VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

'IDENTITETI' I PIKTORIT PANTINA - NXJERR NË PAH RELIKTET E NACIONALITETIT SHQIPTAR

E Premte, 12.19.2014, 01:34pm (GMT1)

 
Imazhi në thellësinë botëkuptimore dhe identiteti i autorit janë këto dy prej temave që rreken në njëzet e katër punimet e piktorit Xhevdet Pantina, të cilat janë prezantuar para artdashësve, të enjten mbrëma në Muzeun e Kosovës.

Në këto piktura të realizuara nga pedagogu i pikturës dhe vizatimit analitik Pantina, spikaten emocionet gjallëruese të një kujtese kolektive, ku autori i ka punuar ato përmes pozicionimit të ngjyrave të vrullshme në një hapësirë të papërcaktuar.

Profesori Nuri Bexheti, i cili foli në ceremoninë hapëse të kësaj ekspozite në cilësinë e analistit të veprave të piktorit Xhevdet Pantina, deklaroi se cikli i ri i autorit në fjalë, thekson tendencat ku vjen në rend të parë shprehja e brendshme para përsosmërisë së jashtme, gjallëria para qetësisë, luhatja para stabilitetit, vullneti përpara inkrementalizimit dhe gatishmëria për të ngjallur koncepte të vjetra në botën e re.

Autori i ekspozitës "Identiteti im", që u hap në vazhdën e aktiviteteve kulturore të Muzeut në vend për vitin 2014, Xhevdet Pantina, deklaroi për KultPlus se pikturat e prezantuara i dedikohen politikave aktuale, të cilat luajnë rolin dominues në trojet ballkanase.

Kjo ekspozitë e piktorit nga Klina, Xhevdet Pantina është e nënta me radhë, pas atyre të mbajtura në vendlindjen e tij: Pejë, Gjirokastër, Paris, Stamboll dhe së fundi edhe në kryeqytet.
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.