E Premte, 03.29.2024, 11:32am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
XHELIL GJONI - BERISHA, AZEMI E PASHKO SHKATËRRUAN ËNDËRRAT E STUDENTËVE, RAMIZI PUNOI ME TA

E Premte, 01.09.2015, 07:51pm (GMT+1)


TIRANE-Në vijim të rrëfimit të tij për Lëvizjen Studentore të Dhjetorit '90, Xhelil Gjoni tregon se edhe kjo lëvizje është ndikuar nga ambasadat e huaja, ndërsa Partia e Punës punoi që situata të mos dilte jashtë kontrollit.
Në një intervistë ekskluzive për gazetën "Panorama", ai tregon takimet që ka pasur në atë kohë me drejtuesit e Lëvizjes, Azem Hajdarin, por dhe Sali Berishën e Besnik Mustafajn, për të gjetur zgjidhje sa më të buta për të shmangur një përplasje të fortë mes pushtetit dhe studentëve.
Ish-sekretari i parë PPSHsë për Tiranën dhe njëkohësisht sekretar i Komitetit Qendror të PPSH-së, e cilëson Azem Hajdarin si njeri të Sigurimit të Shtetit, jo shumë të besueshëm dhe të çekuilibruar. "Për mua lëvizja demokratike në Shqipëri më shumë i dedikohet Partisë së Punës, sepse i edukoi se si të bënin dhe organizonin lëvizjen demokratike, sesa një rrumpalle totalisht pa ide", shprehet Gjoni në intervistën e tij.
Sipas tij, Ramiz Alia, nga frika e një skenari si ai i Rumanisë, punonte me të gjithë protagonistët dhe themeluesit e PD-së që situatat në Shqipëri të zhvilloheshin me sa më pak përplasje, pasi informacionet e Sigurimit të Shtetit parashikonin gjakderdhje.


Pak javë më parë festuam 24-vjetorin e Lëvizjes studentore të Dhjetorit, ju, për shkak të pozitës suaj në atë kohë, keni dijeni për to. Si nisi kjo lëvizje?

Kur dëgjoj Dhjetoristët, më shkon mendja te dekabristët e Rusisë, viti 1825. Kjo lëvizje ishte e para lëvizje revolucionare kundër carizmit, e cila bazohej në kërkesat për demokraci kundër autokracisë cariste. Pse më vajti mendja te dekabristët?! Pasi kjo përkon me dhjetorin (dekabër), nga ka marrë dhe emrin Lëvizja Dekabriste. Por edhe lëvizja studentore e dhjetoristëve, ose e dekabristëve tanë, për të parë "ngjashmërinë" mes këtyre dy lëvizjeve, të lëvizjes së 1825 në Rusi me atë të fillimit të viteve '90 në Shqipëri. Këto lëvizje kanë një të përbashkët, etjen për liri dhe demokraci, për fjalën e lirë. Kjo është një kërkesë universale dhe e përhershme e njerëzimit. Dekabrizmi në Rusi ishte një lëvizje e konceptuar, kishte një mendim filozofik që udhëhiqej nga këto dy ideologë. Ata kishin etjen për lirinë, për fjalën e lirë, në një Rusi të pllakosur nga rendi feudal, me kufizime të mëdha, vendi ku njeriu me ndjenjat e tij shtypej më shumë se kudo. Është për t'u theksuar me këtë rast se linja materialiste e filozofisë ruse fillon me dekabristët nëpërmjet Belinskit, Dobrolubovit e Çernishevskit. Pika e takimit mes dy lëvizjeve ishte etja për liri, sidomos për lirinë e fjalës.

Cila ishte veçoria e "Dhjetorit" tonë?

