VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - EQEREM ÇABEJ - DALIN DORËSHKRIMET E FUNDITNga SEIT MANSAKU

                                                                                      

E Mërkurë, 04.24.2024, 01:15am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
EQEREM ÇABEJ - DALIN DORËSHKRIMET E FUNDIT
Nga SEIT MANSAKU

E Mërkurë, 10.01.2014, 01:47pm (GMT+1)



TIRANE - Këto ditë doli nga shtypi dhe hyri në qarkullim vëllimi V i veprës "Studime etimologjike në fushë të shqipes" të prof. Eqrem Çabejt, botuar nga Shtëpia botuese "Çabej", nën kujdesin e Brikena Çabejt. Me daljen nga shtypi të këtij vëllimi plotësohet botimi i të gjithë kolanës së kësaj vepre themelore prej shtatë vëllimesh, një vepër vërtet madhore në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale, me vlera të shumta gjuhësore, historike e kulturore kombëtare nga një mjeshtër i madh i gjuhës shqipe dhe i kulturës shqiptare.

Vëllimi V përmban etimologjitë e fjalëve me shkronjat K, L, Ll, M. Një pjesë e vogël e lëndës së këtij vëllimi ka qenë botuar në formë studimesh me titull "Studime rreth etimologjisë së gjuhës shqipe" në "Buletin i Universitetit të Tiranës, seria shkencat shoqërore (1960-1963) dhe ribotuar më pas në vëllimin I të veprës "Studime gjuhësore" të Eqrem Çabejt, Prishtinë 1976. Një pjesë e mirë e etimologjive të këtij vëllimi botohen për herë të parë sipas dorëshkrimeve të lëna nga autori. Grupi që ka përgatitur për botim vëllimin ka bërë disa plotësime referencash bibliografike, shembujsh nga vepra autorësh të ndryshëm të lëna nga autori.

Në vëllimin V që sapo ka dalë nga shtypi janë trajtuar etimologjitë e rreth 1800 fjalëve me burim të ndryshëm, fjalë autoktone të trashëguara nga një periudhë e hershme indoeuropiane, ose të krijuara më vonë brenda shqipes si: kallëzoj, karpë, katund, kohë, kollë, kripë, krua, kthej, ku, kush, kur, kurrë, ky, larë, lashtë, lej, lentoj, leje, lëkurë, lëpjetë, lidh, lig, lodh, lot, mal, man, mbjell, mjaltë, mjel, mjekër mat, mot, etj.; fjalë të huazuara nga gjuhë të tjera, por që janë bërë pjesë e leksikut të shqipes nga latinishtja: kalë, këmishë, këndoj, këshillë, këngë, kërkoj, kërshëndella, krushk, kreshmë, kryq, kujtoj, lavd, letër, lexoj lëvroj, libër, ligj, luftë; mjek, mjeshtër mëshirë, mbroj, maj etj.; nga greqishtja e vjetër dhe e re: kandër, lakër, liqen, mollë, mokër, mështekër, merimangë, kallogjer, lajm, lehonë, lloj, lajthis, livadh etj. ;nga sllavishtja:, kalit, kastravec, kokosh, korit, kosë kockë, kosh, krahinë, kral, krasit, log, lopatë, lubi, mace etj.; nga turqishtja: kalem, kamxhik, karagjoz, karvan, kasap, komshi, lejlek, madem etj., nga gjuhët romane të sotme etj. Brenda fjalëve lema që shpjegohen etimologjikisht gjejnë shpjegim edhe shumë fjalë të tjera që kanë lidhje fjalëformuese e kuptimore me to.

Një interes të veçantë historiko-etimologjik paraqesin fjalët e trashëguara nga ilirishtja ose nga një periudhë e hershme indoevropiane, të cilat dëshmojnë për pasurinë vetjake të gjuhës shqipe, për lashtësinë e saj, për karakterin indoeuropian të saj dhe për vendin që ajo zë në familjen e gjuhëve indoeuropiane. Shtimi i numrit të fjalëve të trashëguara nga një periudhë e lashtë indoeuropiane e ndryshon raportin midis fjalëve të burimit shqip dhe fjalëve të huazuara në leksikun e shqipes dhe e rrit praninë e shqipes në fjalorë të ndryshëm etimologjikë, krahasimtarë të gjuhëve të familjes indoeuropiane.

Nga ana tjetër, edhe fjalët e huazuara nga gjuhë të tjera nuk trajtohen si qëllim në vetvete, por si dëshmi e kontakteve historike e kulturore të shqiptarëve dhe të të parëve të tyre, ilirëve, me popujt të tjerë të botës antike, me gjuhët dhe kulturat e tyre. Në mënyrë të veçantë huazimet nga greqishtja e vjetër dhe huazimet e hershme nga latinishtja sjellin dëshmi të rëndësishme për vendbanimin e hershëm të të parëve të shqiptarëve në vendbanimet e sotme në fqinjësi me grekët e romakët, çka përbën një nga argumentet e qëndrueshme të autoktonisë së popullit shqiptar dhe të origjinës ilire të tyre dhe të gjuhës së tyre. Në vëllimin V që porsa ka dalë nga shtypi, ka disa fjalë nga greqishtja e vjetër të huazuara nga dialekti dorik si: lakër, mokër, liqen, kandër "lloj insekti", kandër "enë okatare për vaj", që dëshmojnë se të parët e shqiptarëve dhe grekët kanë qenë fqinjë që në lashtësi. Po kështu në këtë vëllim lexuesit do të gjejnë të shpjeguara etimologjikisht disa huazime latine të hershme të sferës kishtare si: kërshëndella, kreshmë, i kërshtenë, kishë, kungoj, meshë, mëshirë etj, të cilat janë me vlerë për të dëshmuar se fillimet e krishtërimit janë të hershme te iliro-shqiptarët.
Në pajtim me kriteret e parimet e përgjithshme të përcaktuara nga autori për të gjithë veprën dhe të botuara në vëllimin e parë të saj (Tiranë 1982), etimologjia e fjalëve është konceptuar e realizuar në një vështrim të gjerë. Për fjalët e trajtuara nuk jepet vetëm burimi fillestari i saj, etimoni, siç quhet në gjuhën shkencore, por bëhet historia e fjalës.

Për autorin etimologjia nuk synon të zbulojë vetëm burimin fillestar të fjalës, rrënjën e saj, duke shkuar, me sa është e mundur, te gurra më e lashtë e saj, por mëton të ndjekë hap pas hapi jetën dhe historinë e fjalës, të tregojë kohën dhe vendin kur dhe ku shfaqet për herë të parë fjala, trajtën e hershme dhe kuptimin e kryehershëm të saj, përhapjen gjeografike brenda truallit të shqipes dhe jashtë tij, degëzimet e mëtejshme të fjalës në forma dhe kuptime të reja, lidhjet fjalëformuese e gramatikore të saj me fjalë të tjera në sistemin leksikor të shqipes. Kështu "Studimet etimologjike në fushë të shqipes" të E. Çabejt, si për nga konceptimi i gjerë i përmbajtjes së kësaj dege të dijes gjuhësore, si për pasurinë dhe cilësinë e lëndës që trajtojnë, ashtu edhe për nga metoda dhe thellësia e studimit të kësaj lënde, dallohen qenësisht nga "Fjalori etimologjik" i Gustav Majerit dhe nga shumë studime të tjera në këtë fushë.

Gjatë trajtimit etimologjik të fjalëve, autori së pari bën një shqyrtim kritik për studimet e kryera para tij në këtë fushë studimesh, bën pra një shoshitje të mendimeve që janë shprehur nga studiues të tjerë për etimologjinë dhe historinë e çdo fjale, mban qëndrim ndaj shpjegimeve të pasakta, mbështet dhe vlerëson shpjegimet e drejta dhe i plotëson dhe i argumenton më tej ato me të dhëna të reja dhe interpretime të reja, sjell gjithashtu edhe shumë etimologji të reja të patrajtuara më parë.

Në pikëpamje të metodës shkencore vlen të vihet në dukje se E. Çabej në studimet e tij etimologjike të leksikut të shqipes niset në radhë të parë nga vetë gjuha shqipe, nga të dhënat dhe burimet e brendshme të gjuhës shqipe, të të folmeve dhe dialekteve të saj në të gjitha trojet, duke përfshirë edhe ngulimet arbëreshe, nga të dhënat që vijnë nga tekstet e vjetra të shekujve XVI-XVII dhe nga botimet e mëvonshme të Rilindjes Kombëtare dhe të kohëve të reja.

Vetëm pasi sqarohet vendi që zë fjala në sistemin leksikor të shqipes, për të ndriçuar më tej historinë dhe etimologjinë e saj autori shtyhet më tej në krahasime me fjalë e trajta të gjuhëve të tjera të familjes indoeuropiane, ku bën pjesë edhe shqipja. Nga ky këndvështrim studimet etimologjike të E. Çabejt dallohen nga studimet e kryera nga shumë albanologë të huaj, që janë nisur së pari nga krahasimet me gjuhë tjera për të ardhur te krahasimet brenda gjuhës shqipe. Një metodë e tillë ka çuar shumë herë në përfundime të pasakta për burimin e fjalëve të shqipes, duke vështruar si huazime mjaft fjalë që rezultojnë të jenë me burim vendës. Duke zbatuar një metodë të tillë shkencore, prof. Eqrem Çabej ka arritur të zbërthejë me mjete të brendshme të saj etimologjinë e mjaft fjalëve të shqipes që studiues të tjerë i kishin trajtuar si huazime gjuhësh të tjera.
Nuk ka mbetur jashtë vështrimit të autorit edhe synimi për të ndjekur shtegtimin e fjalëve të shqipes në gjuhë të tjera me të cilat shqipja ka qenë në kontakt, për të vënë në dukje krahas huazimeve edhe rolin dhënës të saj si bartëse e një qytetërimi të lashtë e të veçantë.

Prejardhja e fjalëve, historia e tyre në veprën e Çabejt nuk shihen e studiohen si qëllim në vetvete dhe vetëm nga ana gjuhësore. Historia e fjalëve, burimi i tyre, evoluimi i tyre formal e kuptimor shihen në lidhje të ngushtë me dukuritë historike e kulturore, me kulturën materiale e shpirtërore të popullit që e flet. Prandaj vepra e tij nuk ka rëndësi thjesht gjuhësore, por edhe kulturore e historike, ka rëndësi për studime etnografike, etnologjike, folklorike etj.

Eqrem Çabej në studimet e tij etimologjike e studion gjuhën shqipe në të gjithë shtrirjen e saj kohore dhe hapësinore dhe në ndërlidhjet e saj komplekse me elementet e tjera etnokulturore për të ndriçuar e shpjeguar prejardhjen e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre, fatet dhe zhvillimin historik të tyre që nga lashtësia deri në ditët tona, kontaktet gjuhësore dhe kulturore me popuj të tjerë gjatë shekujve; për të vënë në dukje dhe për të shpjeguar qëndresën dhe mbijetesën e gjuhës shqipe gjatë shekujve në kushtet e sundimit të gjatë të perandorive të mëdha në trojet e saj. Ai kërkonte rrënjët e fjalëve për të gjetur rrënjët e populli, lashtësinë e tij dhe të kulturës së tij, origjinalitetin e tyre në rrethin e gjuhëve dhe të kulturave të Europës. Prandaj vepra e tij "Studime etimologjike në fushë të shqipes", thellësisht shkencore nga metoda e trajtimit, për nga gjerësia dhe larmia e lëndës, nga përmbajtja e pasur dhe ndërthurja e fakteve gjuhësore me elemente historike, kulturore, onomastike, etnografike etj., ka marrë trajtën e një enciklopedie me vlera të shumanshme për shumë fusha të dijes. Ajo është një burim themelor për studime të mëtejshme në fushë të fonetikës dhe të gramatikës historike të shqipes, të leksikologjisë historike, për studime onomastike, për studime etnokulturore etj. Përtej shqipes, këto studime janë një mbështetje e rëndësishme edhe për gjuhësinë ballkanike dhe indoeuropiane.
SEIT MANSAKU


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ITALI, PITTELLA - MË SHUMË BASHKËPUNIM, TAKIM ME KONSULLEN SHQIPTARE GERARTA ZHEJINga ELVANA BILALI (09.29.2014)
 NJI MIKRPITJE PLOT DASHNI E BUJARI TE BURRI I MALËSISË ZEQIR SADIK LUSHAJNga SELIM NËNGURRA (09.26.2014)
SPASTRIMET GREKE NË FOLLORINË E KOSTURNga VELI HAKLAJ (09.25.2014)
JEHONA QË PO I BËN QEVERIA JONË ENVER HOXHËS, TË NGJALL KRUPËNNga NDRIÇIM MEHMETI (09.25.2014)
SHQIPËRIA HUMB NË NJË DITË TË MËDHENJTË: Dr. YMER DISHNICËN DHE Dr. LAZËR RADIN (09.24.2014)
AGIM RADA - AUTOR I VEPRAVE MË TË NJOHURA SHQIPTARENga KLUADIA MALAJ (09.23.2014)
VIZITA E PAPA FRANÇESKUT NË SHQIPËRI - MESAZH PËR INTEGRIMIN E KOMBIT SHQIPTAR DREJT PERËNDIMIT!Nga ASLLAN DIBRANI (09.22.2014)
JA KOMISIONI I CILI DO TË RISHKRUAJË HISTORINË E SHQIPËRISË (09.22.2014)
SHQIPTARËT - 39 KRYEMINISTRA NË STAMBOLL DHE SHTATË PAPË NË VATIKANDossier nga HARALLAMB KOTA, studiues (09.20.2014)
ENVERI VDIQ, KUJDES METASTAZAT E TIJ!Nga MARJANA BULKU, New York (09.19.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]