VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

KUSH NA E KOMANDON SHPIRTIN
Nga ILIR YZEIRI

E Hënë, 03.23.2015, 09:01am (GMT1)


Ndoshta është rasti të bëjmë pak teori, sepse kështu mund ta kuptojmë më mirë atë që po ndodh me shpirtrat tanë ose më saktë me shkatërrimin tonë shpirtëror. Siç thonë sociopsikolinguistët njeriu kur lind, fëmija, pra, ka vetëm një qëllim ose parimi i jetës së tij është kënaqësia.

Me kohë, qoftë fëmija që lind në Afrikë, në Kinë, në Shqipëri apo kudo tjetër mbi glob, fillon dhe zbutet në kuptimin që nis dhe e kufizon lirinë e tij sepse, me anë të nënës, fillon të marrë të gjitha leksionet e domosdoshme që i mësojnë fëmijës se në këtë botë nuk është vetëm ai, se këtë botë duhet ta ndajë me të tjerët, se kënaqësia apo liria pa fund kanë kuptim vetëm në barkun e nënës, jashtë tij, ekziston një botë e mbushur me rregulla dhe me kufizime që e bëjnë fëmijën një skllav shoqëror.

Nëna i mëson fëmijës se çfarë nuk duhet të bëjë në këtë botë dhe paradoksi më i madh është se siç thonë përsëri sociopsikolinguistët, personalitetit i fëmijës afirmohet kur ai thotë JO. Kjo është një histori e gjatë dhe debati mund të vazhdojë pafund.

Kështu, shpirti i njeriut ka qenë vendi mbi të cilin shoqëritë njerëzore kanë bërë eksperimentet më të larmishme. Mjafton të kujtojmë si e mbushnin këtë hapësirë grekët e lashtë.

Sa shumë sport, art, pikturë, filozofi, sa shumë dije shtinin ata në shpirtin e njeriut për ta bërë atë jo vetëm të bukur mendërisht, por edhe të pasur psikologjikisht. Sportet, artet, filozofia, dija në përgjithësi i duhen njeriut edhe si një valvul që të mbyllë dhe të mbajë të shtypura pasionet kafshërore që ka njeriu, të cilat jo gjithmonë arrijnë të administrohen.

Pastaj, me anë të komunikimit njeriu identifikohet në fillim me familjen, me fisin, me grupin dhe me etninë. Ai sheh se është i ndryshëm nga të tjerët, por i ngjashëm me ata që kanë të njëjtën perëndi apo të njëjtin kult besimi si ai, të njëjtën gjuhë, të njëjtën racë dhe të njëjtin territor.

Të gjitha luftërat me motiv etnik apo nacional kanë në themel konfliktin me atë që është i ndryshëm nga ne dhe që pretendon të njëjtin territor. Europa u duk se e shmangu urrejtjen nacionale, por konflikti në ish-Jugosllavi tregoi se ai konflikt është ende gjallë, ndërsa rishfaqja e shovinizmit rus, aneksimi i Krimesë, konflikti i përgjakshëm në Ukrainë po dëshmojnë se ky konflikt nuk shuhet.

Ndërkaq, bota po tronditet nga një konflikt tjetër, ai që disa e quajnë lufta me armikun e padukshëm. Konfliktet e përgjakshme me sfond fetar që kanë vijimësi në Lindjen e Mesme dhe që kanë një vatër që nuk po shuhet, por po ndizet më shumë, siç është ajo mes Izraelit dhe Palestinës, e kanë ndarë botën jo në kufij etnikë, por me kufij që kalojnë brenda shpirtit.

Urrejtja e përbindshme që kanë sidomos militantët e ISIS-it për gjithçka perëndimore, atentatet e përgjakshme kanë nxjerrë në reliev edhe njëherë tjetër krimin që nis e ngjizet në shpirt. Për fat të keq, këtu te ne, kjo problematikë jo vetëm që nuk bëhet objekt debati, por neglizhohet në mënyrë tragjike.

Megjithatë, nëse do ta shohim problemin në një anë tjetër, do të vërejmë se edhe këtu te ne ligjërimi publik që zotëron është ai i vrasjes apo i vdekjes.

Këto dy javë parakaluan para syve tanë emra që kanë një të kaluar të errët, kriminale të cilët na treguan skenarë që kurdisen në dhoma të errëta bandash. Mirëpo askush nuk e llogarit shkatërrimin që po u bëjmë fëmijëve tanë. Mendoni një çast sesi rritet një fëmijë që jeton në një qytet periferik, qoftë Bulqiza fjala vjen apo Tepelena, por edhe të tjera qytete.

Në këto rrethina të Republikës, fëmijët tanë janë të terrorizuar nga ligjërimi banditesk politik. Le të hapim një parantezë. Komunizmi shqiptar ishte një projekt i çmendur që kërkonte të përgatiste njeriu e ri për tokën e premtuar.

Ky projekt në fillim ishte joshës dhe komunistët bënë të pamundurën që shpirtin e njeriut të mos e linin bosh. Kujtoni rrjetin e pafund të shtëpive të kulturës, të shtëpive të pionierit, të teatrove dhe estradave, sporteve, bibliotekave.

Komunistët donin me çdo kusht që ta realizonin projektin e tyre edhe duke vrarë kundërshtarët politikë dhe duke i burgosur ata. Po nuk po diskutojmë për këtë.

Ky projekt, siç e dimë të gjithë, ra dhe sot. Fataliteti është se ne nuk po e zëvendësojmë këtë projekt me një tjetër. Si jeton sot një fëmijë në Bulqizë fjala vjen apo në Tepelenë. Cili është modeli i tij shpirtëror.

Ai është i detyruar që të dëgjojë nënën apo babanë në shtëpi që i flasin për dy gjëra ose që duhet të bëjë lekë ose që duhet të arratiset. Shkolla nuk është vendi që ai të realizohet, sepse aty ai vetëm gjen një mundësi që të arratiset nga burgu i madh i shtëpisë. Modeli i tij në qytetin e vogël, ku ai jeton është ai banditi i fortë që ka bërë lekë dhe shëtit me makinë luksoze.

Modeli për t'u ndjekur është ai i banditit dhe të fortit. Kur do të kuptojë se në cilin vend jeton, pra kur rritet pak më shumë, i vetmi vend nga i cili merr informacion dhe zgjidh dilemat e jetës është televizioni. Mediat tona televizive raportojnë nga mëngjesi në darkë për banditë që vriten dhe që të vrasin.

Emisionet zbavitëse janë të mbushura me këngëtarë të turbo-folkut që janë bërë të famshëm se këndojnë në dasma këngë të tipit "Të hëngsha zemrën dhe të shtifsha në dhé"  apo klipe me vajza që përdridhen mbi makina super të shtrenjta apo që zhvishen në pishina banditësh e trafikantësh. Në këto kushte çfarë do të bëjë ai fëmijë?

Ne kërkojmë të dekriminalizojmë Parlamentin, por kemi harruar se e kemi kthyer Shqipërinë 100 vjet prapa sa i takon jetës dhe modelit shpirtëror. Qytete periferike të vendit nuk administrohen më nga vlerat.

Elitat atje janë zëvendësuar nga fiset e forta dhe nga klanet e egra që kontrollojnë të gjitha pushtetet. Në qoftë se sot çuditemi pse na vijnë në Parlament njerëz që kanë në biografinë e tyre vetëm akte trimërie dhe banditeske, që kanë bërë biznes duke përdorur forcën dhe duke diktuar mbi shtetin, nesër duhet të përgatitemi se ata mund edhe të marrin frenat e drejtimit të shoqërisë, sepse Shqipëria nuk ka një projekt për ringjalljen shpirtërore të vendit, nuk po ofron një model për fëmijët që ata të dinë se përse duhet të jenë njerëz të ndershëm, përse duhet të punojnë shumë dhe të fitojnë me mund.

Ky model mungon, sepse shqiptarët në pjesën më të madhe nuk e shohin Shqipërinë si vendin e të gjithëve, por e shohin si mundësinë që të pasurohen dhe të rrëmbejnë prej saj sa më shumë.

Qysh se u krijua më vete, Shqipëria u zotërua në pjesën më të madhe nga të fortët e fiseve dhe nga spahinjtë. Spahinjtë e sotëm kanë pak dallim nga spahinjtë e pushtetit otoman. (Marrë nga Gazeta Shqip)
ILIR YZEIRI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.