E Enjte, 04.25.2024, 10:23am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
FLET GURO ZENELI NJERIU I AFËRT I RAMIZ ALIZË - JA PSE RAMIZI CAKTOI BERISHËN DHE XHELIL GJONIN PËR TË KONTROLLUAR LËVIZJEN DEMOKRATIKE, KUSH ISHTE KATËRSHJA KINEZE NË TIRANË DHE LETRA E GORBAÇOVIT
E Premte, 01.16.2015, 09:50am (GMT+1)


Ish-shefi i kabinetit të Ramiz Alisë, Guro Zeneli, njeriu më i besuar dhe bashkëpunëtori më i ngushtë i presidentit të parë në sistemin pluralist në Shqipëri, rrëfen prapaskenat e ndryshimit paqësor të sistemit, levat e dukshme dhe të padukshme të Ramiz Alisë për të mbajtur situatën nën kontroll, dilemat dhe debatet brenda udhëheqjes komuniste, lëvizjet, udhëzimet etj. Gjatë një interviste për gazetën "SOT", Guro Zeneli ndalet tek roli i Sali Berishës, Xhelil Gjonit, Ramiz Alisë dhe të shumë aktorëve të tjerë gjatë historisë më të debatuar dhe të diskutuar në 25 vitet e fundit. Ish-shefi i kabinetit të Ramiz Alisë, pohon se lëvizja e Alisë për ndryshim kanë ardhur pas një letre që mori nga Gorbaçovi. Sipas tij, Ramizi zgjodhi Berishën dhe Xhelil Gjonin për të mbajtur nën kontroll Lëvizjen Studentore. Po ashtu, edhe shkrime kritike në shtyp, bëheshin me leje të Ramizit. Zeneli flet edhe për atë që quhej si katërshja kineze, ku bënte pjesë edhe Berisha. Ai sjell detaje edhe mbi raportet e Alisë me Fatos Nanon dhe Partinë Socialiste. Zeneli thekson se Ramiz Alia ishte një personalitet vizionar, i linjës së butë dhe liberale, si dhe figura kyçe që garantoi një ndryshim paqësor, duke evituar gjakderdhjen.

Këto ditë, përfaqësues të Lëvizjes së Dhjetorit dhe ish-funksionarë të rëndësishëm të udhëheqjes komuniste, kanë hedhur teza të kundërta, variante, gjysmë të vërteta, të vërteta të pretenduara dhe teori sa i takon prapaskenave të ndryshimit të sistemit në vitin '90. Si ish-shef i kabinetit të Ramiz Alisë, mik dhe një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të tij, cila është e vërteta sipas jush, si arriti Ramizi të mbante nën kontroll situatën dhe si nisi bashkëpunimi i tij me Sali Berishën?
Janë takuar kur Ramiz Alia bëri mitingun, kur u mblodh e gjithë rinia. Ramizi u interesua të gjente se cilët ishin ata që udhëhiqnin lëvizjen. Kush ishin kryesorët etj. Doli që ishin nga Tropoja. Në këto kushte u caktua Xhelil Gjoni dhe Sali Berisha që të bisedonin me djemtë e Tropojës, Azemin etj. Berisha u caktua se ishte nga Tropoja, ndërsa Xhelili se ishte nga Veriu. Këta të dy i caktuan, pasi mendohej se, duke qenë nga Veriu, mund të ishin më të besueshëm për studentët. Ideja ishte që të qetësoheshin dhe jo të revoltoheshin. Pra, ideja e Ramizit ishte që studentët ta bënin demonstratën, por të mos kishte revoltime, përplasje dhe konflikte. Por, situata ishte delikate, pasi Xhelili dha urdhrin që të mbahej me forcë protesta. Të shtypej lëvizja. Ramizi nuk e donte këtë gjë. Ramizi kishte plane të tjera. Ramizi e kishte ndjerë më parë erën e ndryshimit që kur i erdhi një letër nga Gorbaçovi, si bashkëstudentë që kishin qenë dikur. Unë e kam atë letrën. E kam lexuar. Në letër, Gorbaçovi, shkruante që sistemi dështoi, të merren masa dhe të bëhej kthesa. Dhe Xhelilin e kishte marrë pranë vetes Ramizi, sepse kishte Byronë Politike, por kjo e fundit ishte e mbaruar (pleq të tërë). Xhelili ishte i ashpër. Është natyra e tij. Mehmet Shehu, përshembull, ishte njeri shumë i zoti, por shumë i ashpër.

