E Enjte, 04.25.2024, 06:06am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
KOSOVA NË GJENDJE KOME
Nga SADRI RAMABAJA

E Enjte, 10.16.2014, 09:08am (GMT+1)


Ka ca muaj që Republika jonë më shëmbëllen me një trup të brishtë të një të riu që mjekët e papërgjegjshëm e kanë shtrirë në sallën e operacionit dhe presin t`i hyjnë operacionit për vënie të stendave në arteriet e zemrës së stërmunduar, pasi që gabimisht e kishin diagnostikuar për skizofreni. Shëndeti i tij kishte pësuar keq, ndërkaq shenjat sinjifikante që flisnin në dobi të supozimit se pacienti mund të shkojë drejt suicidit, kishin bërë që mjekët të bindeshin se diagnoza për skizofreni ishte krejtësisht reale.

Trajtimi i pacientit në këso rrethanash kërkon strategji gjithëpërfshirëse. Por, meqë për kohë të gjatë trajtimi mjekësor ishte pa qëllim të qartë final, dalja nga gjendja prej kome ishte e ndërvarur nga rishikimi i diagnozës, nga shkalla ku supozohej se kishte arritur skizofrenia tek pacienti dhe nga ambienti që e rrethonte atë.

Pacienti, tashmë i lodhur tej mase, i trajtuar në mënyrën më brutale të mundshme, në shikim të parë të lë përshtypje të gabuar se na i është nënshtruar fatit! Por, vjeshta duket se parandien frymën evangjeliste për aq kohë sa qëllimi nuk është arritur dhe nevoja për shpjegime shtesë është evidente.

Shih për këtë, nëse e kemi të qartë se pacienti është vetë Republika jonë e brishtë, pas krejt odisejade, edhe zgjedhjet që mund t`i imponojë kryeministri në ikje, do të duhej të konsiderohen si mundësi shtesë për thellimin e kohezionit politik.

 

Tallja me parlamentarizmin vazhdon

Korpusi politik që zuri vendet në Parlamentin e Republikës, me këtë ndarje që ka, duket se po dëshmohet i paaftë për të krijuar institucionet. Kapja e çdo segmenti të Republikës nga elementet e SHIK-ut e ka bërë tashmë Republikën jofunksionale. Ndërkaq loja me parlamentarizmin për këta muaj, mbetet e pashembullt në milien e demokracisë liberale moderne. Rreziku që ajo të shkojë drejt dështimit, mbetet i hapur.

Shtyrja e seancës së 2 korrikut nga ana e PDK-së ishte produkt i mungesës së votave për kandidatin e saj. Tashmë është fakt se ajo ka dështuar në zgjedhjen e kryeparlamentarit nga radhët e saj. Më 17 korrik, Agim Aliu, kandidati i parë i PDK-së, i pati 47 vota, ndërkaq herën e dytë më 12 shtator, kandidati tjetër, Dr.Arsim Bajrami, i cili është eksperti më i mirë që ka PDK-ja, i fitoi tri vota më pak, pra 44!

Duke qenë i vetëdijshëm se tashmë është pakicë në Parlament, kryeministri në ikje po punon për provokimin e zgjedhjeve të reja. Ndërkaq gjatë kësaj kohe, ai do të vazhdojë të krijojë çarje brenda Bllokut politik kundërshtar, sidomos brenda LDK-së. Strategjia e Thaçit tashmë duket se është e përqendruar në betejën e tij që do të mund të cilësohej vendimtare. Shih për këtë gjendje është më e rëndë se sa duket në aparencë.

Kryeministri në ikje është i vetëdijshëm se epoka e tij politike po përmbyllet, por beteja e tij tashmë zhvillohet në sigurimin e mbijetesës qoftë edhe si qytetar i thjeshtë, por jashtë grilave. Për këtë qëllim ai po bllokon ndërtimin e institucioneve, ndërkaq po projekton në strategjinë dalëse, pikërisht zgjedhjet e jashtëzakonshme. Ndërkohë, gjatë gushtit dhe shtatorit ai intensifikoi veprimin klandestin për blerjen e deputetëve, duke u përqendruar tek disa deputetë të LDK-së dhe AAK-së. Për këtë qëllim "sekserët" e kryeministrit në ikje punuan në disa nivele. Ata nuk hezituan të deklarohen edhe publikisht se janë duke punuar për të krijuar edhe mundësinë e një koalicioni me LDK-në. Njëri nga nënkryetarët e PDK-së që vijon nga Llapi, këtë gjakim as që e fshihte. Sidoqoftë, gjasat që të kapërcehet ylberi nga ai grusht i supozuar i deputetëve të LDK-së, qoftë edhe si formacion më vete, për t`i shërbyer PDK-së si patericë e llojit të vet, në insistimin e saj për mbajtje të pushtetit, tashmë janë dëshmuar si inekzistente.

I vetëdijshëm për këtë trend, Thaçit tashmë i mbetet një numër i vogël partish satelite në dispozicion për ta "zgjeruar" koalicionin parazgjedhor. Ai, sipas informacioneve që janë pothuajse publike, ka arritur një marrëveshje që koalicionit të tij ekzistues t`ia shtojë edhe AKR-në.

Qoftë edhe vetëm ky fakt, do të ishte në logjikën e politikës racionale, që një krah i mbështetësve të Thaçit brenda strukturave të PDK-së, të fillonte të hetohej dhe të shkonte drejt distancimit gradual. Natyrisht se në bazën e PDK-së ka edhe zëra që ruajnë një lloj dinjiteti njerëzor e politik, por ata nuk janë me peshë. Madje fakti se PDK-ja nuk prezanton një forcë tipike politike, këtë lloj pritshmërie e bën të pamundshme. Atëherë, meqë nuk kemi të bëjmë me një parti politike, çarje të tilla janë më pak të pritshme. PDK-ja, tashmë është e qartë, është vetë SHIK-u, pra një strukturë gjysmë mafioze, një koketim i llojit të vet mes biznesit me politikën, një simotër e PASOK-ut grek dhe SPS serb.

Çdo gjë aty kontrollohet nga një grusht i vogël njerëzish, që për strumbullar kanë dy persona: Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin, që të dy politikanë që vijnë nga struktura që kanë vepruar në kuadër të shërbimeve të fshehta.

 

Roli historik i pozicionimit të LDK-së

PDK-ja ka një muaj, kur Thaçi ishte në një vizitë në Komunën e Shtimjes, me rastin e promovimit ceremonial të godinës së një shkolle profesionale, e ku gjeti rastin të premtojë rritje të sërishme të pagave të mësimdhënësve të ciklit parauniversitar, që ka filluar fushatën zgjedhore. Ndërkaq në strukturat e PDK-së tashmë janë ndezur motorët për fushatën zgjedhore.

Këtë komoditet asaj ia ofron fakti se LDK-ja nuk arrin dot ta kuptojë se epoka e Isa Mustafës tashmë ka përfunduar. Lexuesi do t`më ndjejë përse do shfrytëzoj një metaforë për të hedhur dritë mbi këtë mendësi patriarkale politike.

Isa Mustafa tashmë ka pranuar rolin e një plaku të shtëpisë që kaherë lëngon në shtratin e vdekjes, që duket se shpejt do t`i japë familjes lamtumirën. Halli është se si zot shtëpie i dobët, ai nuk ka lënë trashëgimtar real, prandaj qoftë edhe si i tillë, si një gjysmë kufomë, i duhet shtëpisë ende. Prandaj, kjo do cilësuar si fatkeqësi shtesë, një lloj kryqi të Krishtit që bart ai në qafë.

Isa M., megjithatë, pavarësisht se nuk ka qenë asnjëherë figurë karizmatike, pra as në përmasat e një personaliteti që mund të merrte vendime të mëdha, pavarësisht kësaj, ka arritur ta ruajë një lloj kohezioni politik brenda LDK-së. Si i tillë ai ka qenë dhe mbetet kalkulator i mirë dhe balancues rrymash politike brenda LDK-së. Kaq.

Shtyrja e zgjedhjeve të brendshme të LDK-së, pas krijimit të qeverisë nga Blloku, ose edhe pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme, rezulton të jetë si një nga detyrat imediate të Isa Mustafës për ta shpëtuar partinë nga çarjet e pariparueshme. Por, ky fakt, çuditërish tashmë na rezulton edhe si interes imediat për kapërcimin e statuskuo-së në politikën kosovare.

Personalitetet që po profilohen si të atilla që mund ta shpëtojnë LDK-në, mbeten tutje tri figura: Ajo e Dr.Haki Demollit, si një aureolë e të ashtuquajturës frymë akademike të viteve të fillimit të ekzistencës së LDK-së; pastaj Lutfi Haziri si person balancues mes dy klaneve të mëdha atij të Dukagjinit dhe Llapit, dhe figura e tretë, ajo e Vjosa Osmanit, si prurje e re reale.

Kjo e fundit, me numrin e votuesve që arriti t`i ketë në zgjedhjet e 8 qershorit, por edhe si një femër me një lloj karizme në rritje, po sforcohet më shumë si pasuese e mundshme e Isa Mustafës në garë me Lutfi Hazirin. Mbajtja e Kuvendit zgjedhor të LDK-së para zgjedhjeve të jashtëzakonshme pashmangshëm do ta përçajë LDK-në. Prandaj ky Kuvend, do të duhej të ishte krejt formal, procedural, ndërkaq një kuvend pune i mirëfilltë do të shkonte në dobi të ruajtjes së kohezionit të LDK-së, që të shtyhej për pranverë 2015. Në nivelet lokale LDK-së i është mplakur struktura. Ka fare pak prurje të reja. Edhe në zgjedhjet e fundit kishim kryesisht riciklime figurash (që në fakt ishin më herët pjesë e LDK-së, por jo prurje krejt të reja), natyrisht me përjashtime fare të vogla.

Por në rast të imponimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme nga ana e presidentes, natyrisht me direktivën e PDK-së, me rëndësi për skenën politike kosovare mbetet pozicionimi i LDK-së.

Ka tri mundësi të hapura që pres t`i ndjekë LDK-ja në rast të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme:

    Të shkojë sërish me atë grupim të partizave si forcë pothuajse e vetme në zgjedhje dhe të pësojë rënien e madhe.
    Të shkojë në zgjedhje si Koalicion parazgjedhor me AAK-në dhe NISMA-n.
    Të pranojë Albin Kurtin si bartës të listës dhe kandidaturë të koalicionit për kryeministër, duke u pozicionuar qartë dhe në kohezion të plotë kundër PDK-së.

Këtë variantin e tretë e shoh si mundësi më reale, duke i dhënë këtij pozicionimi të LDK-së rol historik, që nuk arriti ta kapte në fillim të luftës. Historia politike rrallë ofron mundësi korrektuese si ky i tashmi për LDK-në dhe jo vetëm për atë. Ky grupim pres që do të dilte fitues i zgjedhjeve, pavarësisht se diferenca nuk do të jetë edhe aq e madhe nga grupimi i dytë.

Roli i VV në funksionalizimin e Republikës

VV tashmë ka shprehur qëndrimin që të jetë pjesë e Koalicionit. Nënshkrimi i marrëveshjes mbi parimet që do të respektohej ky Koalicion, paraqet një lloj hyrje në një plan konkret për bashkëqeverisje. Për këtë nuk luan rol se kjo bashkëqeverisje do të realizohej tashti, apo pas mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Meqë Ministria e Jashtme do të jetë resori që ka pajtueshmëri ta drejtojë VV, njëri nga funksionarët e lartë të VV pritet të jetë edhe udhëheqësi i këtij dialogu me Serbinë.

Dialogu me Beogradin gjithsesi nuk do të jetë i atillë si ka qenë në mes Daçiçit dhe Thaçit. Ai do të jetë dialog shumë më substancial dhe transparent. Po them më substancial, sepse do të bazohet në parimin e reciprocitetit dhe do të ngrihet në nivelin e dy shteteve që pretendojnë të jenë të dinjitetshme në familjen e shteteve moderne evropiane. Shih për këtë, nuk shoh mundësinë e rifillimit të dialogut me Beogradin në një të ardhme të afërt. Prandaj është në logjikën e gjërave që VV pret nga Brukseli, që ai tani e tutje të ushtrojë presion ndaj Beogradit shumë më shumë se sa ndaj Prishtinës. Do të varet shumë se si do të rifillojë dialogu dhe kur edhe nga opinioni i Komisionit të Venedikut...

Brenda VV, para së gjithash në Këshillin e Përgjithshëm, ka pasur diskutime të gjata, gjithsesi jo shteruese për këtë temë. Pati edhe mospajtime dhe largim të 3-4 vetave nga radhët e VV. Kemi të bëjmë më shumë me individ me pikëpamje bukur rigjide në rrafshin e zbatimit të strategjive politike që po ndjek Kryesia e VV në raport me forcat dhe në dobi të realizimit të strategjisë së saj për largimin nga pushteti të PDK-së dhe funksionalizimin e Republikës.

Natyrisht, nëse vij deri te çarja e Bllokut, plani i VV është i njohur dhe publik. Ajo do të vazhdojë të jetë opozitë e fuqishme si në Parlament ashtu edhe jashtë tij. Mundësitë që të intensifikohen veprimet me karakter demokratik, por jashtë Parlamentit, përfshirë edhe demonstratat si institucion legal e demokratik, grevat dhe aksionet e ndryshme, mbesin të hapura dhe pjesë e strategjisë së veprimit politik.

 

Zgjedhjet e jashtëzakonshme opsion real

Qëndrimi i një pjese të faktorit relevant ndërkombëtar, që reflektohet në sjelljet e presidentes, i bëjnë zgjedhjet e jashtëzakonshme opsionin më real.

Presidentja do t`i marrë masat që ia servir ekipi i Kadri Veselit (shërbimi sekret i PDK-së).

    Do të kërkojë nga blloqet politike që t`i afrojnë propozime konkrete për dalje nga gjendja e pozicionit që në lojën e shahut njihet si pozicion pat.
    Do të përgatisë alibinë me bazë kushtetuese për shpalljen e zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

 

Për fat të keq, presidentja nuk ka qëllim politik që do të shkonte në dobi të ruajtjes së barazpeshës politike dhe sigurisë së stabilitetit të Republikës. Modeli i presidentit të Lituanisë për znj. Jahjaga është i huaj, sepse ajo mbetet peng i Hashim Thaçit dhe qarqeve politike që e kanë inauguruar si presidente kukull.

Por cilat do të ishin ato rrethana që do t`ia lehtësonin presidentes dhe PDK-së marrjen e vendimit në procedurë të përshpejtuar për dërgimin e vendit në zgjedhje të jashtëzakonshme?

Në këtë rrafsh, po sjell tezat e mëposhtme:

    Në rast se VLAN do të provokonte ngjarje që do të çonin në destabilizimin e mundshëm të gjendjes në vend. P.sh. në rast se do të organizoheshin protesta masive (disi të ngjashme me ato të opozitës në Kiev);
    Në rast se nuk do të kishim zgjidhje të gjendjes deri në fund të tetorit dhe rrjedhimisht administrata dhe gjithë korpusi i shërbyesve civil dhe atij arsimor e shëndetësor do të rrezikoheshin të mbesnin pa paga në muajt e parë të vitit 2015.
    Në rast se PDK-ja provokon krizë në 32 agjencitë shtetërore që janë të varura nga Kuvendi.

Përveç nenit 84 të Kushtetutës, edhe ky rast do t`i shërbente Presidentes si një alibi reale për të shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme, duke u thirrur në Kushtetutën e vendit (shih nenin 84, pika 2 që shprehet taksativisht për rolin e Presidentes si garantuese e "funksionimit kushtetues të institucioneve të përcaktuara me këtë Kushtetutë).

Rasti i fundit është skenari më real që do ta vërë në lëvizje kryeministri në ikje. Prandaj kandidimi i Albin Kurtit kundruall Hashim Thaçit, në zgjedhjet e jashtëzakonshme që po i imponon SHIK-u, si kandidat i përbashkët i Bllokut për kryeministër paraqet garancën e vetme dhe mundësinë reale për çlirimin e Republikës.

Shih për këtë, edhe zgjedhjet që mund t`i imponojë kryeministri në ikje, do të duhej të konsiderohen si mundësi shtesë për thellimin e kohezionit politik që ofron kjo vjeshtë evangjeliste.
SADRI RAMABAJA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NË STUTTGART HAPET RADIOSTACIONI 'DRITA KOSOVA'Nga XHAFER LECI (10.16.2014)
GUXONI - ATA NA KANË FRIKËNga GERT ÇARÇANI (10.14.2014)
FYLE - DARKA E 'KROKODILIT' MUND TA NDRYSHONTE SHQIPËRINË, PROGRESI I VENDIT DO TË ISHTE I MADH (Intervistë) (10.14.2014)
BEKIM BERISHA ABEJA, HEROI LEGJENDAR I TRI LUFTËRAVE - JETËN IA FALI KOSOVËS (10.12.2014)
PSE NUK JAM ANTIMYSLIMAN“Sa më shumë të njihni veten, aq më shumë durim do të kini ndaj çfarë konstatoni tek të tjerët”. Erik EriksonNga VIKTOR MALAJ (10.10.2014)
FOTOLAJM - VITI KUR NGJELA KRIJOI PARTIN KIS DHE RAMA E MBËSHTESTE (10.10.2014)
DJEMTË E FSHATIT TIM LOZIN TAVËLLNga ANDON ANDONI (10.08.2014)
LUIGJ GURAKUQI - ZADHANËSI I IDEALEVE KOMBTARE, SHEMBËLLTYRA E VIRTYTIT POLITIK, FRYMËZUES I KULTURËS E I QYTETNIMIT EVROPIANNga KOLEC ÇEFA (10.08.2014)
RINGRITJA E PD APO 20% I PDNga LORISA YLLI (10.07.2014)
ME SHOKUN E RINISË, GJETO VOCAJ, PAS 60 VJETËSH…Mbresa nga MURAT GECAJ (10.07.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart]