E Mërkurë, 04.24.2024, 05:34am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
PSE NUK JAM ANTIMYSLIMAN
“Sa më shumë të njihni veten, aq më shumë durim do të kini ndaj çfarë konstatoni tek të tjerët”. Erik Erikson
Nga VIKTOR MALAJ

E Premte, 10.10.2014, 08:37am (GMT+1)


 

Një intervistë e dhënë nga z. Maks Velo disa kohë më parë, në të cilën pohonte se është antimysliman dhe antiverior, ngjalli shumë reagime, polemika dhe, madje, mallkime ndaj tij. Të shkruash dhe të flasësh për problemet fetare mendoj se është një nga gjërat më delikate dhe më të vështira. Bëhet e tillë për shkak të moskuptimeve, të keqkuptimeve dhe, sidomos, për shkak të keqinterpretimeve.

Kur flasim për çështjet fetare, mendoj se është e nevojshme të kemi parasysh tri pjesët përbërëse të tyre: Doktrinën (librat e shenjtë), klerin (administratën fetare që merret me propagandimin e besimit dhe ceremonitë e ritet përkatëse) dhe besimtarët. Në asnjë rast, tek asnjë besim fetar, këto pjesë përbërëse nuk janë e njëjta gjë. Duke konsideruar doktrinat fetare, vetëdija ime më thotë se Doktrina e Krishterë, me gjithë të metat, gabimet dhe kontradiktat që përmban, tingëllon më humane, më paqësore dhe më tolerante. Mirëpo, po kjo vetëdije e imja më thotë se ky përfundim nuk mund të arrihet dhe të shtrihet për të gjithë e mbi të gjithë besimtarët e krishterë. Historia e njerëzimit na provon se të krishterët, ku bëj pjesë edhe unë, kanë qenë bartës dhe demonstrues të të njëjtave virtyte dhe vese, si gjithë pjesëtarët e bashkësive të tjera fetare të botës.

Në rastin konkret, unë besoj se z.Velo ka rënë viktimë e të arsyetuarit induktiv, domethënë e atij lloj të arsyetuari kur njeriu i përgjithëson tiparet e një apo më shumë individëve (apo objekteve) duke ua veshur ato gjithë bashkësisë ku individi bën pjesë. Ndodh shpesh që, kur ndeshim një individ nga një rreth apo zonë e vendit (apo nga një komb apo shtet tjetër) dhe ky individ na lë përshtypje të mirë ose të keqe, fillojmë e besojmë se këtë cilësi (të mirë ose të keqe) e kanë të gjithë individët e asaj zone, kombi apo shteti. Psikologët janë thuajse të një mendjeje se të arsyetuarit induktiv është i rëndësishëm për procesin e njohjes por, në më të shumtën e rasteve, ka shpënë në përgjithësime krejt të gabuara.

Në kohët moderne, veçanërisht në kohët e sotme, individi nuk mund të merret si etalon për të përcaktuar të gjitha tiparet dhe vlerat/ antivlerat e bashkësisë etnike, fetare, racore etj. Madje, mjaft shpesh, individi nuk është as "pasqyrë e familjes", siç kemi thënë dikur-pasi është nën ndikimin e një sërë faktorësh globalë, jashtëfamiljarë, jashtëfisnor dhe jashtëracor. Prandaj, të mirën dhe të keqen, të dobishmen dhe të dëmshmen, përparimtaren dhe regresiven duhet t'i kërkojmë dhe t'i gjejmë tek individi duke u bazuar në mendimet dhe sjelljet e tij individuale, dhe jo tek përkatësia e tij fetare.

