E Shtunë, 04.20.2024, 03:48pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
FRAN GJOKA - GAZETAR I DITUR DHE FJALËBUKUR
Nga Prof. Dr. GJOVALIN SHKURTAJ

E Djelë, 03.29.2015, 08:59am (GMT+1)


 
Qysh nga viti i largët 1966, kur jam diplomuar dhe kam filluar punë e deri në ditën e sotme, kam dhënë shumë intervista. Ka pasur raste që, për arsye punësh e ngarkesash, të them edhe "jo", por kur më merr në telefon ose kur më shkruan në e-mail Fran Gjoka, edhe po të jem pa nge apo i zënë  me ndonjë detyrë me rëndësi, nuk mënoj t'i përgjigjem dhe, sa herë më ka kërkuar të shkruaj për probleme të shqipes standarde apo për ngjarje e data me rëndësi të madhe kulturore, arsimore e shkencore kombëtare, ndonëse edhe mund të kem pasur "oferta" nga gazetarë të tjerë, Franit i kam thënë dhe i them gjithnjë "po".

Dhe kjo e ka edhe "pse-në" e vet. Si thonë francezët "noblesse oblige" (bujaria të detyron), Fran Gjoka është nga Lezha dhe ai vend, sikundër e kam shprehur edhe herë të tjera, lidhet me kujtimet e mia të hershme e fillestare të punës si mësues në Shënkollë të Bregut të Matës. Atje, madje, në pranverë të vitit 1968, kam dhënë edhe intervistën time të parë dhe kam shkruar artikujt e parë në shtypin shkencor dhe në shtypin e kohës. Një ditë prej ditësh, erdhi në shkollën tonë një gazetar i Radio-Tiranës, Agim Papaproko dhe, mbaj mend se kam folur disa minuta për mikrofonin e tij të "Uher"-it për punën që kisha nisur të bëja si mësues i gjuhës me nxënësit e klasës së tetë, të cilët i aktivizoja dhe i mësoja se si të mblidhnin fjalë të vjetra, emra vendesh, tregime, legjenda, këngë etj. Kjo u pëlqente jo vetëm nxënësve, por edhe drejtuesve të Arsimit në rrethin e Lezhës, sepse ishte edhe koha, kur, në kuadrin e nismës së arsimtarëve të Kolonjës e të Mirditës, kërkohej që mësuesit të punonin kundër "zakoneve parapnike", të shkonin në zonat më të thella dhe sidomos të mblidhnin fjalë të rralla.

Ishte pikërisht "vlaga" e Aksionit Kombëtar të fjalës së rrallë, që e drejtonte Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë. Emisioni në Radio-Tirana pati vlerë dhe u folën "fjalë të mira" për mua e për shkollën e Shënkollit. Madje, disa javë më vonë, do të botoja edhe një shkrim te revista "Horizonti" me titullin "Me gjuhëtarët dhe folkloristët e vegjël të Bregut të Matës" dhe tregoja aty për atë nismë "shkencore" që bëja në Bregun e Matës. Aty përmendja, ndër të tjera, vlerat e asaj zone për studimet gjuhësore dhe më gjerë, si vendi, ku qysh në fillim të shekullit XX, në vitin 1910-1911 kishte bërë kërkime etnografike e arkeologjike edhe baroni i shquar Franc Nopça, etnolog dhe arkeolog i njohur i asaj kohe.

Dikush do të më pyeste tashti: "Ç'hyn Fran Gjoka, këtu?" Përgjigjja ime është kjo: në ato vite, Fran Gjoka ishte nxënës dhe, sigurisht, si shumë të tjerë, vajza e djem të etur për dije, me siguri, kur më shihte mua që endesha derë më derë në Ishull të Lezhës e në Ishull të Shëngjinit, duke mbledhur fjalë e shprehje nga goja e burrave të vjetër dhe e plakave të krahinës, gjithmonë në shoqërinë e arsimtarëve të atjeshëm, si Ndue Lala, Gjokë Preçi, Gjergj Cungu, ndonjëherë edhe me drejtues të Seksionit të Arsimit, si: inspektori i zones, Rexhë Lohja, apo drejtori i Gjimnazit "Hydajet Lezha", Mark Vuji, me siguri nxitej dhe, në mos tjetër, ëndërronte që një ditë të bëhej edhe ai i njohur, njeri i lapsit dhe i gazetave. Të mos harrojmë se në ato vite, tashmë të largëta, por jo të harrueshme, të dilje në gazetë si autor shkrimesh ishte njësoj si të merrje ndonjë dekoratë a medalje të lartë. Dhe për ta "mbyllur" këtë parantezë, po tregoj edhe një fakt nga jeta ime. Disa javë mbasi kisha filluar punën si punonjës shkencor në Tiranë, në dhjetor të 1967-ës, mbasi kisha marrë pjesë si "i dërguar" nga Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë, shkrova edhe një artikull në gazetën kryesore të kohës, ku flisja për sesionin shkencor të arsimtarëve të Lezhës dhe ai artikull i thjeshtë, kishte dy elemente, që nuk mund të mos i mbaj mend, por ato po i theksoj, sepse kanë të bëjnë sidomos me punën e gazetarit e rolin e fjalës së shkruar në gazetë. Së pari, aty nënshkruaja, duke vënë poshtë emrit tim edhe vendin e punës: Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë dhe ky ishte edhe një "falëmeshëndet" për kolegët e mi të Bregut të Matës e më gjerë pra, që ta dinin se unë, nga Shënkolli i vogël dhe gati i harruar, kisha "fluturuar" në kryeqytet e në qendrën më të rëndësishme të studimeve albanologjike që kishte Shqipëria. Së dyti, në atë artikull, ndonëse edhe ashtu të shkurtër e të mbyllur në "kornizat" e kohës, kisha përmendur me emra disa nga mësuesët që mbajtën kumtesa dhe kjo kishte ngjallur gëzim e reagime  shumë të mira në rrethet shoqërore e miqësore të arsimtarëve të Lezhës. 

Dhe kështu vijmë te "morali" i rrëfimit tim. Të shkruash për dikë në gazetë sot, duket (dhe është) gjë e lehtë. Edhe në mos e botofshin gazetat, kushdo e lëshon në facebook, por në atë kohë ishte përgjegjësi e madhe. Emri në gazetë o të ngrinte në qiell, o të fuste shtatë pash nën dhè. Gazeta ka qenë si "bishti i lahutës" në kohën e Gjergj Fishtës. Po edhe sot, fjala e gazetarëve të vërtetë ka vlerë, peshë e fuqi. Të tillë (me peshë e forcë paraqitëse) e ka penën edhe Fran Gjoka, padyshim, njëri nga emrat e njohur të gazetarisë shqiptare. Ai dallohet nga gazetarët e rëndomtë, sepse, nga njëra anë, është i profilizuar kryesisht në drejtimin e arsimit, të kulturës e të shkencës, sidomos të shkencave shoqërore, po edhe nga karakteri e temperamenti, Fran Gjoka gjakon të jetë jo "shkrues" për të bërë zhurmë, por njeri i gazetarisë që lë gjurmë.

Dhe pa fije droje se e teproj, shpreh bindjen se, ashtu sikundër është vënë re edhe nga  kolegët e tij të gazetarisë shqiptare, që e njohin prej vitesh, si: Viron Kona, Qazim Dushku, Murat Gecaj, Ili Kanini, Vjollca Spaho, Bardhyl Xhama etj., te Fran Gjoka dhe dhjetëra artikujt e tij të botuar në "Mësuesi" dhe në organe të tjera, si: "Republika", "Telegraf", "Tirana Observer", "Lissalba" etj., spikat synimi për të shkruar "me dorë në zemër". Me këtë cilësim kam parasysh dhe dëshiroj të theksoj se Fran Gjoka, edhe si gazetar, mbetet ashtu si rrënjët e tij (dhe tonat), si malësor i Malsësisë së Madhe, i zbritur në denjat e  fushat e buta të  Lezhës, por kjo nuk e ka thyer aspak cilësinë e pavdirë të malësorit të vërtetë, që mishërohet në thënien urtake "Rri shtrembët e fol drejt!" Dhe Fran Gjoka, mesa kam mundur ta njoh nga sa ka shkruar ai në këto 40 vjet të karrierës së tij si gazetar, kam bindjen se ai gjithmonë niset nga e mira, nga dëshira e lëvdueshme për t'u bërë jehonë ngjarjeve dhe figurave me rëndësi kombëtare, qoftë në fushën e arsimit, qoftë të shkencës dhe të lëmijeve të tjera.

Si gjuhëtar e profesor titullar i lëndëve të albanologjisë, më takon të pohoj edhe një cilësi tjetër të Fran Gjokës: punën e madhe studimore paraprake që ai kryen para se të hartojë pyetjet për intervistat që më ka drejtuar mua personalisht, po edhe kolegëve të tjerë.

Fran Gjoka, jo vetëm di të pyesë, po edhe i tëhollon pyetjet aq imtë e në përputhje me trajtimet e ndihmesat e secilit prej të intervistuarve, duke mos lënë asnjë çështje të errët apo dukuri të pasqaruara kënaqshëm.

Në peridhën tashmë 47-vjeçare si mësimdhënës e studiues, po edhe si drejtor departamenti e në funksione të tjera që kam kryer, më ka takuar të jap shumë intervista dhe kam njohur shumë gazetarë. E ndiej për peng nderimi të them se Fran Gjoka dhe Gjekë Gjonaj, një tjetër gazetar me origjinë nga Malësia e Madhe, që jeton e punon në Ulqin, janë dy gazetarët me të cilët jam njohur gjatë intervistimeve, por me kalimin e viteve, jemi bërë edhe miq.

E kam për nder ta kem mik dhe sigurisht, duke qenë se është aq i zoti, aq fisnik dhe dashamirë, duke i përfunduar këta rreshta, nuk mund të mos shpreh edhe drojën time të sinqertë se, ndoshta, nuk kam ditur t'ia përmend të gjitha cilësitë e ndihmesat e vyera të tij.

Fran Gjoka është gazetar i mirë, është qytetar cilësor dhe atdhetar shqiptar me zemër të madhe, është lezhjan e malësor. Zëri i tij vjen i këndshëm dhe bashkohet me atë të emrave më në zë të penave me origjinë nga trevat veriperëndimore, që kanë gravituar me kohë në qytetin e Lezhës, si Gjovalin Gjeloshi, Rrok Lelçaj etj.

Qoftë edhe më tej, kështu si e njoh unë dhe si e njohin dhe e vlerësojnë të gjithë kolegët, miqtë dhe dashamirët e tij të shumtë në Lezhë, në Tiranë dhe deri në diasporat shqiptare, tekdo mbërrijnë e lexohen gazeta e revista e shkruara ose "on-line", në të cilat dalin aq dendur e me hijeshinë e përhershme etike e ligjërimore shkrimet dhe intervista e Fran Gjokës.

Prof. Dr. GJOVALIN SHKURTAJ


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
KUR ZOTI (NUK) HARRON!Nga AGRON SHABANI (03.27.2015)
LEKA BUÇAJ: KAM QENË NËN KOMANDËN E GJENERALIT WESLEY CLARK - NUK ISHA PILOT, POR PJESE E SHERBIMIT INTELIGJENT (03.27.2015)
TROPOJA NDERON ME TITULLIN “QYTETAR NDERI” DJALIN E PERSONALITETIN E SAJ, DR. ISLAM LAUKA, AMBASADORNga VALDET ERMALI (03.26.2015)
KJO ËSHTË EDHE KOHA E FLAMUR LUTFI HOXHËSNga RAMIZ LUSHAJ (03.24.2015)
( Diskutimi i metodave...)NJË MENDIM NDRYSHE...-Apo çfarë duhet ( është dashur) të bëjmë me shumë për kombin dhe shtetin tonë...?! Nga AGRON SHABANI (03.23.2015)
LUTFI DERVISHI - NË SHQIPËRI NUK EKZISTON FARE LIRIA E MEDIAS (03.23.2015)
KUSH NA E KOMANDON SHPIRTINNga ILIR YZEIRI (03.23.2015)
NË GJURMËT E KRIMIT FAMILJARNga FRAN GJOKA - Lezhë    (03.21.2015)
U BËNË SA VITE QË U NJOHËM, DHE ÇDO HERË AI ËSHTË I NJËJTË...(Në vend të urimit, për ditëlindjen e prof. Murat Gecaj)Nga BAHTIR LATIFI, Boras - Suedi (03.20.2015)
NË MAQEDONI PO TRIUMFON DEFAKTORIZIMI I SHQIPTARËVE (03.20.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart]