E Enjte, 03.28.2024, 09:36am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
FALEMNERËS BABË!
Nga LUMNIKA KACELI

E Djelë, 10.19.2014, 01:30pm (GMT+1)



Në kuadrin e 100-vjetorit të lindjes së "Piktorit të Popullit" Sadik Kaceli janë organizuar disa aktivitete në lidhje me krijimtarinë e tij artistike në fushën e arteve figurative, krijimtari, e cila përfshin një periudhë shtatëdhjetë vjeçare. Ndërmjet tyre është dhe hapja së fundi e ekspozitës retrospektive të tij, në Galerinë Kombëtare të Arteve Figurative në Tiranë. Sadik Kaceli pati një jetë relativisht të gjatë dhe brenda kësaj periudhe kohore pati gjithashtu një krijimtari të bollshme artistike. Pra, kësaj jete të gjatë tetëdhjetëegjashtë vjeçare që ai e jetoi si individ, si bir, si vëlla, si bashkëshort, si prind, si edukues, si qytetar, si mik, si njeri .... i duhen superpozu edhe shtatëdhjetëvjetët e fundit të krijimtarisë. Për këtë hark kohor të aktivitetit të tij artistik është folur shumë dhe gjithsecili ka mënyrën e tij të reflektimit. Nga kritika e tanishme vihet re një farë tendence për ta vendos këtë artist në një pozicion si lidhës mes orientit e oksidentit në fushën e arteve figurative. Kjo kryesisht bazuar në krijimtarinë e tij të hershme të viteve '30, ku paraqet si gra të mbuluara të asaj kohe në Shqipëri, po ashtu dhe nudo që si student duhej t'i realizonte gjatë viteve të Akademisë së Artit në Paris në po këto vite. Për hir të së vërtetës, krijimtaria e tij është shumë më e gjerë se sa vetëm fokusimi në segmente të tilla të kufizuara, të cilat i përkasin një kohe të krijimtarisë së hershme në rininë e tij, realizuar nga artisti për qëllime të caktuara. Mendoj se duhet parë më në kompleks krijimtaria e tij artistike shtatëdhjetë vjeçare. Gjithsesi secili është i lirë të reflektojë në mënyrën e vet mbështetur në njohuritë e tij, thellimin që bën në veprën e artistit, këndvështrimi i tij personal, intelektual, fetar, moral etj. Pavarësisht të mendimit tim personal mbi krijimtarinë e plotë të Sadik Kacelit, nuk qe qëllimi im në këtë shkrim për t'u ndalur në këtë pikë. Ia lë këtë gjë kohës, kritikës objektive artistike. Jo më kot përmenda në fillim të këtij shkrimi se Sadik Kaceli krijoi vetëm për rreth shtatëdhjetë vjet në fushën e artit figurativ, por jetoi tetëdhjetëegjashtë vjet dhe brenda kësaj jete pothuajse shekullore jetoi dhe kontribuoi në shoqëri mbase akoma edhe më tepër si njeri, si edukator, si qytetar. Eshtë e qartë se para se të jemi artistë apo çfardo lloj profesioni tjetër në fushat e jetës, së pari jemi njerëz. Mendoj se jeta që na është dhuruar duhet konsideruar si një detyrë, si një mision i rëndësishëm per secilin që me aq sa mundet të përpiqet për përmirësimin e shoqërisë njerëzore. Dhe kushdo mund të bëjë diçka në mënyrën e tij, mund të lë gjurmë, pavarësisht prejardhjes, statusit shoqëror, profesionit etj., mjaft të inspiroje në këtë drejtim. Në këtë konteks profesionin e shoh më shumë si një instrument, një prej elementëve që na ndihmon, ta ndërtojmë jetën në atë mënyrë se si ne e perceptojmë atë. Për këtë arsye mendova të ndalem fare shkurtimisht, pikërisht në kontributin që Sadik Kaceli ka dhënë si njeri, qoftë në jetën e tij personale qoftë edhe në aspektin si prind, si edukator, si qytetar. Kjo parë nga pozicioni im si bijë e tij, nëpërmjet disa episodeve apo ngjarjeve që kanë lënë mbresë tek unë në atë periudhë pothuajse gjysëm shekullore që jetova me të.