Sa u përket doktrinave fetare, vlerave dhe antivlerave të tyre, banorët e sotëm të globit tokësor nuk kanë as merita dhe as përgjegjësi. Tjetërkush i ka shkruar, tjetërkush i ka interpretuar (për t'i bërë normë) dhe tjetërkush i ka propaganduar. Ne i kemi gjetur të gatshme. Ne kemi merita dhe përgjegjësi vetëm për sjelljet tona edhe atëherë kur përpiqemi t'iu japim frymëzim, ngjyrim dhe justifikim fetar. Zoti, i përfytyruar si qënie e mbinatyrshme dhe e gjithëfuqishme, nuk ka nevojë as për ushtri dhe as për ushtarë. Përndryshe, nuk do të ishte i gjithëfuqishëm. Ai ka "nevojë" vetëm për ndjekës të këshillave të tij. Unë nuk mund të besoj se është dëshira dhe këshilla e Zotit që krijesat e tij të rreshtohen në "ushtri" që kërkojnë të sundojnë apo zhdukin njëra-tjetrën. Një Zot i tillë ose nuk ekziston, ose nuk do të duhej të adhurohej.

Ka edhe arsye të tjera, por mua, si qytetar i thjeshtë i kësaj bote, më mjaftojnë sa përmenda për të mos u ndier antimysliman, as të shfaqem si i tillë. Dhe, mendoj se ne shqiptarët kemi shumë më pak arsye të ndihemi të tillë. Historia e shkruar nga udhëtarë, shkrimtarë, diplomatë, ushtarakë dhe studiues të huaj, të cilët kanë kaluar apo qëndruar në Shqipëri gjatë 3-4 shekujve të fundit, tregon se shqiptarët, asnjëherë, nuk kanë qenë besimtarë fetarë fanatikë. E, ndoshta, ky ka qenë edhe shkaku kryesor i ndërrimit të fesë. Gjithashtu, unë mendoj se shqiptarët, jo për shkak të kulturës dhe dijes por me intuitë dhe përvojë, kanë arritur që të kuptojnë historikisht se fqinji, i njohuri, udhëtari, bashkëbanuesi etj. kanë qenë të mirë ose të këqij, të dobishëm apo të dëmshëm, jo për shkak të përkatësisë fetare por për shkak të sjelljes së demonstruar ndaj tyre, familjeve të tyre, fisit të tyre dhe më gjerë.

Në këto rrethana ka mundur që të krijohet bashkëjetesa shekullore midis bashkësive të ndryshme fetare. Dhe, nëse flasim për këtë bashkëjetesë, jam i bindur se merita, më së pari, iu përket shqiptarëve të fesë myslimane, si bashkësia më e madhe në trojet shqiptare. Historia na ka provuar pa ekuivokë se shqiptarët e besimit islam e kanë dashur atdheun dhe i kanë shërbyer atij me pushkë dhe pendë njëlloj si shqiptarët e krishterë. Po të isha antimysliman do të më duhej të përçmoja, të harroja apo të mohoja Ismail Qemalin e Isa Boletinin, Bajram Currin e Hasan Prishtinën, Adem Jasharin e Adem Demaçin, Myslym Pezën e Hajdar Dushin, Hoxha Tahsinin e vëllezërit Frashëri, Dritëro Agollin e Ismail Kadarenë, Rexhep Qosen e Ukshin Hotin, Eqerem Çabejn e Shaban Demirajn, Arbën Xhaferin e Pëllumb Xhufin, Kadri Roshin e Vaçe Zelën dhe qindra personalitete të tjera kombëtare.

Po të isha antimysliman do të më duhej t'u ktheja shpinën gjithë shokëve të mi, të rinisë dhe të mëvonshëm, që i përkasin besimit islam dhe të cilët, për shkak të cilësive të tyre morale, i kam konsideruar si veten dhe më të denjë. Do të më duhej, pra, t'i shkelmoja cilësitë e tyre morale për hir të prejardhjes së tyre myslimane dhe të pendohesha për respektin e ndërsjellë që ka karakterizuar marrëdhëniet tona. Mirëpo, unë besoj se nuk ka rëndësi "teatri" në të cilin dikush hyn për të parë "shfaqje" por sjellja e tij pasi del nga teatri. Është kjo sjellje që na shërben ose na dëmton.

Bindja ime është se, përveç përjetimeve vetjake, në përfundimet e z.Velo kanë ndikuar edhe disa fenomene negative që po ndodhin aktualisht në botë dhe që kanë ngjyrim fetar islamik dhe po mëtohen e justifikohen prej autorëve të tyre si të frymëzuara nga Zoti (Allahu) dhe Doktrina Islame. Personalisht, unë besoj se në thelbin e tyre qëndrojnë të tjera ide, interesa dhe qëllime, të cilat po frymëzojnë manipulimin e njerëzve të besimeve të ndryshme dhe të sekteve të ndryshme të të njëjtit besim, siç po ndodh sot.

Këto veprime që janë kryer dhe mëtohen të kryhen edhe në të ardhmen prej tyre janë moralisht të dënueshme, humanisht të rrezikshme dhe globalisht të papranueshme. Ato as nuk kanë frymëzim hyjnor dhe as kanë kurrfarë perspektive në aspektet kohore dhe gjeostrategjike.

Mirëpo, secili prej nesh, kur kërkon të gjykojë mbi natyrën dhe vlerat e një bashkësie njerëzore, në rastin konkret rreth bashkësisë së besimtarëve myslimanë, duhet ta shqyrtojë problemin, të paktën në dy aspekte të rëndësishme. Së pari, kurrsesi nuk mund të identifikohen rreth një miliard besimtarë myslimanë me njëqind mijë apo, qoftë edhe një milion ekstremistë kokëboshë dhe kokënxehtë. Së dyti, a mund të pranojmë ne se këta individë dhe grupe (organizata) individësh janë të parët që kryejnë krime në histori? Kurrsesi jo.

Vrasja e njerëzve në përgjithësi dhe vrasja e njerëzve të pafajshëm në veçanti përbëjnë mëkat dhe krim si atëherë kur kryhen nga njerëz që mbajnë tespihe në duar edhe atëherë kur kryhen nga njerëz që mbajnë kryqin në qafë. Prerjet e kokës së njerëzve të pafajshëm në shkretëtirë përbëjnë krim po aq të rëndë sa vrasja e njerëzve të pafajshëm nga bombat e lëshuara nga mijëra kilometra lartësi apo largësi. Vrasjet dhe dhunimet që po kryhen tani nën maska fetare islamike duhet të dënohen pa ekuivok nga çdo mendje e shëndoshë dhe e arsyeshme. Por, po kështu, çdo mendje e shëndoshë dhe e ndriçuar duhet të dënojë pa ngurrim vrasjet e njerëzve me napalm apo duke bombarduar shkolla, spitale dhe pallate banimi nga jomyslimanët. Nëse ekziston vërtet "jeta e përtejme", jam i sigurt se aty ku ndahen rrugët për në Ferr dhe në Parajsë, askush nuk të pyet se cilit besim fetar tokësor i përket por si je sjellë dhe çfarë ke bërë përpara se të mbërrije aty. Madje, nuk të pyesin fare sepse i dinë shumë mirë. Dhe unë nuk mund të besoj se "jeta e këtushme" do të matet me standarde të ndryshme, sipas përkatësisë fetare. Zoti duhet të jetë "i depolitizuar" tashmë dhe të vetmin armik ka djallin.

Kur gjykojmë të tjerët bëjmë mirë t'i hedhim një vështrim vetes tonë, në kohë dhe në hapësirë. Pa shkuar larg në histori, por vetëm në shekullin e 20-të askush më shumë se të krishterët nuk kreu krime. Krime të pamasë në sasi dhe krime të përbindshme në makabritet. Dhe nuk i kryen ato krime pse ishin të krishterë, por sepse ishin "të krishterë", pra të rrejshëm. Po të kishin qenë të krishterë të vërtetë, edhe fjalën luftë do ta kishin hequr nga fjalorët e tyre. Jam i sigurt se, nëse do të kthehej Krishti në tokë për të gjykuar njerëzimin (siç na mëson Doktrina e Krishterë), trenin e parë me pasagjerë drejt Ferrit do ta kishte mbushur me "të krishterë". Dhe do të ishte një tren shumë i gjatë.

Gjithashtu, unë e kam të pamundur të besoj se mbajtja e shamive nga femrat myslimane (qoftë edhe në formën më të deformuar të mësimit islam,- duke mbuluar krejt fytyrën) është një veprim dhe sjellje që cënon dinjitetin njerëzor, në përgjithësi, dhe atë femëror në veçanti, më shumë se lakuriqësia tërësore dhe pornografia apo prostitucioni që demonstrojnë një pjesë jo e vogël e femrave që kanë guximin të quhen të krishtera. Pavarësisht se jam kundër të dyjave, po të isha i detyruar të zgjidhja do të pranoja të parën.

