E Enjte, 03.28.2024, 12:04pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
SHABAN DEMIRAJ DHE ILIRËSIA E EPIRIT
Nga RAMI MEMUSHAJ

E Premte, 02.13.2015, 10:37am (GMT+1)



Veprimtaria krijuese e akademikut Shaban Demiraj ka një shtrirje kohore prej 75 vjetësh. Ajo zë fill në vitin 1937, kur ishte vetëm 17 vjeç, dhe mbyllet në vitin 2011. Parë nga lloji i prodhimit letrar e shkencor, në veprimtarinë e tij krijuese e botuese mund të dallojmë tri faza. Në fazën e parë, që zë fill me shkrimet e rinisë dhe mbyllet në vitin 1952, ai lëkundet midis publicistikës, letërsisë dhe përkthimit; në fazën e dytë, që shtrihet nga viti 1953, kur boton në tre numra të revistës "Buletin i Institutit të Shkencave" një studim të gjatë për gjuhën e Jul Varibobës, dhe mbyllet më 1996 me monografinë "Fonologjia historike e gjuhës shqipe", kalon nga filologjia te gramatika përshkruese dhe gramatika historike e shqipes. Në fazën e fundit, ai fillon të merret me trajtimin e problemeve të historisë së gjuhës shqipe dhe të popullit shqiptar. Kësaj faze i takojnë librat "Gjuha shqipe dhe historia e saj" (1988), "Prejardhja e shqiptarëve në dritën e dëshmive të gjuhës shqipe" (1999) dhe "Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët" (2008).

Kapërcimi nga faza e parë në të dytën shpjegohet me rrethanat që iu krijuan; ndërsa ai nga faza e dytë në të tretën mund të shihet si një kalim i natyrshëm i një studiuesi, që, pasi ka ndriçuar si askush tjetër zhvillimin historik të gjuhës sonë, duke i dhënë asaj një vepër të cilën një albanolog i huaj e ka cilësuar "bibla e shqipes", nis të merret me historinë e popullit që e flet këtë gjuhë. Sepse historia e një gjuhe dhe historia e bartësve të saj janë të lidhura pazgjidhshmërisht, kështu që zbulimet në njërën fushë hedhin dritë mbi fushën tjetër.

Për kalimin në këtë fazë të tretë ndikoi intensifikimi në fund të shek. XX i mëtimeve greke ndaj trojeve tona dhe botimi në Greqi i dy veprave kapitale: "Macedonia, 4000 Years of Greek History and Civilization" (Maqedonia 4 mijë vjet histori dhe qytetërim grek, Athinë, 1983) dhe "Epirus, 4000 Years of Greek History and Civilization" (Epiri 4 mijë vjet histori dhe qytetërim grek, Athinë, 1997), me studime nga historianë të njohur grekë dhe të huaj që mbështetin mëtimet e Greqisë ndaj Shqipërisë së Jugut. Autorë të veprës së dytë, që i ra në dorë prof. Demirajt, janë historianë të njohur grekë, si Saqelariu e Haxopulos dhe anglezi Hamond, të cilët trevën në jug të vijës nga Mali Ivan deri në Akrokeraunet e shohin si djepin e qytetërimit helenik dhe banorët e saj si pasardhës të helenëve. Duke keqinterpretuar dhe shtrembëruar faktet historike, fiset e Epirit të lashtë ata i shohin si fise helene, të cilat autorët antikë i paskan quajtur barbarë, ngaqë ishin të "pakulturuar", kurse greqishtfolësit e Nartës dhe të Zvërnecit të Vlorës si "mbeturina të izoluara të të moçmëve Horikioi dhe Ballaiitai".

Pikërisht, në kontekstin e këtyre mëtimeve të historianëve grekë, prof. Demiraj boton dy veprat e tij të fundit me karakter historik.

Gjendjen në të cilën është ndodhur shkenca shqiptare përballë shtrembërimeve të së vërtetës dhe mëtimeve të fqinjëve i ngjan situatës në të cilën ndodhen pronarët e ligjshëm sot, të cilët duhet të provojnë në gjyq jo se e zotërojnë një pronë, pasi kjo u është njohur me dokumente, po të provojnë se letrat e atij që ua ka zaptuar, janë të falsifikuara. Dhe detyra për të provuar të vërtetën në gjyqin e historisë u ka rënë albanologëve shqiptarë, ndër ta edhe gjuhëtarëve, një ndër të cilët qe prof. Shaban Demiraj.

Pavarësisht nga përmbajtja e ndryshme, ajo që i përshkon tri veprat e tij të fundit, është përpjekja për të ndriçuar me të dhëna gjuhësore historinë e popullit që flet gjuhën shqipe, pra, siç shprehet autori, se si "mund të ndihmojnë dëshmitë e gjalla të gjuhës shqipe për të ndriçuar disa çështje të diskutueshme të historisë së lashtë të popullit shqiptar".

