VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - BASHKIM SHEHU RRËFEN SEKRETIN E SUPERDEGËS SË SIGURIMIT NË TIRANË

                                                                                      

E Enjte, 04.25.2024, 01:31pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
BASHKIM SHEHU RRËFEN SEKRETIN E SUPERDEGËS SË SIGURIMIT NË TIRANË

E Shtunë, 01.24.2015, 11:03am (GMT+1)


TIRANE - Ndonëse në roman flitet për një sozi të Enver Hoxhës apo për një Këshill Nokturn që kontrollon zhvillimet e sotme në Shqipëri, Bashkim Shehu, mohon të ketë dijeni që në realitet Hoxha të ketë pasur sozi e Shqipëria të drejtohet nga fije të padukshme. Ai vjen në një intervistë në "GSH" mbi romanin e tij më të ri, "Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve", një libër ku bëhen së bashku, diktatori që shfaqet si frankmason; pasardhësi që kapardiset si adhurues i paraardhësit; një komplot për Shqipërinë më 1997; Shtëpia e Gjetheve ose ajo që së shpejti njihet si muzeu i përgjimeve; shprehet se kur u "˜paralajmërua' vdekja e Hoxhës; se sa pakogjë ka mbetur në ato dosje dhe se sa pështirë i vjen kur sheh të dalin në mbrojtje të regjimit disa ish-drejtues të tij. Sillni para lexuesit një roman që merret me dosjet e Sigurimit të shtetit.

Pyetje:A keni parë ju dosje para se ta shkruanit atë? Si janë të ndërtuara?
BASHKIM SHEHU: Nuk kam parë asnjë dosje. Dhe romanin e kam konceptuar në mënyrë të atillë që të mos më nevojitej njohja e tyre. Më saktë, romani nuk merret me dosjet, por me misterin e dosjeve. Shumëkush që ka qenë i dënuar, vitet e fundit ka kërkuar të njihet me dosjen me të cilën e kanë dënuar.

Pyetje:Ju, e keni bërë? Çfarë gjetët në të, çfarë ju ka habitur?

BASHKIM SHEHU: Ish-të dënuarit nuk mund t'i shihnin dosjet, ashtu sikurse as qytetarët e tjerë s'kanë mundur. Dhe hapja e dosjeve, nëse do të ndiqet modeli gjerman, bëhet kryesisht që çdo ish-i dënuar, apo kushdo tjetër që është bërë objekt spiunimi, të mund të shohë dosjen që i takon, të shohë se kush e ka spiunuar dhe për çfarë.

Pyetje: Sa kohë keni që po punoni për këtë libër?
BASHKIM SHEHU: E kam filluar në korrik 2013 dhe e kam përfunduar nëntorin e shkuar.

Pyetje:Romani juaj vjen në një kohë që kryeministri Edi Rama ka kërkuar hapjen e tyre. A jeni dakord me këtë kërkesë?

BASHKIM SHEHU: Po, sigurisht.

Pyetje:Sipas jush, cila është arsyeja që po kërkohet hapja e tyre?

BASHKIM SHEHU: Nuk më intereson dhe aq arsyeja e politikanëve. Më intereson mungesa e çdo arsyeje që ato të vazhdojnë të mbahen të mbyllura.

Pyetje:Çfarë mund të ketë mbetur prej dosjeve?

BASHKIM SHEHU: Mendoj se ka mbetur vetëm një pjesë e vogël.

Pyetje:Së fundmi, u hap Bunkeri Antibërthamor në Tufinë. Ju, ishit në dijeni të tij? Çfarë dinit për të?

BASHKIM SHEHU: Nuk kam ditur asgjë.

Pyetje: Si e patë hapjen e tij, përtej debateve politike shumicë-pakicë?

BASHKIM SHEHU: Një shkrim i Carlo Bollino-s, ku tregon disa gjëra për këtë objekt, më zgjoi interes dhe do shkoj ta shoh.

Pyetje:Pritet të hapet edhe "˜Shtëpia me gjethe' ose "Gjethi"? Ju, çfarë dini për të?

BASHKIM SHEHU: Faktikisht, jam duke punuar në një projekt artistik për këtë ndërtesë, që ajo të shndërrohet në muze të përgjimeve të Sigurimit të Shtetit, si pjesë e kontrollit totalitar. Të tjerat që di për projektin, më mirë t'i shihni vetë kur projekti të jetë realizuar.

Pyetje:Cila është lidhja e "Shtëpisë me gjethe" me atë që në të folurën popullore (sekrete, të armiqve të popullit) i thoshin teqe, pra me Degën e Punëve të Brendshme?
BASHKIM SHEHU: Në "Shtëpinë me gjethe", më saktë në "Shtëpinë e gjetheve", siç do të quhet muzeu, kanë qenë dy degë të Sigurimit të Shtetit. Njëra merrej me ndjekjen e rezidentëve të huaj. Tjetra, me përgjimet elektronike e telefonike, si dhe me kontrollin e korrespondencës. Muzeu do të fokusohet më shumë te kjo e fundit, sepse kjo kishte për objekt edhe përgjimin mbi shqiptarët. Kjo degë e Sigurimit të Shtetit, e ashtuquajtura Degë Tekniko-Shkencore, kishte edhe rol udhëheqës për të gjitha degët e Punëve të Brendshme të Rretheve në këto aspekte të përgjimit, dhe, natyrisht, edhe për Drejtorinë e Tiranës, që ishte njëfarë super-dege.

Pyetje:Është një moment në romanin tuaj, ku ju përdorni një ironi therëse, sigurisht për ata që kanë trup prej mishi e gjaku. Po ju citoj: "kjo nuk do të thotë që të dënuarit shfrytëzoheshin, sepse, përveç pagës, ata kishin ushqim falas në vlerën 5 lekë të reja në ditë, strehim falas në kapanone, ujë të rrjedhshëm falas për të pirë, për t'u larë dhe për të larë teshat, sapun të mjaftueshëm për t'u larë dhe për të larë teshat, pjata alumini dhe lugë alumini falas, transport falas nga vendi i paraburgimit në vendin e vuajtjes së dënimit...." Më tej ironia juaj vazhdon e këto fjalë i vini në gojën e një të intervistuari që flet për dekadat komuniste, duke i mbrojtur ngjarjet e ndodhura ato kohë. A ka nuanca reale kjo? Si ndiheni kur i shihni disa ish-drejtues tek kapardisen në media me demagogji të tilla?
BASHKIM SHEHU: Varësisht nga gjendja e humorit, herë më vjen të pështirë, herë më vjen për të qeshur me këta njerëz. "Naun Gjika, para se të caktohej në Arkiv, kishte punuar si drejtues i një ekipi zhgroposjesh dhe rigroposjesh të tilla, që nuk e dinin dhe nuk duhej ta dinin ku kishte qenë më parë kufoma që zhgroposnin, dhe ku do shkonte pasi ta zhgroposte paskëtaj një ekip tjetër nga vendi ku e kishte groposur ekipi paraardhës, ndërsa tërësia e këtyre lëvizjeve ishte një sekret...".

Pyetje:Duke marrë të mirëqenë që ju keni bërë kërkime para se të shkruani këtë roman, a keni dijeni se sa trupa njerëzish mund të jenë "zhdukur"?
BASHKIM SHEHU: Dokumentimi nuk është i nevojshëm për natyrën e çdo romani, dhe mendoj se aq më pak do të ishte i nevojshëm për natyrën e këtij romani, që i shmanget qartazi qysh në krye të ashtuquajturit "realizëm". Ndërkaq, dihet ekzistenca e gropave të përbashkëta dhe e vendgroposjeve që vetëm Sigurimi i Shtetit mund t'i identifikonte.

Pyetje: "U shqyenin gjymtyrët e rropullitë, dhe të tjerë të vërvitur në humnera, në gropa të mëdha dëbore të përjetshme, si t'i kishin vërvitur nga qielli, dhe të zhgroposur e të copëtuar nga çukitje shpendësh mishngrënës, dhe në të tjera gropa të përbashkëta të panumërta". Duket sikur përshkruani skena genocidi...
BASHKIM SHEHU: E kam shkruar si vegim apokaliptik të një personazhi të lidhur me terrorin shtetëror dhe që ka frikë nga ringjallja e të vrarëve, pak a shumë ashtu si kthimi i të vdekurve në ditën e Gjyqit të Mbramë të "Apokalipsit" të Shën Joanit.

Pyetje: Pse keni përfshirë një dervish në "˜ndërtimin' e Arkivit sekret?

