E Enjte, 03.28.2024, 03:09pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
JETA E ARBEN RISTANIT NË QELINË E BURGUT 313

E Enjte, 10.02.2014, 06:38am (GMT+1)


 

- Për shkak të ndryshimit të sistemit, me ardhjen e demokratëve shumë shpejt Presidenti i asaj kohe Sali Berisha do të firmoste shkarkimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve që kishin marrë pjesë në proceset gjatë regjimit komunist për t'i zëvendësuar menjëherë me jurist të rinj, ndonëse ishin fare të rinj. Në moshën 21- vjeçare, Arben Ristani do të emërohej gjyqtar, ndërsa në moshën 25 vjeçare do të shqyrtonte dhe çështjen më të bujshme për kohën, ç'ka do ta fuste edhe në sherr me Presidentin Berisha. Ristani do të shqyrtonte gjyqin ndaj gazetarëve Aleksandër Frangaj dhe Martin Leka, të cilët akuzoheshin për nxjerrje të sekretit shtetëror. Edhe pse vendosi t'i dënojë, masa e dënimit duket se u konsiderua tepër e ulët për drejtuesit e saj kohe, të cilët nuk do të vononin hakmarrjen ndaj gjyqtarit të ri duke e arrestuar. Më poshtë lajmi për arrestimin e Ristanit të botuar më 11 mars 1994 në gazetën Koha Jonë me titullin: "Izolohet në burgun e Tiranës, Arben Ristani gjyqtar i çështjes Frangaj Leka".

Arrestimi

Parmbrëmë, në orët e vona të mbasdites u thirr në rajonin e policisë nr. 3 të Tiranës, gjykatësi Arben Ristani. Tepër i njohur kohët e fundit nëpërmjet faqeve të shtypit, emri i Ristanit është i lidhur pikësëpari me procesin Frangaj-Leka. Vetëm 10 ditë më parë ai kishte dërguar në burgun e Tiranës kolegun tonë Martin Leka pasi pati liruar në sallën e gjyqit Aleksandër Frangajn. Por këtë radhë me sa duket do të jetë vetë gjykatësi që do të përfundojë në bankën e të akuzuarve. Zëra nga prokuroria e Tiranës bëjnë të ditur se gjykatësi i çështjes Frangaj-Leka do të vendoset përballë akuzës së shpërdorimit të detyrës lidhur me një proces që ai ka pasur ndërmjet një firme private dhe organeve të policisë financiare. I ndaluar pardje pasdite në rajonin e policisë, Ristani u shoqërua dje në drekë rreth orës 13.00 për në repartin 313, pikërisht atje ku pa përfillur protestat e mjaft gazetarëve të njohur si brenda dhe jashtë vendit ashtu si dhe të mjaft juristëve, dërgoi më parë kolegun tonë Martin Leka. Megjithëse në procesin ndaj dy gazetarëve, gjykatësi 24 vjeçar foli me gjuhën e ashpër të atyre që kërkuan dhe projektuan dënimin, dikush pat mbetur i pakënaqur. Reagimi i menjëhershëm prokurorisë së rrethit që kërkoi prishjen e vendimit të gjykatës duke pretenduar se ai është i pabazuar në ligj e provon këtë. Ndoshta dikush ka dashur që Frangaj të dënohej me çdo kusht qoftë edhe me njëmuajshin e paraburgimit e që Leka të vuante më tepër për krimin inegzistent të imagjinuar në kushedi ç'pallat ëndrrash. Kështu pra, të enjten, në drekë Arben Ristani, megjithëse jurist, filloi të njohë në praktikë rregulloren e Burgut të Tiranës. Pjesëmarrës në grevën e urisë të studentëve kundër emrit të diktatorit, gjyqtari i ri u ndodh dje fare pranë ish-bllokmenëve. Gjithsesi, sipas versionit jo zyrtar, i cili e implikon Ristanin në gjyqin e një firmë private me policinë financiare, duket e habitshme se përse ndalimi i tij nuk ishte bërë më parë. A mos pritej që A. Ristani të tregohej ekstremisht i ashpër në gjyqin e gazetarëve dhe ashtu siç e shtoi dënimin për Martin Lekën ta shtonte edhe për Frangajn? Mesa duket dreka që serviri Ristani nuk i nxori ata që parashikonin një tjetër tryezë. Duke qenë së ndalimi i Ristanit është ende i paqartë, nuk mund të thuash se cili është shkaku që tronditi dje Gjykatën e Tiranës. Për më tepër ngjarja ndërlikohet nga disa informacione të pakonfirmuara që flasin për një kontroll të bërë parmbrëmë në shtëpinë e gjyqtarit. Megjithatë, ajo që të thuhet me bindje është se gjykata e gjykatësit do të bënin mirë të kuptonin rëndësinë e pavarësisë së tyre për të qenë shumë më të qetë pas përfundimit të gjyqit.

