VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - A DO MUND TË HAPEN KISHA SHQIPTARE NË BALLKAN?Nga QAZIM TEPSHI

                                                                                      

E Martë, 04.16.2024, 11:26pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
A DO MUND TË HAPEN KISHA SHQIPTARE NË BALLKAN?
Nga QAZIM TEPSHI

E Hënë, 10.06.2014, 10:14am (GMT+1)



Në shkrimin: "Nuk ishte vetëm shenjtërim", të botuar në "Gazetën Shqiptare" më 26 qershor 2014, nga fundi i faqes së dytë kam shkruar:...

"Ky popull që vazhdon të jetë i ndarë në pesë shtete, që e kufizojnë, meriton të ketë ndoshta dhe një peshkop shqiptar për këto troje të lashta ku mori forcë krishtërimi. Ashtu siç duhet të ketë një peshkop ortodoks shqiptar në Greqi e një kishë ortodokse shqiptare për mbi 500 mijë emigrantë (shqiptarë), nëse vërtet e çmojmë dhe e duam ortodoksinë, siç shkruhet në Bibël. Kështu do të kishim dhe në vendet fqinje ku jetojnë dhe kontribuojnë shqiptarë...

"Po i kthehemi kësaj teme në këtë shkrim, pasi një gjë e tillë jo vetëm që është realitet i mundshëm, nëse shihet me vëmendje pozitive dhe me respekt për fqinjin, për tolerancën fetare, për lirinë e ndërgjegjes, për dialogun konstruktiv midis fqinjëve dhe popujve që përbëjnë një komunitet kaq të rëndësishëm si BE, por është dhe një e drejtë e mohuar fetare, siç ka meritën ta theksojë me devotshmëri Papa Françesku.

E drejta fetare nuk mund t'i mohohet asnjë populli a grupimi njerëzish me të njëjtin identitet. E drejta fetare nuk barazohet me ndërgjegjen kombëtare dhe askush, asnjë lloj kishe nuk mund ta politizojë ndërgjegjen kombëtare, ajo është shumë më e vjetër se çfarëdolloj feje. Në historinë e njerëzimit ndërgjegjja kombëtare ka jetuar aq sa ka jetuar një komb e një popull i të njëjtit dhe, identitet gjuhe, e ka të bëjë me organizimin e shoqërisë e jetesës së popullit a kombit të shtrirë në historinë e secilit. Feja është pjesë shtesë, që ka të bëjë me respektin e sjelljen ndaj hyjnores të njerëzve, me respektin ndaj Zotit ose të Hyut, me respektin e besimin ndaj të dërguarve të Zotit në tokë, siç na e shkruajnë dhe vetë librat e shenjtë, ku bazohen sot fetë e ndryshme. Ka disa të dërguar të Zotit, por Mose mbeti vetëm tek hebrenjtë, nuk u përqafua nga popuj të tjerë.

Krishti, i dërguari tjetër i Zotit, ishte hebre, por nuk u përqafua nga ata dhe figura e tij hyjnore u përhap tek popujt e tjerë në Ballkan dhe në Europë, në sajë të forcës mendore që tregoi perandori Konstandin, me origjinë ilire (shqiptare). Pejgamberi Muhamet ishte i dërguari tjetër i Zotit, rreth viteve 600, që përhapi fenë myslimane. Pas viteve 800 nisi rrugën e vet feja ortodokse dhe u nda më vonë nga Kisha Katolike. Feja e ndihmoi njerëzimin për të kuptuar se e ardhmja nuk është kërcënim. Në shkrimin: "Nuk ishte vetëm shenjtërim" kemi shkruar për fetë, katolike, myslimane dhe ortodokse, e moshën e tyre në shtete të Ballkanit të sotëm. Pra asnjë fe nuk është më e vjetër e nuk ka lindur bashke me këtë komb a popull. Serbët sot janë ortodoksë nga 600 vjet, kroatët janë katolikë po nga aq kohë, malazezët e maqedonasit nuk ishin në atë kohë, por sot kanë kishë ortodokse, myslimane e katolike.


Grekët e ngritën kishën e tyre ortodokse pas marrjes së pavarësisë, ndonëse kisha ortodokse në vetvete ka ekzistuar pas ndarjes së madhe të Kishës së Perëndimit katolik me Lindjen ortodokse, që ekzistonte me forcimin e Bizantit në Stamboll. Gjatë përhapjes së myslimanizmit në rajonin e Ballkanit, në vende të Europës u përhap protestantizmi. Tek gjermanët shohim dhe kisha katolike dhe protestante, po ashtu tek çekët, francezët e popuj të tjerë në Europë. Shumë vonë në këto vende u ngritën dhe kisha ortodokse, edhe kur nuk kishte komunitet të gjerë ortodoks. Pra asnjë fe nuk mund të barazohet me ndërgjegjen kombëtare, siç kërkojnë dhe pretendojnë në disa vende në mënyrë krejt abuzive, false, nga doktrinat fetare që bazohen në librat e shenjtë. Asnjë lloj feje nuk e bën shqiptarin shqiptar, grekun grek, arabin arab, italianin italian, gjermanin  protestant etj., pasi feja nuk ka të bëjë me etnicitetin.


Rrethanat historike, pavarësia e vonuar me një territor të cunguar shumë, të rrëmbyer nga fqinjët me ndihmën e Rusisë, Anglisë, Francës, detyruan lindjen e pavarësisë së kishës së pavarur ortodokse shqiptare  disa vite pas Pavarësisë; më parë u ngrit Kisha Ortodokse Shqiptare në SHBA, me ndihmën e peshkopit të ndritur Fan Noli. Pavarësisht varfërisë së detyruar, pasi shqiptarët nuk ishin popull që të pushtonin popuj të tjerë për t'u pasuruar, siç bënë shumë popuj të Europës, pavarësisht kalvarit historik në Luftën e Dytë Botërore, pavarësisht regjimit diktatorial 45-vjeçar, që mbylli kishat e xhamitë dhe mohoi çdo lloj feje, shqiptarët që kishin kontribuar nëpër histori, që nga lashtësia e deri më sot për kishat e të gjitha llojeve,  arritën të ringrenë fenë e nëpërkëmbur të të gjitha riteve dhe obiedencave kryesore dhe të zhvillojnë tolerancën e madhe midis besimeve fetare, duke u bërë populli më civil, jo vetëm në Ballkan, por në të gjithë Europën e më gjerë.


Si i tillë, por dhe si popujt e tjerë, ai ka të drejtë që nuk mund t'i mohohet, të ketë kishat e veta dhe në vende të tjera, sidomos ku ka prezencë të madhe shqiptare. Për më tepër, nuk kanë kaluar as njëqind vjet kur popujt fqinjë sllavë i sllavizuan të krishterët shqiptarë, duke u ndërruar emrat, duke u shtuar një prapashtesë "vic" pas, për mbijetesën e tyre. Dhe sot kemi në Serbi, Maqedoni, Mal të Zi, pa folur për Greqinë, që shumë shqiptarë janë detyruar të mbajnë përkatësinë e imponuar për mbijetesë e për të mos u shpërngulur nga territoret e tyre të gjyshërve,  siç ndodhi me përzënien e qindra mijërave të ashtuquajtur turq nga Serbia dhe Greqia (vetëm se ishin në besimin mysliman), përveç atyre që u detyruan të pranojnë kishat e këtyre vendeve. Sot kohërat kanë ndryshuar, nuk ka më kryeministra europiane që të marrin shuma të mëdha e të ndajnë territoret e popullsinë shqiptare tek fqinjët, që sipas tyre ishin të krishterë dhe shqiptarët turq, duke injoruar plotësisht ekzistencën e vjetër të krishterimit të dy obiedencave në truallin shqiptar dhe ekzistencën e kishave të vjetra katolike.


