VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Dr NASER RUGOVA - JAM INSTITUCIONALIST DHE RESPEKTOJ VOTËN E LIRË, PRES QË DREJTËSIA TË VIHET NË VEND
E Djelë, 03.08.2015, 09:12am (GMT1)



Intervista e plotë e Dr.Naser Rugoves dhënë gazetës "Bota Sot"

Z. Rugova, si e vlerësoni procesin zgjedhor të brendshëm të Lidhjes Demokratike të Kosovës?
DR.NASER RUGOVA:
Lidhja Demokratike e Kosovës si partia më pervojën dhe traditën më të madhe në spektrin politik shqiptar, gjithmonë ka organizuar zgjedhje të mira,fer dhe demokratike,me përfshirje masovike që janë model për spektrin politik të vendit. Edhe zgjedhjet e brendshme që pritet të fillojnë këto ditë pa dyshim që do jenë shembull i organizimit të mirë,demokratik dhe konform normave statutare të partisë.

Çka prisni nga këto zgjedhje?
DR.NASER RUGOVA:
Nga këto zgjedhje pres masovitet, angazhim të antarsisë, dinamizim,freskim dhe fuqizim të LDK-së.

A do të jeni edhe ju pjesë e garës në këtë proces zgjedhor?
DR.NASER RUGOVA:
Po,natyrisht që do jem pjesë e procesit zgjedhor ne komunitetin ku jetoj dhe veproj, në strukturat e degës së IV të LDK-së në kryeqytet.

Si e vlerësoni LDK-në në udhëheqjen e kryetarit Isa Mustafa?
DR.NASER RUGOVA:
Pas vitit 2006 LDK-ja u përball me sfida aspak të lehta për arsye që tanimë opinioni i gjërë i ka të njohura. Nga viti 2010 e tutje elektorati tradicional i LDK-së është unifikuar dhe po unifikohet gjithnjë e më shumë dhe viteve të fundit LDK ka shënuar rritje substanciale. Kryetari Mustafa ka ofruar në masë të madhe pjesët e ndara të LDK-së. Presim që ky trend i rritjes dhe forcimit të LDK-së të shtohet dukshëm pas kuvendit të ri zgjedhor. LDK është lokomotivë e proceseve politike,ekonomike, sociale dhe nacionale në Kosovë.LDK në garën e ardhshme elektorale do jetë bindshëm partija e parë në vend.

A keni propozime nga njerëz që duan t'ju shohin në krye të LDK-së, dhe a jeni duke menduar të kandidoheni për kryetar të LDK-së?
DR.NASER RUGOVA:
Unë jam institucionalist dhe transparent. Ka zëra që kanë përmendur edhe emrin tim në struktura, nëndegë, degë, mediume të caktuara dhe rrjete sociale.Askush nuk e ka të drejtën të flasë apo të prononcohet në emrin tim. Po e deklaroj publikisht për të tretën herë se nuk kam pretendime për pozita të larta në parti. Kryetarin e LDK-së nuk e zgjedhin rrjetet sociale por vullneti i delegatëve të kuvendit. Cilindo që e zgjedh kuvendi me votë të lirë dhe demokratike do e respektoj dhe do e ketë mbështetjen time të plotë.

LDK-ja tash e dy muaj drejton qeverinë e vendit, në koalicion me PDK-në, si e vlerësoni këtë qeverisje?
DR.NASER RUGOVA:
Është një rregull e pashkruar që një vlerësim për punën e një qeverie të re jepet vetëm pas 100 ditësh. Ende është heret për vlerësime konkrete, por në disa dikastere ka iniciativa shumë domethënëse,veprime që pas një kohe mund të japin rezultate si në politikat fiskale, krijimin e një mjedisi të favorshëm për investime dhe zhvillim të bizneseve. Në vendet me një tranzicion aspak të lehtë si Kosova dhe me probleme e sfida të shumta problemet nuk zgjidhen për 100 dhe me shkop magjik. Cili është mendimi juaj për koalicionin me PDK-në, jeni kundër tij? Unë e kam thënë publikisht mendimin tim për këtë koalicion. Unë personalisht i respektoj vendimet e forumeve partiake, dhe kam qenë ndër të parët që kam kërkuar që qeverinë ta udhëheqë LDK-ja dhe të bëjë prerje cezariane me qeverisjen e kaluar. Pres veprime politike dhe programore konkrete në këtë drejtim. A ka bërë gjënë e duhur dhe a po e bën tani për të zbardhur vrasjet politike? Kryeministri i vendit ka premtuar publikisht se do të bëjë gjithçka që është e mundur për zbardhjen e vrasjeve politike konform përgjegjsive kushtetuese dhe ligjore. Jam i prirur të ju besoj institucioneve.Pa u zbardhur vrasjet politike nuk do ketë pajtim në shoqërinë kosovare. Zbardhjen e vrasjeve dhe të gjitha krimeve të tjera e bën sistemi gjygjësor dhe drejtësia. Uroj që drejtësia të mos vonohet dhe që shpata e saj ti godet pamëshirshëm kriminelët e të gjitha llojeve.

Çfarë prisni nga Gjykata Speciale, a do ti zbardh ajo vrasjet politike apo mund të shërbejë vetëm si shtysë që të nis zbardhja e tyre?
DR.NASER RUGOVA:
Gjykata Speciale duhet ta ushtrojë funksionin dhe misionin e vet konform ligjit që pritet të miratohet në kuvendin e Republikës së Kosovës. Pres që drejtësia të vihet në vend.

A jeni ju për zbardhjen e dosjeve dhe a është Kosova peng i dosjeve, të reja e të vjetra?
DR.NASER RUGOVA:
Hapja e dosjeve dhe temat e kësaj natyre duhet të bëhën në suaza kushtetuese dhe ligjore. Në shumë shtete kjo është rregulluar me ligjin e lustracionit.Kjo çështje kërkon debat serioz dhe vendime të përgjegjshme të legjislativit të vendit.

Pse ndodhi eksodi, e keni menduar këtë çështje, dhe mbase ti gjeni përgjigjet?
DR.NASER RUGOVA:
Personalisht e kam përjetuar me dhimbje largimin e bashkëkombasve të mij nga vendi. Ka shumë arsye që kanë ndikuar në këtë proces. Nuk guxojmë të dorëzohemi dhe ti humbim shpresat. Duhet ta kthejmë besimin në vetvete por edhe te qytetari. Kosova nuk na duhet pa njerëzit e saj. Kosova me gjithë vështërsitë e shumta ka shpresë dhe perspektivë.

Çka i mungon LDK-së, për të qenë sikurse në vitet e presidentit Ibrahim Rugova?
DR.NASER RUGOVA:
Pyetje jo e lehtë për të dhënë një përgjigjie të saktë. Unë personalisht mendoj që LDK-ja duhet ti kthehet brumit fillestar ideologjik, qarkut kulturor, intelektual, tradicinales dhe nacionales, të jetë më proaktive në vendimet e rëndësishme për Kosovën, të demonstroj fuqinë e besimit qytetar që për vite e mbajti parti lidere dhe të bëjë reformat e duhura konform trendeve të kohës dhe nevojave të qytetarëve dhe vendit. LDK gjithsesi do rikthehet fuqishëm, egziston një përceptim te opinioni i gjërë se një LDK stabile dhe e fortë nënkupton një Kosovë stabile dhe të fortë.

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.