VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

UDHËTIM DREJT VENDIT TË SHENJTË
Reportazh nga  VLASH PRENDI

E Premte, 04.10.2015, 09:57am (GMT1)


           VLASH PRENDI

Është një e shtune e zakonshme marsi. Ecim bashkë me turmën e pafund të besimtarëve drejt kishës së Shën Ndoit, shenjtores së mrekullive në Laç të Kurbinit. Tashmë prania e kësaj turme njerëzish të ardhur nga ana e anës është e zakonshme, por duke filluar nga muaji mars, vizitorët  në qytetin e Laçit thuajse 3-4 fishohen. Këtu sheh makina të llojëve të ndryshme, me targa të ndryshme që sjellin besimtarë nga të gjitha anët e Shqipërisë dhe diaspora, të kombësive dhe besimeve të ndryshme. Jemi një grup shokësh nga Laçi që shoqërojmë një delegacion të kryesisë së Shoqetës së Shkrimtarëve dhe Artistëve "Papa Klementi XI-Albani" me seli në Suedi. Me mua janë Artur Bardhi-Kryetar i Bashkisë Laç,Nikollë Lleshi-Presidenti i Shoqatës së Miqësisë dhe Bashkëpunimit Shqipëri-Itali si dhe biznesmeni i Sandër Ndoci. Nga Suedia e largët,për të vizituar këtë vend të shenjtë, kishin ardhur Z.Hysen Ibrahimi-Kryetar i Shoqetës së Shkrimtarëve dhe Artistëve "Papa Klementi XI-Albani",Z.Saranda Iseni-Avokate,anëtare Kryesie,Osman Ahmetgjeka sekretar i Shoqatës,njëherit edhe gazetar i Radio-Televizionit të Mitrovicës,Z.Hysen Syla,Z.Halit Barani-Drejtor i Qendrës Kulturore në Mitrovicë,figure jo pak e njohur për shkak të deklarimeve të tij 18 ditore në Gjykatën e Hagës në vitin 2008 ndaj masakrave serbe në Kosovë,asistuar nga një grup xhirimi i  Televizionit të Mitrovicës,kryesuar nga Z.Nehat Hasani-oprator teknik i këtij televizioni.Miqt e largët interesohen të dine disa të dhëna historike dhe statistikore rreth kësaj mrekullie qe ndodhet në Laç dhe ne i informojmë se nga të dhënat që kemi,rezulton se Ditën e Shna Ndoit ,me 13 Qërshor të çdo viti numri i pelegrinëve qe vijnë për të vizituar këtë vend të shenjtë arrin deri në 1.5 milion besimtarë.Shumica vijnë që në mbrëmje dhe kalojnë gjithë natën me lutje.Të tjerë nisen që në agim dhe marrin me kënaqësi të përpjetën e malit ku ndodhet vendi i shenjtë.Shumica e tyre ecin zbathur,rit ky qe sombolizon larjen e mëkateve të bëra gjatë jetës,të tjerë kryejnë rite të tjera të zakonshme gjatë rrugës, ndezin qirinj,falen,thonë uratë, bëjnë kryq etj.Të gjithë kërkojnë të marrin bekimin e Shenjtit të Madh,të gjithë kërkojnë paqe,bashkim,mëshirë dhe qetësi shpirtërore...
                                                               

PAK  HISTORI...

        Françeskanët erdhën në Shqipëri rreth vitit 1240 pas lindjes së Krishtit,ndërsa kisha e famshme e Shën Ndoit u ndërtua më vonë ,aty nga viti 1349,kur fretënit françeskanë zbuluan vendin e shenjtë dhe formuan këtu një Kuvend noviciati ku fillojnë jetën shpirtërore duke e kaluar me uratë,pendesë e dëshirë për t'u shenjtëruar në atë vetmi malore.Historiani i Provincave françeskane të Dalmacisë P.Fabindich,kur shkruan për këtë Kuvend të fretërve të Sebastes thotë:"Kisha e vjetër mbahet dhe çmohet me devocion si Shenjtorë,si prej të krishterëve ashtu edhe prej myslimanëve,të cilët dynden aty më shumicë për t'a kremtuar festën e Shën Antonit.Provinca françeskanë e Shqipërisë e mbajti gjithmonë si kuvend më me rëndësi,sepse vizitohet nga shtegtarët prej të gjitha anëve të Shqipërisë...".

         Mendohet se në qytetin e lashtë të Sebastes shërbente si ipeshkv Shën Vlashi,prej Sebastes së Kurbinit.Ai kishte qënë më parë mjek e më vonë qe shunguruar ipeshkv në qytetin e Sebastes të Arbnisë.Kur mbreti Lici filloi persekutimet kundër besimtarëve katolikë që zënë edhe Shën Vlashi dhe qe dënuar me vdekje.Legjenda thotë se duke udhëtuar për tek kampi i mundimeve i doli përpara një grua e vejë e cila i foli me zë të lartë ,që t'i shpëtonte nga vdekja djalin e  vetëm që mbante në prehër.Djalit,duke ngrënë peshk,i kishte mbetur një halë në fyt dhe kishte në rrezik të vdiste.Shejti qe lutur,kishte bekuar djalin i cili pati shpëtuar nga vdekja dhe kthyer tek e ëma shëndosh e mirë.U martirizua me 3 shkurt të vitit 316 dhe trupi i tij u varros me nderime të mëdha nga detarët e Republikës së Dubrovnikut ku nderohet me madhështi pikërisht me 3 shkurt.Brenda kishës,në themelet e vjetra të saj në murin e gurtë,kanë ekzistuar dy shkrime në gjuhën latine që hedhin dritë mbi fillimin e aktivitetit fetar të këtij institucioni shumë të rëndësishëm.

Shkrimi na informon se "HOC TEMPULUM CONSECRAVIT R.D.IOANNES BRUNNUS ARCHIEPISCOPUSANTIBARENSIS ANNO INCARNATIONIS DNI M D L V I I.D 2 DIMB",që në shqip do të thotë:"Kjo kishë e shugurue prej shumë të ndershmit Gjon Brunit,Arqipeshkv i Tivarit me 2 dhjetor 1557".Kjo do të thotë se mesha e parë zyrtare u dha pikërisht në këtë datë.Duke studiuar shkrimin e dytë kuptojmë se mes viteve 1558-1605,diçka ka ndodhur në vendin e shenjtë.Ndoshta turqit e dhunuan këtë vend të shenjtë,pasi aty sqarohet:
"Në vjetin 1605,i pari i fretënve Gjon Kolleshi e riparoi këtë kishë".Aty nga viti 1832 fretërit shqiptarë u shuan si Provincë ,por nuk u shua devocioni i Shën Antonit i cili për rëndësinë e madhe që pati u mbajt nga misionarët e huaj.Përmenden me nderim P.Gjon Karpo,frat i Provincës së Bolonjës,i cili mori në dorëzim edhe famullinë e Sebastes në vitin 1866, ku vdiq dhe u varros po në këtë kishë në vitin 1869.I njohur që edhe p.Gjon Catellani,edhe ky frat i Provincës së Bolonjës,prefekt i Misionit të Epirit që vdiq me 29.04.1879.Në tetor të vitit 1944 kur famullitar ishte P.Marjan Prelaj,hospici u dogj prej gjermanëve,por u rindërtua përsëri me ndihmën e P.Engjëll Sopajt.
           Dalëngadalë këtij vendi të shenjtë po i vinin vitet e lavdisë.Jehona e provave që kishte bërë Shën Ndoi i kishte kaluar kufijtë e Shqipërisë,por presioni i pushtetit komunist sa vinte dhe shtohej.Besimtarëtshpesh terrorizoheshin,madje kishës iu vunë edhe minat duke e shkatërruar nga themelet,por populli prap besonte tek mrekullitë e Shën Ndoit.Ajo ishte e vetmja shpresë për njerëzit plot halle,që me lot në sy,me shumë sakrifica e rrezik kalonin fshehurazi nëpër shkëmbinjtë e thepisur të Malit të Shenjtë për të kërkuar ndihmë tek Zoti i madhnueshëm me ndërmjetësinë e Shën Antonit.Në vitin 1991 P.Ernesto Karoli ,drejtor i ANTONIANUM-it të Bolonjës mori angazhim të ndërtonte kishën e re mbi themelet e së vjetrës dhe në mars 1992 filluan punimet për ndërtimin e saj.Pikërisht në këtë kishë është zbuluar dhe kopja e vetme e "Mesharit" të Buzukut që aso kohe përdorej edhe si tekst mësimor në shkolla .Rreth vitit 1610 arqipeshkvi i Tivarit Marin Bici bëri një  vizitë apostolike në Kishën e Shën Ndoit .Aty mësohet të jetë njohur me librin e rëndësishëm nga kolegu i tij Gjon Kolleshi që e dispononte atë .Për vlerat e veçanta të tij ai u sekuestrua nga Bici dhe rreth vitit 1611 u dërgua në bibliotekën e Vatikanit ku ka ekzistuar deri në vitin 1996,por më pas fati i tij nuk dihet...

