VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

BASHKIM ZENELI - MARRËDHËNIET ME FQINJËT, MË MIRË HAPA TË VEGJËL SE FJALË TË MËDHA (Intervistë)
Zeneli: Ka shumë eufori në Ministrinë e Jashtme

E Hënë, 11.10.2014, 09:09am (GMT1)


Diplomati i njohur Bashkim Zeneli flet për vizitën e kryeministrit Rama në Beograd dhe të gjithë sfondin diplomatik, që e mbulon këtë vizitë. Është nga njerëzit e parë që është shprehur se vizita duhej bërë dhe e vlerëson hapin e Ramës, ndërkohë që flet për shumë aspekte të marrëdhënieve të dy vendeve dhe piketat se ku duhej të vihen, sipas tij. Është i kursyer dhe mëton se diplomacia e vendit duhet të jetë e tillë.

A duket se ka renë disi thelbi për takimin e Ramës me homologun e vet serb, Vuçiç, teksa retorika e 2 kryeministrave është krejt në drejtime të kundërta...?
"Unë mendoj se, pas asaj që ndodhi me ndeshjen e futbollit në Beograd dhe të tensioneve të krijuara në marrëdhëniet midis të dy vendeve, u bë shumë mirë që u gjet mirëkuptimi i nevojshëm që vizita e zotit Rama në Beograd, të mos anulohej. Natyrisht shtyrja disa ditore ishte masë normale dhe e nevojshme njëkohësisht.

Ky është tregues i vullnetit politik për t'u ulur sëbashku, për të biseduar e për të parë përpara. Nuk ka asnjë rruge tjetër, asnjë alternativë tjetër. Natyrisht askush nuk pret që kjo vizitë të përshkohet nga një frymë miqësore...Por kjo është e kapërcyeshme. Duhet të ulemi, të dialogojmë që të pajtohemi, pa u marrë as me dronin, as me UEFA-n, as me Platininë, e as me Blaterin. Nuk mbështetës asnjë prononcim të ditëve të fundit se "në Beograd do të sqarojmë edhe ndeshjen". Ka institucione të tjera përgjegjëse dhe që kanë tagrin e nevojshëm, të cilat duhet të merren me zgjidhjen e të tilla problematikave.
Serbia është pjesë e Rajonit, ashtu si dhe ne; aspiron për BE, ashtu si edhe ne. Marrëdhëniet midis vendeve të Rajonit, me investimin e gjithanshëm të SHBA-së dhe BE-së, kanë përparuar mjaft; vetë Rajoni ka ecur përpara drejt proceseve integruese. Por përsëri ka nevojë të punohet shume drejt afrimit, drejt mirëkuptimit, drejt bashkëpunimit. Vetëm kjo rruge na "˜'pajton'' me njëri-tjetrin.

Më duket se, në prag të takimit, për t'ju përgjigjur pjesës së dytë të pyetjes suaj, pa dyshim deklaratat e kundër-deklaratat duhet të ishin me të matura apo edhe të evitoheshin. Kur mendon se nesër do të ulesh në një tavolinë, sidomos për herë të parë mbas 70 vjetësh, kjo do të thotë, që paraprakisht të reflektosh një vetëpërmbajtje, një vullnet të mirë, të kapërdish, apo të mos thuash fjalën e fundit të parën.

Në deklarata për shtyp të dy ministrive të jashtme ka pasur ngarkesa të panevojshme e aspak të justifikueshme. Natyrisht kanë qenë të panevojshme dhe kanë provokuar reagime edhe emocionale por edhe politike, që dashje pa dashje kanë reflektuar gjuhën e shkuar, disa deklarata edhe të kryeministrit, por edhe të ministrit të jashtëm e Presidentit serb.

Ne nuk kemi marrë e nuk duhet të marrim përsipër të "ndreqim" Ballkanin! Thjesht të jemi euroatlantistë seriozë ! Kaq mjafton që kushdo të marrë shembull tek ne.
Gjithsesi vizita e Z Rama në Beograd ka atë rrugë që ka shprehur: Të shohim përpara, e ecim sëbashku drejt BE-së.(Jam shprehur publikisht që në fillim se zoti Rama duhet të shkojë në Beograd, se politika kërkon guxim)".

Publiku është ende i panjohur me tezat që kryeministri do të parashtroj në një takim kaq të rëndësishëm. A është politike normale kjo në diplomaci?

"Padyshim, politika e jashtme nuk është një shkencë e fshehtë. Në një shoqëri demokratike e të hapur qytetarët e qytetaret duhet të dinë, duhet të kenë fituar besimin për atë që ndërmerr diplomacia apo politika. Po unë mendoj se nuk ka shume teza për të përgatitur e për të parashtruar në Beograd. Ka një shinë nga ku nuk duhet të dalësh: rruga Europianiste e dy vendeve tona. Kësaj udhe , mendoj se i duhet përmbajtur. Ne jemi 2 vende që aspirojmë për në Bashkimin Evropian. Dhe kjo flet shumë, por edhe kërkon shumë. Të dy vendet kanë për të bërë detyrat e shtëpisë që na janë lenë nga BE-ja. Dhe ato nuk janë aq të lehta. Janë në të gjitha planet . Konferenca e Berlinit këtë e ka shprehur shumë qartë. Mbas 70 vitesh, të dy vendet tona duhet të tregojnë se dinë të flasin si europianistë, se dinë të sillen si europianistë, se dinë të lenë mbrapa të shkuarën. Ne ulemi për t'u pajtuar dhe të pajtohesh do të thotë të shohësh përpara.Kjo do të mendoja unë është teza më e rëndësishme në ato bisedime. Mbi këtë bazë vijnë pastaj edhe të tjerat, por me radhë , hap pas hapi ! Në një takim të parë nuk hidhen të gjitha në tavolinë.

Dhe këto duhet të bëhen me vetëdije, pa sforco. Ne duhet të rrisim e të krijojmë besimin tek njëri-tjetri, besimin e ndërsjellë. Pa besim nuk ka mirëkuptim dhe pa mirëkuptim nuk ka bashkëpunim.

Unë mendoj se në Beograd, edhe zoti Rama , edhe zoti Vuçiç, nuk do të ulen për të diskutuar, por për të biseduar...Kjo mendoj se është shumë e rëndësishme".

Çfarë mendoni se mund t'i fusë në hulli normale marrëdhëniet midis Serbisë edhe Shqipërise ?
"Unë nuk dua të përsëris ato që thashë më sipër, ky do të jetë një takim i parë midis dy kryeministrave, të Shqipërisë dhe Serbisë, mbas afro 70 vjetësh, natyrisht, tashmë midis Shqipërisë e Serbisë e jo ish Jugosllavisë ! Kam besim se do të jetë konstruktiv, do të lerë prapa të kaluarën e do të nisë ndërtimin e urave për të ardhmen. Dhe, kjo nuk ka rëndësi vetëm 2 palëshe, por ka rëndësi edhe për Rajonin në tërësi. Do të dëshiroja të ishte një shembull se si me guxim mund të kapërcehen problemet, se si mund të tolerohet, se si duhet parë përpara.
Si fqinjë në Rajon, ne nuk duhet të punojmë për të qenë jo thjesht pranë njëri-tjetrit, por sëbashku me njëri tjetrin.Dhe ketë të mos e kërkojmë kurrkund në Europë, të shohim thjeshtë marrëdhëniet e sotme midis Serbisë dhe Kosovës... Ato flasin shumë, ndonëse shumë është për t'u bërë ende....".

Ka një panjohje thelbësore të politikave të dy vendeve, të njëri-tjetrit, ndërsa shoqëria civile, studentët, fushat e kulturës dhe sportit punojnë normalisht. A ka një frike patologjike apo është sens për të mbajtur njëri tjetrin larg, mes vendeve tona...?
"Pa diskutim marrëdhëniet e mira politike u hapin rruge marrëdhënieve në çdo fushë. Por, po kaq e rëndësishme është edhe se dimensioni human, marrëdhëniet midis popujve, kulturave, artit, letërsisë, sportit, janë një shtysë shumë e fortë edhe për politikën. Dhe thashë që në fillim se nëse ne arrijmë të shohim përpara, atëherë rruga hapet për çdo lloj bashkëpunimi, në çdo fushë, do të kemi marrëdhënie që u shërbejnë popujve, njerëzve. Dhe midis popujve tanë, midis shqiptarëve dhe serbëve nuk ka e nuk ka pse të ketë armiqësi. E dini çfare thoshte kancelari gjerman Ëilly Brand , në kuadër të politikes se jashtme: "Në djall shkoftë e gjithë politika nëse nuk i shërben njerëzve, popujve".
Ne rajoni kemi nevojë vërtetë për të ndërtuar më bindshëm, e jo për lustër, një sistem të mirëkuptimit, të bashkëpunimit, të sigurisë, para të gjitha sfidave të sotme...".

Si e shikoni punën e Ministrisë së Jashtme në lidhje me përmirësimin e marrëdhënieve me fqinjët ?
"Është pyetje që kërkon të ndalesh gjatë dhe ndalemi një here tjetër... Shqipëria vazhdimisht është vlerësuar si faktor stabiliteti në Rajon. Megjithë përparimet, nuk mendoj se duhet të shohim me superlativa çdo gjë. Ne nuk jemi pa probleme me fqinjët, ato janë tashmë të njohur. Kemi me Greqinë, me Maqedoninë, etj. Politika e diplomacia duhet t'i shërbejë zgjidhjeve të problemeve. Kam përshtypjen se ne po kënaqemi se i hedhim në tavolinë problemet, por më pas ato nuk ndiqen. P.sh, populli do të dijë se çfarë po bëhet me Greqinë për marrëveshjen e Detit, si do të zgjidhet , deri ku është ecur, ashtu si dhe për probleme të tjera .
Pra është tjetër filozofia e fqinjësisë së mirë e tjetër janë hapat konkretë që hidhen e ndiqen. Duhet më pak eufori, ka shume eufori në MPJ, në deklarimet që bëhen. Duhet dinamikë, nerv, pa poza e jo me duart në xhepa...! Më mirë hapa të vegjël sesa fjalë të mëdha...".

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.