Ju thoni se Xhelili ishte i linjës radikale...
Ishte i linjës së të ashpërve. Xhelili donte që të vendosej dhuna. Ramizi tha, jo. Dhe thirri Hekuranin me të tjerët, ndërsa mblodhi Byronë. Në këto kushte, u caktua edhe Berisha.

A ka pasur ndonjë debat mes Ramizit dhe Xhelilit, lidhur me menaxhimin e situatës?
Natyra e Xhelilit nuk ndryshohej dot. Dhe Ramizi e mori si dorë të fortë Xhelilin, që ta ndihmonte. Megjithatë, Ramizi e mori pranë tij, dhe duke e marrë pranë, ai u bë i fortë. Madje, mori dhe Hekuranin. Ramizi më thotë mua: Ke të drejtë Guro, por ti e di se si e kemi Byronë, të gjithë janë të moshuar dhe nuk mund t'i hedh në rrugë. Ramizi, si Xhelilin, si Hekuranin, i mori për punë. Por ata që të dy kërkonin luftë dhe që të vendosej forca.

Po Berisha si hyri në lojë?
Kjo është bërë gjatë natës kur erdhi Xhelili me Robert Kolin (sekretar partie në Tiranë) të takonin Ramizin. Në Ministrinë e Ushtrisë dhe në Ministrinë e Brendshme, të gjithë i kërkuan llogari Ramiz Alisë. Ramizi bëri takime me të gjitha ministritë kyçe të vendit. Ai kërkonte që ta zbuste situatën. Por Xhelili dhe Hekurani kërkonin të vendosej dhuna, forca. Ramizi e kundërshtonte këtë mënyrë të Xhelilit dhe Hekuranit, pasi thoshte se nëse veprohej ashtu sikurse thoshin ata të dy, do të vriteshin djemtë dhe vajzat tona. Berisha u dërgua nga Xhelili për të parë se kush ishin studentët dhe çfarë do bënin. Dhe Saliu u kthye dhe i tha Ramizit: Nuk më dëgjuan as mua. Pasi Xhelili, në takimin me Ramizin, kishte dhe Saliun me vete. Ky ishte takimi i parë fizik. Takimi i dytë ishte në mitingun ku foli Ramizi. Foli dhe Saliu dhe bëri një lavdërim të jashtëzakonshëm për Ramiz Alinë, pavarësisht se e futi në burg më pas.

Po pse Berisha e futi në burg Ramizin dhe jo Xhelilin?
Xhelili kishte një "rrobë" që e mbulonte dhe këtë e ka shfrytëzuar gjithmonë. Hysni Kapo ka qënë një nga figurat më të mëdha dhe më të mira në Shqipëri. Pas Hysni Kapos, vjen Ramiz Alia. Hysni Kapon e kam njohur shumë mirë dhe ai dinte se si t'i zbuste gjërat. Ramizi konsultohej me Hysni Kapon. Gruaja e Xhelilit, ishte motra e Hysni Kapos. Xhelili e kishte këtë mbështetje. Një herë bisedova me Ramizin për Xhelilin. I thashë Ramizit se Ismail Kadare kur u takova në Dajt, më tha që të të thoja, që ta hiqje Xhelilin. Pra, Kadare kërkonte që Xhelili të largohej nga Tirana.

Ju thoni se Ismail Kadare ishte kundër?

Ishte kundër. Xhelilin nuk e donte as Ramizi. Ramizi e mori nga halli Xhelilin dhe Hekuranin.

Unë vazhdoj të këmbëngul, pse nuk e dënoi Berisha Xhelilin, por vetëm Ramizin dhe Nexhmijen?
Kam idenë se kanë bërë një pakt midis tyre ose janë bashkuar për shkak të ndonjë pikëpamje krahinore. Kur rrahën 20 burra të PS, Servetin, Namikun etj., i them unë Ismail Lleshit: more Ismail, si ka mundësi që nuk rrahën asnjë njeri nga linja e tij. Ismaili ngriu. Të gjithë këta e hëngrën, shkopin, drurin, i thashë. Ismaili më tha: ka dhënë porosi Saliu dhe Gazidede, që të mos qëllohen pasi do krijohej armiqësi me Veriun. Vetëm Namiku iu ka shpëtuar, i thashë unë Ismailit. Dhe Namiku iu ka shpëtuar, më tha Ismaili, sepse dhe Namiku ishte nga Veriu.

Lëvizja Studentore ishte nën ndikimin e Ramizit deri në fund, apo kishte ndonjë moment që i doli jashtë kontrollit?

Ramizi e lejoi me ndërgjegje lëvizjen. E lejoi dhe e kontrolloi. Në atë kohë ndodhi dhe çështja e Çausheskut.

A u tremb Ramizi nga Çaushesku? Çfarë ju thoshte juve, a kishte frikë?
Edhe e besoj, edhe jo. Çaushesku na trembi të gjithëve. Pse këtu me gjak do bëhet kthesa? Ramizi kishte dhe letrën e Gorbaçovit. Kishte udhëzimet. Ndaj, Lëvizja Studentore ka qënë e nxitur nga ne. Nuk shkon njeri pa drejtim. Nuk kishte formë tjetër për ndryshim paqësor.

Mendoni se të gjitha ngjarjet ishin nxitur nga Ramizi sipas planit, apo rol kanë luajtur edhe qarqet e huaja?
Është nxitur nga ne, por kanë ndikuar edhe agjenturat e huaja. Në dhënien e vizave në ambasada u përfshinë edhe agjenturat e jashtme. Por, Ramizi e lejoi, nuk ishte për konflikt. Më tha një herë: O Guro, ke ndonjë njeri që ta bëjmë ministër? I thashë unë: Kam Robert Kolin dhe dikë nga Lezha. Një gjë, më tha: Të mos jenë të ashpër se nuk punoj dot me njerëz të tillë. Pra, Ramizi kërkonte ministër të Ekonomisë. E mirë, më tha. Më pas gjeti një ekonomist tjetër, sepse dikush i kishte thënë Ramizit për dy personat që i sugjerova unë, që ishin qejfli femrash. Më thotë Ramizi: O Guro më thanë kështu-kështu.

Në 13 dhjetor të '90 është mbledhur Byroja Politike. Çfarë mbani mend ju nga kjo mbledhje?
Po, ka pasur një mbledhje, por unë nuk kam marrë pjesë. Nuk futesha dot sepse nuk më takonte, por edhe nuk doja. Ramizi mblodhi Byronë Politike, mbledhje në të cilën shtroi disa probleme. Çfarë i kishte shkruar Gorbaçovi në letër, Ramizi e shtroi në mbledhje. Por, përpara mbledhjes së Byrosë, u mblodh Organizata e Partisë, ku bënte pjesë Ramizi dhe unë si anëtar i saj. Ramizi në këtë mbledhje tha: Ç'mendime keni ju? Ka kërkesa për fjalën e lirë? Ka kërkesa inteligjenca jonë? Mehmet Elezi tha: jo nuk ka shoku Ramiz. Dhe Ramizi më pas m'u drejtua mua: Hë ç'thua ti Guro? Se mua më kishte të tij. Më besonte. Dhe unë i thashë: Për mua, të gjithë intelektualët duan fjalën e lirë shoku Ramizi, të gjithë, edhe unë. Mua Ramizi më donte si djalë, si vëlla. Dhe pasi fola unë, u bë debat. U ngrit Mehmet Elezi, dhe Ramizi i tha me kunj: ulu, ulu ti Mehmet, se Guroja ç'i ka barku e hedh në tavolinë, nuk është si ne të tjerët. Më pas, Ramizi shtroi një sërë problemesh, që feja të mos prekej, që të mos merrnim në mbrojtje Stalinin. Asokohe unë isha shefi i Revistës "Rruga e Partisë".

Me që përmende Stalinin, si qëndron e vërteta e busteve? Kush i rrëzoi bustet?

Rënia e bustit ishte pjesë e planit për ndryshim. Kështu, rënia e busteve filloi me heqjen e bustit të Stalinit. Busti u hoq natën, me urdhërin tonë. Kush mund ta hiqte bustin e Stalinit dhe të Enverit po mos të donim ne? A imagjinohet dot? Kështu, busti i Stalinit u hoq natën pa bërë zhurmë dhe pa asgjë, nga një grup ndërtuesish, me urdhër të udhëheqjes. Ata ishin urdhëruar nga udhëheqja. Pastaj u hoq pa zhurmë edhe busti i Leninit. Ramizi e kishte problem, kërkonte që të hiqeshin bustet që u kishte ikur koha. Madje, një herë, Ramizi më tha mua në afrimitet: Po na ikën koha ne, jo më busteve! U hoq edhe në Kombinatin e Tekstileve "Stalin" busti i Stalinit. Ramizi i hiqte me taktikë dhe gradualisht. Ramizi jepte urdhra natën për të shembur bustet dhe ditën thoshte: Ou, pakan hequr edhe këtë bust. Paskan hequr edhe atë bust?! Ç'bëhet kështu! Para se të nisnin lëvizjet është mbajtur një mbledhje e organizatës së propagandës, ku bëja pjesë unë dhe Ramiz Alia. Në mbledhje u tha që të mos bëheshin më kritika për fenë. Ajo që ishte më kryesorja, ishte të mos e mbrojmë më Stalinin. Madje, Sofo Lazri tha: Po kur nuk e do populli i tij, ç'ta duam ne Stalinin? Po ta heqim more, ta heqim. Po ç'thoni more kështu. Po ta heqim! Dhe kjo u shtrua në diskutim. Ramizi tha: Mos e merrni më në mbrojte Stalinin, sepse do t'iu quajnë stalinistë. Të hiqen edhe librat që janë të ngarkuar. Për të këto punë u ngarkua Foto Çami, i cili ishte në krye të ekipit. Disa javë më pas nisën zhvillimet.

Shkrimet e Berishës në Zërin e Popullit, a u bënë me leje të Ramizit?
Shkrimi i parë që e bëri Ylli Popa, kaloi në dorën e Foto Çamit dhe Ramiz Alisë dhe më pas u botua. Shkrimi i Berishës, të cilin unë e kam lexuar, nuk e di që të ketë marrë ndonjë leje. Kur Kina dënoi katër vetë, këtu doli teoria e katërshes kineze ku bënin pjesë: Sali Berisha, Mehmet Elezi, Namik Dokle dhe Qemal Sekajeva. Neritan Ceka ka qënë pozitiv. Ka shpëtuar një moment historik, kur u bënë gati të mësynin bllokun, ta digjnin, dhe Neritani ka shkuar te Ramiz Alia dhe ka biseduar me të. Neritani bëri thirrjen te Dajti (se turma ishte gati të digjte pallatet e udhëheqjes sonë) që të ndalej ky veprim. Neritanin e çoi Ramizi, pas takimit që zhvilluan bashkë. Ramizi përpiqej që të mos bëheshin veprime të dhunshme.

Si u krijuan partitë dhe si doli në skenë Fatos Nano?
Partitë janë krijuar gradualisht. Është i vetmi vend, ku të gjitha punët u bënë me porosi të Ramiz Alisë. Ishte me fat që Ramizi ishte në krye të kësaj pune. Ramizi erdhi dhe në Partinë Socialiste. Ramizi e vuri Nanon në krye të PS. Ramizi dërgoi në Gjermani Fatos Nanon, në Suedi Pashkon, që të merrnin përvojën ekonomike. Ramizi donte ekonomi. Ramizi kishte debulesë për të dy këto vende. Ramizi kërkonte që të bëheshim më shoqërorë dhe social me njerëzit. Erdhi Nanoja nga Gjermania dhe kishte sjellë materialin për ekonominë e tregut atje. Nanoja e solli këtë material te revista ime, e korrektuan, e zbutëm dhe këtë material unë ia çove Ramizit. Ramizi u kënaq dhe tha: Nanoja duhet të jetë kryetar partie i PS. Dhe u zgjodh Nanoja. Më pas, në PS, që për mua bënë faj, u krijua ideja: Prapë do komandojë Ramiz Alia këtu? Ata që ishin në krye të partisë, nuk donin që të ishte prapë Ramizi. Dhe Ramizi e pa këtë gjë dhe u tërhoq. U mbyll ai kapitull. Ramizi edhe ujkun e bënte njeri. Ramizi dha dorëheqjen. Dua të shtoj dhe një detaj: Në 2005 u bënë zgjedhjet, Ramizi me një njeri të tij dha një porosi: Të pajtohej Nanoja me këta që të mos fitonte Saliu. Ramizi kërkonte që të fitonte e majta. Ramizi ka pasur ndikime shoqërore edhe pas ndryshimit të sistemit. Ramizi, nëpërmjet këtij të njohurit tha: Bashkohuni se ndryshe do humbisni. Por, ata nuk e bënë bashkimin se nuk donte Edi dhe Iliri. Më pas erdhi ai personi që kishte çuar Ramizi dhe i tha: Nuk duan të bashkohen. Dhe në këtë mënyrë, fitoi Saliu.

Kur Ramizi po jepte shenjat e para të zbutjes dhe kthimit, si i kishte raportet me Nexhmije Hoxhën?
Nuk e ka cenuar asnjëherë Ramizi, Nexhmijen. Edhe pse është gruaja e Enverit, Ramizi nuk e ka cenuar asnjëherë Nexhmijen. Ne të gjithë ishim të kujdesshëm që Nexhmijen të mos e cenonim.

Vijon...


Intervistoi: Joana Tafa


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NJË DITË ME ABAS KUPINNga JULIAN AMERY (01.15.2015)
25 VJETORI I DEMOSTRATËS SË PARË ANTIKOMUNISTE NË SHKODËRNë 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë...Nga FRITZ RADOVANI (01.14.2015)
JETA PARA VDEKJESNga AUREL DASARETI, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au) (01.13.2015)
GABIMET E FEVZIUT TE LIBRI PËR ZOGUNNga GAZMEND A BAKIU (01.12.2015)
PIRRO PRIFTI, NJERIU I ÇMENDUR NË KOHËN E DUHUROpinion nga AUREL DASARETI, USA, ekspert i shkencave ushtarake-psikologjike (dasaretiaurel@yahoo.com.au) (01.11.2015)
URA TIRANË â€“ STAMBOLL DHE “TRAMPOLINI”..!!Me rastin e vizitës së Davutoglu në Shkup...Nga FRITZ RADOVANI (01.10.2015)
HARRESANga GRIGOR NOSI (01.10.2015)
XHELIL GJONI - BERISHA, AZEMI E PASHKO SHKATËRRUAN ËNDËRRAT E STUDENTËVE, RAMIZI PUNOI ME TA (01.09.2015)
ROBERT QAFZEZI - U GODIT ZEMRA E PARISIT, M'U VRANË SHOKËT DHE MIQTË Artisti shqiptar që jeton prej 25 vitesh në Francë rrëfen ditën e tragjedisë. Simbolika e lagjes 11 dhe lidhjet me karikaturistët (01.08.2015)
HAPJA E DOSJEVE DO TË QETËSONTE SHUMË SHPIRTRANga ARTUR ZHEJI (01.07.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart]