që të mbetnin vetëm 5 000. Sikur të kishte vajtur zoti Ekstrand në katundet e Kosturit dhe t'i kishte vizituar, mbase asnjë shqiptar s'kishte për të luajtur nga vendi. Por mosvajtja e Ekstrandit në katundet dhe ndenjtja e tij në Soroviç, i demoralizoi shqiptarët, të cilët u influencuan prej autoriteteve të vendit dhe prej propagandës që bëri Hadi beu, delegati turk, i cili u thoshte se të gjithë myslimanët do të ikin.

Sa për natyrën e vuajtjeve që kalonin shqiptarët e të 94 katundeve, përfaqësuesi ynë në Athinë rrëfente këta dy shembuj:

1) Që kur ka dalë fjala e këmbimit të popullatave, nuk ka shkuar ditë që të mos venë xhandarë dhe ushtarë në katundet shqiptare dhe t'i ngarkojnë me një mijë farë angarije, duke i vënë të mbajnë në kurriz dru dhe ujë. Me këto keqbërje shquhej nënprefekti i Kosturit.

2) Hasan Zejnel Shenediellit, që ishte vetë i dhjeti në shtëpi, i kishin caktuar 33 refugjatë, kështu që u shtrëngua që të lërë shtëpinë dhe të rrijë me qira në Kostur.
Kushëriri i Hasanit, në Shenediell, Sajfedini, kishte 19 refugjatë, kurse Xhemal Jakubi 13, Salih Nuredin 23. Ndërkohë në të gjitha fshatrat e krishterë s'kishte asnjë refugjat.

Delegati që erdhi nga Kosturi ishte takuar më datë 30 maj 1924 me z. Ekstrand dhe ky i telegrafoi nënkomisionit që të merreshin masat dhe të mos përzënë njeri nga vendi, sa pa u marrë masa definitive.


Një urdhër identik ishte dhënë edhe në Katerinë, ku autoritetet greke donin të përzënë shqiptarët në masë. Nga Katerina i ishte hequr përfaqësuesit tonë në Athinë një telegrafë dhe ai kishte bërë demarshet e duhura pranë Komisionit Mikst.

Sipas përfaqësuesit tonë në Athinë, mospasja e një konsulli shqiptar në Selanik po shkaktonte katastrofën e 15000 (pesëmbëdhjetë mijë) shqiptarëve, megjithëkëtë, edhe në ato momente sikur të shkonte konsulli, prapë mund të ndalonte një katastrofë definitive edhe kjo nga shkaku se atyre viseve nuk u bie udha në Athinë, por në Selanik shkonin shpesh.

Për në Çamëri dhe Janinë z. Ekstrand i kishte dhënë fjalën përfaqësuesit tonë se do të merrte një interpret. Përfaqësuesi ynë mendonte për Qenan Pesserenën, për të cilin kishte simpati dhe Ekstrandi vetë, por nuk dihej a do ta merrte, dhe a do të ishte mbaruar puna e Maqedonisë deri sa të nisej nënkomisioni për në Epir (mesi i qershorit 1924), sepse pritej që të kthehej kryedelegati turk, Tefik Ruzhdi, që ishte në Angora.

Në një letër që kishte marrë nga Çamëria, me datë 22 maj 1924, përfaqësuesit shqiptar në Athinë i thuhej se familja e Qazim Mahmudit, nga Filati, pasi u hap fjala në Çamëri se të gjithë shqiptarët do të dëbohen, u ngrit që të ikte në Shqipëri, duke lânë gjithë pasurinë e tundshme dhe të patundshme në Greqi. Xhandarmëria greke e zuri Qazim Mahmudin, e ndaloi dhe e vuri tri ditë në burg, duke i thënë "Do të ikësh nga Çamëria, po vetëm në Turqi do të vesh".

Kopje e kësaj letre iu dërgue edhe përfaqësuesit të Shqipërisë në sesionin e radhës të Këshillit të Lidhjes së Kombeve, Z. Blinishi, që të gjindej në korent të këtyre zhvillimeve.

3. Gjashtëqind ushtarë grekë me topa dhe mitralozë derdhen në fshatrat e Çamërisë

Sipas njoftimeve që përcillte përfaqësuesi shqiptar në Athinë, më 4 shtator 1924 kishte arritur Komisioni Mikst në Margëllëç. Myftiu i Margëllëçit, Adem Haxhi Abaj, dhe ai i Paramithis vajtën dhe u thanë Komisionit se "të gjithë jemi turq dhe duam të ikim".

Kurse Haxhi Brado, Abdi Roida, Mehmet Buza, Xhavid Huso, Musa Kasimi, Kasim Jatro vajtën dhe u thanë se janë shqiptarë dhe flasin në emër të Margëllëçit, Luarat, Mazarek, Smukovinë. Delegati Bratlij u tha sillmani me të shkrojtur. Të nesërmen ata bënë një anaforë turqisht, me 80 nënshkrime, e dërguan në Komisionin Mikst, por Bratlij kishte ikur për në Korfuz. Ata kuvenduan me delegatin e Greqisë dhe të Turqisë, të cilët i pyetën shqiptarët se me çfarë e provojnë origjinën e tyre shqiptare. Fshatarët ishin përgjigjur mirë.

Si dolën nga Komisioni, një refugjat i thirri që të gjashtë shqiptarët që kishin kuvenduar me Komisionin dhe u foli për anaforan (arzuallën) që dhanë, duke u thënë se ajo nuk mjafton, po duhet që çdo njeri të japë kërkesë veç e veç dhe me katër ditë e sipër. Nga ana tjetër, autoritetet greke thirrën Kasim Jatron dhe e porositën që të rrijë mirë dhe të mos bëjë propagandë, duke iu kanosur kështu dhe Xhavid Husos.

Ndërkohë që Komisioni Mikst akoma s'kishte dalë në asnjë katund, qarqet zyrtare greke kishin çuar gjashtëqind ushtarë, me topa dhe mitraloza, dhe i kishin derdhur në katundet shqiptare të Çamërisë duke ngrënë dhe ushqyer në shtëpitë e myslimanëve. Në Margëllëç nuk lenin më tepër se dy shqiptarë bashkë, po qenë tre dhe katër, i ndalonin policia; kurse ata që e quanin veten e tyre turq, ishin fare të lirë.

4. Shqiptarëve të Greqisë s'u njihet as e drejta të jetojnë

Me shkresën nr. 1777, datë 22 tetor 1924, përfaqësuesi i Legatës së Shqipërisë në Athinë do njoftonte Ministrinë e Punëve të Jashtme, në Tiranë, se më 15 tetor 1924 kishte arritur në Athinë nga Beogradi z. E. Colban, drejtor i Seksionit të Minoriteteve në S.D.N.

Me ardhjen e z. Colban në Athinë, shtypi grek kishte filluar prapë të botonte lajme tendencioze mbi situatën e brendshme në Shqipëri, me burim Zyrën e Shtypit të shtetit grek.

Përfaqësuesi ynë në Athinë i kishte përgënjeshtruar këto lajme në një komunikatë të datës 20 tetor si krejt të pathemelta.

Më 20 tetor 1924, përfaqësuesi ynë në Athinë zhvilloi një takim me z. Colban, në "Petit Palais", i cili e kishte pritur shumë mirë dhe e kishte dëgjuar me një vërejtje të thellë.

Përfaqësuesi ynë në Athinë i kishte bërë z. Colban një ekspoze të gjatë mbi vuajtjet e shqiptarëve në Greqi dhe sidomos të çamëve, e kishte vu në dijeni për regjimin e restriktimeve të çfarëdollojshme nën të cilat jetojnë, për veprimet e nënkomisionit Mikst në Epir dhe në Maqedoni, si dhe për intrigat e delegatëve grek dhe turq dhe për burgosjen e shumë çamëve, të cilët ndiqen për të vetmen arsye: pse deklarohen si shqiptar dhe s'duan të vejnë në Anadoll.

Përfaqësuesi shqiptar e kishte vu në dijeni z. Colban dhe për konditat tragjike dhe mënyrat brutale me të cilat u bë eksodi i 10 000 (dhjetë mijë) shqiptarëve të qarqeve të Kosturit dhe Follorinës, të cilët si bagëti u transportuan në gusht 1924 në Selanik dhe prej andej ishin dërguar në Azi.

Z. Colban iu komunikue edhe telegrafi i ministrit të Punëve të Jashtme, z. Sulejman Delvina, mbi emnimin e delegatit të ri grek në Epir si dhe mbi vazhdimin e presioneve kundër çamëve dhe instalimin e refugjatëve vetëm në shtëpitë e shqiptarëve.

Katastrofa e Maqedonisë dhe instalimi i refugjatëve i kishin bërë përshtypje të madhe z. Colban, i cili dukej që i injoronte këto dy fakte, sepse e kishte pyetur dy herë përfaqësuesin e Shqipërisë në Athinë, nëse ishte i sigurt që 10 000 shqiptarë të Maqedonisë u imbarkuan për në Anadoll dhe që vetëm në shtëpijat e shqiptarëve instalohen refugjatë. Përfaqësuesi ynë i ishte përgjigjur se Legata është fare e sigurtë për vërtetësinë e këtyre dy pikave dhe se 10 000 shqiptarët e Maqedonisë i kishte parë vetë, kur po kalonte nga Selaniku me leje.

Në lidhje me gjendjen e grekofonëve të Shqipërisë, përfaqësuesi i Legatës sonë të Athinës i kishte dhënë të gjitha hollësinat e duhura z. Colban, duke i theksuar se s'besoj që në shtetet e tjera minoritetet gëzojnë aq të drejta sa gëzojnë grekofonët në Shqipëri; këta jo vetëm që s'kanë të drejta civile dhe politike më pak se shqipëtarët e tjerë, por kanë dhe shkollat e tyre ku mësimet jepen në gjuhën greke, kurse shqiptarëve të Greqisë s'u njihet as e drejta që të jetojnë.

Mbi pyetjen e z. Colban për numrin e grekofonëve të Shqipërisë, përfaqësuesi ynë në Athinë i ishte përgjigjur se "këta s'bëhen më tepër se 25 - 30 000 (njëzetë e pesë deri në tridhjetë mijë), por grekët për arsye të njohura, fjalës "minoritet" duan t'i japin një extension më të madh, duke përfshirë të gjithë ortodoksët e Shqipërisë".

Sa u përket aluzioneve të z. Colban për punën e Himarës, përfaqësuesi i Shqipërisë në Athinë i ishte përgjigjur se zelli dhe interesi që rrëfen Greqia për himarjotët është fare i pathemeltë dhe mund të konsiderohet si një ndërhyrje në punët e Shqipërisë.

5. Qarqet zyrtare greke survejonin Legatën Shqiptare në Athinë

Krahas punës intensive që përballonte në vitin 1924, përfaqësuesi i Legatës Shqiptare në Athinë, Mit'hat Frashëri, duhej të kujdesej t'u shmangej edhe survejimeve intensive që i bëheshin atij dhe Legatë sonë nga strukturat e specializuara të shtetit grek.
Me shkresën nr. 933, datë 23 qershor 1924, diplomati Mit'hat Frashëri informonte ministrin e Punëve të Jashtme se kishte disa kohë që ka vërejtur se rreth Legatës Shqiptare në Athinë silleshin spiunë për të ndjekur cilët dalin dhe hyjnë. Ai kishte mësuar edhe se një shërbim spiunazhi aplikohej edhe në legatat e tjera.

Më datën 21 qershor 1924, në vizitën që i kishte bërë zotit Rafael, Mit'hat Frashëri i kishte i bërë vërejtje mbi këto gjëra, duke i cilësuar si jo korrekte. Ashtu siç pritet në këto raste nga diplomatët, Drejtori Politik i Ministrisë së Jashtme të Greqisë i kishte thënë z. Frashëri se nuk ekzistonte një shërbim i tillë në Greqi, duke mohuar spiunazhin.