Fetë janë rrugë që çojnë në të njëjtën vendmbërritje. Ato kanë nevojë të mirëmbahen dhe kjo varet nga vetë njerëzimi. Asnjëra nuk është e përsosur. Ideja dhe, sidomos, bindja se ne i përkasim një bashkësie fetare, etnike, krahinore etj. superiore ndaj të tjerave, dhe që duhet të sundojë mbi të tjerat, ka qenë dhe mbetet burim i përhershëm i të keqes së përgjithshme, duke na rrezikuar edhe ne vetë. E ardhmja është bashkëjetesa, pranimi i ndërsjellë dhe jo përjashtimi.

Po të shqyrtohet mirë në thelb ky problem, do të na rezultonte se shumica e njerëzimit beson se janë besimtarë në Zot. E vërteta është krejt ndryshe. Sikur të mos e kishin frikë qënien e mbinatyrshme që quhet Zot, sikur të mos besonin se Ai i ka krijuar por edhe mund t'iu sjellë të këqija dhe t'i çojë shpejt në "botën tjetër", shumica dërmuese e njerëzimit as që do ta pranonte besimin në të. Nuk mund të jesh besimtar vetëm pse i lutesh Zotit të të japë më shumë shëndet dhe pasuri. Besim don të thotë ndjenjë e brëndshme dhe arsyetim që të drejtojnë dhe të "urdhërojnë" të sillesh sipas mësimeve fetare, jo pse mund ta pësosh, por, mbi të gjitha se ashtu është mirë dhe drejt për veten tënde, për familjen tënde dhe për krejt njerëzimin. Atë që e beson dhe e do vërtet, thjesht e ndjek sepse e adhuron dhe ta adhurosh do të thotë të dëshirosh t'i ngjash. A mund të thotë ndokush se sa prej "shëmbëlltyrave të saj/tij" në tokë i ngjajnë vërtetë Perëndisë/Zotit?

Për të qenë qytetarë të mirë të botës, shqiptarët e të gjitha besimeve nuk kanë nevojë të ndërrojnë fenë. Por kanë shumë nevojë të ndërrojnë mentalitetet dhe sjelljet e tyre. Kjo nevojë na përfshin të gjithëve, pa përjashtim.

VIKTOR MALAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
FOTOLAJM - VITI KUR NGJELA KRIJOI PARTIN KIS DHE RAMA E MBËSHTESTE (10.10.2014)
DJEMTË E FSHATIT TIM LOZIN TAVËLLNga ANDON ANDONI (10.08.2014)
LUIGJ GURAKUQI - ZADHANËSI I IDEALEVE KOMBTARE, SHEMBËLLTYRA E VIRTYTIT POLITIK, FRYMËZUES I KULTURËS E I QYTETNIMIT EVROPIANNga KOLEC ÇEFA (10.08.2014)
RINGRITJA E PD APO 20% I PDNga LORISA YLLI (10.07.2014)
ME SHOKUN E RINISË, GJETO VOCAJ, PAS 60 VJETËSH…Mbresa nga MURAT GECAJ (10.07.2014)
NJË LETER E SHKURTËR PUBLIKE Z. NAIM TËRNAVES!Nga AGIM GASHI (10.06.2014)
A DO MUND TË HAPEN KISHA SHQIPTARE NË BALLKAN?Nga QAZIM TEPSHI (10.06.2014)
SI TË BËHEMI FOLËS TË MIRË TË GJUHËS SHQIPENga PETRIT MALUSHI (10.04.2014)
DERI KUR DO TË LEJOJNË ANËTARËSIA E LDK-së SJELLJET E DËMSHME TË KRYETARIT MUSTAFA DHE KLANIT TË TIJ?Opinion nga SAIM TAHIRAJ (10.04.2014)
SHQIPËRI - QEVERITARËT, MILIONA PËRFITIME TË PAMERITUARA SHTESË NË BORDE DHE KOMISIONE (10.04.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart]