VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KINEZËT - NDARJA ME SHQIPTARËT, E HIDHUR DHE MALLËNGJYESE

E Premte, 12.05.2014, 07:29pm (GMT1)



Kinezët nuk mund ta besonin se miqësia e tyre do të prishej aq shpejt, madje nuk e kishin menduar se kjo do të vinte në kohën kulmit të punës së tyre disa-vjeçare. 10 vjet më parë, në vitin 2004 ata u mblodhën në Ambasadën e Shqipërisë në Kinë, për hir të së shkuarës së tyre, ndërsa tashmë për Radion e Jashtme të Kinës (CRI shqip) ata kujtojnë vendin, për të cilin derdhën djersë në kulmin e rinisë. Kujtimet e specialistëve, teknikëve dhe ambasadorit të 10-të të Kinës, fokusohen sot te prishja e marrëdhënieve mes dy popujve, e cila për ta konsiderohet si ndarja e dhimbshme me shokët dhe miqtë shqiptarë. Një takim diplomatik mes presidentit amerikan të asaj kohe dhe kryetarit Mao hodhi hapin e parë të një divorci, i cili dukej se nuk do të ndodhte kurrë. Ambasadori Fan Chengzuo tregon se si reaguan udhëheqësit shqiptarë kur mësuan për vizitën e Kissinger-it në shtetin aziatik. "Pasi Henry Kissinger vizitoi Kinën, ia raportuam shpejt Shqipërisë, Vietnamit si edhe vendeve të tjera. Shqipëria na shprehu pakënaqësi të madhe dhe nuk ishte dakord për normalizimin e marrëdhënieve midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky ishte shkaku kryesor që marrëdhëniet, Kinë-Shqipëri filluan që të përkeqësoheshin në atë kohë".  Me zbutjen e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe Shtetet e Bashkuara, marrëdhëniet e Kinës me Shqipërinë filluan të futeshin në një fazë joharmonike.

"Në atë kohë kishte shqiptarë që zhvillonin praktikën në Kinë. Në fabrikën tonë kishte disa salla të mëdha ku shfaqeshin shpeshherë filma. Një natë kishte një dokumentar mbi vizitën e presidentit Amerikan, Richard Nixon në Kinë dhe mbi takimin e tij me kryetarin Mao Ce Dun. Kur shqiptarët e panë këtë skenë dolën jashtë menjëherë, duke kënduar në shqip. Në fillim nuk kuptuam çfarë po këndonin dhe madje disa prej nesh u dhanë atyre duartrokitje. Më pas morëm vesh se ata po këndonin: "Vdekje revizionizmit. Enver Hoxha është flamur i revolucionit". Aty, ne ndiem se kishte diçka jo të mirë politike. Në atë kohë, si brenda dhe jashtë vendit kishte shumë raste të tilla", kujton  Hou Shuting, përgjegjës në Kombinatin e Çelikut, në Elbasan. Ambasadori kinez e shpreh me keqardhje faktin se si shqiptarët ndryshuan qëndrim pas takimit të dy liderëve në Kinë. "Në vitin 1972 Presidenti Nixon vizitoi Kinën dhe Shqipëria shprehu pakënaqësi. Për këtë shkak marrëdhëniet dypalëshe ishin në rënie dhe kjo mosmarrëveshje ideologjike ndikoi edhe në  projektet e ndihmës. Shqipëria në atë kohë na kritikonte shumë. Kishte pasur një deklaratë të fortë që thoshte se ndihmat nga Kina janë orvatje për të shkatërruar ekonominë shqiptare. Shqipëria e ka thënë këtë shpeshherë. Dhe më në fund u detyruam të reagonim, duke u thënë: "Nëse mendoni se ndihmat tona janë duke shkatërruar ekonominë tuaj, atëherë ne do të tërhiqemi. Kjo është përmbajtja kryesore e notës së qeverisë kineze për Shqipërinë, që u dorëzua në datën 7 korrik të vitit 1978", tregon sot Chengzuo. Për shkaqe politike marrëdhëniet Kinë-Shqipëri po përballeshin me një sfidë të rreptë dhe teknikët e dy vendeve ende vazhdonin punën në mënyrë serioze. Ajo që ndodhi më pas ishte një befasi.