6. Reagime të brendshme

Për situatën që po kalonin vëllezërit tanë në trevat shqiptare jashtë kufijve të 1913 - ës, kishte patur reagime të forta edhe nga faktori i brendshëm në Shqipëri. Ishin organizuar mitingje proteste thuajse më të gjitha prefekturat dhe nënprefekturat e vendit. Në përfundim të mitingjeve, hartoheshin edhe telegrame me kërkesa specifike, një pjesë e të cilëve u drejtoheshin autoriteteve të Lidhjes së Kombeve.

Pas organizimit të njërit nga këto mitingje, më 31 gusht 1924, përfaqësuesit e popullit të Elbasanit i drejtuan këtë telegram Lidhjes së Kombeve, në Gjenevë:

Populli i Elbasanit, tue pamun se shtetet fqinjë në mënyrë të padurueshme shkelin të drejtat e popullsive shqiptare të ndodhuna nën sundimin e tyne, u mblodhën sot në një miting të madh edhe proteston me energji kundër sjelljes së padrejtë të qeverisë greke që shtrëngon shqiptarët e Çamërisë me u shkëmbye me grekët e Azisë së Vogël pa dashjen e tyre; si dhe kundër mizorive serbe që bâhen në Kosovë me qëllim që të shuajnë e të zhdukin popullsinë shqiptare t'asaj krahine. Populli i këtij qyteti, tue u mbështetun në ndjenjat njerëzore të përfaqësuesve të popujve të bashkuar në Lidhjen e Kombeve kërkon mbrojtjen e jetës dhe të të drejtave të vllaznëve të vet.

Në emen të popullsisë të Prefekturës së Elbasanit: Kryetari i Bashkisë Ahmet Dakli d.v., Lef Nosi d.v., Emin Haxhiademi d.v., Rrapush Demeti d.v., Q. Xhuvani d.v., Dhimitër Papojani d.v., Anmet Burburija d.v., Mustafa Shasha d.v., Nazim Tela d.v.


Telegrami i popullit të Elbasanit drejtuar Lidhjes së Kombeve mbi mizoritë serbe dhe greke nga Ministria e Punëve të Brendshme iu përcoll Ministrisë së Punëve të Jashtme, më 5 shtator 1924, për dijeni dhe me lutjen që të bëheshin demarshet e duhura.
VELI HAKLAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
JEHONA QË PO I BËN QEVERIA JONË ENVER HOXHËS, TË NGJALL KRUPËNNga NDRIÇIM MEHMETI (09.25.2014)
SHQIPËRIA HUMB NË NJË DITË TË MËDHENJTË: Dr. YMER DISHNICËN DHE Dr. LAZËR RADIN (09.24.2014)
AGIM RADA - AUTOR I VEPRAVE MË TË NJOHURA SHQIPTARENga KLUADIA MALAJ (09.23.2014)
VIZITA E PAPA FRANÇESKUT NË SHQIPËRI - MESAZH PËR INTEGRIMIN E KOMBIT SHQIPTAR DREJT PERËNDIMIT!Nga ASLLAN DIBRANI (09.22.2014)
JA KOMISIONI I CILI DO TË RISHKRUAJË HISTORINË E SHQIPËRISË (09.22.2014)
SHQIPTARËT - 39 KRYEMINISTRA NË STAMBOLL DHE SHTATË PAPË NË VATIKANDossier nga HARALLAMB KOTA, studiues (09.20.2014)
ENVERI VDIQ, KUJDES METASTAZAT E TIJ!Nga MARJANA BULKU, New York (09.19.2014)
WAITING FOR THE POPE - EMOCIONE NË KATEDRALEN SHËN PALI NË TIRANË (09.19.2014)
PAS 50 VITESH, ME PEDAGOGJIKASIT E SHKODRËSNga FRROK VUKAJ, Pedagog, studiues - Tiranë (09.17.2014)
ANGAZHIM PËR DIALOG NDËRFETAR - NË PRAG TË VIZITËS SË PAPA FRANÇESKUT NË SHQIPËRI (09.16.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart�]