                                                          
                                       KRONIKË MREKULLISH NJERZORE

           Dhe njerëzit kanë të drejtë. Ecin në mes të ftohtit të këtij fillim marsi për t'u prehur nën hijen e tij hirëplotë .Shumë prej tyre kanë halle,kanë probleme,kanë shqetësime,të tjerët për të bërë ritet e zakonshme.Vijnë këtu të rinj dhe të reja ,burra e gra ,katolikë e mysliman të gjithë për një qëllim të vetëm ,për tu lutur ,që shpirti i tyre të prehet në qetësi dhe paqe duke dhënë një ndër shembujt më të mire të bashkëekzistencës ndërfetare në këtë krahinë të njohur.Dhe njerëzit tregojnë me entuziazëm për mrekullitë e tij që tashme nuk janë gojëdhëna ,por një realitet.Edhe Z.Saranda kërkon të dijë më shumë rreth këtyre mrekullive dhe ne i tregojmë se një besimtare nga Lezha tregonte se:"...Mirela,mbesa e saj,kishte tre muaj gati e paralizuar.E vizituam,-thotë ajo,në mjaft klinika dhe doktorë ,por pa rezultat .Numri i pafund i këshillave dhe ilaqeve nuk bëri asnjë efekt.Gjendja sa vinte dhe keqësohej.Ashtu siç ishte,vendosëm ta dërgonin nën hijen e Shenjtit Shnanue.Me vështirësi e dërguam atje një pasdite maji,sepse rojat ushtarake të kundronin dhe të ndalonin .Pasi u lutëm nisem të zbritnim shkallët me shpresë se ajo do të ecte vetë .Dhe kjo ndodhi .Ajo i zbriti vetë shkallët.U kthyem tek truporja e të lumit dhe luteshim me lot në sy. Shenjti qëndronte krenar dhe hirplotë në altar dhe sikur na thoshte "Besoni tek unë,sepse unë jam shpëtimtari juaj".Vjollca,një e re nga malësia e Shkodrës erdhi me vështirësi në vendin e shenjtë ,sepse e kishte munduar paraliza ,por u kthye me këmbët e saj në shtëpi .Ndërsa Prenda nga Bazi i Burrelit betohet se ka parë një djalë të ri pa sy,që pasi ka fjetur një natë në vendin e shenjtë ,sytë i kishin ardhur dhe ishte kthyer pa ndihmën e të tjerëve në shtëpi.Këtë e pranon edhe meshtari dhe administratori i kishës,i cili pak vite ka që shërben në këtë vend të shenjtë,por ka fituar një eksperiencë të shkëlqyer në shërbimin e tij shpirtëror.Ai thotë se mrekullitë që ndodhin në këtë shenjtore janë të shumta ,madje ato evidentohen dhe dokumentohen sipas dëshmive të dhëna në librin e artë të kishës.Pas 810 vjetësh Shna Ndoi i Padovës është gjallë,i njohur ,i mrekullueshëm dhe i prekshëm.Ai është Shenjti më i dashur për të gjithë.Ai ka qënë mështar françeskan që në jetë kërkonte të drejtën, përsosmërinë, shenjtërinë dhe bamirësinë,cilësi këto që e bëjnë të pavdekshëm.

