VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KOSTË ÇEKREZI DHE E PARA HISTORI E SHQIPËRISË NË GJUHËN ANGLEZE
Nga ANDON ANDONI

E Hënë, 10.27.2014, 02:10pm (GMT1)



Në fshatin e lindjes, në Ziçisht, pothuaj nuk flitej fare për Kostë Çekrezin, edhe pse deri nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar, jetonin në një shtëpi të vogël buzë lumit, e ëma, Thomaidha, dhe tezja e tij, Thimia, të cilat i thërrisnin shkurt Çekrezkat. Ndoshta vetëm më të moshuarit, vërsnikët e tij, e përmendnin aq sa ç'e përmendte dhe historia e asaj kohe: si një nga udhëheqësit e Kryengritjes së Fierit që donte të përmbyste regjimin e Ahmet Zogut. Edhe pse në këtë pikë, si kundërshtarë të mbretit, bashkoheshin si Çekrezi dhe komunizmi i Enver Hoxhës, Kostë Çekrezit për afro gjysmë shekulli i qe fshirë emri nga historiografia zyrtare, ndonëse ishte pjesë e pandarë e "kuartetit" të famshëm të shqiptarëve të Amerikës. Tok me Fan Nolin, Faik Konicën dhe Kristo Dakon, i katërti ishte Kostë Çekrezi. Por, ndryshe nga sjelljet politike fleksible të dy të parëve, Kostë Çekrezi ishte dhe mbeti deri në fund të jetës jo vetëm një antimonarkist, por edhe një antikomunist i zjarrtë.

Kështu pra, ndonëse i njohur gjithandej në diasporën shqiptare dhe në qarqet politike përtej Atlantikut, emri i Kostë Çekrezit në Shqipëri e në vendlindje u mbulua nga misteri dhe heshtja e pamerituar. Për fat të keq, edhe pas rrëzimit të regjimit totalitar komunist, kontributi i çmuar atdhetar i Çekrezit vijon të mbetet edhe sot i pazbuluar. Vetëm shkrimtari Sotir Andoni, që e kishte njohur në fëmijëri Kostën, hodhi disa rreshta rreth tij në një libër me kujtime, botuar në fillim të viteve '90.

Nisma e shtëpisë botuese "Naimi", e përkthyesit Arben P. Latifi, me përkthimin cilësor, mbështetur si projekt nga fondacioni kulturor "Fan Noli", si edhe botimi i veprës "Shqipëria: e shkuara dhe e tashmja" - Albania: past and pressent" (1919), e para histori e Shqipërisë e shkruar prej një shqiptari në gjuhën angleze, e cila qarkulloi e vetme për shumë vjet në kancelaritë perëndimore, duke e sjellë edhe në tavolinat e lexuesit shqiptar në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë, është e para gjë serioze që u bë për Kostë Çekrezin.

Sipas citimeve të publicistit Mujë Buçpapa, "Albania: past and pressent" e Kostë Çekrezit, ishte libri kryesor, që mbante në tavolinën e punës ish-presidenti amerikan Bill Klinton, përgjatë kohës së luftës së Kosovës në 1999.

Kostë Çekrezi lindi në Ziçisht të Korçës në 31 mars 1892, sipas deklarimit të tij në regjistrimin e vitit 1942 në Boston, ku jetonte si shqiptaro-amerikan, pasi ishte arratisur nga kampi i përqendrimit "Le Vernet Internment Camp", në Francë. Pasi kreu studimet në gjimnazin grek të Korçës, në qershor të vitit 1910, një ndër gjimnazet më në zë të kohës, së bashku me "Zosimean" e Janinës dhe atë të "Andrianopojës", Çekrezi fitoi të drejtën të vijonte Shkollën e Lartë Turke të Selanikut për drejtësi. Studioi vetëm një vit e gjysmë, në 1910-1912, dhe në fund të 1912, me shpalljen e Pavarësisë, kur shpirti i tij atdhetar tashmë ishte zgjuar, u kthye në Vlorë. Dhe sipas tij ky njeri (Çekrezi) ; "që rrinte në buzën e detit, një njeri që s'kishte tjetër emër veçse Shqiptar, me sytë e ngulur mbi valët që vinin e iknin të shkumbëzuara dhe i thëthitur në mendime të dëshpëruara", u zgjua nga një lajm, "Duke hapur me hidhërim gazetat, meqë kish frikë se këto do t'i shtonin helmin duke lajmëruar zaptimin e qyteteve të tjerë të Shqipërisë, mbet i mahnitur prej një lajmi që e shkruanin të gjitha gazetat. Ishte një lajm që i pruri lot në sytë, po këtë herë lot gëzimi, që i mbushi shpirtin plot ngazëllim dhe që i dëboj q'andej gjithë mendimet e zymta duke i prerë me nënshtypjen e saj të pamasëshme, fuqin' e fjalës; disa kohë mbeti i nemitur dhe vetëm syt' e tij ishin ngjitur mbi këtë lajm të gazetave" .

Në 1913 deri në vjeshtën e 1914, Vlora bëhet vendlindja e dytë e Kostë Çekezit. Vetëm 21-vjeçar ai punon si sekretar i Gjykatores Civile të Vlorës dhe më tej, emërohet dragoman (sekretar-përkthyes) i Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit pranë Qeverisë së Ismail Qemalit dhe më vonë, Princ Vidit. Pas largimit të Princ Vidit, në tetorin e po këtij viti niset për në Amerikë, i ftuar nga shoqëria Pan shqiptare "Vatra", për t'u bërë editor i gazetës "Dielli" në Boston, duke e bërë atë të përditshme. Mori vlerësime të shumta nga bashkëkombësit, madje dhe nga kundërshtarët e tij politikë, si një "punëtor që i kishte shokët të rrallë".

Jeta aktive në Uashington e bën të njohur në qarqet politike e diplomatike të kohës, duke qenë njeriu i parë shqiptar që përfaqësonte diplomacinë e Shqipërisë, pas Kongresit të Lushnjës, në këtë vend të madh të lirisë dhe demokracisë. Ndërkohë plotëson shkollimin e tij në Harvard (1916-1918), duke u regjistruar vetëm mbi bazën e dy rekomandimeve të profesorëve të njohur, pa paraqitur dot dëftesën e shkollimit të gjimnazit, dhe duke përbërë kështu një nga rastet më të rralla në historinë qindravjeçare të universitetit më prestigjioz të kohës. Diplomohet në 1918 në Bachelor of Arts dhe punon si profesor i historisë në "Colombia University".

Deri në 1922, ai është i pari përfaqësues që më 2 mars 1920, si i akredituar pranë Qeverisë Amerikane nga qeveria e Kongresit të Lushnjës, si Komisioner i Shqipërisë në Uashington. Në 1925 kthehet në Shqipëri dhe boton në Tiranë gazetat "Telegraf" dhe "Ora" deri në 1932. Kundërshtar i Zogut në disa prej koncesioneve dhe bankave italo-shqiptare, i burgosur dy herë, bëhet njeriu më aktiv në organizimin e kryengritjes së Fierit, por, me dështimin e saj, detyrohet të emigrojë nëpër Evropë deri në vjeshtën e 1941. Kthehet në Amerikë dhe tashmë më i pjekur politikisht, themelon shoqërinë "Shqipëria e Lirë", duke pretenduar të njihej si president i Qeverisë së saj në mërgim dhe duke bërë hapa të mëdhenj në drejtim të njohjes së Shqipërisë nga Uashingtoni. Puna e tij në këtë drejtim është e palodhur dhe jashtëzakonisht këmbëngulëse. Më 1945 tërhiqet nga drejtimi i "Shqipëria e lirë". Një mbështetës i paepur i demokracisë dhe lirisë, ai, edhe pse i tërhequr, "e mban gishtin në damarin e lëvizjes kombëtare shqiptare".

Ndërkohë, si botues dhe hartues tekstesh, që nga "Këndime për rrjeshtnë e fundit të shkollave filltore" (1921), fjalorët anglisht (1923), frëngjisht (mbeti dorëshkrim), dhe tekstet e Historisë, duke veçuar të parin libër si të tillë në gjuhën angleze të shkruar nga një shqiptar, "Shqipëria: e shkuara dhe e tashmja"-Albania: past and pressent" (1919), K. Çekrezi mbetet në termat e një "botonjësi të suksesshëm", sipas Nolit.

