VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

TROPOJA NDERON ME TITULLIN “QYTETAR NDERI” DJALIN E PERSONALITETIN E SAJ, DR. ISLAM LAUKA, AMBASADOR
Nga VALDET ERMALI

E Enjte, 03.26.2015, 09:21am (GMT1)


Këshilli Bashkiak i qytetit alpin Bajram Curri, qendra administrative e rrethit të Tropojës, me unanimitet, në mbledhjen e tij, më 23 mars 2015, e nderoi me titullin "Qytetar Nderi", djalin e personalitetin e saj, dr. Islam Lauka, ambasador, me motivacionin: "Për rolin e kontributin e pandërprerë në promovimin e vlerave historike, kulturore, arsimore e turistike të qytetit Bajram Curri dhe Malësisë së Gjakovës, , për argumentimin shkencor e mbrojtjen diplomatike në botë të çështjes kombëtare shqiptare, në veçanti, të Kosovës, si dhe lobimin për njohjen e saj shtet i pavarur e sovran ".

Ambasadori i parë i Shqipërisë në Kosovë (2009-2014), dr. Islam Lauka, shkencëtar, politilog, diplomat, kulturolog, publicist, përkthyes, autor i disa veprave shkencore për Kosovën etj., President i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike, Drejtor i Institutit Shqiptar të Studimeve Politike, ka marrë disa vlerësime kombëtare e ndërkombëtare, ndër të cilat edhe titullin "Qytetar Nderi" i komunës së Bytyçit, vendlindjes së tij, në vitin 2010.

Jo vetëm kur jetoi e punoi në detyra të ndryshme në qytetin Bajram Curri e në
rrethin e Tropojës, po asnjëherë zoti Islam Lauka nuk e ka harruar vendlindjen e tij, Malësinë e Gjakovës, përkundrazi, gjithmonë ka theksuar se para se të jetë diplomat, studiues, publicist, apo përkthyes, ai e ndjen veten tropojan në çdo qelizë të tij, natyrisht një tropojan patriot, i përkushtuar ndaj vendit dhe kombit të tij. Në CV e tij dhe në historikun e bashkisë së Tropojës njihen gjithato kontribute të tij në fushën e arsimit, shëndetësisë, kulturës, turizmit, etj.

Gjithashtu, dr. Islam Lauka është autor i disa librave shkencor me jehonë (ndër)kombëtare, si: "Kosova, rast universal apo sui generis" (shqip, anglisht, arabisht, rumanisht). "Evoluconi i problemit të Kosovës dhe gjendja e tij aktuale".(rusisht). "Shkëputja e Kosovës nga Rusia" (shqip, anglisht). "Kosova e pavarur ose dështimi i kryqëzatës ruso-serbe". Bashkëautor i veprave: "Shqipëria në arkivat ruse"; "Antologjia e kryqëzimit: qëndrimi rus ndaj çështjes shqiptare, 1878-2012".

Ceremonia për dorëzimin e titullit "Qytetar Nderi" do të organizohet në fillim të muajit prill 2015 në qytetin Bajram Curri me pjesmarrje dhe të disa personaliteteve shqiptare nga institucione shtetërore e të shoqërisë civile nga Shqipëria, Kosova, Mali i Zi, etj.

VALDET ERMALI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.