"Dhjetorit" tonë i mungonin këto lloj ideologësh dhe e bënin Dhjetorin tonë pak rrumpallë me një agresivitet, pa një ideologji, pa një platformë. Mund të prezantohej ndryshe e gjithë etja për lirinë e fjalës dhe veprimit, ballafaqimi me platforma alternative me pushtetin. Kishte një pjesë të madhe të udhëheqësve të Partisë së Punës, që nuk kishin kundërshti për hapjen dhe krijimin e hapësirave për pluralizëm. Djemtë e popullit ishin ata. Preç Zogaj ka të drejtë kur thotë se pluripartizmi ishte negocim dhe, mbi këtë logjikë, gjithë procesi i vendosjes së pluralizmit dhe pluripartizmit u bë përmes negocimit dhe jo përplasjes, gjakderdhjes si në disa vende të tjera. Por Zogaj nuk ka të drejtë kur thotë se ky negocim politik nisi me krijimin e PD. Vetë negocimi është politikë dhe madje ishte politikë e mençur, që çoi në krijimin e Partisë Demokratike. Politika nuk filloi me krijimin e PD, por kishte filluar që me negocimin e krijimit të kushteve, që çoi në krijimin e kësaj partie. Kjo politikë krijoi një proces normal dhe unikal për Shqipërinë.

Ndoshta ky negocim erdhi edhe për shkak të ngjarjeve që kishin ndodhur në vendet e tjera të Lindjes, si Rumania, dhe pushteti i asaj kohe po krijonte hapësirat për shmangien e një Rumanie të dytë?

Jo, jo, nuk ishte vetëm ndikim i jashtëm. Kishte një predispozicion të madh në shumë drejtime për ndryshime, sepse vetë komunistët ishin bërë të pakënaqur ndaj udhëheqësve të tyre dhe kërkonin ndryshime. Dhe ndryshimi erdhi nga vetë brenda sistemit. Më kurajozë u bënë vetë komunistët për të ndryshuar situatën në vend, fëmijët e tyre.

Si lindi Lëvizja studentore, vinin te ju shqetësimet e studentëve për kushte më të mira në konvikte, energjia, ushqimi?
Unë jam marrë me këtë punë që kur më sollën nga Dibra në Tiranë, në 1990. Kur erdha, i gjeta ambasada të mbushura. Ramiz Alia më mori në kabinetin e tij dhe më caktoi ndihmës për inteligjencën që të ndihmoja Pirro Kondin fillimisht si sekretar i Parë i Tiranës. Ambasadat ishin të mbushura me qytetarë dhe Tirana ziente.

Çfarë produkti gjykuat në atë kohë se ishin ambasadat? Kishte një shpërthim të brendshëm apo nxitje nga jashtë?
Nëse një ambasadë e jona në Perëndim do të ishte sjellë në atë mënyrë me qytetarët e tyre, menjëherë do të ishte ndërhyrë dhe kjo situatë do të ishte zhbërë. Në Tiranë ishin shumë agresive ambasada franceze, gjermane dhe shumë agresive për çudi dhe ambasada çeke. Ndërsa ambasada italiane ishte më e matur, por dhe ajo punonte intensivisht. Të gjithë këto, kur vijmë te Lëvizja e Dhjetorit ishin një ndikim i jashtëm në nxitjen e ndjenjave antipushtet, të revoltës. Mbushja e ambasadave ishte totalisht nën ndikimin e diplomacive të huaja dhe të agjenturave të tyre. Kryebashi i këtyre nxitjeve ishte Ambasada jugosllave në Tiranë, pasi ambasadori i saj ishte dhe dekani i ambasadorëve (më i vjetri në shërbimin diplomatik). Në Ambasadën jugosllave hynë vetëm 12 veta dhe takimet e ambasadorëve perëndimorë bëheshin në Ambasadën jugosllave. Po ta kenë të ruajtur arshivën, duhet ta kenë të dokumentuar këtë periudhë.

A u menaxhua si duhet kjo krizë?
Unë kujtoj se u menaxhua dhe ka qenë urtësia e njerëzve që drejtonin në atë kohë dhe nuk vajti puna te përdorimi i forcës për t'i nxjerrë njerëzit nga ambasadat. Jo pak herë është ngritur pyetja që pse në Shqipëri nuk ndodhën ngjarje të njëjta me Bullgarinë dhe Rumaninë? Ishte pleksur shoqëria shqiptare, jug-veri bashkë, ishin martuar me njëri-tjetrin dhe kishte krijuar një kompaktibilitet, që nuk ishte e lehtë ta zhbëje në atë masë që të përdorej për trazira të përgjakshme. Përkatësia fetare ishte e papërfillshme pas martesave mes të gjitha feve. Ky ishte një fat për Shqipërinë, që kishim një shtresëzim të tillë të shoqërisë që amortizonte përplasjet e dhunshme.

