E Premte, 03.29.2024, 12:49pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
Gaqo Çako sot mbush 80 vjeç
NJË ÇIFT OPERISTIK SI GAQO DHE LUIZA ÇAKO

E Shtunë, 01.24.2015, 06:36pm (GMT+1)





Gaqo Çako sot mbush 80 vjeç. Për "Shekulli"-n ai rrëfen rrugëtimin artistik, por edhe detaje nga jeta e tij bashkëshortore, përkrah sopranos, Luiza Çako. Sonte në TOB organizohet një koncert në nderim të tij

Fëmijërinë e kaloi në Korçë, aty ku serenatat nuk reshtën asnjëherë së kënduari. Më pas u vendos në Kuçovë, ku dhe spikati nëpër aktivitetet në shtëpinë e kulturës, ku edhe i dhanë të drejtën për studime në Liceun Artistik. Adoleshencën e kaloi në Tiranë. Edhe kështu gradualisht nisi rrugëtimi i mirëfilltë artistik për të, derisa iu dha edhe mundësia që të na përfaqësonte, jo vetëm nëpër institucionet tona kulturore, por edhe nëpër ato ndërkombëtare. Ka shëtitur pothuajse në të gjithë teatrot e botës. Ka interpretuar veprat më të mira të kompozitorëve botërorë, edhe shqiptarë, por edhe ka kënduar në 28 edicione të Festivalit të Këngës në Radio Televizionin Publik Shqiptar. Sot, më 24 janar është tetëdhjetë vjeç. Ky zotëri jeton në hyrje të rrugës "Luigj Gurakuqi", së bashku me bashkëshorten e tij. Bëhet fjalë për tenorin e mirënjohur Gaqo Çako dhe për sopranon Luzia Çako. Ata vijnë në një rrëfim për gazetën "Shekulli". I takuam të dy në apartamentin modest, që gjendej në katin e katërt, aty ku ata ndajnë edhe pjesën më të madhe të kohës të kohës me njëri-tjetrin. Në të katërt cepat e dhomës së pritjes gjendeshin fotografi të çiftit, teksa ishin duke interpretuar role të ndryshëm në skenë, brenda edhe jashtë vendit. Artisti Çako gjatë bisedës me ne ndau momentet e para në krijimtarinë muzikore, rrugëtimin e mëtejshëm në skenë, bashkëpunimet me artistë, por pa lënë mënjanë edhe mbështetjen e madhe, që ka patur nga bashkëshortja e tij Luiza, me të cilën para disa ditësh ka bërë plot 52 vjet martesë.

Zoti Gaqo, sot mbushni 80 vjeç, një jetë në skenë si artist. Por nëse rikthehemi në kohë a ju kujtohet se nga i keni patur ndikimet e para në muzikë?

Unë jam nga Korça, edhe deri dje ky qytet ka qenë grupi i kulturës, i serenatave, i modës në atë kohë, sepse duke qenë se ka qenë nën influencën franceze, ky qytet ka qenë shumë i zhvilluar. Unë qysh i vogël kam kënduar, edhe e kam patur pasion këngën. Edhe kur nga Korça shkuam në Kuçovë, jam angazhuar në shtëpinë e kulturës. Fillimisht këndoja nëpër koncerte edhe nëpër raste të ndryshime. Duke më parë njerëzit se unë kisha një lloj talenti më akorduan një bursë për në Liceun Artistik. Në vitin 1952 bëra provimin edhe mbarova shkollën shumë mirë, së bashku me Luizën, sepse ne jemi njohur qysh në Lice Artistik, vetëm 3 vjet diferencë kemi. Luiza ka qenë në skenë bashkë me mua. Pasi mbarova Liceun mua mu dha bursa për të shkuar në Rusi për studime. Konservatori i Çajkovskit në Rusi ka përgatitur kuadro të fuqishëm, edhe të talentuar. Edhe unë pata fatin që të jem nën drejtimin e një pedagogu shumë të mirë, edhe me ndihmën e tij munda që të aktivizohesha në rrugën time skenike. Më pas mbërrita në Shqipëri ku më emëruan në TKOB.

Ju kujtohen emocionet e koncertit të parë në TKOB?

Po, më kujtohen. Koncerti i parë ka qenë kur ne kishim ardhur nga Rusia, ishim shumë artistë. Më kujtohet koncerti i parë edhe sepse pati një sukses shumë të madh, publiku është ngritur në këmbë, qysh atëherë filloi një epokë e re në TKOB. Në piano jam shoqëruar nga Margarita Kristidhi. Kështu filloi karriera ime në TKOB, derisa pas sukseseve të njëpasnjëshme fillova të këndoj edhe operat "La Boheme", "La Traviata" etj. Më pas më dhanë një bursë tjetër specializimi për në Itali. Kur mbarova specializimin u ktheva edhe më i pjekur, jo vetëm fizikisht, por vokalisht, edhe mendërisht, sepse i kuptoja problemet më ndryshe. Nisa që të reflektoja në arti tim për ta paraqitur atë sa më bukur. Kështu që gradualisht jam bërë një artistë, që ka kënduar të gjitha rolet, në të gjitha koncertet. Kam shkuar në të gjitha shtetet për të kënduar, deri në Kubë, në Irlandë, Kanada etj.

Cilin koncert do të veçonit nga ata që keni realizuar, si më mbresëlënësin brenda apo jashtë vendit?


Jashtë vendit ka qenë ai në Kubë, sepse atje kam qëndruar dy muaj e gjysmë. Është një vend që e do shumë artin, të bukurën. Unë shkova për 15 ditë, por ata më kanë mbajtur 3 muaj, së bashku me Mentor Xhemalin. Jo vetëm që kam kënduar, por më pas më kanë aneksuar pranë Teatrit të Operës së tyre, dhe kam bërë tërë ata koncerte, me artistë kubaneje. Ka qenë një sukses i jashtëzakonshëm për mua. Por kënaqësia më e madhe për mua ka qenë, që unë kam kënduar në Shqipëri. Këtu do të jetoja edhe do të banoja, me shokët edhe me miqtë. Prezantimi im në skenën shqiptare më ka dhënë kënaqësi të madhe, qysh kur kam qenë i ri, edhe deri sot, sepse kam marrë pjesë në disa koncerte.

Ju keni marrë pjesë edhe në 28 festivale të këngës në RTSH? Këngët tuaja vazhdojnë ende të interpretohen edhe nga brezi i ri në skenë... Cili është çelësi që këto këngë i kanë rezistuar kohës më tepër se sa ato që shpallen fituese në festivalet e viteve të fundit?

Megjithëse asokohe fryma ka qenë e partisë, gjithmonë kanë fituar këngët e bukura, pa thënë parti, pa thënë Enver. Për shembull kënga "Këputa një gjethe dafine", nuk ka lidhje fare me partinë, apo edhe " Udhët e atdheut na thërrasin", që kam kënduar unë. Pavarësisht se ideologjia ishte ashtu, këngët e bukura i vlerësonte. Fitonte më e bukura, ajo që të mbeste në vesh. Unë mendoj se këngë e bukur është ajo që ka jetë të gjatë. Shijet janë të ndryshme, por ky fakt e masivizon mendimin. Sot shikojmë se fitojnë këngë në festivale, që edhe fshihen. Këngët duhet që të ngelen, ne kemi këngë që janë kënduar para 50 vjetësh, edhe këndohen ende, sepse ato ngelin ndër më të mirat.

Përgjatë tërë këtyre viteve në skenë, në rrugëtimin tuaj artistik, sa ju ka mbështetur Luiza?


Ajo më ka mbështetur gjithmonë në të gjitha drejtimet, ka sakrifikuar veten e saj shumë, edhe më është dedikuar mua. Kjo është më kryesorja. Ka plotësuar të gjitha kërkesat e mia, nuk ka kursyer asgjë, edhe sot e kësaj dite më ndihmon për çdo gjë.

--

 

ÇIFTI GAQO ÇAKO DHE LUIZA ÇAKO

Jeta

52 vjet martesë me Gaqo Çakon


Pas një mashkulli të suksesshëm, fshihet një femër e zonja. Kjo ka ndodhur edhe me Gaqo Çakon. Gjatë bisedës me çiftin e artistëve, Luiza tregon me momentet më të vështira, edhe ato më të bukura në 52 vjet martesë me artistin e madh. Ata së bashku janë njohur gjatë Liceut Artistik, por vetëm pas studimeve në Moskë, jeta e tyre mori tjetër rrjedh, ata nisën të kuptonin se e kishin shortin, afër njëri-tjetrit. Luiza tregon për njohjen e tyre, por edhe për një ditë të zakonshme tani.

Zonja Luiza na trego pak për njohjen tënde me zotin Gaqo?

Fillimisht ne kishim muhabete shkolle. Sikurse bëjnë fëmijët, shkonim në mensë hanim ushqim, mësonim histori muzike, mësonim kanto, nuk kishim ndonjë muhabet tjetër, vetëm shoqëri të zakonshme.

Por kur njohja juaj mori tjetër rrjedh?

Njohja jonë mori tjetër rrjedh shumë vonë. Gaqo shkoi në Rusi, ku më pas shkova edhe unë. Shiko, ishte kësmet për t'u bërë. Nuk e dinim se e kishim shortin afër njëri-tjetrit.

Nuk e kishit menduar asnjëherë?

Nuk e di për Gaqon, por unë jo. (qesh) Ka qenë kësmet. Unë e doja shumë. Bashkë rrinim shumë edhe kishim edhe muhabete familjare, por që të më shkonte në mendje kjo, jo. Më pas u rritëm, shkuam edhe në Moskë, edhe aty filluam ta shikonim njëri-tjetrin me një sy tjetër. 52 vjet bashkë mbushëm para disa ditësh, hiq pjesën që jemi njohur, sepse mund të shkojnë 60 vjet. Që të jetosh 52 vjet me një njeri, duhet që të dish që të mbash ekuilibër, edhe të lëshosh pe, nuk ka shtëpi pa sherre. Sot bëjnë shumë gabim çiftet, prishin familjet për hiç gjë.

Më pas vjen në jetë vjen Piro, i cili do të ndiqte rrugën tuaj...

Unë mendoj se të mësosh një instrument nuk ka asnjë gjë të vështirë, madje është kulturë. Ka shumë inxhinierë jashtë shtetit, që nuk kanë lidhje fare me artin, por dinë që t'i përdorin instrumentet, sepse i kanë mësuar nga prindërit. Kështu bëmë edhe ne me Piron, piano kishte në shtëpi, atë e bëri tetë vjet. Pas pianos nisi për kanto, edhe më pas përsëri donte kompozicionin, por Gaqo i dha dirigjimin. Atij i ngeli gozhdë kjo, derisa bëri një kurs për kompozim në Francë. Edhe kështu nisi rrugëtimi i tij artistik, deri më sot.

Po nipi, a është ndikuar nga ju në zgjedhjet e tij?


Atë deri në moshën 12-vjeçare e kam rritur vetë. Ndoshta ka vazhduar për Shkenca Politike, por edhe ai i bie pianos bukur, kompozon, merret edhe me prodaction. Muzikën e lehtë e njeh shumë mirë, edhe atë klasike e këndon. E ka në dell artin, sepse dy gjyshërit, dy gjyshet, mamaja edhe babai janë artistë.

Por si është një ditë e zakonshme juaja, të dy bashkë?

Gaqo ngrihet shumë herët. Kurse unë bie shumë vonë, rri deri në orën dy shikoj emisione që më interesojnë. Madje edhe sporti më pëlqen, më pëlqejnë analizat që bëhen pas ndeshjes. Edhe në opera nuk para shkojmë shumë, sepse është shumë ftohtë, edhe duhet që të marrim një jorgan me vete, ndërsa kur ngrohet koha, nuk ka opera. Filmat i shikojmë këtu.

Po me kuzhinën kush merret. Çfarë pëlqen që t'i gatuash zotit Gaqo?

Unë nuk para bëj shumë gatime tani, sepse edhe mosha bën të vetën, edhe ne nuk hamë dot nga shëndeti. Por nëse shikon librat, edhe fletoret që kam aty mund të them se kam patur mani që të gatuaj çdo gjë. Tani jo se nuk gatuaj, por na ka dalë një modë e re, se mishi i kuq nuk bën, duhet i bardhë. (qesh) Por megjithatë unë mundohem që të bëj diçka të mirë, se vetëm atë kënaqësi kemi tani.



Sonte në TKOB

Në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit, sonte ora 19.00, festohet 80-vjetori i artistit të madh, Gaqo Çako. Tenori i madh, artist i popullit, i rreshtuar në emrat e mëdhenj të muzikës shqiptare si: Ramiz Kovaci, Mentor Xhemali etj., është një nga yjet e skenës operistike shqiptare edhe asaj europiane. Për këtë arsye, kënaqësia është më e madhe në këtë përvjetor të rëndësishëm, nga e njëjta skenë ku ai ka përçuar aq shumë emocione për publikun shqiptar. Koncerti- spektakël që do të vendoset në skenë për nder të tij do të përmbajë pjesë nga operat, të cilat janë pjesë e repertorit të tij. Do të interpretojnë solistët e TKOB, kori dhe Orkestra Simfonike. Regjia do të jetë nga Nikolin Gurakuqi, dirigjent kori, Dritan Lumshi dhe dirigjent Edmond Doko. Nuk do të mungojnë surprizat ku përfshihet edhe një performancë nga vetë Gaqo Çako shoqëruar nga i biri Pirro Çako dhe tenori Kastriot Tusha. Surprizat e tjera do të duhet t'i zbuloni vetë në sonte në skenën e TKOB. Hyrja është e lirë kështu që kushdo mundet që t'i urojë nga afër artistit të madh shëndet dhe jetë të gjatë... (Për të dëshmuar aktivitetin e pasur artistik të Gaqo Çako, do të organizohet një ekspozitë në hollin kryesor të TKOB dhe pas Koncertit do të shtrohet një kokteil për të ftuarit)

Programi:

-CD Aria e Palaços nga Opera "Palaçot" e Ruggero Leoncavallo, Gaqo Cako

- Fjala e hapjes dedikuar veprës së Gaqo Çakos

-Prezantimi i gjysmës së parë të programit G.Puçini, aria e Kavaradosi-t "E lucevano le stelle" nga opera "Tosca", interpreton: Julian Gjojdeshi tenor (ish-student i Gaqo Çakos)

-G.Puçini , aria e Musettas-s "Quando m'en vo" nga Opera "La Boheme", interpreton: Dorina Selimi soprano.

-"Libiamo nei lieti calici" nga opera "Traviata" e G. Verdi, interpretojnë Eva Golemi, Mariana Leka, Kastriot Tusha, Julian Gjojdeshi, Ramona Tullumani, Ylber Gjini, Armando Likaj, Dorina Selimi etj.

Në nderim të profesorit Eno Koço ka nxjerrë edhe 2 CD, secila me nga 18 këngë nga pjesët e interpretuara nga Gaqo Çako, në shqip edhe në gjuhë të huaj. Kjo CD është mbështetur nga Ministria e Kulturës.


VALERIA DEDAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
BASHKIM SHEHU RRËFEN SEKRETIN E SUPERDEGËS SË SIGURIMIT NË TIRANË (01.24.2015)
A DO TË LINDË NË SHQIPËRI NJË TJETËR DIPLOMAT SI ISMAIL QEMALI?!Studim nga VILHELME HAXHIRAJ (01.24.2015)
PUNËMËDHENJTË E ROGANËSEsé nga RRUSTEM GECI (01.22.2015)
LETËR BIRIT TIM NINEL GASHIT TË VRARË MË 21 JANAR 1994Nga AGIM GASHI (01.21.2015)
JA HISTORIA E SHQIPTARIT QË U MARTUA ME VAJZËN E KAPOS SË MAFIES ITALIANE NË NJU JORK (01.20.2015)
SHQIPËRIA MË 1957 - FOTOGALERI (01.19.2015)
AKTORI SHQIPTAR - ANGLEZ NË PERANDORINË OSMANE (01.18.2015)
HAPJA E DOSJEVE PA LUSTRACION - VETËM DEMAGOGJI KOMUNISTENga BESIM NDREGJONI (01.17.2015)
FLET GURO ZENELI NJERIU I AFËRT I RAMIZ ALIZË - JA PSE RAMIZI CAKTOI BERISHËN DHE XHELIL GJONIN PËR TË KONTROLLUAR LËVIZJEN DEMOKRATIKE, KUSH ISHTE KATËRSHJA KINEZE NË TIRANË DHE LETRA E GORBAÇOVIT (01.16.2015)
NJË DITË ME ABAS KUPINNga JULIAN AMERY (01.15.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart�]