VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - KËSHILLAT E MARSHALLIT DE BELE-ISLE BIRIT TË VETNga VELI HAKLAJ

                                                                                      

E Mërkurë, 04.24.2024, 02:55pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
KËSHILLAT E MARSHALLIT DE BELE-ISLE BIRIT TË VET
Nga VELI HAKLAJ

E Mërkurë, 10.29.2014, 02:50pm (GMT+1)



Letra që po u paraqitet sot lexuesve të "Gazeta shqiptare" gjendet në arkivat e Ministrisë së Luftës Franceze. Më 1826 ka qenë botuar prej së përkohshmes "Spectateur Militaire" dhe prej "Durat Lasselle". Biografët Cbabert, më 1856 dhe Lecbere më 1862, kanë folur mbi rëndësinë e kësaj letre. Kurse Camille Rauset me veprën e tij që i ka kushtuar Kontit Gisors(1), më 1962, thekson rëndësinë e madhe të kësaj letre. Ministria e Luftës Franceze i ka dhënë një rëndësi të posaçme dhe e ruan në arkivat e një departamenti që ka marrë emrin: "Departamenti i Forcave Morale".
Në këtë letër që i është dërguar Kontit de Gisors, bir i vetëm i Marshallit de Belle-Isle, gjejmë një kryevepër urtësie dhe disipline.

Ky artikull i përkthyer prej frëngjishtes nga bashkëpunëtori i "Rivistës Ushtarake" Dhimitri Basho dhe i botuar në këtë revistë më 1938 (nr. 90-91, f. 572-580), meriton të lexohet prej të gjithë punonjësve të strukturave të sigurisë kombëtare dhe publike, por jo vetëm. Kjo, sepse në vendin tonë mënyrat e promovimit në karrierë, sjellja e nëpunësve ushtarakë dhe civilë, sidomos e disa drejtuesve në raport me vartësit dhe eprorët, raportet që krijojnë këta nëpunës me qytetarët gjatë ushtrimit të detyrave funksionale, akoma dhe sot e kësaj dite lënë shumë për të dëshiruar.

Këtu, në këtë letër mallëngjyese, ku baba i flet me fjalë të ëmbla djalit të vet, ndonëse është kolonel, shihen me të vërtetë angazhimet e marra prej një oficeri me ndërgjegje, kundrejt mbretit e atdheut, posa të kalojë prej rangut të pavarur në rangun ku kryeson disiplina. Letra rekomandohet edhe më tepër për t'u lexuar, sepse në të nuk ka shenja hipokrizie apo ambicie, mbasi është baba (Marshall) që i flet të birit (kolonel).

Letra Marshallit de Belte - Isle, birit të vet

Regjimenti që mbreti të besoi është një nga më të mirët e ushtrisë sonë; nënkoloneli i tij është një ushtarak i ndershëm me një shërbim të gjatë e të shkëlqyeshëm; gjithë kapitenët e regjimentit janë më të moçëm nga ti dhe nuk është asnjë prej tyre që, po të mirren parasysh shërbimet personale, nuk meriton më tepër se ti t'emnohen kolonel; tani pra ti po shkon si kryetar i tyre; mendimi i sipërm nuk duhet të të dalë kurrë nga mendja.
Nuk të them: që të kërkosh stimën e trupës që do të komandosh, ky maksim është tepër trivjal; por të them: përpiqu të meritosh dashurinë e trupës që do të komandosh. Çdo kolonel që përfiton këtë ndjesi kryen me lehtësi edhe gjërat më të vështira, por ai që nuk e ka, kryen me shumë vështirësi edhe gjërat më të lehta. Përpiqu pra, biri im, që të të duan dhe ke për të parë se roli i rëndë i kolonelit, ka për të qënë për ty një lodër dëfryese. Gabohesh trashanikisht në qoftë se mendon se për të përfituar dashurinë e regjimentit duhet të lësh disiplinën mbas dore ose të tregosh një butësi ekstreme për dëshirat e gjithë oficerëve të regjimentit; kjo mënyrë nuk ka për të qenë as e sigurt as ngadhënjyese. Ke për të gabuar më tepër po të mendosh se vetëm një virtyt sado i lumtur dhe i shkëlqyeshëm që të jetë do të mund t'u pajtojë me këtë ndjenjë. Sikurse nuk janë vetëm sytë e një gruje ata që na tërheqin, por e tëra, harmonija e gjithë vijave që e përbëjnë, po kështu, është bashkimi i virtyteve dhe i diturive, që do t'u flas në vijim të kësaj letre, të cilët kanë për të lidhur me dashurinë e regjimentit tënd.
