VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

ROBERT AUSTIN - PËR NOLIN BRAKTISJA E KOSOVARËVE NË FAVOR TË POLITIKËS ISHTE NJË MALLKIM

E Djelë, 03.15.2015, 09:44am (GMT1)

 
Ndërsa përballej me pengesa të jashtëzakonshme në Shqipëri, Fan Noli e dinte se që të triumfonte Revolucioni i Qershorit 1924 nevojitej një situatë e brendshme e qetë. Pika 20 e programit për reformën angazhohej të arrinte këtë qëllim.

Megjithatë, një situatë e brendshme e qetë rezultoi e paarritshme dhe Noli u detyrua të evitojë shumë kohë dhe përpjekje nga problemet e brendshme për t'u marrë me fqinjët që ndërhynin shpesh. I vetëdijshëm se kishte përballë vështirësi për konsolidimin e fitores së qershorit brenda Shqipërisë, në vend të tyre Noli vendosi t'i kushtonte rëndësi shumë të madhe së pari zgjidhjes së problemeve të jashtme, shkruan sot "Koha Ditore".

Përvojën krye¬sore politike e kishte fituar si mbrojtës nga jashtë i interesave të Shqipërisë dhe e dinte se që nga pavarësia e saj më 1912, gjendja e brendshme e vështirë e Shqipërisë ishte bërë shkak i problemeve të përhershme. Mbi të gjitha, procesi i ndërtimit të shtetit dhe të kombit, që filloi mbas Kongresit të Lushnjës në janar 1920, nuk mund të kishte sukses në qoftë se fqinjët e afërt të Shqipërisë sfidonin jo vetëm kufijtë por edhe vetë ekzistencën e saj si shtet i pavarur.

As Greqia, as Jugosllavia nuk pajtoheshin plotësisht me idenë e një Shqipërie të pavarur dhe që të dyja ndoqën një politikë që nuk bëri asgjë për të inkurajuar si demokracinë shqiptare ashtu edhe vizionin e Nolit. Arritja e një modus vivendi me fqinjët e Shqipërisë ishte shumë e rëndësishme për mbijetesën e Nolit sepse kjo do t'i jepte kohën shumë të nevojshme për t'u përqendruar në problemet e brendshme. Megjithatë, qetësimi i marrëdhënieve me Greqinë dhe me Jugosllavinë nuk që detyrë e lehtë.

Për Nolin ishte fatkeqësi që në atë kohë Jugosllavia dhe Greqia ishin aleatë, duke humbur kështu mundësinë për t'i vënë këto dy vende kundër njëri-tjetrit. Ato punonin së bashku për destabilizimin e qeverisë së Nolit duke përdorur shpesh taktika të njëjta. Aftësia e Beogradit për të destabilizuar Shqipërinë mori vrull me vajtjen atje të Zogut si refugjat politik në qershor 1924. Edhe grekët kishin peshë të rëndësishme në Shqipëri për shkak të pakicës greke.

Ndërsa Noli, në sajë të përvojës në Lidhjen e Kombeve dhe më pas të luftës për çështjen e kufijve, kishte arritur ta pranonte qëndrimin armiq¬ësor të qeverisë jugosllave, qëndrimi armiqësor i Greqisë ishte shumë më shqetësues për të. Në këtë atmosferë të vështirë alter¬nativat e Nolit ishin të kufizuara: ai mund ta kënaqte Greqinë dhe Jugosllavinë me anë të koncesioneve; ose mund të përpiqej të konsolidonte pushtetin për ta bërë kështu më të vështirë destabili¬zimin e qeverisë së vet. Asnjë nga këto mundësi nuk ishte e lehtë dhe secila kërkonte sakrifica të tilla që Noli ishte i gatshëm t'i bënte.

Noli e kuptonte se Shqipëria kishte nevojë për marrëdhënie të mira veçanërisht me Beogradin nëse donte që eksperimenti i tij demokratik të mbijetonte. Në vitet para ardhjes së Nolit në pushtet, marrëdhëniet midis dy vendeve ishin të këqija por jo të pashpresa. Pavarësisht nga fakti se Noli shpresonte të hapte një kapitull të ri dhe më të mirë, gjendja u keqësua akoma më shumë. Në fillim të qershorit, ndërsa revolucioni përparonte, Italia, Greqia dhe Jugoslla¬via vërenin me kujdes duke shpresuar të përfitonin nga kaosi.

Në 7 qershor, italianët dhe jugosllavët kishin nxjerrë një komunikatë ku deklaronin politikën e mosndërhyrjes në Shqipëri, por Beogradi vazhdonte të dyshonte në qëllimet e Italisë dhe kërkonte në Shqipëri një qeveri që ta ndjente veten të detyruar ndaj Beogradit. Kujtojmë se problemi kryesor ishte këmbëngulja e Jugosllavisë për rishikimin e kufijve. Përvoja e hershme në Lidhje, kur luftonte me akuzat e njëpasnjëshme të Jugosllavisë, ndikoi thellë te Noli. Edhe pse bënte thirrje për marrëdhënie të reja, ai vazhdonte të dyshonte thellësisht në motivet e Jugosllavisë.

Menjëherë mbas marrjes së pushtetit, Noli i kishte dërguar Kryeministrit jugosllav Nikolla Pashiq një telegram miqësor ku shprehte dëshirën për marrëdhënie të mira. Përgjigja e Pashiqit qe mjaft e ftohtë duke vënë në dukje se ishte i kënaqur të mësonte që Shqipëria kishte ndërmend të mbante marrëdhënie të mira me Jugosllavinë. Përgjigjja e Pashiqit ishte gjithashtu shumë e dyshimtë sepse nuk dilte qartë nëse Jugosllavia do ta njihte Shqipërinë. Kështu Noli e ndjeu se nuk do të kishte asnjë qëndrim pozitiv ndaj ardhjes së tij në pushtet.

Përgjigjja e Beogradit ndaj ardhjes së Nolit në pushtet nuk qe pozitive. Beogradi pa të drejtë e identifikonte fitoren e Nolit si produkt të ndikimit italian. Edhe kur u bë e qartë se ai nuk ishte vegël e Romës, jugosllavët prapë nuk deshën ta pranonin. Shumë më e rëndësishme ishte çështja e Kosovës. Udhëheqësit jugosllavë ishin të kënaqur që regjimet paraardhëse, veçanërisht ato të drejtuar ose kontrolluar nga Ahmed Zogu, nuk i kishin për zemër as ndryshi¬met radikale të kufijve as edhe presionet mbi Beogradin për të përmi¬rësuar trajtimin e pakicës shqiptare. Noli, që nuk kërkonte rishikim të kufijve, shpresonte që kosovarët të trajtoheshin më mirë brenda shtetit jugosllav.

Edhe prania e Zogut në Beograd si refugjat politik ishte faktor përcaktues kryesor i politikës. Meqenëse Zogu ishte thirrur përpara gjyqit për t'u përgjigjur për krimin e vëllavrasjes dhe vrasjen e dy amerikanëve, vendimin e Jugosllavisë për ta lejuar të qëndronte brenda kufijve të saj dhe të vazhdonte veprimtarinë politike në thelb armiqësore, Noli e konsideronte veprim jo miqësor. Problemi i çështjeve të pazgjidhura territoriale qëndronte gjithashtu në krye.

Në prill 1923 qeveria jugosllave i kishte kërkuar Konferencës së Ambasadorëve të rishqyrtonte vendimin lidhur me manastirin e Shën Naumit në Juglindje të Shqipërisë dhe në brigjet e Liqenit të Ohrit, që i ishte dhënë Shqipërisë. Gjithashtu, kufijtë veriorë të Shqipërisë akoma duhej të përcaktoheshin dhe jugosllavët bënin presion për të marrë Vermoshin në skajin verior të Shqipërisë, në kufi me Malin e Zi. Ky proces e zemëroi tej mase Nolin.

Duhej që qeveria e tij t'i kushtonte si kohë ashtu edhe para për të zgjidhur këto probleme përmes burokracisë shpesh të vështirë të Lidhjes së Kombeve dhe Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë. Së fundi, jugosllavët e interpretonin revolucionin e Nolit jo më shumë se një fitore e përkohshme e të krishterëve ndaj myslimanëve dhe besonin se kjo nuk do të sillte gjë tjetër veçse kaos. Tek e fundit, jugosllavët kishin frikë se ndërhyrja e italianëve mund t'i jepte fund ndikimit të tyre në vend.

Mospërfillja e Zogut ndaj çështjes së Kosovës nuk ishte e pa¬pritur. Falë dobësisë së plotë ushtarake të Shqipërisë, ky qe një qëndrim dinak i mbështetur mbi një politikë realiste. Edhe Zogu e kuptonte më mirë se Noli që marrëdhëniet e qëndrueshme me Jugosllavinë ishin të rëndësishme për ruajtjen e stabilitetit te plotë në Shqipëri. Noli nuk mund të qëndronte indiferent sepse mbësh¬tetja aktive ushtarake që i dha Komiteti i Kosovës qeverisë së tij e detyronte të merrte pozicion më këmbëngulës mbi këtë çështje.

Siç dihet, irredentistët kosovarë kishin krijuar tashmë marrëdhënie të dobëta me Zogun, i cili konsiderohej si pasues i Esad Pashë Toptanit, d.m.th., një udhëheqës që donte të arrinte kompro-misin me serbët në shkëmbim të mbështetjes politike. Ndërsa Noli nuk ishte kurrsesi i përgatitur të kërkonte rishikimin e kufijve; disa nga mbështetësit e tij ishin pro këtij rishikimi, dhe, s'ka dyshim që jugosllavët kujtonin me mall ditët kur Ahmed Zogu kishte qenë në pushtet. Vendimi i Nolit për të rihapur çështjen e Kosovës mbas katër vjetësh mospërfilljeje relative nuk vinte thjesht ngaqë ia dikto¬nin rrethanat e fitores së qershorit. Edhe ai e ndjente se kosova¬rët nuk gëzonin të drejta të plota në përputhje me garancitë e pasluftës për pakicat dhe shpresonte që nëpërmjet Lidhjes së Kombeve të mund të përmirësonte gjendjen e vështirë të vëllezërve kosovarë.

Që kosovarët jetonin si qytetarë të dorës së dytë është e qartë, por rrethanat nuk ishin aspak ideale për planin e Nolit. Braktisja e koso¬varëve në fatin e tyre në favor të politikës ekzistuese ishte, sipas Nolit, mallkim. Ai e ndjente thellë se ndërsa Shqipëria plotësonte detyrimet e saj ndaj pakicave të vogla, Beogradi (si edhe Athina) shkelnin normat e pranuara. Për Nolin qe e vështirë të zgjidhte: të ndiqte marrëdhëniet e mira me Jugosllavinë që ishin shumë të nevojshme apo të mbronte interesat e bashkësisë shqiptare në Kosovë. Të dyja ishte e pamundur t'i bënte dhe nuk është për t'u habitur që ai zgjodhi të dytën.

Edhe pse Noli e la Komitetin e Kosovës jashtë qeverisë, si një lloj lëshimi ndaj Jugosllavisë, Beogradi nuk u kënaq. Noli, që s'bëri më shumë se sa të çonte thirrjen e kosovarëve në Lidhjen e Kombeve në shtator dhe u përpoq ta ndërkombëtarizonte problemin, u bë objekt i kritikave të tërbuara nga shtypi i Beogradit. Gazeta "Politika" e Beogradit nuk qe e saktë kur theksonte se ai ishte edhe kreu i bandave të jashtëligjshme të kriminelëve që punonin kundër Jugosllavisë. Jugosllavët gjithashtu u acaruan shumë që Bajram Curri, i cili sipas tyre kërkohej nga autoritetet, ishte anëtar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve në vjeshtën e vitit 1924, duke mani¬festuar kështu qëndrimin e pabesë të qeverisë së Tiranës.

Sipas njoftimeve të shtypit jugosllav Noli jo vetëm që punonte hapur me Currin, por në marrëveshje me këtë të fundit dërgonte banda të armatosura kriminelësh në territorin jugosllav. Sa për Hasan Prish¬tinën, një tjetër udhëheqës i Komitetit të Kosovës, jugosllavët pretendonin se ai ishte një tradhtar, që kishte organizuar sulme kundër ushtrisë serbe më 1915 dhe ishte dënuar me 20 vjet burg para se të arratisej për në Shqipëri. Jugosllavët shpresonin gjithashtu t'i shtynin më tej akuzat dhe u përpoqën ta lidhnin Nolin me bolshe¬vizmin dhe organizatat revolucionare maqedonase.

Pretendimeve, se në fakt Noli po punonte me Prishtinën për të përjashtuar Jugos¬llavinë nga Lidhja e Kombeve, shqiptarët iu përgjigjën se këto akuza ishin pa bazë dhe se kryesia e Komitetit të Kosovës kishte shkuar në Lidhje thjesht për t'u siguruar që kosovarët do të gëzonin të drejtat e pakicave. Sikur të mos mjaftonte që Prishtina e të tjerë si ai po shkaktonin trazira në Kosovë, jugosllavët e konsideronin atë dhe Ministrin e Financave Luigj Gurakuqin edhe si italofil.

Edhe pse dihet që Noli bëri ç'ishte e mundur për të siguruar jugosllavët se nuk kërkonte tjetër veçse respektimin e të drejtave të pakicave nga Beogradi, bashkëpunimi i tij me kosovarët për marrjen e pushtetit dhe më vonë në Lidhjen e Kombeve bëri të sigurt që hapësira e tij për manovra me jugosllavët të ishte e kufizuar. Për të kënaqur jugosllavët, para se të arrihej çfarëdo lloj përparimi duheshin plotësuar disa kushte (territoriale dhe politike). Në çdo rast për Nolin ishte e vështirë të nënshtrohej në heshtje. Ai po e shpaloste çështjen e Kosovës. Politika e tij, e cila në letër synonte krijimin e Shqipërisë së bashkuar, nuk u prit mirë nga qeveria e Beogradit sepse ajo kishte shumë ç'fitonte nga mungesa e unitetit në Shqipëri.

Deri në qershor 1924 qeveria jugosllave kishte pasur gjithmonë "një njeri në Shqipëri" te i cili mund të mbështetej për të përfaqësuar interesat e saj: Esad Pashë Toptani kishte qenë tamam një njeri i tillë sikurse edhe prijësi i Mirditës Marka Gjoni. Zogu kishte pranuar menjëherë të njëjtin rol. Me Nolin në pushtet ata nuk e kishin më një person të tillë. Të ndodhur në këtë gjendje, nuk është për t'u habitur që jugosllavët i varën shpresat përfundimisht te kthimi i Zogut në Shqipëri.

Pjesë e shkëputur nga libri, "Fan Noli dhe një revolucion i ikur" i profesorit kanadez, Robert C. Austin, Botimet KOHA, 2011. Fusnotat janë hequr nga redaksia.
kd
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.