Ishte fillimi i viteve '50, kur terrori komunist po e profilonte edhe më mirë karakterin e tij gjakatar. Incidenti i bombës në ambasadën sovjetike të vitit '51 në Tiranë, mori jetën e njëzetedy qytetarëve të ndershëm e të pafajshëm, plagosi kaq familje, u rritën kaq e kaq jetimë. Por bisha komuniste nuk ngopej me kaq. Sundimi i terrorit të kuq kërkonte mënyra akoma edhe më të sofistikuara për të shkaktuar akoma më shumë viktima të reja të pafajshme, për të mbjellë akoma më shumë terror e frikë. E për të realizuar këto qëllime diabolike, i duheshin sigurisht veglat e saj të verbërta... Në një nga ambjentet e një ekspozite të atyre viteve dikush pa rënë sy e tërhoqi Sadik Kacelin në një ambjent mënjanë. Iu prezantua dhe pa shumë zbukurime hyri në temë direkt. Ishte agjent i Sigurimit të Shtetit dhe i kërkonte Sadik Kacelit të punonte dhe ai për të. Iu kujtua se ishte vëllai i Jonuz Kacelit të sapo pushkatuar në incidentin e bombës në ambasadën sovjetike. Sa për dijeni, Jonuz Kaceli, pasi qe pushkatuar në qelitë e Ministrisë së Brendshme, u lidh ashtu i vdekur me 21 të gjallët e arrestuar të tjerë e u ripushkatua bashkë me ta në afërsi të Tiranës atë natë të errët shkurti. E tashti ky Sadik, vëllai i Jonuzit, xhaja i Fadilit të arratisur, bir i familjes së mirënjohur tregtare Kaceli, një nga familjet më të vjetra autoktone të Tiranës përbënte një profil të përshtatshëm për Sigurimsat për realizimin e planeve të tyre. Njerëzit e serës së tij, duke e njohur Sadikun si njeri të ndershëm e besnik, që rridhte nga një familje fisnike me tradita patriotike, me "biografi të keqe" për kohën, do t'i konfidoheshin atij, do të qanin hallet e dertet e tyre që nuk ishin të pakta në ato vite. Këtë gjë padyshim ata nuk mund t'a bënin as me Sigurimsat, as me komunistat as me Kryesinë e Frontit Demokratik. E detyra e Sadikut duhej të ishte t'ua përcillte xhelatëve hapjen e sinqertë të zemrës së tyre të vuajtur, rrëfimet e moskënaqësitë e tyre të drejta. Por ata i kishin bërë hesapet jo mirë. I premtun Sadikut nga më të ndryshmet, nga më të paarritshmet e asaj kohe si shpërblim. Ishte e pamundur. Kur e panë se nuk ia dolën me premtime ia nisën me kërcënime, deri me revolver tek koka. Pak a shumë parulla "O me ne, o kundra nesh".

Kur erdhi në shtëpi, nuk e njoha Sadikun, tregonte nëna ime mirë, shumë shumë vite mbas monizmit. Fytyra e Sadikut ishte nxirë, tregonte ajo, thënë kjo jo vetëm në mënyrë figurative. E thirrën edhe disa herë të tjera, duke i bërë presion të rëndë psikologjik. "Njëherë do të vdes kishte thënë babai i katër fëmijëve, po qe se duhet të vdes në këtë mënyrë, ky paska qenë fati im. Nuk dua t'i hyj në hak askujt. Kam frikë Zotin!" I druhej babai im i mirë asaj dite, kur do të dilte para Tij. E panë se ishte e pamundur as me premtime as me kërcënime jete i thanë së fundmi, atëherë nënshkruaj se nuk do t'i tregosh kurkujt për sa folëm, gjë të cilën e bëri. Vonë, vonë në vitet e demokracisë e kemi dëgjuar këtë histori të dhimbshme. U mbyll në vetvete dhe punonte shumë për të mbijetuar vetë i gjashtë, gruaja e papunë e katër fëmijë. Vetëm besimi tek Zoti më ka dhënë forcë, thoshte ai. Megjithë "biografinë e tij të keqe" pjesërisht të trashëguar e pjesërisht falë sjelljes së tij të ndershme, (kjo gjithmonë sipas Kodit të Moralit komunist), ai sillej mirë me të gjithe, besnik e i ndershëm në maksimum me këdo, i donte shokët sinqerisht, të cilët mund t'í përkisnin shtresave të ndryshme sociale, profesioneve, racave, prejardhjes, niveleve nga më të ndryshmet. Falë edukatës e bindjeve të tija fetare e morale, ai i respektonte njeriun, thjeshtë si njeri, si krijesë, pa asnjë lloj paragjykimi qoftë edhe të imponuar prej kohës së atëhershme. Shokë a miq të tij të vjetër që ishin zhdukur prej vitesh burgjeve a internimeve të komunizmit, qofshin ato borgjeze apo ish-komuniste, ai i takonte hapurazi në mes të sheshit me të njëjtën dashuri e sinqeritet ashtu si i kish dashur gjithmonë. E mos harrojmë se ishin vitet e tmerrshme të monizmit, ku vetë Sadiku e familja e tij kishin hequr mjaft e ishin në shënjestër. Nuk do e harroj kurrë një citim mjaft domethënës të Dritëro Agollit në aktivitetin që organizoi Lidhja e Shkrimtarëve e Artistëve në vitin 1994, me rastin e 80-vjetorit të lindjes së tij. Ishin vitet e para të demokracisë, ku Parlamenti e gjithë shoqëria "vlonte" nga të katër anët. Ishin aty të pranishëm nga të gjitha llojet e njerëzve: parlamentare komuniste e parlamentare demokrate, artistë e punëtorë, intelektualë, të rinj e të vjetër. "Që Sadiku që na bashkoi sot të gjithëve neve këtu", tha me sinqeritet Dritëroi. E vërtetë që një takim i përbashkët tejet miqësor prej të gjithëve. Atë që nuk e bënte politika e kishte bërë në atë çast pikërisht natyra humane e paqësore e Sadikut që e donte njeriun pa dallim, e respektonte atë, e ndihmonte atë qoftë edhe me një fjalë a me një këshillë. Sa i dashur ishte në familje e në rrethin familjar. Sa me dashuri e butësi na rriste e na edukonte ne fëmijët. Përveç principeve bazë të edukimit që ishin themelore për të, na ushqeu neve gjithashtu edhe dashurinë për të bukurën, për përparimtaren. Në ato vite të errëta kur ndër të tjerat, udhëtimi jashtë shtetit për klasën tonë ishte më se i pamundur (e krahasueshme për mua sot të mendoj për një udhëtim në kozmos), babai jonë na fliste e na fliste pa u lodhur për Parisin, për shokët e tij studentë, për jetën studentore, për rrugët, parqet, kafetë, muzetë e Parisit, ekspozitat, takimet e tij me artistë të dimensioneve botërore qysh në atë kohë. Mbresat e tij për Parisin ishin të pafund. Ishte një lloj nevoje e brendshme shpirtërore e tij, një farë soj mbijetese kulturore për të treguar mbi Parisin, por edhe "një lloj lëngu jetësor" për edukimin tonë. Përpiqej babai jonë i mirë për t'i dhënë sa të mundë një kolorit të gëzueshëm atij realiteti të zymtë të kohës. I tregonte vazhdimisht mbase të njëjtat histori, por aq bukur, aq me ndjenjë, aq me dashuri tregonte për mbresat e atij qyteti të madh të zhurmshëm, kryeqyteti i artit të asaj kohe, sa të dukej gjithmonë sikur i dëgjoje ato histori për herë të parë, përjetoje mbresat e tij me një vërtetësi të çuditshme. Ishte vetëm disa vite më parë që unë vizitova Parisin për herë të parë. M'u duk vetja çuditërisht sikur kisha qenë prej vitesh këtu. Pata ndjesinë si rikthim në një realitet mjaft të njohur, këtë herë jo virtual....