T.Çela

Jeta e Arben Ristanit në qelinë e Burgut 313

Shkëmbente cigare e çokollata me gazetarin e burgosur prej tij, Martin Leka  

Për ironi të fatit, Arben Ristani do të vuante dënimin në të njëjtin burg ku gjendet edhe gazetari Martin Leka, të cilin e kishte dënuar disa muaj më parë për nxjerrje të sekretit shtetëror. Duket se të njëjtët njerëz të cilët urdhëruan arrestimin e gazetarëve, urdhëruan edhe dënimin e Arben Ristanit. Është vetë Martin Leka i cili rrëfen marrëdhënien me Arben Ristanin, brenda burgut të sigurisë së lartë 313 në kryeqytet, ku ish-gjyqtari i penduar i kërkon falje për dënimin e dhënë nga ai vetë.

E martë 19 prill 1994. Intervistë te "Koha Jonë" me titullin "Rruga e lirisë më çoi dhe më mban në burg"

Flitet se keni tentuar të "vrisni" Ristanin me... një çokollatë...?

M. Leka - Eh!... Nuk e doja këtë pyetje!... Mora vesh se Ristani ishte në qelinë poshtë qelisë sime në katin e dytë. Një ndjenjë e fortë më përshkoi trupin! Se përcaktoj dot atë çast, veçse ju them me sinqeritet se kjo ndjenjë ishte "laboratorikisht" e pastër nga çdo lloj urrejtjeje! Ju betohem në këtë sinqeritet! Bëra shpejt gati një çokollatë dhe një mollë. Mbi çokollatë shkrova diçka që se mbaj mënd mirë, përveç fjalës: "mos u mërzit, të fala Martini"! Kur më pa shoku i qelisë, më tha gjithë inat: "Atij do t'i çosh çokollatë, atij që të dënoi?" - Po, i thashë i nervozuar dhe një ndjenjë keqardhje përjetova për shokun e qelisë. Kisha nisur çokollatën e mollën, kur papritur më vjen një paketë cigare. E ke nga A. Ristani, u dëgjua zëri nga sporteli i derës së qelisë, e ke për dënimin që të dhashë. Mora paketën e i fola atij që e solli nga sporteli: I thuaj Benit nuk më ke dënuar ti. Nuk e di si është artikuluar kjo ngjarje jashtë, por kjo është e vërteta. As e "vrava" e as më «vrau", as do ta "vras" e as do lë më "vrasje"! Këto janë armët e gazetarëve: fjala, dashuria, çokollatat, lulet...

Shkarkimi si këshilltar i Mosiut

Me zgjedhjen e Alfred Moisiut në krye të shtetit, u duk se ditë e këqija për Arben Ristanin kishin përfunduar, kur ky i fundit do të bëhej këshilltar juridik i kreut të shtetit. Por, shumë shpejt, Presidenti Alfred Moisiu do të fillonte një betejë të fortë me kryeministrin e saj kohe, Fatos Nano, ku juristi Ristani do të bëhej edhe koka e turkut në vitin 2003 . Për shkak zbulimit të dënimit të tij, Moisiu do të kërkonte dhe ndërprerjen e bashkëpunimit me juristin e ri.

Emërimi në KQZ

Kur miqtë e tij të burgut Frangaj e Leka do të pajtoheshin me Berishën, kështu do të bënte edhe Ristani. Për herë të parë, Arben Ristani do të zgjidhej si anëtar i KQZ-së në vitin 2006, me propozim të Partisë Demokratike. Ai do të kalonte edhe provën e parë, atë të zgjedhjeve vendore të vitit 2007, ku kandidat ishte Sokol Olldashi për PD-në dhe Edi Rama i cili pretendonte mandatin e 3 si kryebashkiat i Tiranës. Pas zgjedhjeve, ai do të tërhiqej përkohësisht nga KQZ-së, kur me propozim të Presidenti të ri , tashmë Bamir Topi, Ristani do të emërohej drejtor i shkollës së magjistraturës. Por, vetëm katër muaj nga detyra e re, ai do të kthehej në shkurt të 2009-s në KQZ, si njeriu kryesor për administrimin e procesit zgjedhor.

Zgjedhjet e drejtuara nga Arben Ristani

 Dy zgjedhjet  e drejtuara nga Arben Ristani do të mbahen mend si zgjedhjet më të kontestuara në historinë e 20 viteve të fundit në Shqipëri. Në vitin 2009 opozita do të kërkonte hapjen e kutive të votimit duke pretenduar manipulimin e zgjedhjeve, por shumica në KQZ do të refuzonte duke e cilësuar si të pabazuar. Por, kjo nuk do të pengonte Arben Ristanin që dy vjet më pas, në zgjedhjet vendore të bënte rinumërim  kur kandidati i PD-së, Lulzim Basha, ishte në disavantazh. Ai do të vendoste hapjen e kutive të votimit dhe do të përmbyste rezultatin.

Përfshirja në politikë

Kryeministri e shpërbleu mjaft mirë Arben Ristanin për besnikërinë ndaj mazhorancës. Me përfundimin e detyrës në KQZ, Ristani do të emërohej zv.ministër i Brendshëm, duke punuar bashkë me Flamur Nokën dhe Ferdinand Ponin. Por, duket se marrëveshja ishte edhe më e gjerë, sepse Sali Berisha e vendosi kandidat  për deputet brenda vijës së sigurt në qarkun e Vlorës.  

Dënimi i Ristanit për korrupsion

Kur tre muaj më parë, Kuvendi vendosi shkarkimin e Ilirjan Muhos nga anëtar i KQZ-së, për një dosje të pak viteve më parë, në sallë u përmend precedenti i ish-kryetarit të KQZ-së, Arben Ristani. U soll vendimi nr. 957 datë 18 nëntor 1994 i Gjykatës Tiranë, me akuzën  për korrupsion, dhënie të një vendimi haptazi të padrejtë në bazë të nenit 116  të Kodit Penal. Shtetasi Arben Ristani kishte liruar nga burgu një kontrabandist nafte, të cilit i ishte bllokuar një sasi e madhe nafte nga policia financiare në Portin e Durrësit. Anija e kapur me naftë kontrabandë priste vetëm firmën e tij që të dilte nga gjendja e sekuestros në portin e Durrësit. Gjyqtari i punësuar në 1992 do ta firmoste lirimin nga sekuestro të anijes dy ditë më pas, por u arrestua nën akuzën e shpërdorimit të detyrës duke dhënë një vendim haptazi të paligjshëm.

Ilir Hoxha: Avokati im, Ristani kundër Berishës

"Periudha para gjyqit ishte një periudhë intensive pune për t'u përgatitur. U interesova për një avokat dhe më rekomanduan një djalë të ri, që nuk e njihja. por i njihja të atin, një fotograf i talentuar dhe njeri mjaft i mirë. Avokati quhej Arben Ristani. U takuam dhe biseduam gjatë e gjerë. Ai do të përgatitej për mbrojtjen time nga ana juridike, gjë të cilën ai e bëri me shumë kompetencë të argumentuar juridikisht, duke ia rrëzuar njërën pas tjetrës të gjitha akuzat prokurorit të çështjes. Ndërkohë Teuta iu drejtua të gjitha ambasadave e organizmave ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, Këshillit të Evropës, miqve dhe shokëve tanë brenda dhe jashtë vendit. Nuk ishte punë e lehtë, se duheshin formuluar, përkthyer, shtypur dhe së fundi të shpërndaheshin tekste në formën e komunikatës së shtypit. Unë punova intensivisht për të formuluar mbrojtjen time ndaj akuzave politike dhe të pathemelta. Megiithëse në kushte të vështira, së bashku me Teutën, punuam si një "staf 'për të përballuar këtë volum pune. Çuditëm edhe gazetën "RD", e cila, më datën 7 qershor 1995, pas fjalës time të mbrojtjes në gjyq, shkruante: "Ai, në mbrojtjen e tij, lexoi një leksion të gjatë, në mbrojtje jo të tij, por të enverizmit (këtu i ishte afruar pak së vërtetës, se në fakt qëllimi im ishte mbrojtja e babait tim, që quhej Enver dhe jo në mbrojtje të enverizmit). Prokurori Gjokutaj kërkoi 3 vjet burg në pretencën tij për të pandehurin". Trupi gjykues mori vendimin dhe më dënoi me një vit burg. Vendimin e prita qetësisht. Bëme apelin, në të dy nivelet e Gjykatave, gjithmonë me shpresën se giykatat do t'u shmangeshin "kthetrave" të pushtetit politik. Por, nuk ndodhi kështu. Si Gjykata e Apelit, ashtu dhe ajo e Kasacionit lanë në fuqi vendimin e Gjykatës së Faktit. Në fakt, si unë ashtu dhe avokati im, pavarësisht përpjekjeve tona, e dinim që kështu do të përfundonte përderisa ligji zbatohej politikisht". (Marrë nga libri "Babai im, Enver Hoxha")

Shkrimi është botuar në gazetën "Shekulli" më 11/06/2013
www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ARBEN RISTANI KA QENË AVOKAT I ILIR HOXHËS KUNDËR SALI BERISHËS (10.01.2014)
EQEREM ÇABEJ - DALIN DORËSHKRIMET E FUNDITNga SEIT MANSAKU (10.01.2014)
ITALI, PITTELLA - MË SHUMË BASHKËPUNIM, TAKIM ME KONSULLEN SHQIPTARE GERARTA ZHEJINga ELVANA BILALI (09.29.2014)
 NJI MIKRPITJE PLOT DASHNI E BUJARI TE BURRI I MALËSISË ZEQIR SADIK LUSHAJNga SELIM NËNGURRA (09.26.2014)
SPASTRIMET GREKE NË FOLLORINË E KOSTURNga VELI HAKLAJ (09.25.2014)
JEHONA QË PO I BËN QEVERIA JONË ENVER HOXHËS, TË NGJALL KRUPËNNga NDRIÇIM MEHMETI (09.25.2014)
SHQIPËRIA HUMB NË NJË DITË TË MËDHENJTË: Dr. YMER DISHNICËN DHE Dr. LAZËR RADIN (09.24.2014)
AGIM RADA - AUTOR I VEPRAVE MË TË NJOHURA SHQIPTARENga KLUADIA MALAJ (09.23.2014)
VIZITA E PAPA FRANÇESKUT NË SHQIPËRI - MESAZH PËR INTEGRIMIN E KOMBIT SHQIPTAR DREJT PERËNDIMIT!Nga ASLLAN DIBRANI (09.22.2014)
JA KOMISIONI I CILI DO TË RISHKRUAJË HISTORINË E SHQIPËRISË (09.22.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart�]