E Premte, 03.29.2024, 07:51am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 
A DUHEN NXJERRË MËSIME NGA RASTI I MALËSISË SË MADHE?
Refleksion ndaj disa dukurive në shkollat tona
Nga FRAN GJOKA

E Martë, 04.07.2015, 04:13pm (GMT+1)


        
        Këto ditë, në rrjetet mediatike, u publikua një video skandaloze në pamje, ku një mësuese ushtronte dhunë ndaj një nxënësi të klasës së VII, në një shkollë 9-vjeçare në rrethin e Malësisë së Madhe. Me të drejtë reaguan menjëherë institucionet përkatëse, deri edhe përfaqësuesit më të lartë të Arsimit në vend, por, si për inat të tyre, vjen prononcimi i prindit, i cili i paskësh dhënë leje mësueses të ushtronte dhunë ndaj fëmijës, që herë pas here krijonte jo pak probleme në klasë, shoqëri dhe ndoshta edhe në familje.

   Ky problem, në dukje i thjeshtë, mendoj se duhet trajtuar dhe për më tepër konceptuar më thellë, më gjerë dhe në funksion të mësimit dhe edukimit në shkollat tona. Për hir të së vërtetës, duhet të theksojmë se ky fenomen ndodh rëndom në shkollat tona. Shkaqet dhe faktorët janë të shumta, por edhe nxënës të kësaj kategorie shtohen çdo ditë. Në shkollat tona ka nxënës agresivë, indiferentë, arrogantë, dembelë etj., që nuk janë të interesuar fare për të mësuar, por vijnë në shkollë për të kaluar kohën, për të bërë ndonjë sherr ose për të ngacmuar të tjerët. Para kësaj situate, prindi ka kapitulluar, sepse fëmija nuk i pranon mësimet e prindit, për këtë arsye çdo gjë që ia atashon mësuesit dhe shkollës. Po mësuesi, sado i aftë të jetë, ç'mund të bëjë në këto kushte?

   Janë shtruar në mediat tona me qindra pyetje rreth këtyre çështjeve, por autoritetet përgjegjëse heshtin. Mendoj se realiteti duhet pranuar dhe ky realitet po shihet çdo ditë, sepse shpesh në shkollat tona prishet mësimi nga nxënës të tillë dhe, më e keqja, heshtet. Nxënësit konfliktohen, rrihen, shahen me fjalët më të ndyra në shkolla, flitet me fjalor rrugësh, edhe ndaj mësuesit, dhe përsëri heshtet, megjithëse heshtja jo gjithmonë flet.

   U godit një mësues nga nxënësi i tij në një nga shkollat e mesme në Lezhë. Vetëm një stacion televiziv e dha njoftimin shkurt në titra. Asnjë zhurmë, asnjë reagim, asnjë njoftim, asnjë prononcim, asnjë masë. A thua kanë ndryshuar rolet dhe mësuesi duhet të jetë nën sundimin e nxënësit. Këto fakte e rëndojnë më shumë shkollën tonë, e çojnë atë përditë e më shumë drejt formalitetit, fiktivitetit dhe niveleve të pakënaqshme.

      E kritikoj dhe dënoj rastin në fjalë, po duhet menduar më thellë. Sekuencat janë regjistruar nga nxënësit e klasës dhe janë hedhur në internet. Ç'qëndrim mbajtën autoritetet e arsimit ndaj xhestit të nxënësit që përdori aparatin celular në orën e mësimit, kur dihet se përdorimi i tij është i ndaluar me rregullore? Krahas veprmit të mësueses, duhej të dënohej edhe ky akt, sepse në shkollat tona nuk bëhet mësim normal, pasi telefoni përdoret gjerësisht në orën e mësimit. Tërë orën nxënësit përdorin telefonin, hanë çamçakezë, bisedojnë dhe debatojnë madje me fjalor rrugësh, shkëmbejnë mesazhe, ndërsa mësuesi flet kot, sepse janë të rrallë nxënësit që e dëgjojnë. Këto fenomene janë të verifikueshme lehtë, por ne jemi mësuar t'i bëjmë qejfin vetes, duke cituar paradë suksesesh pa parë prapa dhe pa u thelluar në problemet madhore të shkollës sonë. Këto dukuri negative janë të prekshme dhe shihen çdo ditë, por e keqja është se para mësuesit, që përballet çdo ditë me këto probleme, flasin njerëz që nuk punojnë në arsim ose janë edhe inkopetentë në këtë fushë. Problemet mësimore dhe edukative shihen dhe njihen vetëm kur punon çdo ditë drejtpërdrejt me nxënësit, kur përballesh me aktet e tyre, kur ndërhyn për të mos ndodhur ndonjë akt i shëmtuar, siç edhe ndodhin shpesh në shkollat tona, grindje, ngatërresa, zhurmë, kundërshtime deri edhe dhunë. Para kësaj gjendje nuk duhet heshtur, pasi rezultatet e kësaj pune do t'i korrim më vonë.

     Kam një ekperiencë të gjatë në arsim, jam përpjekur të punoj me përkushtim edhe duke sakrifikuar madje shumë për çështjen e mësimit dhe edukimit, por në shumë raste ndjej dhimbje për këtë brez, i cili i ka të gjitha mundësitë të ecë përpara, të mësojë dhe edukohet për t'i shërbyer me përkushtim dhe profesionalizëm familjes, shoqërisë dhe vendit. Të trondisin faktet, kronikat televizive, anketat që realizohen herë pas here nga organet e specializuara. Në kronikat televizive, nxënsit e shkollave të mesme i gjen kafeneve, duke lënë edhe orët e mësimit, shpesh në mënyrë kolektive, i gjen në disko, në kazino, në lokale dhe askush nuk shqetësohet. Në shkollat tona përdoret droga, duhani, alkooli. Të trondit fakti se askush nuk bën përpjekje për të parandaluar këto dukuri negative. Të gjithë komponentët parandalues të këtyre fenomeneve, familja, shkolla, shoqëria dhe autoritetet përkatëse heshtin, bëjnë sikur nuk shohin, bëjnë sikur nuk dëgjojnë dhe kur plasin çështje të tilla, padyshim gjendet fajtori..., ai është mësuesi dhe vetëm mësuesi.

      Personalisht nuk jam për ndëshkim fizik të nxënësit apo të ushtrosh dhunë ndaj tij, megjithëse nuk duhet të luajmë rolin e profetit, sepse ka mësues qe kanë rënë në "grackën" që ra edhe mëseuse Suela, në kohë të ndryshme. Por tani kohët kanë ndryshuar, nxënësi dhe shoqëria janë ndërgjegjësuar, kështu që veprime të tilla duhen dënuar, po masa ndëshkuese ndaj personave tipikë duhen marrë, sepse kjo i shërben punës, i shërben normalitetit të orës së mësimit e për këtë duhet të mendojnë mirë specialistët e institucioneve përkatëse të arsimit dhe të edukimit. Është tepër e lehtë të flasësh një ditë për vështirësitë e punës së mësuesit, të luash rolin e mësuesit një orë, është shumë e lehtë të kontrollosh, të japësh porosi, udhëzime, direktiva, të kërkosh të drejtat dhe të harrosh detyrat, por është shumë e vështirë të punosh në këtë front, ku përcaktohen fatet e një shoqërie, fatet e një kombi.

   Nëpër shkollat tona ka pak kohë që janë ngritur disa komisione me qëllimin e mirë, për t'u përmirësuar puna edukative në shkolla. Këtij qëllimi u tha se duhej t'i shërbente "Komisioni i disiplinës" nëpër shkolla, por fatkeqësisht këto komisione mbetën vetëm në letra, sepse këto komisione, sado aktive të jenë, nuk mund të marrin asnjë masë parandaluese ndaj fenomeneve negative që ndodhin nëpër shkollat tona, pasi nuk kanë as rregullore dhe as kompetenca. Para ca ditësh pati ardhur në shkollën tonë nga SHBA një prind. Ndodhi që të bisedoja me të. Më pyeti për mësimin dhe edukimin. U përpoqa t'ia shpjegoja me doza të lehta pozitive gjendjen. Më pyeti për masat ndëshkuese ndaj nxënësve me probleme në sjellje, sepse e nuhati situatën. I shpjegova se ka kohë që ndaj nxënësit nuk merren masa ndëshkuese edhe për raste flagrante të sjelljes në shkollë. -E çuditshme, -më tha,- se edhe në SHBA, në vendin më demokratik të botës, nxënësit problematikë ndëshkohen, madje masat ndëshkuese përshkallëzohen. Kjo bëhet për t'i shërbyer nxënësit që bën gabime dhe faje, por edhe për t'i shërbyer punës.

   Shoqëria e sotme e kupton se profesioni i mësuesit është delikat. Mësuesi serioz dhe i përkushtuar nuk e bën dot orën e mësimit Pazar, siç mund të ketë qejf nxënësi, nuk mund të abuzojë me besimin që i ka dhënë shteti dhe shoqëria, për këtë arsye kërkon vëmendje maksimale në mësim, por këtë nuk e gjen sot tek nxënësi. Kjo ndodh, sepse vetëm një batutë e një nxënësi, një veprim i rëndomtë të ndodhë në klasë, vëmendja shpërqëndrohet dhe ora e mësimit dështon. Po sa raste të tilla ndodhin sot në shkollat tona dhe askush nuk e ngre zërin, askush nuk mban përgjegjësi.

   Këto fenomene shqetësuese u panë më së miri vitin e kaluar në rezultatet e provimeve të klasës së 9-të të arsimit parauniversitar, por edhe të maturës shtetërore. Kam qenë disa herë i angazhuar në këto provime në rrethe të ndryshme dhe kam ndjekur mënyrën e zhvillimit të tyre. Pa u zgjatur, kam shumë rezerva për organizimin dhe kontrollin e tyre. Po ajo çka është më e rëndësishmja në këto provime, pati rezultate të dobëta si në kalueshmëri, ashtu edhe në cilësi. Ne u morëm me fenomenin, folëm për përmirësime të punës dhe lamë në harresë shkaqet që çuan në këto rezultate të dobëta të trashëguara vit pas viti.

   Dhe ja cilat janë shkaqet: Mungesa e dëshirës për mësim, aktet e paprecedenta që ndodhin në shkollat tona, grindje, zhurmë, dhunë, rrëmujë, braktisje kolektive e orëve të mësimit, kapitullimi i prindit në procesin e edukimit të fëmijës, mungesa e masave ndëshkuese të përshkallëzuara ndaj fajtorëve, qofshin këto nxënës apo mësues etj. Për këto dhe më gjerë, mendoj se duhet të ngrihet zëri. Mësuesit nuk flasin, sepse kanë frikë nga ndëshkimi, nga hakmarrja, atëherë flet fajtori, ai që duhet të heshtë. Është momenti pikërisht tani ta analizojmë gjestin e mësuese Suelës, të marrim masat e duhura, të marrim vendime, me qëllim që të shmangim fenomene të tilla jo vetëm në shkolla, por edhe në shoqërinë tonë, ndryshe e ardhmja do të na gjykojë. Në këtë çështje kërkoj mirëkuptimin, qëndrimin dhe reagimin e gjithsecilit. Kjo bëhet për të permirësuar gjendjen. "Të injorosh të keqen, është e barasvlershme me pjesëmarrjen në të." ka thënë Martin Luter King. Prandaj ta vemë gishtin në plagë dhe ta pastrojmë atë sa nuk është vonë Në të kundërt ,e nesërmja do të na ndëshkojë rëndë.


FRAN GJOKA


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
NË KRYE TË HERËS...Nga AGRON SHABANI (04.07.2015)
SAHATQIJA, NË EMËR TË GRAVE DEPUTETE, ANKOHET NDAJ GAZETARËVE (04.06.2015)
SINADINOVSKI PROMOVOI NË SHBA 'SHQIPTARËT ORTODOKSË NË MAQEDONI' (04.05.2015)
NJË 'POSTIM I JASHTËZAKONSHËM' SOLEMN OSE FESTIV!( Për Festën e Ringjalljes)Nga AGRON SHABANI (04.02.2015)
UNË E DUA SHQIPËRINË, E DUA KUKESIN, GJITHÇKA TË VENDIT TIM TË KRIJUAR NGA NATYRA, POR NUK E  DUA KORRUPSIONIN DHE PADREJTËSINË-thotë e reja kukesiane Aida SelmaniNga SOKOL DEMAKU (04.02.2015)
JA SI SHKUAN DREJT ZHDUKJES SHQIPTARËT NË MAVROVË ME RRETHINË (04.01.2015)
KONFERENCA E BUJANIT DHE BASHKIMI KOMBËTARNga GJON NEÇAJ (03.31.2015)
FRAN GJOKA - GAZETAR I DITUR DHE FJALËBUKURNga Prof. Dr. GJOVALIN SHKURTAJ (03.29.2015)
KUR ZOTI (NUK) HARRON!Nga AGRON SHABANI (03.27.2015)
LEKA BUÇAJ: KAM QENË NËN KOMANDËN E GJENERALIT WESLEY CLARK - NUK ISHA PILOT, POR PJESE E SHERBIMIT INTELIGJENT (03.27.2015)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Mars 2024  
D H M M E P S
          1 2
3 4 5 6 7 8 9
10 11 12 13 14 15 16
17 18 19 20 21 22 23
24 25 26 27 28 29 30
31            
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lart�]