               Lindi në Lisbonë me 15 gusht 1195 në familjen e Martin dhe Maria Bulionit në një familje me tradita luftarake pasi babai Martin ishte kalorës i lartë dhe shumë i njohur në shërbim të mbretit Alfons I.Ky shenjt është veshur shpesh me tipare mitologjike dhe historike ,që pas vdekjes dhe kanonizimit të tij u bë figura më e popullorizuar dhe më e dashur për të gjithë. Periudhat më të rëndësishme të jetës së tij janë:Misionar dhe martir në Maroko 1220-1221,predikator i palodhur 1222-1231,epror françeskan 1227-1230,rrëfyes dhe edukator deri me 1231,ndërsa në vitin 1232 u shpall shejt.Fama e mrekullive të tij mori dhënë.Pikërisht për këto mrekulli të tij interesohet të pyes edhe Z.Hysen Ibrahimi.Dhe ne e informojmë se mrekullitë e tij në shërbim të njeriut flasin për mirësinë dhe fuqinë e tij të mbinatyrshëm dhe kujdesin e dashurinë për këtë krijues të Zotit mbi tokë.Ja disa mrekulli të Shën Ndoit:
              - Pjetri nga Padova kishte vajzën tetëvjeçare që nuk mund të ecte. Ai takoi Fra Nduen dhe iu lut ta bekojë vajzën .Ai e bekoi dhe u lut për të .Ajo u shërua dhe eci lirisht .
              - Leonardi nga Padova pranoi në rrëfim se i kishte rënë nënës me shkelm. Fra Ndoi e qortoi për këtë duke i thënë se këmba meritonte të pritej. Ai e preu këmbën, por shejti e bekoi Leonardin dhe ia ngjiti këmbën .- Në vitin 1229 u shfaq një grup hajdutësh që vidhnin, sulmonin njerëzit dhe vrisnin .Shenjti u tërhoqi vëmendjen të rrëfeheshin dhe të ndërronin rrugë, ndryshe do të përfundonin keq...dhe kështu ndodhi .Hajdutët i ndëshkoi fati .
              - Disa mëkatarë vendosën të helmonin fratin duke e ftuar në një gosti dhe duke i servirur  ushqim të helmuar .Këtë e dinte shërbëtori i Zotit ,prandaj e hëngri ushqimin dhe e ndjeu veten shumë mirë duke e bëre helmin të pavlefshëm .
              - Fra Ndoi kishte caktuar afër Limozhit një predikim në natyrë .Sapo filloi predikimi ,papritmas filloi një shi i rrëmbyer.Populli deshi të largohej ,por frati i qetësoi: "Mos u largoni se shiu nuk do t'iu lagë".Dhe ndodhi mrekullia. Kudo binte shi ,ndërsa në vendin e predikimit, jo.
              - Kishte ndodhur një grindje dhe ishte vrarë një djalë i ri që ishte varrosur në oborrin e familjes së tij. Shna Ndoi e nxorri nga varri dhe e ringjalli djalin e ri përpara popullit.
                 Këto janë vetëm disa nga mrekullitë e tij sa qe gjallë. Edhe sot ai vazhdon të bëjë mrekulli ,t'u shërbej njerëzve që i deshi aq shumë ,që u flijua për ta.

                                             LUTJE PËR LUMTURINË DHE PAQEN

          Kudo zotëron rregulli dhe disiplina .Moria e njerëzve që kanë mbushur ndërtesën, sheshin dhe shkëmbinjtë përreth,luten në heshtje. Asnjëherë nuk ka ndodhur që njerëzit të zihen ,të debatojnë ose të ndodhë ndonjë ngjarje e papëlqyer.Sapo njerëzit marrin të përpjetën drejt vendit të shenjtë sikur tjetërsohen,sikur ndryshojnë.Vetëm një përshëndetje dëgjohet,"Të ndihmoftë"!Dhe kaq mjafton.Peziehet me turmën dhe zbaton në heshtje riret e zakonshme edhe Z. Saranda Iseni.Lutet në heshtje,sikur të kishte qenë disa herë këtu,sepse ajo e ka kuptuar se sejcili prej besimtarëve sikur lehtësohet shpirtërisht.Numri i qirinjve të ndezur të fut në botën e magjishme të besimit të plotë tek Shejti i plotfuqishëm.Çdo të martë këtu ndodh mrekullia.Mijëra zemra gëzohen,mijëra fytyra qeshim nga lumturia,mijëra qirinj ndizen për jetën e amshuar.Dhe mështari e quan veten me fat sepse përjeton të njëjtat ndjenja si besimtarët e shumtë.I ndihmon në çdo rast,u dhuron foto dhe uratë,i rrëfen dhe shpesh drekon mes tyre.Në mënyrë kofidenciale tregon se bën rreth 180 rrëfime sidomos për ditët e marta.Rrëfimi është një rit i lashtë dhe i zakonshëm që i ndihmon besimtarët të lajnë mëkatet.Rrëfehen njerëz të moshave të ndryshme,
vetëm politikanët nuk rrëfehen,-thotë ai duke qeshur.
          Tek truporja brenda në ndërtesë ka levizje të pareshtur.Asnjë zhurmë,asnjë fjalë,vetëm lutje dhe përshpirtje shpirtërore.Kalon pranë saj plot solemnitet dhe nderim edhe Z.Osman Ahmetgjeka dhe lutet.Lutet për paqë dhe lumturi sepse ai është nga Mitrovica martire ku plagët e luftës janë ende të hapura.Megjithse ka shumë pelegrinë,shumë lëvizje,gjithçka bëhet me rregull dhe disiplinë,sikur vetë Shejti është i gjallë mes njerëzve dhe i mëson ata si të sillen,si të veprojnë.Rrallë dëgjohet e qara e ndonjë foshnje,ose tringëllima e parave metalike që hidhen tek truporja.Heshtja zotëron kur Frat Frani përgatitet të japë meshën e parë të ditës.Mijëra sy e ndjekin me admirim,mijëra zemra shpeshtojnë ritmin e rrahjes,mijëra shpirtëra largohen nga urrejtja, dhuna dhe orientohen drejt lumturisë dhe paqes.Mes tyre ka edhe personazhe publike,figura të njohura.Asnjë nuk vjen për të bërë politikë,vetëm për t'u falur nën hijen e të madhërishmit.  
                                         GJITHÇKA PËR BESIMTARËT

                  Ndërtesa e kishës mbi shkëmbin e bardhë që pret e përcjell mijëra besimtarë,është relativisht e vogël.Ajo,aktualisht nuk i plotëson kërkesat e besimtarëve,sepse ambientet e saj janë të pakta.Po puna ka filluar me vrull.Sheshi para kishës i ngjan një kantieri të madh ndërtimi.Meshtari Frat Fran Perlala na shpjegon se po kryhen punime të shumta për të ndërtuar një vepër madhështore ,ashtu siç e meriton vetë Shejti i Madh.
             Me financim të Provincës së Fretënve Françeskanë po punohet dita ditës që të shtohen ambientet në këtë vend të shenjtë,sidomos të përmirësimit të kushteve të besimtarëve që vijnë për të fjetur këtu.Po ndërtohet një hotel me një numër të konsiderueshëm vendesh që do t'u vihet në dispozicion besimtarëve falas.Puna vazhdon me ritme të shpejta nga specialistët,punëtorët,shoferët që nuk llogarisin fitim dhe kohë.Shkurt çdo gjë po merr jetë dhe pamje të re."Me ndihmën e Zotit dhe të Shën Ndoit,këtë vend do ta bëjmë model në Ballkan", -thotë njëri nga specialistët e ndertimit qe punon në këtë vend të shenjtë.   
                                                            
                                                               RITE PA FUND...

           Pasi i janë lutur Shenjtit për orë të tëra,besimtarët e religjioneve të ndryshme dhe janë bindur se janë çliruar nga mëkatet,pelegrinët shmangen poshtë tek masivi gjigand shkëmbor poshtë kishës ku ndodhet Shpella e Shën Vlashit.Mrekullohen Z.Hysen Ibrahimi,Z.Saranda Iseni,Z.Osman Ahmetgjeka kur u themi se Shën Vlashi ka qënë ipeshkvi i parë kurbinas që ka jetuar në famullinë e Sebastes rreth tre shekuj pas Krishtit.Ai,sipas legjendës,hyri në histori si bamirës,sepse shëroi një fëmi të bllokuar në fyt nga gjembat e peshkut duke e kthyer përsëri në jetë.Njerëzit futen në shpellë,kërkojnë bekimin,luten,puthin faqet e gurta të shpellës në shenjë mirënjohjeje,ndezin qirinj në kujtim të tij dhe marrin edhe pak dhe nga shpella për derman.
          Lumi i njerëzve merr rrugën e kthimit dhe ndërtesa gjigande mbi shkëmbin e bardhë përhumb në lartësinë e malit për të mbetur e pashlyer në shpirtin dhe mendjen e tyre.Vetëm kryqi gjigand qëndron krenar dhe i lavdishëm si fanar ndriçues ,me krah hapur sikur u thotë njerëzve "Ejani, sepse këtu do të gjeni mirësinë dhe vëllazërinë,besimin dhe shpresën".Por besimtarët e devotshëm largohen të lehtësuar sikur kanë rilindur,për t'u kthyer sërish ...ditën tjetër.Edhe miqtë tanë nga Suedia e largët,na premtuan se do të vinin serish në këtë vend të shenjtë.
VLASH PRENDI


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.