VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - LUIGJ GURAKUQI - ZADHANËSI I IDEALEVE KOMBTARE, SHEMBËLLTYRA E VIRTYTIT POLITIK, FRYMËZUES I KULTURËS E I QYTETNIMIT EVROPIANNga KOLEC ÇEFA

                                                                                      

E Enjte, 04.25.2024, 02:49am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
LUIGJ GURAKUQI - ZADHANËSI I IDEALEVE KOMBTARE, SHEMBËLLTYRA E VIRTYTIT POLITIK, FRYMËZUES I KULTURËS E I QYTETNIMIT EVROPIAN
Nga KOLEC ÇEFA

E Mërkurë, 10.08.2014, 09:47am (GMT+1)




Nëno moj, ç'është perpjekur/
Gojë-mjaltë e zemer-hekur/

Noli/

Nuk mund të ketë njeri të plotsuem e pa mungesa, nuk mund të ketë njeri të perkryem e pa gabime, nuk mund të ketë njeri krejtësisht të paster e pa mëkate, sado të vogla, por, po të kishte një njeri të tillë, ndër politikanë sidomos, i pari do të thojshe âsht Gurakuqi. Në fytyrë: një flakë energjie entuziazte i jepte nur, fytyrë burrnore, e hijshme, ku vezullonte vizioni patriotik. Ata sy të qetë e të urtë, ato fjalë të meçme e frymëzuese, atë trimni të matur e patriotike, i pelqente gjithkush. Të bajshin per vete sytë e tij të bukur, ku mençuria lexohej në shkëndijat e tyne, ku zemërbardhësia lexohej në gazin e tyne, ku ekuilibri shpirtnor pasqyrohej në qetësinë e tyne. Kishte një mendim të mirë per të gjithë: afrues, inkurajues, tolerues; një zemer të hapët per të gjithë: të tejdukshme, të bardhë, të ngrohtë; një buzëqeshje të kandshme për të gjithë: të sinqertë, të përzemërt, joshëse. Shpesh shpërthente në gaz, por dinte të bahej serioz. Dhe i kishte hije edhe gazi, edhe serioziteti. Se nuk e tepronte as njenin, as tjetrin. Kishte aftësinë me ndejë me të gjithë. E, me të gjithë, krijonte marrëdhanie të përzemërta, se udhëhiqej nga parimi fisnik: Të kuptohemi, të merremi vesh me të mirë, të duhemi se jemi shqiptarë, jemi njerëz! Mishnonte parimin njerzor: "Po gaboj, qortoje; po u pendue, fale".
Studjoi në burime të pasuna, të shëndetshme, të kullueta, me mësues të ditun, të talentuem, patriotë. Mësimet gjimnaziare i mori në Kolegjin Saverian, mësimet liceore ndër arbreshët. Perfundoi në Napoli.


E filloi me flakë ideali e guxim rinie, e vazhdoi me trimni idealisti, e e mbylli me burrni martiri.

I urti nder fjalë, i matuni në sjellje, energjiku në veprime të mbara. Politikani i urtë që dinte të dialogonte ma mirë se të tjerët: ma shumë ndigjonte se flitte. Dinte të ndigjonte me vemendje e duresë. Edhe kundërshtarin e ndigjonte deri në fund. Dhe në bisedat e tij kishte zgjuarsi, arsye, logjikë, shpesh humor, gjithmonë dashamirësi. Flitte fjalë me hapësinë mirëkuptimi, frymëzue nga bukuria e virtytit, forca e karakterit, fjalë plot mendime e ndjenja që çlodhshin mendjet e ngrohshin zemrat. Gjatë bisedës kuptonte dhe vlerësonte bashkëbiseduesin, por kishte nuhatje të hollë e të thellë prej specialisti të diktonte edhe çka fshihte fjala e sheqerosun. Fjalën nuk e përdorte me krijue hendekun "na" e "ju" e aq ma pak, nuk hidhte në biseda e kritika a nuanca ufulluese. Ishte gjithmonë i gatshëm për të gjetë rrugën e marrëveshjes e të mirëkuptimit. Ideues konsensusi, i pelqente fjala e urtë: "Ku âsht bashkimi, aty âsht ngadhënjimi". Fjalët e tij kishin një ndriçim hyjnor. Mbante ekuilibër, një ekuilibër po, por mbi themele të shëndoshta, një ekuilibër mirëkuptues, të qëndrueshëm e afatgjatë. Mjeshtërisht, ashtu urtë e butë, ia thente vezët gjarpijve, ia hiqte helmin akrepit, ia zbulonte thimthin gjuhës së ligë. Ai luftoi prirjen tinzare arbitrare për të pengue çdo formë vullneti për diktaturë.
Por i miri e ka anmikun mbas dere. Edhe atë e ndoqi një opinion anmik, formue nga thashetheme llapazanësh, dinakësh, ta paaftish, maliciozësh, smirëzezësh. E perlyen thashethemet e gojëve të ndyta, e sulmuen gazetat proqeveritare e kundershtare, e fitimet e jetës së tij politike qenë "rrezik jete, vuejtje". Lexoni për jetën e tij mohimin e veprimtarisë së tij, sa qe gjallë, kercnimet, nëpërkëmbjet, në ato kohë kur trathtia paguhej, shpifja perkrahej, akuza nxitej. "Na e vranë e na e shanë, na i thanë tradhëtor"!

Pranonte kompromisin që sjell dobi për të gjithë, nuk pranonte kompromisin që sjell përfitim vetjak, se ku fillon kompromisi, fillon e ligshtohet e drejta, se ku fillon interesi, dobsohet e vërteta. Koncesionet i mbante imorale; privilegjet, favoret kërkonte të ndaloheshin me statut, ndihmat, dhuratat duhet të pranohen me kujdes e rezervë.
Heshtjen për frikë e mbante ligshti, heshtjen për pajtim e mbante urti, heshtjen për të fshehë të vërtetën e mbante mashtrim. Kurr shfrim dhune, kurr shfrim mllefi, kurr shfrim përbuzjeje. Dinte të rrezikonte shpesh, por kurr të humbiste kurajon. Edhe kur pengohej, gjente forca për një vrull të ri. Në ato kohë të zymta, ushqente shpresa të bardha.

Po, Gurakuqi ishte i drejtë, ishte i sinqertë, ishte i butë, ishte i dashun. Edhe pse e dinte se drejtsia, sinqeriteti, butsia, dashunia, nuk janë këshilltarë të mirë për politikanin. Por ai u dinte kufinin. Nuk njihte kreni, por nuk e tepronte në përvujtni; s'mbante inat, por as nuk harronte të keqen; nuk njihte intrigën, por as nuk binte pre e saj; e njihte egon, por nuk humbte dinjitetin, nuk njihte trathtinë, çmonte besën. Mbështetej në traditën, por nuk mbyllej në të, se ideja kombtare i hapte horizonte të reja. Rrallë kush kishte atë harmoni të perkryeme mes mendimit e ndjenjes, mes fjalës e veprës, mes zellit e vullnetit.

Fjala âsht arma e të meçmit, pushka âsht arma e trimit, falja âsht arma e burrit. Gurakuqi i kishte të tria: edhe i meçëm, pse e shkroi fjalën e urtë, edhe trim se e shprazi mbi armiq, edhe burrë se diti me falë. Qe fryt i pjekun i burrnisë shqiptare! Fryti i ambel i intelektit politik shqiptar! Dëshironte një mendim të vetëm, frymëzohej për një mendim të përafërt, por luftoi për një mendim të përbashkët. Ai kishte besim te ky popull i vogël, me shpirt të madh; te ky popull vital, me rrajë të vjetra, të shëndoshta; te ky popull i vorfen, i vuejtun, i shkelun, por me virtyte race.

Vetëpërmbajtje nervore të admirueshme e vetkontroll energjish mendore e fizike; dinte të qëndronte në durim, e në qëndresë dinte të shpresonte. Dinte t'u bante ballë situatave nga ma të ndryshmet, nga ma urgjentet, nga ma të papritunat.

Gurakuqi nuk kishte hovin zemrak të Fishtës, as kambënguljen idhnake të Mjedës, as fluiditetin qiellor të Poradecit, as andrrimin terheqës të Naimit, as ekuivokun e Konicës, as fantazinë ngjyra-ngjyra të Shantojës, por kishte largpamsinë e politikanit, matuninë e diplomatit, forcë Anteu, pa eufori. Jetonte në gjendjen reale të botës shqiptare. Luftën politike e bante brenda të gjitha rregullave morale-etike, prandaj emri i tij, si lulet, si virtytet, përhap profum të mirë! Edhe sot kanë çka mësojnë politikanët, sidomos, deputetët tanë!

Ai ishte shejti i politikës shqiptare! Ndërgjegjja e politikës kombtare! Ma i pastri, ma i afti, ma veprimtari!

Ndër patriotët, ma i flakti; ndër politikanët, ma largpamsi; ndër udhëheqësit, ma i drejti; nder shtetarët, ma i ndershmi; ndër luftarët, ma paqedashësi, ndër shqiptarët, ma i njohuni e ma popullori. Gurakuqi qe i aftë me dhanë direktivë, qe prijës me fillue i pari, qe vullnet i palodhun me vu në jetë çdo të mirë.

Ishte shembulli ma i mirë i patriotizmit shqiptar: Ma i miri!

Iu afrue parja e pozita mashtruese, por s'u gënjye; e joshi politika e huej, por nuk e pranoi; iu treguen kërcnimet e dhambëve kundërshtarë, por s'u thye.

Im vëlla, Matish Çefa më tregoi: A. Dibra, një intim i Zogut, më thotë një ditë në burg: " Një herë i thashë Zogut: " Kanë fillue me të sha (fye)". Ai m'u përgjegj: " E dij, s'ka gja. Çka t'i baj Gurakuqit ?! Ia hjedh kocin e nuk ma lëpinë!"

Gurakuqi të bante për vete me peshën e autoritetit të tij, ai të bante ta ndjekësh me peshën e veprimtarisë së tij; ai të bindte me peshën e fjalës së meçme e emocionuese. Qe krijues vlerash intelektuale e patriotike. Ishte benjamini i luftarëve e i patriotëve të vjetër: B. Currit, Abat Doçit, D. Nikollë Kaçorrit e në veçanti i Ismail Qemalit. Ishte udhëheqës i politikanëve të rij demokratë: A. Rustemit, M. Krujës, S. Vinjaut, A.Kelcyrës...

I riu që rreshtohet ndër etent e atdheut!

Shkroi: "Pak ndër prijësa e udhëheqës janë ata që mundohen ta zgjojnë e t'i ndrisin mendjen popullit, që i thonë kjartësisht të vërtetën e që përpiqen ta drejtojnë në udhë të mbarë". Në kohën tande, ti ishe i pari ndër të paktët: punove e nuk urdhnove; këshillove e nuk denigrove; drejtove e nuk sundove. Vune në jetë parimin kristian: " Me sundue, do të thotë me sherbye".

Me guxim gjithmonë të ri, me entuziazëm gjithmonë të ndezët, me hov gjithmonë optimist, mbrojte idetë tueja fisnike, ndiesinë tonë kombtare, interesat e përbashkëta të atdheut. Edhe si përfaqesues ndër shumë forume ndërkombtare, përsëri e mbrojte popullin tonë me mençuri, me energji, me dinjitet.

U bane udhëheqës që përfaqëson tribunin jetëshkurtë të popullit, që drejton në vijë të parë, që sakrifikohet i pari e jo diplomati jetëgjatë që drejton nga prapavija, i mbrojtur, nën tutelë.

Gurakuqi e mbushi hapsinën shqiptare me përkushtim kombtar. Fjala e tij e pasunoi ndjenjen kombtare, veprimtaria e tij e gjallnoi, ndërgjegjja e tij e fisnikoi atë. "Tharmi i nacionalizmit shqiptar qe Gurakuqi, Gurakuqi e Gurakuqi". (Pader Bernardin Palaj). Ndërsa Vinjau: "... E gjeta patriot sa s'janë shumë, të kthjelltë sa pak veta dhe të butë e të ëmbël sa asnjë tjetër".

Modeli i një patrioti, shembulli i një veprimtari praktik, tipi i një politikani, madje: diagnostikuesi ma i mirë i politikës shqiptare. Qe kundra politikës orientale nga brenda, kundra politikës kolonizuese nga jashtë. Shqipninë e andrronte Zvicër në Ballkan. Jeta e tij âsht pjesë e historisë së Shqipnisë: aty ku ajo kulmon, ndriçon emri i tij; aty ku ajo çalon, vuejti ma shumë zemra e tij.

"Barometri i politikës shqiptare", si shkruente Shantoja.

Dhe jemi të detyruem të përsërisim fjalët e Nolit: " Sa më mirë e kam njohur, aq më tepër kam qenë i shtërnguar ta respektoj".

Ai nuk mund të jetë personazh i perkohshem në historinë tonë!

E kaluemja e atdheut nuk mund të kujtohet pa portretin e tij.

A thue, do të jetojë në kohë prania e tij? Dëshirojmë!

A thue, do të formojë politika shqiptare figura të tilla? Shpresojmë!

A thue, do të ketë rinia shqiptare edukatorë të tillë? Besojmë!

KOLEC ÇEFA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
RINGRITJA E PD APO 20% I PDNga LORISA YLLI (10.07.2014)
ME SHOKUN E RINISË, GJETO VOCAJ, PAS 60 VJETËSH…Mbresa nga MURAT GECAJ (10.07.2014)
NJË LETER E SHKURTËR PUBLIKE Z. NAIM TËRNAVES!Nga AGIM GASHI (10.06.2014)
A DO MUND TË HAPEN KISHA SHQIPTARE NË BALLKAN?Nga QAZIM TEPSHI (10.06.2014)
SI TË BËHEMI FOLËS TË MIRË TË GJUHËS SHQIPENga PETRIT MALUSHI (10.04.2014)
DERI KUR DO TË LEJOJNË ANËTARËSIA E LDK-së SJELLJET E DËMSHME TË KRYETARIT MUSTAFA DHE KLANIT TË TIJ?Opinion nga SAIM TAHIRAJ (10.04.2014)
SHQIPËRI - QEVERITARËT, MILIONA PËRFITIME TË PAMERITUARA SHTESË NË BORDE DHE KOMISIONE (10.04.2014)
JETA E ARBEN RISTANIT NË QELINË E BURGUT 313 (10.02.2014)
ARBEN RISTANI KA QENË AVOKAT I ILIR HOXHËS KUNDËR SALI BERISHËS (10.01.2014)
EQEREM ÇABEJ - DALIN DORËSHKRIMET E FUNDITNga SEIT MANSAKU (10.01.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]