Kij për nënkolonelin tënd nderimin më të madh, mos jep asnjë urdhër pa u këshilluar me të; këtë këshillë, këtë urdhër, ta kam dhënë shumë herë, kam për ta përsëritur sa herë që të më paraqitet rasti, por nëse simbas shembullit të disa komandantëve të rinj, ke për t'i munguar nderimit dhe përfilljes së nënkolonelit tënd, ke për të shkaktuar që të kem për ty përshtypjen më të keqe dhe ke për t'u bërë viktima e pa urtësisë sate; regjimenti yt, i ndarë midis teje dhe atij, ka për të qenë shkak i shumë bisedimeve të turpshme, e kur të ngjasë kjo, s'ke pse shpreson për asnjë gjë të mirë.
Kij për kapitenët e vjetër nderim të posaçëm, këshillohu shpeshherë me ta, shfaqu miqësi dhe besim. Ji kujdestari, miku, baba i oficerëve të rinj; duaj nënoficerët dhe ushtarët e vjetër, folu shpeshherë e çdo herë me butësi, e nga ndonjëherë këshillohu me këta; një komandant regjimenti ka për të përfituar çdo herë nga ky popullaritet, shumë herë më ka vlejtë edhe mue.
Studio, njih me themel gjithë oficerët e regjimentit tënd; po të mos e kesh këtë njoftim ke për të gabuar çdo ditë, ke për të përzier modestin me mungesën e talentit, besimin që ka njeriu në forcën e karakterit të tij me një dijeni superfiçiale, dëshirën e rregullit të mirë me një kritikë rrenacake, dashurinë e drejtësisë e të së mirës me batakçillëkun, moderacionin me apatinë ose indiferencën dhe ashpërsinë me këmbënguljen; ke për të marrë këshilla të dhëna për interes dhe për lëvdata si këshilla të rrjedhura nga e vërteta; ke për të besuar se je duke dhënë çmim për virtytin e ke për ta dhënë për intrigën, përkrah talentet e vërtetë dhe mos ndihmo talentet false dhe të gënjeshtërt.
Mbasi t'i kesh studiuar mirë oficerët e regjimentit e mbasi t'i njohësh mirë, zgjidhë midis më të vjetërve dy miq të veçantë, të cilëve duhet t'u kesh njohur virtytet, diturinë, dashurinë e të vërtetës e të rregullit të mirë; tërhiqi këta ngushtësisht me miqësinë tënde dhe lidhi shpirtërisht me veten tënde; lejohu këtyre që të të flasin haptas për veset dhe gabimet e tua. Dëgjoji këta oficerë me kujdes, me vëmendje; kujdesohu, njëkohësisht, që të mos u japësh një besim vetëm fjalëve të tyre e t'u tregosh shumë kjartas oficerëve të tjerë preferimin që ke për këta dy oficerë; kjo vepër mund të shkaktojë armiqësira të vajtueshme.
Shpalosa para teje zheninë dhe karakterin e nacionalitetit francez, zakonet e saj, gjykimet e saj; të tregova mënyrën më të mirë që ta mbash e që ta shpirtëzosh, ta shpërblesh e ta dënosh; nuk do të përsëris këtu mësimet që të kam dhënë mbi këtë gjë, po do të them që të mos përdorësh kurrë me ushtarët e tu shprehje të ashpra, sharje, e të mos thuash para tyre fjalë jo fisnike ose të poshtra. Një kolonel që përdor para ushtarëve të tij disa nga këto shprehje poshtëron vetveten dhe në qoftë se këto fjalë i përdor me oficerët komprometohet në mënyrën më të sigurtë. Mos harro se oficerët e regjimentit tënd janë njerëz, francezë, të barabartët e tu, e që lypset, si rrjedhim, kur t'u japësh urdhëra të marrësh një ton e të përdorësh shprehje të posaçme për njerëz që kanë parasysh vetëm nderin. Beso biri im, se kjo është e vetmja mënyrë e mirë, vetëm kjo shkakton që urdhrat të respektohen, të bëhen të këndshëm, të shpejtojnë zbatimin dhe të frymëzojë ndër ushtarët besimin në oficerët e tyre, i cili besim është embrioni i një disiplinë të mirë dhe i ngadhënjimeve.
Mos përdor kurrë dënimet që nuk parasheh ligji, që shpirti kombëtar nuk i pranon, kur të jesh i shtrënguar që të dënosh të këndohet në fytyrën tënde dhimbja që ndjen për marrjen e këtyre masave të rrepta. Mos lërë të ikë nga dora rasti i lehtësirave të vogla që mund t'u bësh oficerëve të regjimentit, duke pritur rastet e ndihmave të mëdha do të shkaktosh që të mos i ndihmosh kurrë. Siç janë kujdesjet e vogla që ruajnë virtytet, ashtu janë dhe ndihmat e vogla që tërheqin zemrat. Kërko vazhdimisht dhe me gjithë shpirt shpërblimet që kanë merituar oficerët, nënoficerët dhe ushtarët e regjimentit tënd: ministrat mund të mos marrin parasysh lutjen tënde, por do të jenë mirënjohës kundrejt insistimeve që bëni dhe krejt regjimenti do t'u dojë më tepër. Mos i premto asnjë inferiori shpresa që nuk je i sigurt për t'i realizuar; ata që kanë marrë premtimin kur shohim se nuk u bëhet gjë do të thonë se nuk u kujdes për punët e tyre.
Të kam dhënë zakonin që të ngrihesh që n'orën katër të mëngjesit, mbaje këtë zakon të mirë; kurrë nuk ke për të pasur nevojë për kohën sa ke sot, pse kurrë nuk ke pasur aq studime edhe aq punë për të bërë sa ke sot. Duke u bërë kolonel shumë i ri siç duket shumë shpejt ke për të qenë oficer Gjeneral, prandaj nuk do të kesh kohë për të studiuar lëndët e mëdha të luftës, e pra që tani duhen mësuar këto; por edhe në qoftë se nuk ngjitesh në një gradë më të lartë nga kjo që ke, beso biri im, se detyra e kolonelit don njoftime shumë të ndryshme e shumë më të gjera. A mund të gjykosh talentet e tetarit po të mos i dish mirë, më mirë nga më i miri prej tyre, se cili është vazhdimi që duhet ndjekur për të formuar një rekrut; stërvitjen dhe detyrën e reshterëve, po të mos dish fare mirë detyrat me të cilat janë të ngarkuar ata? Këto që unë thashë për reshterët mund t'i aplikohen togerit, kapitenit, majorit dhe nënkolonelit; po, biri im, kur do të mundesh të jesh i aftë të zësh vendet që janë nën gradën tënde, kur do të mundësh të mbash me dinjitet atë vend që t'është besuar, atëherë mund të detyrosh të tjerët që të bëjnë detyrat e tyre.
Nuk të rekomandoj studimet e rregulloreve ushtarake, se i ke bërë më parë, por të këshilloj që të mos shmangesh kurrë nga përshkrimet e tyre. Kam për të qenë i pari unë që do të të dënoj, ose do të kërkoj dënimin tënd, në qoftë se marr vesh shmangien tënde nga rregulloret. Ligji në syrin e çdo qytetari të mirë, e çdo ushtari të mirë është gjëja më e shtrenjtë, por siç kam parë shumë shmangen nga rregulloret; t'urdhëroj apostafat që t'i mbahesh përshkrimit të ligjit plotësisht. Ndero zakonet e vjetra; po të gjesh ndonjë që abuzon, duhet me ia hequr, por duhet t'ia largosh dalëngadalë dhe me urti, përgatit me sjelljet e me ligjëratat e tua ndryshimet që don të bësh, trego përfitimet. Mos u përpiq të heqësh shumë abuzime menjëherë, në fillim kape me më të rëndësishmin, me më kryesorin. Po të trazojmë në një kohë të gjitha pjesët e një binaje që duam ta meremetojmë, e lëkundim gjithnjë dhe në çdo çast mund ta shembim fare; mos prish para se të kesh përgatitur atë që duhet të varet në vend të asaj që do të hiqet. Kij ndërmend që shumë herë bëjmë më tepër keq se mirë, kur propozojmë pa paramenduar ndryshimet, qoftë më të dobishmet qoftë kur përdorim forcën për t'i adaptuar. Pyet kurdoherë oficerët e vjetër mbi reformat që don të bësh, pse ata tërheqin me mendimin e tyre mendimin e krejt trupës.
Nuk do të flas këtu aspak mbi njoftimet e luftës, vetëm të kujtoj që historia është burimi që duhet të pish vazhdimisht, mos këndo historinë për të mësuar histori, po për të mësuar luftën, moralin dhe politikën. Historia ka qenë që në voglinë time baza e studimit tim dhe asaj i detyroj gjithçka që di. Mos i lër mbas dore shkencat matematike; unë jam i penduar që nuk i kam mësuar shumë mirë; i kam pas mësuar që shumë i ri, i kam pas dashur, kam pas bërë përparime dhe u detyrohem shumë atyre pak që di.
Je trim, e ke treguar, por ruaju, mos e tepro. Sa lot më ka kushtuar trimëria e njërit që e kam dashur(2)! Prandaj nuk dua që trimëria jote të më jetë e dhembshur.
Trimëria, që duhet të jetë cilësia e parë për një ushtarak, te koloneli duhet t'i nënshtrohet prudencës. Por, do të dua, njëkohësisht, më mirë të qaj vetëm vdekjen tënde se sa ngadhënjimin dhe nderin tënd. Kij ndër mënd se ata që të këshillojnë për të ruajtur më tepër veten tënde, do të jenë të parët që do t'u tërheqin vërejtjen, në qoftë se dëgjoni këshillat e tyre.
Duaje atdheun tënd, duaje mbretin tënd; e ke për detyrë biri im, sepse është një detyrë e imponuar për çdo nënshtetas, nga ana tjetër, tërë nderimet që më kanë bërë mua të detyrojnë t'i duash. E di që këto ndjenja janë të skalitura mjaft thellë në zemrën tënde dhe nuk më shtrëngojnë që t'i skalit më tepër.
Duaje ngadhënjimin, dhe dëshira e mbërritjes me ngadhënjim të jetë gjithmonë e zjarrtë. Ky pasion më ka mbajtur në vazhdimin e karrierës që kam bërë dhe më ka bërë të harroj që isha lindur me një shëndet delikat dhe me një trup të dobët.
Nuk do të të flas për drejtësinë, por të porosis që të kujdesohesh për drejtësinë e njerëzve të tu: Akuzojnë disa kolonelë që shesin vendet e regjimenteve, nuk besoj që kjo gjë të jetë e vërtetë; ata i japin këto vende, por janë njerëzit që i rrethojnë ata që i shesin.
Bëj që të kesh një regjiment më të mirë e më të stërvitur se të tjerët, kjo është e lejueshme për një kolonel; por mos kërko ta bësh më të bukur e sidomos ta ngarkosh me lale lule. Kujdesohu që kompanitë të jenë gjithmonë të plotësuara me njerëz të aftë për luftëra, që një mëshirë e gabuar nuk duhet të të lërë që të lejosh kapitenët të marrin rrogat e ushtarëve që nuk figurojnë në forcë, kush bën këtë dredhi gënjen mbretin dhe nuk është i drejtë. Por dhe ai që nuk ndan me drejtësi të drejtat dhe favoret e ushtarëve, dhe sidomos kur nuk ndalon deprorët që përfitojnë prej të drejtës së ushtarëve, edhe ky gënjen mbretin e tij. Kjo kujdesi, biri im, është një nga më kryesoret që duhet të ketë një kolonel.
Ji prezent në tërë shërbimet që do të bëjë regjimenti yt, ji gjithmonë i pari në pikëpjekjet (randevutë) që jep, tregohu se merresh vetëm me detyrat e tua, ji aktiv, vrojtues, ekzakt, dhe oficerat e tu kanë për të qenë punëtorë, të kujdesshëm, të zellshëm; në rast të kundërt ke për të parë një apati trishtuese e të ftohtë që ka për të pushtuar regjimentin tënd; çdo kolonel që neglizhon shkakton që edhe trupa që komandon t'i harrojë detyrat.
Mos lejo kurrë të pushtohesh prej padurimit ose inatit, pendohu gjithmonë për ata që binden në shtymjet e para të pasioneve. Do të bësh një marri?, - ka thënë me të drejtë një nga poetët tonë, - këshillohu me inatin; shpesh herë kur një komandant dëgjon inatin komprometon nderin e vet, nga ndonjëherë jetën e vet, dhe shpeshherë atë të njerëzve që komandon.
Bindu ndaj ligjeve dhe ndaj njerëzve që mbreti i ka zgjedhur për ta përfaqësuar, mosbindja është e para, më e madhja e gjitha veseve ushtarake; shpërndahet me një shpejtësi të çuditshme dhe duke u përhapur forcohet më tepër. Çdo kolonel që nuk bindet ndaj superiorëve të tij a mund të detyrojë, a mund të shpresojë që deprorët e tij t'i binden?
Tregohu si gjyq, si këshilltar, si gjykatës dhe si babë i regjimentit tënd, si njeri i drejtësisë dhe si gjykatës duhet të kujdesesh për mirëmbajtjen e ligjeve, si këshilltar e si babë duhet të kujdesohesh për mirëmbajtjen e zakoneve. Kujdesohu mbi të gjitha për këtë të fundit, gjithmonë e harruar ose shumë e neglizhuar prej komandantëve; atje ku mbretërojnë zakonet, praktikojnë ligjet dhe ajo që vlen më tepër është se i duan. Kujdesohu që t'i përmirësosh zakonet; por mos mendo se ata komandohen, tregohen, inspirohen. Autoriteti i shembullit gjindet këtu, sikurse në çdo vend, më i fortë nga ai i vullnetit; kujdesia do t'u bëjë të gjeni kot, në të tjerët, ndërkohë që mund t'i kesh edhe vetë. Nëse zakonet e tua janë të pastër edhe ato të regjimentit tënd kanë për të qenë të pastër, temperamenti yt do të forcohet, ke për të ekonomizuar shumë kohën, do të ruhesh prej shumë gjërave qesharake të vazhdueshme, nuk ke për të qenë kurrë lodra e rasteve dhe nderi publik do të të shpërblejë masat e rrepta që i ke vënë vetvetes.
Largohu prej lodrave e sidomos prej kumarit, zhduki me kujdes edhe prej regjimentit tënd, lodrat e humbasin pjesën më të madhe t'ushtarakëve.
Shih mos bësh zakon alkoolin, të bën matuf; sofra e jote të jetë e mirë por kurrë delikate; ftoj oficerët e tu duke i preferuar më tepër se nga oficerët gjeneralë, eprorët dhe nga kryetarët e tjerë; shkalla e nënrendimit të caktohet prej teje sipas shkallës së çmimit që meritojnë të ftuarit.
Kufizo shërbëtorët sipas nevojës; duhet të japësh shembullin e thjeshtësisë, të modestisë, sepse je kolonel e sepse je djali im. Ky rregull do të të kushtojë më pak se sa kujdesia që kam pasur unë për të larguar prej teje përtacinë e shijshme që i transformon në gra delikate disa nga oficerët e rinj. Nuk kam pranuar kurrë që të vinim ar ose argjend mbi kuajt, mushkat ose mbi arabat e shërbëtorëve të tu; shpresoj se do të kujtosh gjithmonë këtë thjeshtësi të vlefshme. Madhështia që i ka hije një njeriu që është ngarkuar të përfaqësoj një Mbret është një ves shumë i keq për njerëzit e luftës përgjithësisht, dhe i vajtueshëm për një kolonel; trupat e tij e kanë për detyrë ta imitojnë. Nuk kam parë kurrë pa një zemërim të fortë komandantët e rinj të regjimenteve, që tërheqin mbas tyre, në fushën e ushtrimit dhe nëpër garnizonet, luksin dhe qetësinë e pallateve, që tërheqin vërejtjen e pasurisë së veshjes së tyre, shumicës së shërbëtorëve, kuajve shumë të bukur, delikatesës së sofrës dhe që përpiqen si e si për të kënaqur veset e tyre. A është kjo një ambicie që duhet të frymëzojë komandantët e njësive ushtarake? Po heshti se do të më kapë inati; e di që këshillat e mia do të jenë më pak të nevojshme mbi këtë pikë sesa mbi shumë të tjera.
Ti nuk ke parë kurrë ndonjë njeri që të vuajë e të mos kesh pasur dëshirën t'i largosh ose t'i lehtësosh vuajtjen e tij; ruaj biri im këtë ndjenjë të vlefshme, shumë herë mund të të dëshpërojë, por shpeshherë do të japë kënaqësira të gjalla e të pastra. Këto që u rekomandoj vlejnë shumë për ngadhënjimin dhe lumturinë tënde, prandaj duhet të tregohesh kurdoherë i njerëzishëm dhe gjeneroz; njerëzimi, liberaliteti, na tërheqin e na mbajnë ndër zemrat e njerëzve me të cilët bashkëjetojmë, të cilët i komandojmë. Çdo shpenzim që të bësh për një njeri që vuan duhet ta japësh me gjithë qejf, dua më mirë që të flasin për bamirësinat e tua sesa për dijen tënde në përgatitjen e një feste, dua që të çuditen më tepër për të mirat që ke bërë sesa për heqjen e mërzive të të mëdhenjve. Kujtimi i një feste të dhënë nuk len as në mendje, as në zemër asnjë gjurmë të pëlqyeshme, por ndihma e dhënë një të mjeri len kujtim t'ëmbël. Nuk kundërshtoj që të shpërndash në disa raste me rëndësi një dhuratë të përgjithshme ndër ushtarët e regjimentit tënd; ka për të më pëlqye më tepër sikur ato të holla t'ua jepje të plagosurve ose atyre që kanë bërë ndonjë vepër të çuditshme ose duke përmbushur detyrën e tyne kanë pësuar ndonjë humbje të madhe. Mos lerë të kalojë asnjë rast pa parë të sëmurët e regjimentit, foli çdo të sëmuri me mirësi, dëgjo ankimet e tyre dhe kujdesohu; dëgjo dhe tregimin e dhimbjeve të tyre, kjo mirësi ka për ta ndihmuar si ilaçi shërimin e tyre. Vizito shpeshherë të burgosurit e regjimentit; njeriu fajtor duhet të dënohet, por jo të mbyllet në një vend të pashëndetshëm. Nuk të them që të ruash në fushën e luftës gjakun dhe mundimet e ushtarëve tuaj; por një komandant që për t'i dalë një famë e mirë mundon ushtarët dhe i rrezikon kot, nuk meriton të jetë njeri, dije se ngadhënjimi që fitohet nën këto kondita nuk është as i bukur as i qëndrueshëm.
Kolonelët francezë janë të dallueshëm në të gjithë Europën për politesën e tyre; jam i sigurtë se dhe për ty nuk do të bëhet përjashtim, e cila gjë kishte me qenë një fyerje për ty. Nuk më duket të jesh nën shokët e tu, do t'i kalosh, shumica e kolonelëve janë të njerëzishëm vetëm me gratë dhe superiorët e tyre dhe me kolonelët e tjerë, ti do të jesh i njerëzishëm dhe me deprorët e tu. Ti nuk do t'u flasësh oficerëve të regjimentit tënd dhe kurrë ti nuk do të flasësh me ta me atë ton urdhërues dhe të parëndësishëm, sikurse bëjnë disa komandantë. Duhet ta dish, po ta përsëris dhe një herë, se shumë prej deprorëve të tu meritojnë më tepër se ti për të komanduar një regjiment, shumë prej tyre kanë një origjinë më të vjetër e më të shkëlqyeshme nga e jotja dhe grada më lartë nga e jotja u ka munguar vetëm për pak pasuri ose fat. Ji pra i afrueshëm, i dashur, i njerëzishëm, por më tepër kundrejt deprorëve sesa kundrejt atyre me të cilët ke një gradë të njëjtë, mirësjellja kundrejt atyre me gradë të njëjtë është më tepër një politikë e zgjuar, por mirësjellja kundrejt deprorëve është një shenjë e mirësisë së zemrës. Lëvdatat që kam marrë nga se nuk kam dashur që të imponoj autoritetin tim me forcë, duhet të të shtyjnë që të sillesh si unë.
Në qoftë se gabon ndonjëherë, njihe gabimin tënd me të shpejtë dhe sidomos ndreqe sa më parë, megjithëse kjo mënyrë veprimi është natyrale dhe nuk meriton lavdërim, por do të shkaktojë lavdërime, do të fitojë zemrat dhe të sjellë faljen e gabimeve; shpeshherë e kam provuar dhe vetë.
Duaji, dalloji ata oficerë që tregojnë disa talente luftarake dhe ata që, pa lënë mbas dore detyrat e tyre, jepen mbas kulturës së arteve të bukura.
Kujdesohu shumë për oficerët e rinj të regjimentit, kujdesohu mirë për sjelljet e tyre, ji, sikurse të kam thënë, baba i tyre, kujdestari i tyre, e po të shihet nevoja, mësuesi i tyre. Ke për të pasur një regjiment të mirë vetëm kur oficerët e tu të jenë sa më shumë të mësuar dhe që zelli për shërbim të jetë ndër ta i gjallë dhe i qëndrueshëm, dije mirë se ke për ta patur këtë të mirë të paçmueshme vetëm në qoftë se u ve një kujdes të madh oficerëve të rinj e në qoftë se u jep që në fillim zakonin e një jete të rregullt. Kujdesohu që oficerët e vjetër të kenë për oficerët e rinj dashurinë që ka një baba për fëmijët e vet, ose një mendar për fëmijët që i janë besuar; kujdesohu që oficerët e rinj të kenë për oficerët e vjetër nderimet, xhentilesën dhe respektin që kanë fëmijët e rritur mirë për babën e tyne. Kujdesohu që të lindë e të mbahet bashkimi në tërë regjimentin tënd, përpiqu që grindjet t'i shuash që në fillim, të ndalosh ose së paku të parashohish efektet e këqija të armiqësisë; kjo është një nga të parat e më të rëndësishmet e detyrave që i imponohen një koloneli.
Mëso çdo gjë që të bëhet në regjimentin tënd, por të mos e përdorësh kurrë mënyrën e poshtër të spiunazhit; ai që kallëzon ose spiunon shokët është një njeri i padrejtë që nuk meriton asnjë besim. Mos kërko ndihmë nga sytë dhe duart e të tjerëve, përfito prej tyre vetëm kur të jetë krejtësisht e pamundur me i pa dhe me i bërë të gjitha vetë; hyr në të gjitha hollësirat; një gjë dihet mirë kur i dimë edhe hollësirat më të vogla; nuk është detyra e kolonelit me i pa gjërat në përgjithësi. Por, njëkohësisht, mos kërko të dish hollësirat që ligji ua jep subalternave (mvartësve), kënaqu duke mbikëqyrur të gjithë dhe që secili prej tyre të bëjë detyrën e tij.
Ja pra këshilla e fundit: Kij ndër mend gjithnjë, biri im, se nuk të kanë bërë kolonel për veten tënde por për të mirën e shërbimit dhe për përmirësimin e regjimentit që të është besuar; ngadhënjimi i kombit të jetë mendimi i yt i madh. Në qoftë se ja del që t'i vërtetosh regjimentit tënd se je i frymëzuar nga këto sende, çdo njeri i regjimentit tënd do ta ketë për detyrë, për kënaqësi që të ketë mendimet tua; atëherë të gjitha vështirësitë do të zhduken; ke për të patur një ngadhënjim të kulluar sepse e ke merituar; do të shikosh dashurinë publike dhe favoret e Mbretit të fluturojë mbi ty e më në fund do të gëzosh tepër një babë që të don.

__________________
(1) - Konti Gisors, bir i vetëm i marshallit de Bele- Isle, ka qenë komandanti i regjimentit të karabinierëve, i cili është vra në betejën e Crevelt.
Volteri, duke treguar këtë betejë ka thënë: "Gjëja mâ e shënueshme në këtë betejë ka qenë humbja e Kontit Gisors, bir i vetëm i marshallit de Belle-Isle, i plagosur duke luftuar në krye të karabiniervë. Ka qenë djalë i ri më një shpresë mâ të madhe, barazisht i stërvitun ndër punërat dhe n'artin ushtarak, i aftë për pamjet e mëdha e për hollësirat, me një politesë të barabartë me vleftën e tij, i dashur prej Oborrit dhe prej ushtrisë".
(2) - Le Chevalier de Belle - Isle, i vëllai i Marshallit, i vrarë në mësymjen e qafës Assieffe, në Alpet, korrikun e vitit 1747.
VELI HAKLAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
GJEOSTRATEGJIA POLITIKE E SHQIPTARËVE NË BALLKAN DHE SYNIMET GRABITQARE!Nga ASLLAN DIBRANI (10.29.2014)
MËSIMI SERBNga DRITAN HILA (10.28.2014)
Dr ZEF MULAJ PËRURON LIBRIN POETIK 'LUMENJ ËNDRRASH' ITALISHTNga MURAT GECAJ (10.28.2014)
KOSTË ÇEKREZI DHE E PARA HISTORI E SHQIPËRISË NË GJUHËN ANGLEZENga ANDON ANDONI (10.27.2014)
SHQIPONJA E BARGULLASIT NËNË AZBIJE XHAMALLATI MBETI NË HISTORIPortret nga XHEVAHIR CIRONGU (10.26.2014)
MIKU I DUKËS QË NA E FUTI!Nga AHMET SHQARRI (10.25.2014)
FATOS LUBONJA KONTROVERS - NDAJ FIGURAVE KOMBËTARE DHE SKUADRËS SHQIPTARE NË BEOGRAD!Opinion nga ASLLAN DIBRANI (10.25.2014)
IN MEMORIAM50 VJET MË PARË U NDA NGA JETA NUREDIN BEJ VLORA (10.24.2014)
SHENJTORJA SHQIPTARE, QË I LUTEN SERBËTNga ARBEN LLALLA (10.23.2014)
RIBASHKIMI I SHQIPTARËVE - PREVENTIV DHE AKT I DOMOSDOSHËM I QETËSIMIT NË BALLKAN DHE EVROPË!Nga ASLLAN DIBRANI (10.22.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]