Bashkëpunëtor dhe njëkohësisht kundërshtar i Nolit dhe Konicës, zotërues i më se shtatë gjuhëve të huaja, që nga frëngjishtja dhe anglishtja, greqishtja, turqishtja, dhe më pas latinishtja e italishtja, gjuhë në të cilën boton në gazetën "La Italia", dhe deri tek gjermanishtja, e pohuar në citimet që bën ndaj Hanit dhe Joklit, e ngrënë në radhën e intelektualëve të spikatur. Në janar të 1942-it, kur Churchilli dhe Rusvelti organizuan një ceremoni nënshkrimi në Uashington të një Marrëveshjeje të Kombeve të Bashkuara, siç i quajti Presidenti 26 vendet, të cilat ishin në aleancë dhe që angazhoheshin për të mbështetur luftën dhe për të rikonfirmuar qëndrimin pro Kartës së Atlantikut, në emër të Shqipërisë këtë dokument e firmosi Kostë Çekrezi. Në vitin 1951 Kostë Çekrezi botoi në Uashington analizën politike "Plani i tretë për copëtimin e Shqipërisë".

Bashkëpunues me figurat më në zë të kohës, që nga Ismail Qemali, vëllezërit Konica, Noli, Dako, dhe deri tek më të rinjtë, në vitet '30 dhe sidomos me figurat e diplomacisë amerikane në nivelet më të larta të saj (Sekretarin e departamentit të shtetit) dhe të huajt, flasin për një personalitet politik letrar dhe patriotik ndër më të spikaturit e kohës. Në vitet e fundit të jetës, siç kanë dëshmuar bashkëfshatarët e tij të ndodhur në Boston, mbeti pa asnjë mbështetje financiare dhe kërkonte borxh nëpër bashkëfshatarët e Amerikës. Një ditë, njëri prej tyre, i tregon se kishte lexuar në gazetë që një amerikane kërkonte të njihte Çekrezin. Nxitoi në bibliotekë. Gjeti gazetën me lajmërimin përkatës dhe shkoi në adresën e dhënë në njoftim. Sapo u takuan filluan të qanin në krahët e njëri-tjetrit. Ajo zonjushë ishte e bija e tij jashtë martese dhe për të cilën po mësonte pas njëzet vitesh... Ajo quhej Georgia Leila Tovar dhe jetonte aso kohe në New York.

Kostë Çekrezi, ky njeri zemërmadh, patriot dhe intelektual i dorës së parë, siç mund të konstatohet lehtë edhe nga veprat që botoi apo la në dorëshkrim, vdiq në Arlington, Va, të shtunë, me 10 janar, dhe u varros në Boston, të premte, më 16 janar 1959. Shërbesa e varrimit u bë në kryekishën Shën Gjergji prej Hirësisë së Tij, Kryepeshkopi Fan Stylian Noli, i ndihmuar prej Ikonom At Christ Ellis, Ikonom At Sokrat Sotir prej Worcester, Mass dhe at Vasil George i Kishës Kombëtare në Natick, Mass.

Sipas artikullit të "Diellit", mësohet se shkaku i vdekjes ishte një goditje në zemër. Kostë Çekrezi ishte në dhomën e tij në godinën Calrendon Trust Co, Arlington, Va, kur pësoi goditjen në zemër dhe ndërroi jetë në moshën 67-vjeçare. Çekrezi pati kundërshtar numër një Ministrin e Mbretit në Washington, Faik Konicën, por si për ironi të fatit, varret i kishin pranë e pranë. Së paku të pajtoheshin në jetën e përtejme!

"Dielli" shkruan: "Patrioti i mirënjohur u varros në Forest Hills Cemetery, në një vend të lartë, jo shumë larg varrit të Faik Konicës. Një udhë e vogël i ndan të dy patriotët."
Në ceremoninë mortore, peshkop Fan S. Noli mbajti një fjalim të shkëlqyer mbi jetën dhe veprën e Kostë Çekrezit; ai e quajti Kostë Çekrezin "burrë shteti, që kishte luftuar gjithë jetën e tij për kombin dhe ky Djalë i Madh i Shqipërisë vdiq fukara".

Tiranë, tetor 2014
ANDON ANDONI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.