Aty rreth vitit 2000, prof. Demiraj nisi të mblidhte materiale për një vepër për mesapët. Por zhvillimet politike të viteve që pasuan, e bënë të hiqte dorë nga ky plan. Duke ndjekur përpjekjet e qarqeve zyrtare e jozyrtare greke për greqizmin e jugut të Shqipërisë dhe të elementëve grekofilë të Himarës që synonin ta kthenin këtë në një Oseti të Jugut, i propozoi kryesisë së Akademisë së Shkencave të bëhej një botim ndërdisiplinor për Epirin, si ai për Himarën më 2004. Por, pasi nuk mori përgjigje, iu fut punës vetë, duke na dhënë veprën "Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët".

Ndërsa me veprën "Prejardhja e shqiptarëve nën dritën e dëshmive të gjuhës shqipe", përpiqet të provojë me argumente gjuhësore prejardhjen ilire dhe autoktoninë e shqiptarëve, me veprën "Epiri, pellazgët, etruskët dhe shqiptarët" prof. Demiraj synon të vërtetojë ilirësinë e Epirit. Të tregojë se trojet etnike shqiptare që këto kohët e fundit studiuesit grekë po përpiqen t'i paraqesin si greke, kanë qenë banuar që nga lashtësia prej stërgjyshërve të shqiptarëve dhe në kohët e reja prej pasardhësve të tyre, shqiptarëve. Si rrjedhim, pjesa kryesore e librit u kushtohet çështjeve të karakterit etnik në lashtësi, në mesjetë dhe në kohët e reja të atij që quhet Epir dhe gjuhës amtare të banorëve të tij.

Autori mendon se, me gjithë ndryshimin e hartës etnike të Ballkanit dhe ndikimin e kulturës dhe të gjuhës romane dhe pastaj sllave, një pjesë e konsiderueshme e kësaj popullsie, falë karakterit kryesisht malor të vendbanimeve të saj si edhe jetës së mbyllur fisnore, mundi ta ruante gjuhën e të parëve dhe identitetin e vet.

Në mungesë të dëshmive të shkruara, tekste apo glosa të gjuhës së kësaj treve, objekt i analizave të tij bëhen fakte të historisë së popullit tonë dhe të gjuhës shqipe si dhe të dhënat e onomastikës. Duke polemizuar me tezën e autorëve grekë se popullsia e Epirit "mund të jetë e ardhur dhe të ketë zëvendësuar një popullsi të mëparshme greqishtfolëse a të helenizuar", autori vëren se, së pari, mungojnë dëshmitë historike që mund të hidhnin dritë për ndonjë shpërngulje të tillë popullsie dhe, së dyti, një popullsi ardhëse nuk mund të helenizonte një popullsi greke, që favorizohej nga sundimi bizantin dhe kisha greke.

Duke iu kthyer fakteve gjuhësore, një provë të autoktonisë së banorëve të lashtë të Epirit, ai e gjen te ruajtja e pandryshuar e grykores k të fjalëve latine para zanoreve i dhe e, si në peshk, qiell (të cilat në latinishten para erës së re shqiptoheshin [piskis] dhe [kelum]) apo pasqyrimi i zanores o të fjalëve latine në e në shqipen, si në pemë nga pomum, herë nga hora. Këto janë huazime shumë të lashta të shqipes, thotë ai, që dëshmojnë se ndikimi i latinishtes mbi nënën e shqipes ka nisur që në shek. II para Krishtit dhe se banorët e lashtë të Epirit i kanë marrë këto fjalë në trojet ku banojnë sot pasardhësit e tyre.

Faktin tjetër që huazimet sllave nuk u janë nënshtruar rotacizmit (kthimit të n-së në r) dhe errësimit të a-së në -ë, e sheh si provë se ndarja dialektore e shqipes është shumë më e vjetër nga koha e vendosjes së sllavëve në Shqipërinë e Jugut. Këto dukuri, konkludon ai, nuk mund të zhvilloheshin veçse në trevat e sotme shqipfolëse, pasi është jashtë logjikës dhe pa asnjë mbështetje historike mendimi që këto dukuri të jenë zhvilluar në territore të tjera dhe të jenë bartur në trojet e sotme të toskërishtes.

Si një provë tjetër se banorët e Epirit nuk janë ardhacakë në trojet ku gjenden sot, autori sjell mënyrën se si shqiptohen termat kishtarë, emrat e vjetër të krishterë, si Lekë (Aleksandër), Gjon (Joannes), Gjin, Pal (Paulus) e Pjetër (Petrus), fjalët e huazuara nga greqishtja e vjetër e latinishtja dhe toponimet e hidronimet e lashta, si Aulon, Oricum, Hadrianopolis, që kanë përfunduar në Vlorë, Orik, Dropull, njëlloj si emrat Durrës, Lezhë etj. në trevat veriore të shqipes. Ndryshimet tingullore të këtyre fjalëve dëshmojnë, konkludon ai, se ato kanë kaluar brez pas brezi në gojën e shqiptarëve. Përndryshe, po të kishin qenë grekë banorët e këtyre qyteteve, nuk do të kishim rotacizim të n-së te Vlorë dhe as d te Dropull, po dh si në shqiptimin grek Dhropolis të kësaj fjale etj.

Profesor Demiraj arrin në përfundimin se "trajtat e sotme të emrave të shqyrtuar, vështruar në përqasje me trajtat e tyre të hershme, paraqiten me ndryshime të tilla që janë në përputhje me ligjësitë e evolucionit fonetik të shqipes. E kjo dëshmon se ata emra janë përdorur pa ndërprerje nga shqiptarët a arbëreshët qysh nga kohët e lashta."

Për gjendjen etnike të Epirit dhe gjuhën e banorëve të tij pas pushtimit osman, ai u referohet të dhënave të defterëve osmanë të shek XVXVI për vendbanimet skajore shqiptare të Epirit, si Arta e Janina të Molosisë së lashtë, Preveza, Ajdonati (Paramithia) e Mazraku në Çamëri (1551 dhe 1583); por edhe për vendbanimet brenda kufijve politikë, si Dropulli (151920), Vurgu (143132), Himara (1583) dhe Narta e Vlorës (1583). Ai vë në dukje se në listat e kryefamiljarëve të këtyre defterëve gjenden, së pari, emra të përveçëm e llagape që vijnë prej emrash të përgjithshëm shqip, si Babi, Bardhi, Çuni, Bukëvala, Buzi, Buzëmadhi, Dreri, Lakra, Lula, Prifti, Prushi, Zoto etj.; si dhe emra e llagape, që ndonëse me prejardhje të huaj, në gojën e shqiptarëve kanë përfunduar në të njëjtën trajtë si në jug edhe në veri të vendit, si Gjon, Gjokë, Gjin, Lekë, Pal, Pjetër, Dhimë, Kolë, Kond, Ndre etj. Të dyja llojet e këtyre emrave dëshmojnë në mënyrë të pakundërshtueshme se këto troje kanë qenë të banuara nga shqiptarë.

Ndihmesat e prof. Demirajt rreth çështjes së autoktonisë së banorëve të trevave shqiptare në jug të Vjosës janë me vlerë të paçmuar për albanologjinë. Ato përbëjnë një bazë të mirë ku mund të mbështeten studiuesit e ardhshëm për t'i çuar më tej studimet për ilirësinë e Epirit.

RAMI MEMUSHAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
EDHE NJË HERË PËR PARALIZËN POLITIKE TË KOSOVËSNga ABAS FEJZULLAHI (02.12.2015)
NJË FJALË GOJE !!-Mbas një bisede, (pa pergjigje nga ana ime)-Poezi nga ZEQIR LUSHAJ (02.10.2015)
SADIK SELMAN LUSHAJ - QYTETAR NDERI POST MORTUM I KOMUNËS LEKBIBAJNga SELIM NËNGURRA (02.09.2015)
KUR SHQIPËRIA DO TË BËHEJ PJESË E FEDERATËS JUGOSLLAVEProjektet për Federatën Ballkanike dhe e ardhmja e Shqipërisë (1943-1945)Nga ANA LALAJ (02.07.2015)
DY VENDIME 'PËR SHPËRNGULJEN E SUKSESSHME TË SHQIPTARËVE' (02.07.2015)
EKSODI PO PASURON MATRAPAZËTNga AGIM GASHI (02.07.2015)
BATON HAXHIU, KOHA ËSHTË PËR DËMSHPËRBLIM LUFTE NDAJ KOSOVËS E JO T'I KËRKOJMË FALJE SERBISË!!!Opinion nga ASLLAN DIBRANI (02.06.2015)
SIKUR PAL NEÇAJ TË ISHTE MILIONER…Ekskluzive nga ZEQIR LUSHAJ (02.05.2015)
HAKMARRJA E NATYRËS PËR ATË QË I KEMI BËRË PAS VITIT 1990Ing SOKOL MARKU - Intervistë (02.04.2015)
UNIKOMB-i, PËRÇUES I UNITETIT NDËR MËRGIMTARË!Në Susegana (TV-Itali) shënohet katër vjetori i themelimit të UNIKOMB-it Fotoreportazh nga FLORIM ZEQA (02.02.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart�]