VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

U BËNË SA VITE QË U NJOHËM, DHE ÇDO HERË AI ËSHTË I NJËJTË...
(Në vend të urimit, për ditëlindjen e prof. Murat Gecaj)
Nga BAHTIR LATIFI, Boras - Suedi

E Premte, 03.20.2015, 03:38pm (GMT1)


Pak vjet të shkuara, ishim së bashku për një vizitë në Shqipëri, me mikun tim Sokol Demaku dhe atje u takuam për herë të parë me prof. Muat Gecaj dhe shumë kolegë e miq të tjerë. Këtë miqësi e filloi, së pari, miku im dhe pastaj e vazhdova edhe unë. Takimi ynë i parë, pas Sokolit, ishte në Tiranë, ku shkuam së bashku. Rrija paksa i hutuar, kur u takuam dhe nuk flisja, sikur nuk kisha forcë, kur kuptova se kush ishte prof.Murat Gecaj edhe pse kisha dëgjuar më herët për të. Jo nga ndrojtja, jo nga përshtypjet se nuk do të jetë njeri i afërt i imi, por mendoja me vetën: sa me fat jam, që takoj njerëz, si i nderuari Murat Gecaj. Bashkë me të, ishte miku i ynë dhe miku më i ngushtë i prof.Muratit, shkrimtari e publicisti Viron Kona.

Thjeshtësia e tij në biseda , më ngrohu mua, sikurse të tjerët miq, që i bën të ndjehen mirë, kur janë me të. Me biseda të këndshme, me humor të lezetshëm, me buzëqeshje të sinqertë, me shikim miqësh mes njëri tjetrit, edhe pse ishte hera e parë, që u takuam fizikisht.

Në një intervistë me prof. Murat Gecaj,  të botuar në revistën "Dituria" dhe shumë portale tjera, nga bashkëpunëtori i kësaj reviste, Sejdo Harka , ai  thotë kështu: "Edhe sikur jetën ta nisja nga e para, përsëri do të punoja gazetar". Një gjë të tillë e pohonte edhe me ne, gjatë takimeve që kishim së bashku, qoftë në Tiranë ose edhe kur ishte në Suedi.

Ja, tani u bënë sa vite që u njohëm e flasim, u takuam disa herë dhe çdo herë ai  është i njëjtë, si gjithmonë , i gjallë për nga natyra dhe plot pozivitet në sjelljet e tij. Është vërtet fat të takosh njerëz si prof. Murat Gecaj. Kur rri me atë, dëgjon biseda vërtet njerëzore e atdhedashurie, biseda miqsh, kolegësh e deri te familjarët, që nuk i harron kurrë miqtë pa i pyetur se si janë edhe familjarët e tyre.

Një mik i vërtetë kështu e ka, kur nuk harron çdo herë të pyesë edhe për familjen. I gatshëm edhe të ndihmojë, po patën nevojë, qoftë me këshilla e qoftë edhe me gjëra të tjera nga më të ndryshmet, me mundësit që ai i ka.

E them këtë, sepse çdo herë që e takoja, më pyeste për familjen time dhe në veçanti për Nënën time, se e dinte që ajo është më e çmuara e jetës sime .Dhe çdo herë nuk harronte për të blerë ndonjë pako me kafé ose diçka tjetër, për t`ia dërguar Nënës sime, për "të fala", siç e kemi ne zakon . Një veprim shumë domethënës ky dhe i rëndësishëm për mua ,që më prekte aty, ku unë ndjehesha mirë dhe doja respektin, pra për Nënën time të dashur.

Ndryshe nga shumë të tjerët, pra ndër të rrallët, që kohën dhe jetën e çmon shumë dhe e respekton. Kur them për këto të dyja, hyjnë këtu miqtë, shokët, kolegët, familjarët etj. Koha është "arë", për ata që e kuptojnë, thuhet shpesh në biseda mes njerëzish. Për Murat Gecaj koha është shndërruar në "diamant", sa që kaq shumë e shfrytëzon atë. Prandaj edhe nuk ndjen lodhje kurrë, që të punojë e të shkruaj, për Atdheun e njerëzit , kudo që janë ata e pa i harruar dhe pa i lënë anësh kurrë mërgimtarët shqiptarë, që gjenden anë e kënd rruzullit tokësor.

 
Në foto: Prof.Murat Gecaj i dorëzon "Mirënjohje", Kryetarit të Bashkisë, në Boras-Suedi, z.Per Olof Höög (Prill, 2012)
 

Pothuajse, është si uji i pandalshëm,  çdo herë e gjen emrin e tij nëpër portalet elektronike dhe rrjetet sociale, në gazeta të përditshme e revista, me ndonjë shkrim për ngjarje kulturore, artistike e deri tek ato  shkencore .Shkruan për autorë të ndryshëm, bën intervista , takon miq për biseda, për ndonjë kafé e deri te fëmijët, që i krijojnë një ndjenjë më ndryshe dhe më prekëse. Ndoshta, pse ndjehet kështu mes fëmijëve, ai nuk din të plaket kurrë, as të jetë në mesin e të moshuarëve, për vitet që ka.  Fëmijët janë krijesat më të sinqerta dhe më me shpresë, ndaj Murat Gecaj aty gjen frymëzim dhe vullnet për të mos u plakur kurrë, për të mos u lodhur kurrë. Përveç që shkruan për të rritur, siç thashë, shkruan edhe për fëmijë  Ndër fëmijët e shumtë, ai ka si pikë të dobët nipat dhe mbesat e tij dhe, në veçanti, Dorelën, mbesën e tij, që ai e do aq shumë, sa që edhe ka shkruar një libër për të . Ai është edhe një prind i shkëlqyeshëm, një gjysh i mrekullueshëm për nipat dhe mbesat e tij. Përveç kësaj, është një mik e një shok i mirë.