Babai jonë, Sadik Kaceli të edukonte me vepra, fliste pa fjalë, e përçonte mirësinë e tij tek tjetri në një mënyrë krejt të pasforcuar, më saktë e thënë: buronte natyrshëm mirësi nga personi i tij. Vetë prezenca e tij shembulli i tij personal, modestia e tij të impononte respekt, ishte e pamundur të silleshe keq në prani të tij a t'i thyeje zemrën, a ishe fëmi, adoleshent apo madhor. E jo vetëm në prani të tij, por qoftë edhe me mijëra kilometra larg prej tij të ishe, prap ndjeje peshën e përgjegjësisë morale të këtij prindi të mirë. Dikur mbas viteve të demokracisë shkova për herë të parë jashtë shtetit. Mundohesha të isha sa më e kujdesshme në çdo aspekt. Tashmë nuk ishte më ajo frika mbytëse, e imponuar artificiale se mos bëj ndonjë lapsus, dhe ndëshkohem unë dhe familja ime nga sistemi komunist i atëhershëm. Jo, ishte një lloj sedre, një lloj përgjegjësie tjetër shumë herë më e fuqishme se frika, ishte një ndjenjë që rridhte natyrshëm: ishte ndroja se mos nuk po përfaqësoja si duhet vehten time, familjen time, atdheun tim Shqipërinë. Dikush më ironizoi miqësisht: T'i sikur je ambasadorja e Shqipërisë! Jo. Unë isha thjesht një njeri anonim në shoqërinë Perëndimore, që as më njihte e as njihja askënd. Por ndjenja që prindët na kishin edukuar për me e dash atdheun, popullin tënd kudo që të jesh të mundohesh sa më denjësisht ta përfaqësosh atë, ishin rrënjosur fort tek unë. Thellë-thellë në qenien time, ideja se mund të dëmtoja sadopak imazhin e prindërve të mi, punës së tyre të palodhur për edukimin e fëmijëve të tyre, si dhe të gjeneratave të fëmijëve që ata kishin edukuar si mësues, më ndiqte gjithmonë pas.

I jam mirënjohëse prindërve të mi, i jam mirënjohëse babait tim të mirë Sadik Kaceli, i cili më parë se të na mësonte të mbanim lapsin a penelin, na tregoi, nëpërmjet sjelljes, modestisë, ndershmërisë e dinjitetit të tij modelin më të mirë prindëror.

Ndaj më parë se t'i jem mirënjohëse Sadik Kacelit për atë pjesë me vlerë të krijimtarisë së tij artistike, i jam mirënjohëse së pari për kontributin që ai i dha shoqërisë njerëzore ...si njeri!

Falemneres babë për gjithçka të mirë që përçove tek ne!

Lumnika Triest Kaceli

LUMNIKA KACELI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
35 VJET MË PARË NËNË TEREZA VLERËSOHEJ ME ÇMIMIN NOBEL PËR PAQEN (10.19.2014)
Nderim:SELIM MATOSHI, AUTOR I NJË â€œTRILOGJIE” PËR ARSIM-KULTURËN, NË MALËSINË E GJAKOVËSNga Prof. MURAT GECAJ (10.17.2014)
KOSOVA NË GJENDJE KOMENga SADRI RAMABAJA (10.16.2014)
NË STUTTGART HAPET RADIOSTACIONI 'DRITA KOSOVA'Nga XHAFER LECI (10.16.2014)
GUXONI - ATA NA KANË FRIKËNga GERT ÇARÇANI (10.14.2014)
FYLE - DARKA E 'KROKODILIT' MUND TA NDRYSHONTE SHQIPËRINË, PROGRESI I VENDIT DO TË ISHTE I MADH (Intervistë) (10.14.2014)
BEKIM BERISHA ABEJA, HEROI LEGJENDAR I TRI LUFTËRAVE - JETËN IA FALI KOSOVËS (10.12.2014)
PSE NUK JAM ANTIMYSLIMAN“Sa më shumë të njihni veten, aq më shumë durim do të kini ndaj çfarë konstatoni tek të tjerët”. Erik EriksonNga VIKTOR MALAJ (10.10.2014)
FOTOLAJM - VITI KUR NGJELA KRIJOI PARTIN KIS DHE RAMA E MBËSHTESTE (10.10.2014)
DJEMTË E FSHATIT TIM LOZIN TAVËLLNga ANDON ANDONI (10.08.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart�]