VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - DOKTOR RIFAT FRASHËRI - ATDHETARI I MADH DHE SHKENCËTARI I MADH I MJEKËSISË

                                                                                      

E Martë, 04.23.2024, 12:07pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
DOKTOR RIFAT FRASHËRI - ATDHETARI I MADH DHE SHKENCËTARI I MADH I MJEKËSISË

E Hënë, 03.09.2015, 08:46pm (GMT+1)


Dr. Rifat Frashëri (1862-1934) aktivist i Lidhjes Shqiptare në Shqipërinë e Jugut dhe bashkëpunëtor i Abdyl Frashërit. U ndoq e u burgos nga pushtuesit osmanë. Gjatë viteve 1888-1892 punoi si mjek në Shkodër ku u shqua për ndjenjat patriotike.
Ai së bashku me Prof. Remlingen zbuloi se virusi i tërbimit ishte i filtrueshëm.    
Prof. Dr. Rifat Frashëri lindi në vitin 1862. Pasi mbaroi shkëlqyeshëm gjimnazin në Gallatasaray dhe fakultetin e Mjekësisë të Stambollit në vitin 1888 u emërua mjek në spitalin ushtarak të Shkodrës, ku punoi deri në vitin 1897 dhe tregoi aftësi të mëdha profesionale gjatë epidemisë së lisë në Tuz.

Mendohet që në vitin 1897 ai duhet të jetë kthyer në Stamboll si mikrobiolog në Institutin Bakteriologjik të Stambollit ku, bashkëpunoi me bakteriologun francez Maurice Nicolle, specialist në "Pasteur Institute", për prodhimin e vaksinës kundër lisë. Në vitin 1899 emërohet nëndrejtor e pas disa vjetësh drejtor i Institutit Bakteriologjik të Stambollit.

Pikërisht në këtë kohë, një punë e thellë dhe një bashkëpunim i frytshëm me bakteriologun francez Prof. Paul Remlinger i shpuri ata në një nga zbulimet më të mëdha të mikrobilogkisë dhe mjekësisë së kohës, në zbulimin se tërbimi në kafshë e njerëz shkaktohej nga një "virus filtrues", një zbulim që e bëri emrin e tij të pavdekshëm në historinë e mjekësisë dhe mikrobiologjisë. Zbulimin e tyre ata e njohtuan në një mbledhje të Shoqatës së biologjisë (Societe de biologie) në Paris dhe e botuan në vitin 1903, në "Aktet" e kësaj shoqate.

Pas kësaj Rifat Frashëri u emërua profesor në Universitetin e Stambollit. Duke jetuar në situatën e vështirë politike që kalonte Atdheu i tij në atë periudhë, ai intensifikoi veprimtarinë e tij patriotike kombëtare, si propagandist i kësaj pavarësie (që në moshën 16-vjeçare ai kishte shërbyer si sekretar i Kongresit të mbledhur në Frashër nga Abdyl Frashëri dhe më vonë kishte mbajtur lidhje me patriotë të shquar të Rilindjes, sidomos me Naim dhe Sami Frashërin).
Për një periudhë ka shërbyer si kryetar i organizatës patriotike shqiptare "Bashkimi" në Stamboll. Ai jo vetëm që hodhi poshtë kërkesën e autoriteteve turke për të marrë pjesë në një komision që do të shkonte në Shqipëri, që të mos shpallnin pavarësinë, por i tha hapur kryeministrit turk Talhat Pashës se ai vetë ishte gjak shqiptari e se do t'i nxiste shqiptarët për të shpallur pavarësinë.

Për këtë veprimtari patriotike Prof. Dr. Rifat Frashëri, në vitin 1913, u përjashtua nga Universiteti i Stambollit. Për disa kohë ai mbeti i papunë e pastaj u dërgua në një gjendje gjysmë internimi në Tripolisë (Turqi) e më vonë si kryetar i bashkisë së atij qyteti. Pas Luftës së Parë Botërore, qëndroi pak kohë në Stamboll e në vitin 1920 me ftesën e qeverisë shqiptare erdhi në Shqipëri dhe u emërua drejtor i përgjithshëm i shëndetësisë, post që e mbajti deri sa doli në pension. Vdiq në Tiranë më 15 nëntor 1934.

Rëndësia e zbulimit të virusit të tërbimit dhe kontributi i madh i Dr. Rifat Frashërit në shkencën shqiptare dhe në zhvillimin e shkencës botërore.

Me këtë zbulim shkenca shqiptare për herë të parë në historinë e shkencës moderne del në ballin më të përparuar të kërkimit shkencor eksperimental e dha një kontribut udhëhapës, që nuk mund të nënvlerësohet, në zhvillimin e mikrobiologjisë. Rëndësia reale e këtij zbulimi nuk mund të kuptohet jashtë kuadrit të përgjithshëm të zhvillimit të mikrobiologjisë dhe biologjisë nga fundi i shekullit të kaluar dhe fillimi i shekullit tonë.

Me zbulimet e Louis Pasteur e Robert Koch dhe shkollave të tyre, shkenca mikrobiologjike kishte hedhur tanimë një themel të shëndoshë, por në kërkimet e tyre mbizotëroi metoda morfologjike. U njohën një numër i madh mikroorganizmash: bakterje, protozoa, myqe etj. dhe roli i tyre në patologjinë humane e veterinare u absolutizua deri në shkallën e shprehur në teorinë mikrobike të sëmundjes, sipas së cilës, çdo sëmundje duhet të ketë një shkaktar mikrobik të saj. Kjo prirje për të mbivlerësuar rolin real të mikroorganizmave në patologji, ndonëse e papërligjur dhe e gabuar u tregua e frytshme, sepse nxiti kërkime intensive dhe zbulimin e një sërë shkaktarëve të sëmundjeve infektive dhe parazitare të njerëzve e kafshëve, por edhe të bimëve.

Kështu, në vitin 1886 Adolf Mayer zbuloi karakterin ngjitës të sëmundjes "mozaiku i duhanit" dhe gjashtë vjetë më vonë Dmitri Ivanovsky, duke kaluar ekstraktin e fletëve të sëmura të duhanit nëpër filtra porcelani, vuri re se edhe filtrati kishte aftësi të tejshpinte sëmundjen. Pasi konfirmoi këtë eksperiment Martinus Willem Beijerinck në vitin 1898, ishte i pari që kuptoi rëndësinë shkencore dhe filozofike të këtij zbulimi, duke shprehur mendimin se këtu ishte fjala jo për baktere më të vogla, që mund të kalonin përmes këtyre filtrave, por për një kategori krejtë të re njësish biologjike, të cilat i quajti "virus" dhe i konsideroi si "contagium vivum fluidum" (shkaktar të gjallë fluid). Vetëm me përgatitjen e filtrave me pore të madhësive të ndryshme, nga vitet 1930, u bë e mundur të përfytyrohet madhësia e këtyre qenieve enigmatike dhe natyra e tyre grimcore. Po në vitet 30 Wendell Meredith Stanley arriti ta kryej kristalizimin e virusit të "mozaikut të duhanit", gjë që shpuri në një diskutim të gjatë (që vazhdon edhe në ditët tona) nëse mund të përligjet përfshirja e viruseve në botën e gjallë.

Në të tilla rrethana, në vitin 1903, vetëm 5 vjet pas zbulimit të të parit virus, shkaktar të një sëmundjeje infektive te kafshët (virusi i aftës epizootike) nga Friedrich Loeffler dhe Paul Frosch dhe tre vjet pas zbulimit të virusit të etheve të verdha, në Institutin Bakteriologjik të Stambollit Rifat Frashëri dhe Paul Remlinger zbuluan të parin virus që shkaktonte sëmundje në njerëz e në kafshë, virusi i tërbimit.

Për një vlerësim objektiv të rëndësisë së këtij zbulimi dhe të meritës së zbuluesve duhen patur parasysh se:

1. Ky zbulim u bë në një epokë, kur për botën shkencore ende nuk ishte krijuar një përfytyrim i qartë mbi natyrën e këtyre qenieve submikroskopike.

2. Zbulimi ishte rezultat i një kërkimi të planifikuar për të vërtetuar një hipotezë paraprake të zbuluesve (mbi mundësinë e ekzistencës së një shkaktari të tillë), që u ngrit duke u bazuar në faktin që deri në atë kohë kësaj sëmundjeje të studiuar relativisht mirë nga pikëpamja klinike, anatomopatologjike, mikrobiologjike dhe imunologjik, nuk kishte qenë e mundur t'i gjendej shkaktari. Pra zbulimi i tyre është shumë larg një "loje të rastësisë", të cilat edhe përgjithësisht në shkencë janë fort të rralla.

3. Zbulimi nxiti kërkime intensive edhe për gjetjen e shkaktarëve të tjerë viralë të sëmundjeve infektive të njeriut. Zbuluesit Rifat Frashëri dhe Paul Remlinger krahas Walter Reed etj., hodhën themelet e virologjisë mjekësore.

4. Zbulimi u krye në Institutin Bakteriologjik të Stambollit, një qendër që nuk kishte tradita të shquara shkencore dhe larg qendrave të tilla të mëdha të kërkimeve mikrobiologjike si ato të Francës dhe Gjermanisë së asaj kohe. Mungesa e një mjedisi shkencor të standardit të kohës në këtë Institut nxjerr më në pah madhështinë e zbulimit, njohuritë dhe aftësitë e zbuluesve Rifat Frashëri dhe Paul Remlinger.

Zbulimi i Rifat Frashërit është një nga kontributet më të mëdha të shkencës shqiptare në zhvillimin e shkencës botërore. Karriera shkencore e R. Frashërit u ndërpre herët, për shkak të ndjekjeve nga autoritetet turke. Edhe me kthimin në Atdhe, ai nuk gjeti asnjë kusht të përshtatshëm pune në fushën e mikrobiologjisë, ndërsa projekti i tij për një qendër shqiptare të kërkimeve mjekësore, mbeti vetëm një endërr e bukur gjatë gjithë jetës së tij.

www.voal-online.ch


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
HARTA E PËRHAPJES SË SHQIPTARËVE NË TURQI (03.09.2015)
Dr NASER RUGOVA - JAM INSTITUCIONALIST DHE RESPEKTOJ VOTËN E LIRË, PRES QË DREJTËSIA TË VIHET NË VEND (03.08.2015)
FESTA E MËSUESIT, ME LULE DHE LIBRA…(Veprimtari e Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë)Nga prof. Murat Gecaj, sekretar i Përgjithshëm i SHASH (03.07.2015)
ETIKA DHE NDËRGJEGJIA SHTETËRORE DHE NACIONALE NË UDHËKRYQE TË NDRYSHME OSE BARAZPESHË-Apo, çfarë (çka ) po ndodh në Kosovë?!Nga AGRON SHABANI (03.06.2015)
HULLIJA E KAMERËS  DHE DASHURIA NDAJ PROFESIONITRemzije Ferati – Isufi – Autore dhe skenariste Fotoreportazh nga TAHIR BEZHANI (03.05.2015)
LETËR SHTËPISË SË LIRISË SHQIPTARO-AMERIKANEPRANONI NJË FALËNDERIM TË TRISHTË TIMINNga VISAR ZHITI (03.03.2015)
1951, SI U PUSHKATUA JONUZ KACELI - FLASIN FËMIJËT E TIJ, VËLLEZËRIT OSMAN DHE MIRVJEN KACELINga ALBERT Z ZHOLI (03.02.2015)
FESTIVALI NË MONTEKARLO - YLLKA MUJOS I JEPET ÇMIMI I KARRIERËS (03.02.2015)
INTERVISTË E RRALLË E ISMAIL QEMALIT DHËNË GAZETARIT ITALIAN - ÇËSHTJA E PRINCIPATËS SË SHQIPËRISË (03.01.2015)
PO FLITET SE...!Vështrim nga CENË PUSHKOLLI (02.28.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]