Kishit negocim me ambasadat ku kishin hyrë shqiptarët në korrik 1990, çfarë kërkonin ata?
Ambasadat ku kishin hyrë qytetarët tanë, kërkuan tri sheshe për t'i zhvendosur të ngujuarit në qendër të Tiranës. Ata kërkuan që 5 mijë qytetarët që kishin hyrë në ambasada të vendoseshin në sheshin "Skënderbej", ku ata do të sillnin çadra, krevate, pajisjet mjekësore dhe ushqime, t'i nxirrnin nga ambientet e ambasadave. Kjo nuk u pranua. Më pas, ata kërkuan sheshin "Avni Rustemi" dhe, pasi u refuzua dhe ky shesh, kërkuan sheshin "Nënë Tereza", para korpusit kryesor të Universitetit. Edhe kjo nuk u pranua nga ne dhe ky ishte një menaxhim i mençur. Qëllimi i tyre ishte që pranë 5 mijë të ngujuarve të ambasadave të grumbulloheshin rreth tyre dhe nga 4-5 familjarë të tyre, që do ta çonte numrin në rreth 20 mijë veta të ngujuar në sheshet e Tiranës. Agjenturat prisnin që në Shqipëri të shpërthente situata dhe kjo ishte e lehtë, sepse brenda tyre mjaftonte një provokim i vogël që të bëhej Vaterloja. Prandaj nuk u lejua një ngujim i tyre në sheshet e Tiranës, jo thjesht si rrezik për pushtetin, por për të shmangur një gjakderdhje. Për këtë rast, Ramiz Alia nuk u tregua i drejtë, sepse atij dhe më vonë zotit Moisiu, këtij të fundit i kam shkruar se njeriu që duhet të merrte medalje nderimi nga shqiptarët duhet të ishte ish-sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në atë kohë, Perez de Kuelar. Ai dërgoi dy personalitete të OKB-së në Tiranë për të parë nga afër situatën dhe rekomandoi ambasadat që t'i pajisin qytetarët shqiptarë që kishin hyrë në to me pasaporta dhe t'i merrnin në vendet e tyre si emigrantë. Kjo ishte zgjidhja magjike e shfryrjes së atij tensioni. Këtë meritë të De Kuelar nuk e njohu asnjë nga presidentët dhe nuk e di se për çfarë arsyesh. Moisiut ia kam kërkuar unë përmes një letre dërguar me ndihmësin e tij, Xhevahir Spahiu.

Pas tejkalimit të kësaj krize me ambasadat, ju keni zhvilluar në sheshin "Skënderbej" mitingun më të madh të zhvilluar në atë shesh. Ishte kjo një matje force apo një prezantim se pushteti qëndronte në këmbë i fortë? Madje, qytetarët e ambasadave janë cilësuar dhe si "jashtëqitje e kombit"...
Në atë miting qytetarët nuk janë cilësuar si jashtëqitje. Historia e atij mitingu është kjo: Ramizi më kishte kërkuar që të zhvillonim mbledhje në ndërmarrje të Tiranës për të sqaruar situatën se pas ambasadave pushteti vijon të jetë i fortë dhe i konsoliduar. Unë i thashë se nuk jam dakord me takimet e vogla në ndërmarrje, por jam për një miting në qendër të Tiranës për të treguar se ne jemi në këmbë. Në fjalimin tim atakohet shumë Serbia, e cila kishte nxitur dhe vënë në lëvizje agjenturën e vet me elementët që kishte në Shqipëri. Unë e mora përsipër këtë miting, mblodha të katër rajonet e Tiranës dhe nuk u vendos asnjë detyrim për pjesëmarrje. Në këtë miting vura re që Hekuran Isai nga frika kishte futur civilë mes njerëzve, nga frika se mund të kishte provokime apo tentativa të ndryshme. Mua nuk më erdhi mirë, sepse unë kisha mobilizuar partinë që të merrej me garantimin e këtij mitingu. Pas mitingut, unë shkoj te Llambi Gegprifti, i cili ishte kryetar i Komitetit Ekzekutiv. Aty më mori në telefon Ramizi dhe më falënderoi për mitingun, duke më thënë se u mata 2-3 herë që të vija në miting. Unë i thashë se duhet të kishit ardhur sepse "juve ju donte populli, jo mua që sapo isha kthyer nga Dibra". Qëllimi i mitingut ishte frenimi i elementëve antipushtet që ishin dhe komunistë, të cilët ishin vënë në lëvizje kryesisht nga agjentura jugosllave.

Si u zhvilluan ngjarjet pas këtij mitingu?

Njerëzit kërkonin qetësinë dhe u krijua ideja që ne mund t'ia dalim. Për pyetjen që ju bëni për shprehjen "jashtëqitje e kombit", unë nuk e di se kush e ka thënë, sepse e pashë dhe Ardian Vehbiun që e risillte këtë fakt. Por unë jam dëshmitar i një fakti që nuk e luan topi: në një moment, Ramiz Alia, unë në atë kohë isha ndihmës i tij, më ka thënë: "Ore më kanë thënë që Kadare paska thënë për këta të ambasadave se janë jashtëqitje e kombit. Nuk i thua që të bëjë një poezi për këta?" Duket se Ramizit i pëlqeu kjo figurë. Unë e gjej Kadarenë në sallën e Kuvendit Popullor dhe i them se shoku Ramiz ka dëgjuar se ti ke thënë që qytetarët e ambasadave që ikën janë jashtëqitje e kombit. Ramizi më porositi të them se ai sugjeron të bësh një poezi për këtë çështje. Ismaili më tha se këto fjalë nuk i kishte thënë. Kjo është e vërteta. Se nga e dinte Ramizi, është punë e tij.

Kriza e ambasadave i parapriu Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990. Ju gjeti të papërgatitur, apo ankesat e studentëve, të cilat fillimisht ishin ekonomike kishin ardhur te ju më parë?
Kushtet në konvikte ishin të vështira dhe kërkesat e studentëve qëndronin, ishin të drejta. Por më tepër ishte pakujdesia dhe papërgjegjshmëria e atyre që menaxhonin këtë sektor. "Hajde se djemtë tanë janë, të mësojnë e të hanë një pjatë supë, çfarë duan më shumë", ky ishte një mentalitet mediokër dhe harrohej se njerëzit komunikonin, shikonin në TV se ç'ndodhte rreth tyre, kishin lidhje me botën e jashtme. Administratorët që merreshin me këtë punë, qoftë ata të partisë dhe qoftë atë të pushtetit, e kishin si punë dytësore këtë çështje. Ishte vendosur në atë kohë që të ndërtoheshin 5 godina të reja konviktesh, dy te Qyteti Studenti dhe tre te godinat pranë fushës së helikopterëve. Ishte marrë dhe një iniciativë nga rrethet që të ngrihej nga një konvikt i ri. Ramiz Alia më ngarkoi mua si sekretar i Komitetit Qendror që të kisha të drejtën për të thirrur sekretarët e parë të disa rretheve dhe të jepja porosi për këtë çështje. Unë u thashë atyre që vetë kryetarët e komiteteve ekzekutive të merreshin me ndjekjen e ndërtimit të konvikteve, ndërsa nënkryetarët të merreshin me punët e rretheve. Dhe kështu u bë realisht. Pesë godinat e qytetit u inauguruan në Tiranë. Çështja e mungesës së dritave dhe ujit, ishin çështje të neglizhuara qoftë nga Ministria e qoftë nga Rektorati. Ishte menaxhim i brendshëm i sektorit dhe nuk kishte lidhje me neglizhencën e pushtetit dhe partisë. Pakënaqësia e studentëve ishte krejt reale, e drejtë, por këtu kjo pakënaqësi u shfrytëzua për t'u përdorur politikisht.

Sipas informacioneve tuaja në atë kohë, kush e shfrytëzoi pakënaqësinë e studentëve?
Ambasada franceze ishte shumë aktive në atë kohë, po ashtu dhe ajo gjermane, çeke, ndërsa jugosllavja qëndronte e heshtur, edhe pse ajo i lëvizte të gjitha fijet. Mbante etikën diplomatike, por lëvizte çdo gjë. Ne i kishim informacionet që agjenturat e huaja përmes ambasadave të tyre po lëviznin dhe po shfrytëzonin çdo pakënaqësi. Kjo ishte açik, sepse ambasadori francez dhe ai gjerman dilnin hapur dhe në deklarata. Në një vend tjetër ata do të shpalleshin "persona non grata".