"U trondita që ngela në Kinë"

Cao Songqing ishte përgjegjës për menaxhimin e pajisjeve në Kompleksin Metalurgjik të Elbasanit. Ai kishte planifikuar një pushim në Kinë, duke shpresuar që të kthehej përsëri në Shqipëri me më shumë njohuri profesionale, por dëshira e tij nuk u realizua. "Drejtuesi kërkonte që punonjësit që kishin më shumë aftësi të vazhdonin punën. Kur po diskutonim mbi kërkesën time, na erdhi mesazhi nga Ambasada ku kërkohej që të tërhiqeshim". Hou Shuting, sapo kishte zbuluar një metodë për rafinimin e mineraleve shqiptare. Njësoj si Cao Songqing, edhe ai u ndje i befasuar kur po përgatitej aktivisht për punë. "Unë po përgatitesha të kthehesha në Shqipëri, duke qenë se isha gati për prodhimin e lëndëve të para shqiptare. Por për fat të keq, kishte divergjenca mes dy vendeve dhe ekspertët kinezë u tërhoqën. Sipas planit, duhet që të kthehesha në Shqipëri me materiale teknike, por nuk e imagjinoja se do të shkoja në aeroport, këtu në Kinë, t'i tërhiqja ato mbrapsht. U trondita dhe më erdhi shumë keq", kujton Shuting.  Me keqardhje, me kujtimet për furrat e bukës dhe me dashuri për shokët e punës, inxhinierët kinezë u kthyen në atdhe. Për të rinjtë e dy vendeve që punuan bashkë prej shumë vitesh, ndarja e punës ishte e thjeshtë, por ndarja e miqësisë nuk ishte e tillë. Në kohën e ndarjes, si inxhinierët, ashtu dhe qytetarët e thjeshtë mbanin lot në sy.

Rikthimit i 6 mijë të rinjve në Kinë

Përkthyesja në Kombinatin e Çelikut, Sun Yixin  dhe specialisti Cao Songqing, i kujtojnë me mallëngjim çastet e rikthimit në Kinë të 6 mijë të rinjve të përkushtuar. "Pasi shokët u kthyen nga Shqipëria më treguan se, kur po largoheshin, punonjësit dhe banorët i përcollën me radhë shokët kinezë dhe të gjithë qanin". "Ishim të gjithë teknikë, kur u tërhoqëm nga Shqipëria të gjithë na përshëndesnin. Kur kaluam në oborrin e hotelit, kamerieri na përshëndeti. Përkthyesit shqiptarë, gjithashtu. Nuk kishte shumë njerëz në rrugë. Shqipëria kishte vetëm dy milionë banorë. Elbasani ishte një qytet me dhjetëra e mijëra njerëz, por kur panë nisjen e makinave tona, të gjithë qytetarët dolën jashtë në rrugë për të na përcjellë dhe për të na përshëndetur. Kjo ishte një përvojë e çmuar", kujton Songqing.

Për të rinjtë kinezë, Shqipëria ishte bërë një vend shumë mik, shumë i ngushtë dhe me kujtime të paharruara. "Më pëlqenin shumë disa studentë shqiptarë dhe më merrte malli për ta. Pyes veten se me çfarë pune merreshin më pas dhe si është jeta e tyre tani?", tregon Zhan Zailiang, pedagog i gjuhës angleze në Universitetin e Tiranës në vitet 1963-66.

Dëshirë e parealizuar

"Një i ri shqiptar që shpesh luante futboll më ndihmoi me entuziazëm për të instaluar një antenë. Kishim planifikuar një vizitë te familja e tij, por nuk e realizova dot këtë vizitë. Pasi u ktheva në Kinë, më erdhi keq që nuk e plotësova këtë dëshirë. U tregova fëmijëve dhe familjarëve për këtë gjë. Dëshiroj që kjo dëshirë të realizohet në të ardhmen, nëse është e mundur. Do t'ia çoj një dhuratë. Kjo është dëshira ime e thjeshtë", kujton me nostalgji Zhang Shimin, specialist i ndërtimit të radiostacionit, 1969-71.

Përvojë jete

Në momentin e largimit të specialistëve kinezë nga Shqipëria, të rinjtë kinezë dhe banorët shqiptarë kuptuan thellësisht miqësinë kino-shqiptare. Për të rinjtë kinezë që punuan në Shqipëri, një vend shumë larg Kinës, ajo periudhë e veçantë, ishte jo vetëm një eksperiencë pune, por edhe një pasuri e çmuar për të kuptuar rininë. "Ajo periudhë 7-vjeçare kur punova në sektorin e metalurgjisë në Kombinatin e Elbasanit dhe më pas në drejtorinë e Metalurgjisë të Shangait, përbën një pasuri shpirtërore shumë të çmuar për mua. Nëse nuk do ta kisha këtë përvojë, nuk do të shkoja në vendin e mëvonshëm të punës dhe as nuk do të isha formuar ideologjikisht", tregon Sun Yixin, përkthyese në Shqipëri (1975-77).

Kartolinat shqiptare

Gjurmët që la vendi i vogël komunist te përkthyesi Song Qiming, ende trazojnë mendjen e tij. Ai jetoi dhe punoi në ish-ndërmarrjen e anijeve për 6 vite."Ka kaluar një periudhë e gjatë 40-vjeçare. Shkova në Shqipëri në vitin 1968 dhe u largova në vitin 1974. Më vonë nuk u ktheva asnjëherë në këtë vend, por kur përmendej Shqipëria më lindte një ndjenjë për këtë vend. Shpresoj që shkëmbimet mes dy vendeve mund të zhvillohen më tej, nëse ka mundësi. Mendoj se shkëmbimet mes dy vendeve, mes dy popujve mund t'u ofrojnë të dy palëve që kanë interesa të përbashkëta", citon Qiming. Një marrëdhënie e ngushtë diplomatike, më bazë ideologjike, kaloi afro 20 vjet në situata të ngjashme, midis dimrit dhe verës. Të rinjtë kinezë që shkuan në Shqipëri me ëndrra dhe entuziazëm, tani janë plakur dhe thinjur. Gjatë dhjetëra viteve të kaluara, ata morën dhurata të panumërta dhe të çmuara nga Shqipëria, të cilat kur i marrin në duar, u kujtohet gjithmonë rinia, miqtë shqiptarë, edhe mosha e zjarrtë e rinisë. "Në kartolinën e Vitit të Ri, nuk mund të shkruhen shumë fjalë, por janë vetëm disa fjalë të çmuara, "˜Gëzuar vitin e ri!' Por e gjithë miqësia dhe të gjitha ndjenjat tona, janë përmbajtur brenda këtyre fjalëve të thjeshta. Kartolinat e Vitit të Ri ishin një përshëndetje e sinqertë", tregon me dashuri Chen Bigang, profesor i Pianos.  

Dhuratat që morën me vete

Kjo anije ka kuptime të rëndësishme dhe të shumta. Ajo përfaqëson nivelin e artizanatit të punonjësve shqiptarë, dhe simbolizon miqësinë e thellë, mes popullit shqiptar dhe popullit kinez. Kjo anije me vela që lundron larg në dete, tregon një histori të gjatë të miqësisë mes dy vendeve, e cila mund të trashëgohet. Kjo është një dhuratë shumë e mirë. Në vitin 2004 të moshuarit kinezë u mblodhën përsëri në Ambasadën e Shqipërisë në Kinë. Ata treguan aty kujtime të çmuara, por edhe paraqitën shpresa për të ardhmen, që marrëdhëniet kino-shqiptare të fillonin një lundrim të ri. Ashtu siç e përshkruante edhe Guo Koli.

Ja pse udhëheqja shqiptare prishi aleancën

Shqipëria bëri publike 5 vite më parë një letër mjaft të ashpër drejtuar Pekinit, në të cilën thuhej se grindjet e fundit me Kinën përgjatë viteve janë zhvilluar më tej në një sërë injorimesh dhe polemikash, përfshirë disa konflikte lidhur me vizitën e presidentit Richard M. Nikson në Pekin, në vitin 1972. Megjithatë, shpjegimet më të hollësishme lidhur me prishjen e marrëdhënieve midis Kinës dhe Shqipërisë u shfaqën në një letër prej 56 faqesh e përgatitur nga Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Shqipërisë drejtuar Partisë Komuniste Kineze. Përmbajtja e kësaj letre iu shpërnda edhe reporterëve nga diplomatët shqiptarë në Pekin dhe Beograd. Në këtë mesazh përshkruheshin debatet midis dy vendeve komuniste, të cilët u përçanë me Bashkimin Sovjetik në vitin 1961 për shkak të ndryshimeve ideologjike dhe ndërhyrjes së Moskës, dhe u kthyen te njeri-tjetri për ndonjë përfitim të mundshëm, të ndërsjellë në izolimin e tyre.

Politikat e Kinës "lodhin" Shqipërinë

"Ajo që e kishte acaruar më tepër Shqipërinë, ishin përpjekjet e herëpashershme të Kinës për të rregulluar marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik dhe, herë të tjera, përpjekjet e saj për t'u hapur drejt Perëndimit", thuhej në letër. Në letër diskutoheshin deklaratat e fundit anti-kineze nga Tirana zyrtare edhe për shkak të qëndrimeve. Gjithashtu, dëmet ekonomike që i ishin shkaktuar Shqipërisë për shkak të ndërprerjes nga Pekini dy javë më parë të të gjithë ndihmës për zhvillimin e vendit. Letra ishte veçanërisht kritike ndaj dëshirës së Kinës për të pranuar vizitorët nga Perëndimi, sidomos udhëtimet e Niksonit dhe Henri A. Kissinger, këshilltar i Presidentit amerikan mbi sigurinë kombëtare. Në letrën e Shqipërisë paraqitej ankesa se: "Në verën e vitit 1971, Shqipëria, e cila konsiderohej si aleatja më e ngushtë e Kinës, mësoi nga agjencitë e huaja të lajmeve mbi raportin që ishte përhapur në të gjithë botën, sipas të cilit, Kissinger kishte zhvilluar një vizitë të fshehtë në Pekin". "Kina, nuk e pa të nevojshme të zhvillonte bisedime paraprakisht me Shqipërinë, në mënyrë që të merrte dhe mendimin e tyre", shkruhet më tej.

"Në gusht të po atij viti, udhëheqësit shqiptarë u ankuan lidhur me lëvizjen e Kinës drejt Perëndimit", thuhet në letër. Gjithashtu shkruhej se: "Drejtuesit kinezë mbajtën qëndrimin e tyre të zakonshëm edhe në drejtim të kësaj letre. Ata nuk denjuan të jepnin ndonjë përgjigje". Gjatë viteve, Shqipëria mesa duket i kishte dërguar disa këshilla mbi një sërë çështjesh aleates së saj të madhe në Azi, njëkohësisht dhe aleatja e saj e vetme. Në letër thuhej se, pjesa më e madhe e këshillave nuk ishte marrë në konsideratë, duke rritur mërzitjen e udhëheqësve shqiptarë, veçanërisht të kryetarit të Partisë Komuniste, Enver Hoxha. Kështu, për shembull, në vitin 1964 ndodhi një mosmarrëveshje kufijsh midis Kinës dhe Bashkimit Sovjetik, kur Partia Komuniste e Shqipërisë i shkruante kryetarit Mao në një letër: "Ne jemi të mendimit se shtimi i problemeve territoriale me Bashkimin Sovjetik, në këto momente, do ta dëmtonte më shumë luftën tonë".

NERITAN GJERGO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.