BASHKIM SHEHU: Sepse ashtu më erdhi. Sikurse më erdhi që të vija aty edhe ca shkencëtarë me aparatura të sofistikuara që matnin praninë e radioaktivitetit dhe të faktorëve të tjerë kimikë të truallit dhe të ajrit. Është një skenë absurde, apo më mirë një ëndërr absurde. Nga ana tjetër, figura e një dervishi përshoqërohet me idenë e "teqes", të cilën e përmendët edhe ju. Po nuk më kujtohet a më erdhi në mendje më parë ideja e "teqes", për të më çuar te prania e dervishit, apo nëse idenë e "teqes" e kam pasur në pavetëdije kur më erdhi që njerëzve të shkencës t'u shtohej edhe një njeri i fesë. Gjithsesi, nëse romani lexohet nën një optikë "realiste", që do të ishte optika e gabuar për këtë roman, atëherë edhe prania e shkencëtarëve, edhe ajo e dervishit janë pa vend.

Pyetje:"Njohja e brendisë së dosjeve, ose, siç quhet, hapja e dosjeve, mendohet si akt që do ta shkëpusë Shqipërinë një herë e mirë nga një e kaluar e errët, njëlloj sikur kjo e kaluar të mos kishte qenë", shpreheni ju në roman. Në fakt, a besoni se realisht hapja e dosjeve, do sjellë një shkëputje?
BASHKIM SHEHU: Jo, nuk besoj. Më tingëllon si ato përrallat me magji e me prishje magjie. Sidoqoftë, thyhet një tabu e vjetër, po vetëm kaq, ose pakogjë më tepër se kaq.

Pyetje:Ka pasur shumë pak emra, që publikisht kanë bërë një "˜mea culpa'. Shumë të tjerë, ende "˜fshihen' dhe refuzojnë të pranojnë atë që ishin e atë që bënë, madje nëse ndodh që t'i prekësh në këtë pikë, fyhen dhe të fyejnë. A do kishit një këshillë/sugjerim për ta?
BASHKIM SHEHU: Do t'u sugjeroja të mblidheshin së bashku dhe të lexonin çdo ditë nga një faqe prej "Librit të zi të komunizmit", kolektivisht, dhe mundësisht me zë, tri herë në ditë... Bëra shaka. Jo, faleminderit, nuk kam asgjë për t'u thënë këtyre njerëzve.

Pyetje:Ju flisni për Këshillin Nokturn, ose Këshillin e Natës, duke iu referuar atij si një zyrë e fshehtë, në Shqipërinë e dy dekadave të fundit. "Thuhet se kjo zyrë drejton gjithçka që ndodh në Shqipëri. Ka tipare të përbashkëta me urdhrat e fshehtë fetarë dhe kalorësiakë të Mesjetës". Kjo, të sjell në mendje "˜Katovicën', ose siç ju e quani në libër Platforma e Drashovicës, e mandej një ishudhëheqje që duket se udhëheq pas perdes. Ku ndahet realiteti nga imagjinata?
BASHKIM SHEHU: Është një trillim brenda trillimit për një trillim.

Pyetje: Festim Diamanti, Naun Gjika, Anahanëm Bagirova, Mariana Kastrati, Romeo G. etj, a janë njerëz që ju i keni njohur nga afër, apo janë personazhe të ndërtuara prej jush duke iu veshur karakteristika që ndërtonin atë që duhej të përcillte romani?
BASHKIM SHEHU: Këto personazhe janë thjesht trillime.

Pyetje: Kush është ki? Ç'do ki këtu? Ende s'ma kini zhdukur?" janë fjalët që tha Hoxha kur pa kipcin e tij. Kipci, ose sozia e Enver Hoxhës, zë një vend të rëndësishëm në librin tuaj. E para, dini ju që ai të ketë pasur vërtet një sozi në vitet e fundit të jetës, sikurse thuhet në roman? Apo nuk ishte i nevojshëm në rastin e tij?
BASHKIM SHEHU: Për këtë nuk di asgjë.

Pyetje: "Në legjendat nordike, shfaqja e kipcit, që romantikët gjermanë e kanë quajtur Doppelgänger, është një ogur i zi, që paralajmëron mynxyra, ose madje vdekjen tënde, dhe kjo e bën të kuptueshme frikën e Enver Hoxhës tek po lëngonte në shtrat". Çfarë e paralajmëroi, sipas jush, vdekjen e Hoxhës?
BASHKIM SHEHU: Për vdekjen e tij, në kuptimin fizik të fjalës, këtë e dinë mjekët që e kanë kuruar. Ndërsa vdekja e tij në kuptimin politik, domethënë vdekja e sistemit të drejtuar prej tij kur ishte gjallë fizikisht, por, në njëfarë kuptimi, të drejtuar prej tij edhe mbas vdekjes fizike, është paralajmëruar në mënyrë të përsëritur në çdo valë terrori, madje në çdo arrestim apo ekzekutim kundërshtarësh realë ose imagjinarë.

Pyetje: "Në kohën e shembjes së piramidave financiare (dimër 1996-1997 ose pranverë 1997), Naun Gjikës gati-gati iu krijua bindja se komploti i madh kundër Shqipërisë (edhe më i gjerë se komplotet e dikurshme të dy superfuqive dhe të aleancave të përbotshme kundër këtij vendi të vogël". Këto fraza të kujtojnë teori që qarkullojnë për rrëzimin nga pushteti të shumicës së kohës, pra të Partisë Demokratike. A mendoni se kishte realisht një lloj komploti, qoftë edhe në përmasa më të vogla?
BASHKIM SHEHU: Qarkullojnë teori për nëntëdhjeteshtatën, qarkullojnë teori për 2 korrikun, qarkullojnë teori për 8 dhjetorin, qarkullojnë teori për 20 shkurtin, madje qarkullojnë teori edhe për 14 korrikun, pra në lidhje me Revolucionin Francez... Nuk di të ketë ndonjë të dhënë që t'i provojë këto teori, por ka njerëz që i besojnë, a thua ngjarjet që shënojnë kthesa përbëjnë një seri filmike me spiunazh. Me fjalë të tjera, historia e popujve si histori agjenturash.

Pyetje: Kur lexoja këtë libër, kisha një gjendje mjegulle që më shoqëronte. Skenat ku zhvilloheshin ngjarjet, i imagjinoja po prapë të tilla, të turbullta, në muzgje. Ndjenjë boshllëku, ndërtesa gri, zyra gjysmë të ndriçuara...Si ishte gjendja juaj gjatë procesit të shkrimit?

BASHKIM SHEHU: Procesi i të shkruarit të këtij romani, përkundrazi, më ka dhënë kënaqësi, ashtu si asnjë libër tjetër që kam shkruar.

Pyetje: Ju vini disa lidhje mes frankmasonerisë dhe Hoxhës. "Lidhja e komunizmit shqiptar me masonerinë botërore qenkësh pikërisht vepër e Enver Hoxhës". Këto duken si teori konspirative, por a ka gjasa që përkufizimi për teoritë konspirative të jetë: të vërteta të paprovueshme publikisht?

BASHKIM SHEHU: Unë do të thosha që janë të pavërteta të provueshme publikisht. Janë të pavërteta që besohen lehtësisht nga një numër jo i vogël njerëzish, sidomos në kontekste totalitare ose post-totalitare, po ndonjëherë edhe në kontekste të tjera.

Pyetje: A mendoni se është ende aktuale shprehja "ishte shënuar vetëm ditëlindja e të vdekurit, por jo edhe ditëvdekja"? A kemi ne një datë vdekjeje për të, apo është ende "˜gjallë'?

BASHKIM SHEHU: Kemi parasysh shfaqjet e fotos së tij nëpër takime përkujtimore. Për këtë do të thosha se, te një pjesë e njerëzve, pavarësisht nga identifikimet e tyre ideologjike, është e pranishme fryma e sistemit që përfaqëson Enver Hoxha.

Pyetje: Ju ironizoni në roman, ironizoni shumë, e sidomos kur flisni për krijimin dhe kompetencat e një Komisioni të Posaçëm për Kërkimin e Jargëve, çka të kujton edhe lotët e derdhur "˜shtatë ditë e shtatë net', kur ai vdiq...

BASHKIM SHEHU: Në atë kohë kam qenë në burgun e Burrelit, ku s'kishim televizor. Këto skena i kam parë më vonë, në materiale dokumentare të arkivave filmike. Por nuk i kam pasur parasysh kur kam shkruar fragmentin që përmendni ju.

Pyetje: A besoni vërtet se dosjet ndryjnë shpirtrat e njerëzve të cilëve u përkasin, i mbajnë, si të thuash, të lidhur brenda vetes?

BASHKIM SHEHU: Kështu beson një personazh i romanit, një personazh i çmendur. Po në njëfarë mënyre ashtu është, sepse ndonjëherë të çmendurit arrijnë të kapin të vërteta që nuk i kap arsyeja. Ishin përhapur thashetheme rreth gjetjes së një thesari në minierën e Krrabës, minierë e braktisur qymyrguri, dhe se galeritë e braktisura të kësaj miniere çonin te një mjedis i nëndheshëm që ishte një shëmbëlltyrë apo një dyzim i Bllokut të udhëheqësve, një botë paralele. Për mua, ideja e botëve paralele është një nga metaforat qendrore të romanit. Shpresoj që si të tillë ta shikojnë edhe lexuesit.

Pyetje: A mendoni se çështja e dosjeve, e hapjes dhe e moshapjes së tyre dhe e të fshehtave që ndryhen brenda tyre, sikurse edhe çështja e krimeve të së kaluarës, përdoren herë pas here për të mbuluar të tjera gjëra, për ta larguar vëmendjen e njerëzve nga problemet e vërteta të së tashmes dhe nga zullumet e vërteta të së tashmes?
BASHKIM SHEHU: Shumë gjëra të së kaluarës mund të përdoren për ta larguar vëmendjen nga problemet e vërteta të së tashmes. Por kjo nuk do të thotë se nuk duhet folur për të kaluarën. Përkundrazi, nëse e kaluara lihet në heshtje, atëherë bëhet edhe ajo një problem i vërtetë i së tashmes.

Pyetje: Ish-kreu i SHISH-it, Fatos Klosi ka pranuar në media se disa dosje janë asgjësuar. Në fakt, ju e thoni këtë në librin tuaj....
BASHKIM SHEHU: Në libër e thotë një personazh që thotë edhe të kundërtën, thotë se dosjet janë të paasgjësueshme. Sa për mendimin tim, është ai që shpreha pak më parë, se është ruajtur vetëm një pjesë e dosjeve.

Pyetje: Shkartisja e së qenës me të paqenën brenda çdonjërës prej dosjeve ka pasur po atë pushtet, mbi fatet dhe jetët e atyre që kishin ose mund të kishin pasoja prej dosjeve, sikurse ai i shkartisjes së ngjarjeve nga dora e Zotit. Kush ishte Zoti dhe anën e kujt mbante?
BASHKIM SHEHU: Nuk më duket ide e mirë që të shpjegoj stilemat e një libri që kam shkruar. Do të parapëlqeja që ato të shpjegonin vetveten.

FATMIRA NIKOLLI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
A DO TË LINDË NË SHQIPËRI NJË TJETËR DIPLOMAT SI ISMAIL QEMALI?!Studim nga VILHELME HAXHIRAJ (01.24.2015)
PUNËMËDHENJTË E ROGANËSEsé nga RRUSTEM GECI (01.22.2015)
LETËR BIRIT TIM NINEL GASHIT TË VRARË MË 21 JANAR 1994Nga AGIM GASHI (01.21.2015)
JA HISTORIA E SHQIPTARIT QË U MARTUA ME VAJZËN E KAPOS SË MAFIES ITALIANE NË NJU JORK (01.20.2015)
SHQIPËRIA MË 1957 - FOTOGALERI (01.19.2015)
AKTORI SHQIPTAR - ANGLEZ NË PERANDORINË OSMANE (01.18.2015)
HAPJA E DOSJEVE PA LUSTRACION - VETËM DEMAGOGJI KOMUNISTENga BESIM NDREGJONI (01.17.2015)
FLET GURO ZENELI NJERIU I AFËRT I RAMIZ ALIZË - JA PSE RAMIZI CAKTOI BERISHËN DHE XHELIL GJONIN PËR TË KONTROLLUAR LËVIZJEN DEMOKRATIKE, KUSH ISHTE KATËRSHJA KINEZE NË TIRANË DHE LETRA E GORBAÇOVIT (01.16.2015)
NJË DITË ME ABAS KUPINNga JULIAN AMERY (01.15.2015)
25 VJETORI I DEMOSTRATËS SË PARË ANTIKOMUNISTE NË SHKODËRNë 70 vjetorin e përmbytjes së Shqipnisë...Nga FRITZ RADOVANI (01.14.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]