Këto konsiderata të shprehura më lart dhe në shkrimin "Nuk ishte vetëm shenjtërim", na bëjnë që të shkruajmë se është e mundshme, ashtu siç kanë bërë kishat e vendeve të tjera, që dhe kisha shqiptare të ketë prezencën e saj në vende tjera në Ballkan, Europë dhe më gjerë, ku ka prezencë të madhe numerike të shqiptarëve, që janë autoktonë ose që kanë emigruar ndër vite nëpër këto vende, për arsye ekonomike, politike etj. Nuk mund dhe nuk duhet të ndodhë më në Europën e sotme, ku bëhen përpjekje për demokratizim e mbrojtjen e të drejtave të njeriut, që shqiptarëve t'u mohohet e drejta e fesë së tyre në gjuhën amtare, e drejta e bashkekzistencës fetare. Janë mbi një milion shqiptarë në vendet e BE-së dhe 380 mijë të regjistruar me dokumente në Greqi. A do të tolerohet asimilimi i mëtejshëm i tyre? Nuk bëjmë fjalë këtu që shqiptarët, siç bënë fqinjët në territoret shqiptare të marra (me ndihmën e Rusisë, Anglisë, Francës), të shkojnë të vendosin nga një kryq a shenjë të xhamisë në zona të pabanuara të këtyre  vendeve e pastaj të kërkojnë të ngrenë kishat e tyre, katolike, ortodokse, myslimane etj.


Por bëjmë fjalë për ngritjen e kishave të tyre (natyrisht dhe xhami, por në gjuhën shqipe), fillimisht në vendet fqinje e pastaj në disa vende europiane ku ka komunitete të mëdha shqiptarësh. Natyrisht, kërkohen fonde të mëdha nga shteti shqiptar, nga kishat qendrore shqiptare, si dhe kontribute nga popullsia shqiptare brenda e jashtë vendit, nga të pasurit e këtij vendi, nga emigrantët që jetojnë në vendet ku kanë emigruar. Fillimisht vendet pritëse mund të japin kishat e tyre, kur nuk i kanë të zëna me veprimtari fetare për popullsinë e vet, një herë në dy javë, për të mbledhur komunitetin shqiptar që ka numër të konsiderueshëm në këtë apo atë qytet të këtyre vendeve. Një praktikë e tillë është e njohur në Çeki, Austri, Gjermani e gjetkë, ku kishat vendase lejojnë famullitarë e hoxhallarë shqiptarë të mbledhin shqiptarët në këto vende për mesha e falje dyjavore ose  mujore, që të mbahet gjallë shpirti fetar, etnik, kulturor, gjuhësor shqiptar e të mos asimilohet siç është bërë deri më sot, duke i ndërruar emrat dhe duke i baptizuar në kishat e tyre.


Pra kjo gjë si fillim nuk është e pamundur; më vonë, kur të mblidhen fonde mund të fillohet me një kishë shqiptare në këto vende fqinje. Por kjo gjë u duhet kërkuar vendeve fqinje dhe të BE-së që kanë shpallur mosprekshmërinë e të drejtave të njeriut si standardin kryesor për në BE. Në kësi rastesh, u përket Peshkopit, Kreut të Kishës Katolike, Kishës Ortodokse, xhamisë myslimane që të bisedojnë e të kërkojnë mirëkuptimin e drejtuesve të kishave të vendeve fqinje, të kërkojnë mbështetjen e Papës së Romës, Patriarkut të Stambollit, Kryetarit të fesë myslimane, për të filluar në mënyrë civile e të koordinuar ngritjen e një fryme të re bashkëpunuese për dhënien e kishave, si fillim për mesha e falje mujore a dyjavore, e më vonë për ngritjen e kishave katolike, ortodokse, myslimane shqiptare në këto vende. Është dhe në interesin e kishave pritëse që të mos e çojnë çështjen tek Kryesia Botërore e Kishave dhe e fesë myslimane e pas tyre tek politika e pozicioni i shteteve. Në pamje të parë kjo gjë duket e vështirë, pasi nuk është menduar deri sot për arsye të ndryshme, për të mos folur për aspektet politike që disa mund të kenë tendencë t'i fryjnë shumë, si deri me sot, e ta bëjnë këtë gjë si të parealizueshme. Kjo ka të bëjë me mungesën e vullnetit pozitiv e përpjekjen për asimilim të qytetarëve të shtetit shqiptar.

Po të vështrohet seriozisht një gjë e tillë, kontributi i tanishëm do të ketë efekte të mëdha pozitive në bashkëjetesën fetare dhe fqinjësinë e mirë midis vendeve të Ballkanit. Pra të gjitha këto vende bëhen pjesë e bashkekzistencës fetare, kontribut ky që mënjanon radikalizmin, politizimin e feve, mënjanon përdorimin e tyre për të drejtuar politikat e vendeve ku janë, mënjanon influencën e ekstremistëve që përdorin nën petkun fetar të varfërit e të papunët, siç po ndodh tani që nga shumë vende shkojnë shumë persona të bashkohen me ushtrinë e kalifatit islamik. Siç theksoi këto ditë Papa Françesku në Vatikan, Shqipëria është tashmë pjesë e fortë e bashkekzistencës fetare. Kjo është një arritje e madhe e njohur e këtij vendi dhe e shqiptarëve kudo që janë dhe besojmë që një gjë e tillë do të ndikojë pozitivisht tek kishat e vendeve të Ballkanit dhe të Europës.

Shembulin e madh të bashkekzistencës fetare, ndër shekuj e ka dhënë Jeruzalemi, ku ndodhen kishat e mëdha katolike, ortodokse, myslimane, koopteve e kristianëve assirë etj., edhe pse në Mesjetën e mesme templarët kërkuan të mbronin vetëm krishtërimin katolik, se ai ortodoks nuk ishte forcuar akoma. Ka shembuj në kontributin e bashkekzistencës fetare. Kisha Ortodokse e Greqisë ka hapur kisha në SHBA, në disa qytete të këtij vendi dhe ka krijuar institucione greko- amerikane në fushën e arsimit, kulturës, historisë, etnografisë, politikës, ekonomisë etj., ndonëse nuk ka  një komunitet grek të madh, siç pretendohet, pasi gjysma e tyre janë shqiptarë që ndjekin kishat ortodokse greke (ai që e njeh nga afër kishën ortodokse greke, kupton se veprimtaria e saj është shumë e mbyllur dhe shumë imponuese për të krijuar një komunitet grek dhe kur nuk janë greke).

Ky lloj shembulli kërkohet se çfarë duhet të bëjnë kishat shqiptare për të ruajtur komunitetet e tyre në vendet fqinje dhe të Europës. Në SHBA janë hapur dhe disa kisha ortodokse shqiptare nga emigrantët shqiptare të hershëm e të rinj. Greqia ka hapur kishat e saj në gjuhën greke në Itali, Francë, Gjermani, Serbi, Angli, Kanada, Turqi etj. Shqiptarët nuk kanë asnjë kishë të tyre në vendet ku kanë emigracion të madh. Edhe Rumania ka kishat e saj ortodokse në SHBA, Francë, Gjermani, Angli, Serbi, Greqi, Moldavi etj. ndonëse kisha e pavarur ortodokse e Rumanisë u njoh si e tillë nga Patriarku ekumenik i Stambollit më 1885, ndonëse ligji i mbretit e kishte njohur si të pavarur nga çdo lloj hierarkie që më 1872. Edhe Kisha Ortodokse Serbe ka kishat e saj në gjuhën serbe në disa vende të Europës e thuajse  në të gjitha vendet e Ballkanit. Në shumë vende të Europës ka kisha katolike, protestante etj. në gjuhët e secilit vend. Këto njëzet vitet e fundit, në të gjitha kryeqytetet e Europës, përfshirë dhe Greqinë, ka kisha myslimane ku flitet në gjuhën arabe dhe gjuhë të vendeve nga kanë ardhur.

Ne besojmë se Kryepeshkopi Janullatos, edhe po qe se largohet këtë vit nga drejtimi i Kishës Ortodokse Shqiptare, pasi e ka kryer misionin dhe Kishës Shqiptare  i duhet një kryepeshkop shqiptar, do të lozë rol të madh (pasi ka post të rëndësishëm edhe në Këshillin Botëror të Kishave, natyrisht për postin që mbante në Shqipëri) pranë Kishës Ortodokse të Greqisë e Patriarkanës së Stambollit, që të frymëzojë fillimin e një vepre të tillë të madhe për kishën në përgjithësi, duke filluar shërbesat e kishës ortodokse shqiptare në shqip për emigrantët shqiptarë në Greqi, në dy-tri qytete ku ka prani të madhe të komunitetit shqiptar në dy a tri kisha të qyteteve që do të mund të caktohen. Kjo do të kërkojë dërgimin e një a dy priftërinjve e mullahëve shqiptarë në Greqi që të merren me organizmin e procedurave të domosdoshme. Me kohë, krijimi i klimës zbutëse në marrëdhëniet fetare, kulturore, ekonomike, politike, shoqërore dhe etnike dhe sigurisë midis dy vendeve fqinje, mund të çojë te ndërtimi i kishës përkatëse shqiptare. Kjo do relaksojë marrëdhëniet e të gjitha fushave të këtyre dy vendeve, do t'i qartësojë ato  e do ndikojë dhe tek popujt e tjerë te Ballkanit dhe më gjerë.

Natyrisht kërkohet që dhe BE me komisionarin e saj, për fetë dhe fqinjësinë e mirë të lozë rolin që kërkohet për këtë ecuri shumë serioze për të ardhmen e paqes dhe komuniteteve fetare në rajonin e Ballkanit, por dhe me gjerë, në të gjithë Europën, duke e mbajtur atë larg ekstremizmave fetare që silurojnë paqen dhe afrojnë luftërat, për të cilat ka kohë që flet me shqetësim Papa Françesku. Është një moment i rëndësishëm në këtë drejtim edhe vizita e Papa Françeskut, që do të ketë jehonë për shumë kohë, për vlerësimin e civilizimit shqiptar me tolerancën e madhe fetare dhe përkushtimin për bashkekzistencën e feve dhe që sugjeron shumë lëvizje të pritshme të drejtuesve të kishës katolike, por dhe të besimeve të tjera fetare në këtë vend të lashtë, ku Hyu ka qenë gjithnjë sinonim i jetës, i dritës, i dijenisë dhe dashurisë për të mirën dhe mençurinë e elitave njerëzore.

QAZIM TEPSHI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
SI TË BËHEMI FOLËS TË MIRË TË GJUHËS SHQIPENga PETRIT MALUSHI (10.04.2014)
DERI KUR DO TË LEJOJNË ANËTARËSIA E LDK-së SJELLJET E DËMSHME TË KRYETARIT MUSTAFA DHE KLANIT TË TIJ?Opinion nga SAIM TAHIRAJ (10.04.2014)
SHQIPËRI - QEVERITARËT, MILIONA PËRFITIME TË PAMERITUARA SHTESË NË BORDE DHE KOMISIONE (10.04.2014)
JETA E ARBEN RISTANIT NË QELINË E BURGUT 313 (10.02.2014)
ARBEN RISTANI KA QENË AVOKAT I ILIR HOXHËS KUNDËR SALI BERISHËS (10.01.2014)
EQEREM ÇABEJ - DALIN DORËSHKRIMET E FUNDITNga SEIT MANSAKU (10.01.2014)
ITALI, PITTELLA - MË SHUMË BASHKËPUNIM, TAKIM ME KONSULLEN SHQIPTARE GERARTA ZHEJINga ELVANA BILALI (09.29.2014)
 NJI MIKRPITJE PLOT DASHNI E BUJARI TE BURRI I MALËSISË ZEQIR SADIK LUSHAJNga SELIM NËNGURRA (09.26.2014)
SPASTRIMET GREKE NË FOLLORINË E KOSTURNga VELI HAKLAJ (09.25.2014)
JEHONA QË PO I BËN QEVERIA JONË ENVER HOXHËS, TË NGJALL KRUPËNNga NDRIÇIM MEHMETI (09.25.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]