Në vitin 2012, Qendra Kulturore shqiptare "Migjeni" në Boras, mbajti 5-vjetorin e fillimit të kësaj Qendre, 5-vjetorin e fillimit të revistës"Dituria" dhe 4-vjetorin e radios "Dituria". Në këtë festë ishin të ftuar mysafirë nga vende të ndryshme, si nga diaspora e po ashtu edhe nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e vende tjera, gjithandej, ku ka shqiptarë. Ndër të ftuarit e shumtë, siç thashë më lart, ishin edhe nga Tirana. Ata ishin prof.Murat Gecaj, shkrimtari Viron Kona , gazetarja Kozeta Hoxha, si dhe mësuesja e poetja Kadrije Dushku-Gurmani . Të gjithë mysafirët nga Tirana, qendruan për disa ditë në qytetin Boras, në veri të Suedisë. Gjatë këtyre ditëve , së bashku me ne, ata vizituam vende të ndryshme: institucione, shkolla , bibliotekën e qytetit etj...
 
Ballinat e librit të ri, "Me shpirt atdhedashurie", nga Murat Gecaj


Dita e parë, pothuajse, kaloi së bashku me shumë miq, shokë e dashamirë, duke festar 5-vjetorin e themelimit të "Qendra Kulturore Shqiptare" Migjeni,5-vjetorin e revistës dhe radios "Dituria".

Në këtë manifestim folën shumë mysafirë, duke shprehur ndjenjat e tyre për një organizim të mirë dhe urime për punën e bashkatdhetarëve në qytetin Boras. Fjalën e mori edhe prof.Murat Gecaj. Si gjithmonë i buzëqeshur, i këndshëm me fjalët më të bukura për praninë e tij në mesin e shumë bashkatdhetarëve, shokëve e miqëve të shumtë, që kishte kontaktuar me ta, por nuk ishin parë me njëri - tjetrin fizikisht. Po përmendi këtu disa nga miqtë, që ai i veçonte me shumë respekt, si: studiuesin e autorin  suedez Ullmar Qvick, një mik shumë i mirë i shqiptarëve; mandej Qibrije Hoxha, Fetah Bahtiri, Hysen Ibrahimi  dhe shumë shqiptarë të tjerë, por edhe miq suedezë.

Në fjalën e tij, prof. Murat Gecaj falënderoi për ftesën dhe shprehu kënaqësinë për vizitën e parë në Suedi. Në shenjë falënderimi, prof.Murati edhe si sekretar  i Përgjithshëm i Shoqatës së Arsimtarëve të Shqipërisë Tiranë, shpërndau "Mirënjohje" për shumë bashkatdhetarë, të cilët kishin punuar dhe ndihmuar  në ruajtjen, kultivimin e gjuhës, kulturës dhe traditës shqiptare, në Suedi. "Mirënjohje" mori edhe kryetari i Bashkisë së Borasit, z. Per Olof Höög .

Më pas folën edhe mysafirët, që ishin bashkë me të, nga Tirana: Viron Kona, Kozeta Hoxha dhe Kadrije Gurmani. Pothuajse, e gjithë dita kaloi në këtë manifestim dhe, krejt në fund, prof. M.Gecaj  u përshëndet përzemërsisht me të gjithë të pranishmit. Më pas, veprimtaria vazhdoi, siç ishte e paraparë, qysh para se ai me shokët e vet të vinin në Suedi. Dita e dytë ishte vizita në Bashkinë e Borasit, takimi me kryetarin e saj, z.Per Olof Höög , si dhe stafin e tij.

Vizita mbresëlënëse ishin, për prof. M.Gecaj e kolegët e tij, edhe ato nëpër qytetet Boras e Goteborg. Më imtësisht, për përshtypjet e tij, ai ka shkruar vetë, në librin me mbresa nga Suedia, "Me zemër në vendlindje" (Tiranë, 2012).

Ja, të nderuar lexues, këto desha të paraqisja shkurtimisht para jush, në hyrje të këtij libri me disa shkrime, që japin dëshmi nga jeta dhe veprimtaria shumëplanëshe e mikut e kolegut tonë të përbashkët, prof. Murat Gecaj. E pershendesim atë përzemërisht, në 75-vjetorin e ditëlindjes dhe i urojmë shëndet të plotë dhe arritje sa më të frytshme, si në fushën e studimeve e botimeve dhe në veprimtaritë e dobishme, në shërbim të arsimit e kulturës, shkencës dhe traditave kombëtare shqiptare!

  (Nga hyrja, për librin e prof.Murat Gecaj, "Me shpirt atdhedashurie", dhuratë për ditëlindjen e tij, nga Bahtir Latifi e Sokol Demaku, Tiranë, mars 2015)

                               

BAHTIR LATIFI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.