Cilat ishin masat që ju morët ndaj këtyre nxitjeve?
Më shumë masat tona kanë qenë neutralizuese, siç ju thashë për sheshet që ambasadat kërkuan.

U infiltruan njerëz të Sigurimit apo të Partisë te këto lëvizje?

Absolutisht jo, sepse ishin të vetinfiltruar. Ç'ta infiltroje Berishën, Pashkon apo dhe të tjerët?!

Fillimisht dolën studentët që udhëhiqeshin nga Azem Hajdari. Cili ishte mendimi juaj për Hajdarin?
Ishte njeriu më pak i besueshëm, më i çekuilibruar që mund të kishte. Ishte njeriu që s'kishte as taban, as ideologji, as dinte se çfarë kërkonte dhe ku donte të shkonte. Nëse unë fola në fillim për dekabristët, që kishin ideologë dhe udhëheqës, dhjetoristët tanë nuk kishin të tillë. "Shqipëria si gjithë Europa" ishte ëndërr, por jo program dhe filozofi. Asnjë platformë se si vendi do të dilte nga ajo situatë ku ishte. "Dhjetori" ishte një lëvizje pa platformë, me parulla. "Do marrim çekun e bardhë", kjo ishte parullë që u përdor masivisht në atë kohë, kush e kush të bënte premtimin më të bukur. Shkatërruesit më të mëdhenj të Shqipërisë, por dhe të ëndrrës së studentëve, kanë qenë tre veta: Sali Berisha, Azem Hajdari dhe Gramoz Pashko. Pashko, gjoja si ekonomist, shpjegonte se si do ndryshonte vendi nga niveli zero. Teoria zero ishte tipar i shteteve agresive që kërkonin të përmbysnin një regjim përmes shkatërrimit të ekonomisë. Por pasojat e shkatërrimit të ekonomisë rënduan në kurriz të popullit për dekada. Shumë mirë mund të ishte bërë përmirësimi i ekonomisë, modernizimi i saj, kurse atë që nuk të duhet e eliminon, por jo ta çosh në gërmadhë. Ngrihej Azemi dhe thoshte "vreshtat e Mamurrasit janë komuniste, t'i shkatërrojmë", "stallat e Maqellarës në Dibër janë komuniste, si i mbani, si nuk i shkatërroni këto produkte komuniste". Se ç'lidhje kishin plantacionet me komunizmin dhe prodhimi që ato jepnin, vetëm Azemi e dinte dhe ata që i shkonin nga pas si turmë!

E njihnit Azem Hajdarin, sepse pasi janë individualizuar drejtuesit e protestës së studentëve, ju duhet të jeni vënë në lëvizje për t'i njohur dhe kontaktuar?
Azem Hajdari ishte i të nëntëdhjetenëntave, në shërbim të Sigurimit të Shtetit. Ishte familje shumë e mirë, por nga familje të mira dalin dhe devijime. Kam pasur dy takime me të, njërin me Ramizin, pas të cilit u la të bëhej, dhe takimi me përfaqësinë e studentëve.

Kur e keni takuar Azemin me Ramizin?

Ka qenë pak ditë para takimit me përfaqësinë e studentëve, rreth orës 01:00 pas mesnate në korpusin e Universitetit të Tiranës. Ishim unë, Azemi me nja dy të tjerë dhe Ramizi. Por e shikoja Azemin të ishte i paqëndrueshëm. Qëndronte gjatë gjithë takimit në këmbë dhe thoshte erdha për t'ju takuar, por nuk gjeta ato përgjigje që prisja. Në fund u la që të zhvillonte një takim me Ramiz Alinë një përfaqësi e studentëve me Skënder Gjinushin dhe Lisien Bashkurtin.

Cilat ishin kërkesat e Azemit në atë takim?
Ju duhet të ikni nga pushteti. Ramizi i tha se kjo punë nuk bëhet kështu me dëshirën tënde, por duke pyetur popullin, përmes zgjedhjeve, përmes platformave. Më thuaj pse duhet të iki unë?

Po takimin e dytë me të kur e keni bërë?
Takimi i dytë ishte në Kuvend, kur Azemi ishte deputet. U bë një kontroll nga shteti për harxhimet e ish-udhëheqjes së Partisë. Ai priste që të dilte dhe emri im në atë listë. Kryetar i këtij kontrolli ishte Genc Ruli, i cili edhe për etikë përmend të gjitha shpenzimet e drejtuesve të kohës, ndërsa emri im nuk del. Unë kisha vetëm 40 mijë lekë të vjetër për ilaçe që kisha marrë për gruan që e kisha sëmurë. Azemi në pushim më thotë: "Bravo Xhelil, nuk të doli emri asgjëkundi!". I kthehem dhe i them se çfarë kujton ti se të gjithë njerëzit janë siç je ti?! Ky ishte takimi i dytë me Azemin. Kam dëgjuar që ka një vëlla shumë të mirë, të urtë, që merret me punët e tij dhe nuk ngatërron botën. Madje për mua vrasja e tij lidhet më shumë me tregti armësh dhe aspak me politikën. Të tjerat i kanë sqaruar vetë tropojanët. Por Sali Berisha dhe Azem Hajdari janë dy figurat që e kanë bërë lëmsh Tropojën dhe i kanë dhënë Tropojës një konotacion shumë të keq, sepse tropojanët janë malësorë të zgjuar, të cilët Enveri i ka sajdisur dhe i ka vlerësuar sa herë i është dhënë mundësia.

Po hyrjen e Sali Berishës si e kujtoni në Lëvizjen e Dhjetorit?
Sali Berisha më ka ardhur në zyrë kur unë isha sekretar i Parë i Partisë së Tiranës bashkë me Besnik Mustafajn kur studentët ishin në protestë. Një oficeri të policisë i ishte marrë pistoleta dhe ishin qëlluar studentët nga policia më pas me shkopinj gome. Ata erdhën te mua për të mbrojtur studentët. Në atë kohë Ministrinë e Brendshme dhe Ministrinë e Mbrojtjes ia kishim kaluar Këshillit të Ministrave e Presidentit dhe nuk vareshin më nga Komiteti Qendror. Edhe ministrat nuk ishin më nomenklaturë e Byrosë Politike, por ishin nën varësinë e Presidentit dhe Kryeministrit. Këto ishin masa zbutëse që ne kishim marrë drejt demokratizimit, duke shkëputur partinë nga shteti. Saliu më thotë se janë rrahur studentët, kam vajtur i kam parë dhe në spital të gjakosur. Unë i thashë që Hekurani nuk varet nga ne, por nga Ramizi, por do ta ndjek këtë çështje. Unë i telefonoj Ramizit, nuk e gjej dhe i lë një njoftim që dua ta takoj. Pasdite më merr Ramizi dhe i tregoj për takimin me Berishën. I them se nuk do të ishte keq që ta takonte dhe ai vetë Saliun. Nuk është për ta fshehur se ne dërgonim te studentët shumë profesorë, bile përpiqeshim të gjenin se kush ishte më me autoritet, që të flisnin me studentët me qëllimin e sinqertë që situata të mos acarohej, por të ishte nën një kontroll dhe të zhvilloheshin veprime sa më të buta për t'i çuar gjërat në një logjikë.

Është artikuluar gjatë periudhës së Lëvizjes Studentore në Byronë Politike që situata po precipiton dhe duhet të pranojmë pluralizimin dhe pluripartizmin dhe se vendi të shkojë në zgjedhje të reja demokratike?
Kjo erdhi gradualisht. Duhet thënë se Partia e Punës nuk ka qenë për pluripartizëm, por për pluriide dhe për zgjerimin e kompetencave të organizatave të masave. Kam qenë unë propozuesi që Fronti Popullor të ishte subjekt politik i veçantë dhe ai të nxirrte listën e kandidatëve të vet në zgjedhje. Bashkimet Profesionale propozova që të përfaqësojë interesat e punonjësve siç bënin sindikatat kudo, ose Organizata e Rinisë të bëjë oponencën e qeverisë dhe pushtetit. Ky ishte qëndrimi për pluripartizmin. Këto organizata të ktheheshin në subjekte politike. Edhe vetë PPSH u shndërrua në Parti Socialiste, kështu do të mund të ktheheshin dhe këto organizata në parti politike.

Nuk ishte kjo një manovër për të mbajtur të pastër terrenin politik ku Partia e Punës do të konkurronte po me "pjellën" e saj siç ishin organizatat e Frontit, Bashkimeve Profesionale, të Rinisë etj.?
Absolutisht jo. Mund ta ketë pasur Ramizi me qëndrimin e tij të dyzuar, por unë ia kam propozuar vetë këtë për të rritur konkurrencën dhe kritikën ndaj qeverisë dhe për ta bërë terrenin politik më të konkurrueshëm dhe me njerëz më të rinj. Kishte gjë më të mirë që sindikatat të shndërruara në një parti politike të përfaqësonin interesat e mijëra punonjësve?! Çfarë ishte Les Valesa...

Po, por greva e minatorëve të Valiasit u menaxhua keq...
Unë përsëri vij te dekabristët e Rusisë, të cilët kishin ideologët dhe platformat e tyre. Për mua lëvizja demokratike në Shqipëri më shumë i dedikohet Partisë së Punës, sepse i edukoi se si të bënin dhe organizonin lëvizjen demokratike, sesa një rrumpalle totalisht pa ide.

Ka pasur madje një tentativë të protestuesve në atë kohë për të sulmuar dhe hyrë në ish-Bllok. Si ka qenë historia e Neritan Cekës mbi tank që devijoi turmën duke shmangur një gjakderdhje?

Historia ka qenë e tillë. Unë kam qenë në zyrë kur më thonë se turma ka ardhur tek ura e Lanës. Më vjen Bashkim Cala, një shok i Neritan Cekës të më takojë. Azem Hajdari kishte qenë në Shkodër dhe kishte hapur fjalë se Xhelil Gjoni ka vrarë Ramiz Alinë pas ngjarjeve të 2 prillit. Bashkimi vjet për të verifikuar nëse kishte ndodhur kjo vrasje apo jo. Behari, shoqëruesi i Ramizit, më thotë se Bashkim Cala dhe një tjetër duan të më takojnë sepse janë hapur fjalët se keni vrarë Ramizin. Mua më kapi gazi, i marr e shkojmë në zyrë. Marr Ramizin në telefon dhe i them: "Shoku Ramiz, nuk jeni shtrirë në arkivol?!". "Çfarë ke more dibran që nuk i le kunjat pa lëshuar?". I sqarova si ishte çështja. I futa Calën dhe studentin që e shoqëronte tek i ndjeri Ramiz, biseduan por se çfarë, nuk kam dijeni.

Mendoni se Ramiz Alia bashkëpunonte me themeluesit e PD-së dhe drejtuesit e Lëvizjes së Dhjetorit?
Sigurisht që punonte dhe punonte zyrtarisht për t'i zbutur gjërat, por dhe nga frika se mos e pësonte si Çaushesku. Sepse plani dhe të dhënat, për aq sa jepte Sigurimi i Shtetit, ishte që zhvillimet në Shqipëri të ishin më të egra se në Bullgari dhe Rumani...




ARISTIR LUMEZI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
ROBERT QAFZEZI - U GODIT ZEMRA E PARISIT, M'U VRANË SHOKËT DHE MIQTË Artisti shqiptar që jeton prej 25 vitesh në Francë rrëfen ditën e tragjedisë. Simbolika e lagjes 11 dhe lidhjet me karikaturistët (01.08.2015)
HAPJA E DOSJEVE DO TË QETËSONTE SHUMË SHPIRTRANga ARTUR ZHEJI (01.07.2015)
NOCIONI 'ISLAMI TRADICIONAL'Nga OSMAN MUSLIU (01.07.2015)
Le Journal de Dimanche - SHQIPËRIA NË NJË UDHËKRYQ HISTORIK, 1913 (01.06.2015)
REZISTENCA E KASTERCIT KUNDËR HORDHIVE SERBE NË JANAR TË VITIT 1913Nga FADIL BYTYÇI (01.05.2015)
ELVI SIDHERI INTERVISTON FRITZ RADOVANIN (01.04.2015)
LETRA E INFERMIERS BETI DREJTUAR EDI RAMËS (01.02.2015)
NUMËR FESTIV I GAZETËS 'NIKAJ-MËRTUR'Nga MURAT GECAJ (01.02.2015)
SOPRANOJA MITROVICARE ME TË CILËN MBURRET OPERA GJERMANE (01.01.2015)
ARTISTËT QË U NDANË NGA JETA MË 2014 (12.30.2014)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart�]