VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

SINANDINOVSKI - KAM QENË, JAM DHE DO TË MBETEM SHQIPTAR
E Mërkurë, 04.15.2015, 10:55am (GMT1)


 
            Në restorantin Orion Palace u bë promovimi i librave "Shqiptarët ortodoksë në Maqedoni" me autor prof.dr.Branislav Sinadinovski dhe libri tjetër " Rilindësit shqiptarë" me autore znj.Gordana Sinadinovski.  Promovimi u organizua nga shoqata "Dibra" me kryetar z.Musa Paçuku dhe u moderua nga Beqir Sina.

            Çdo libër i vërtetë dhe me vlera që i shërben Kombit dhe njerëzimit mirëpritet me kënaqësi të veçantë, për rrjedhojë kur dëgjova se do të vinte direkt autori i librit "Ortodoksit shqiptarë në Maqedoni" prof.dr.Sinadinovski pata një padurim për të qenë pjesë e këtij aktiviteti dhe të dëgjoja zërin e autorit që në deje i vlon gjak shqiptari.  Pata një padurim të dëgjoja deklarimin e 70 mijë ortodoksëve në Maqedoni që për herë të parë dëshmojnë se janë me gjak shqiptari.  Tani, miliona shqiptarëve në gjithë rruzullin tokësor që mjerisht akoma nuk dihet me statistika të sakta numri i tyre ngase qeveritë s'janë marrë asnjëherë seriozisht me regjistrimin e të ikurve nga Mëmëdheu si pasojë e politikave të mbrapshta të tyre iu bashkangjitën dhe 70 mijë shqiptarë. 
Shpresoj që mijëra e mijëra të tjerë që janë të padeklauar sidomos në Ballkan dhe në Greqi ku kjo e fundit ju ka ndryshuar emrat shumicës së emigrantëve duke i kthyer në emra grekë ndryshe nuk i punëson ose i kthen mbrapsht, duhet të deklarohen që janë shqiptarë dhe bij të tokës shqiptare.
            Biri shqiptar prof.dr.Branislav Sinadinovski zbuloi rrënjët e tij dhe deklaroi publikisht se është shqiptar çka të kujton shkrimtarin amerikan Ralph Ellison në "Invisible Man" i cili shprehet: "When I discover who I am, I'll be free.", që përkthehet: Kur unë të zbuloj kush jam, unë do te jem i lirë.  Këtë pashë dhe dëgjova nga afër se autori i librit Sinadinovski ndihej krenar që ishte shqiptar, ndihej krenar që deklaroi publikisht që ishte shqiptar, dhe pas këtij zbulimi Ai ishtë i LIRË!
            Pas interpretimit të dy hymneve kombëtare amerikane dhe shqiptare kanë përshëndetur autorët e dy librave, z.Shpend Koleci i cili tha se: "Vepra e prof.dr.Sinadinovskit është një kapital kombëtar që zbardh të vërtetën rreth vëllezërve tanë të besimit ortodoks në Maqedoni.  Nuk është aspak vonë që ju ngritët zërin për një të vërtetë, për një gjë të shenjtë para së cilës heshtin dhe perënditë.  Fati dhe golgota e vëllezërve tanë të krahinës së Rekës është e përcjellur me gjak e lot, që asnjëherë nuk do të shuhen".
Kantauturi i mirënjohur dibran z.Haxhi Maqellara ka lexuar përshëndetjen ardhur enkas për këtë ditë nga z.Naser Pajaziti i cili shkruante: "Për herë të parë me profesor Sinadinovskin u ballafaqova duke e ndjekur në një televizion në gjuhën maqedonase, ku ai si një intelektual i vërtetë me argumente dhe gjuhën diplomatike mposhti gazetarin inferior maqedonas, i cili kishte marrë detyrën për të determinuar misionin e ndriçimit të së vërtetës të shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni". 
Kryetari i shoqatës "Dibra" z.Musa Paçuku në emër të shoqatës ka përshëndetur të dy autorët e dy librave në këtë ditë promovimi.  Z.Paçuku tha se: Autori Sinadinovski shpalos padrejtësinë historike që u bëhet shqiptarëve ortodoksë në zonën e Dibrës, Rekës dhe Gostivarit.  Asimilimin e shqiptarëve në këto zona qeveria në heshtje ia arriti qëllimit të manipolojë me regjistrimin e mbi 400 mijë shqiptarëve të besimit ortodoks.  Pas luftës së dytë botërore qeveria e atëhershme maqedonase hartoi plane sekrete për këtë veprimtari çkombtarizuese që të rrisin qëllimisht numrin e vetë statistikor dhe të dominojnë në qeveri". 
Regjisori, aktori dhe dramaturgu z.Xhevat Limani në përshëndetjen e tij tha se jemi vëllezër të një gjaku të betuar në një flamur, që Shqipëria të mos bjerrë kurrë.  Këta dy intelektualë që na kanë nderuar sot me ardhjen e tyre këtu në Amerikë duhen mbështetur.  Ata kanë mbajtur flakën e ndezur të shqiptarizmës.  Aktori emocionoi gjithë të pranishmit me vargje nga Naim Frashëri si: Vëllezër shqipëtarë!/ Qasuni më dëgjoni/ Sa të mundeni më parë/ Gjuhën tuaj mësoni/.
Avokati i njohuur amerikan me origjinë hebre z.Stephen Kaufman tha se jam i privilegjuar që ndodhem këtu midis jush dhe përshëndes përzemërsisht autorin Sinadinovski.  Ai citoi vargun e famshëm të Pashko Vases se Feja e shqiptarit është shqiptaria.  Ju i keni dhënë botës njerëz të magjishëm dhe për këtë ju jemi thellësisht mirënjohës. I respektoj të gjitha fetë, por resepktoj shumë dhe nacionalitetet. 
Amerikani Polombo një njohës i mirë i historisë shqiptare foli me dashuri dhe respekt të jashtëzakonshëm për shqiptarët dhe gratë inteligjente që janë njohëse të disa gjuhëve, të cilat shpesh ato i flasin gjuhët e huaja më mirë se vendasit.  Ai ishte krenar që djali i tij është fejuar me një vajzë të shkëlqyer shqiptare. 
Në emër të shoqatës Çamëria ka përshëndetur ish kryetar i saj mbrojtës i çështjes çame z.Sali Bollati i cili tha se jam krenar që ndodhem në këtë aktivitet dhe përshëndes punën e të dy autorëve që po punojnë me përkushtim për identifikimin e ortodoksëve shqiptarë në Maqedoni. 
Prof.Skënder Kodra kryetar i Akademisë shqiptaro amerikane pasi i ka falënderuar autorët iu tha se ju keni nderuar vehten tuaj në radhë të parë dhe pastaj Kombin. 
Dr.Skender Myrtezani kryetari i degës së Vatrës në Quins me origjinë nga Gostivari ka përshëndetur autorët Sinadinovski për këtë punë dinjitoze.  Ai vazhdoi se komuniteti ortodoks në Maqedoni ka një komunitet të shkëlqyeshëm.  Në lidhje me çështjen ortodokse ka pasur dhe dy autorë të tjerë që janë marrë me këtë problem.  Une ju uroj autorëve Sinadinovski shumë suksese.
Z.Fan Noli i cili është pagëzuar me këtë emër të madh nga i ati i tij, mik dhe shok i Fan Nolit i kishte shoqëruar që nga Çikagoja të dy autorët i ka përshëndetur përzemërsisht dhe solli me detaje punën e tyre, origjinën shqitpare që ata kanë deklaruar publikisht. 
Kanë përshëndetur me emra dhe shoqata "Ana e Malit" me kryetar z.Ismet Kurti, Rrënjët shqiptare me president z.Marko Kepi etj...
Në mbyllje të seancës për të pranishmit është shtruar një kokteil i sponsorizuar nga aktivisti i mirënjohur dhe patrioti z.Ylber Pilku i cili dallohet për bamirësi dhe në mjaft aktivitete të rëndësishme shqiptare.
 
Kam qenë, jam dhe do të mbetem shqiptar
 
Në fund fjalën në këtë promovim e kanë marrë të dy bashkëshortët Sinadinovski autorë të dy librave: "Shqiptarët Ortodoksë në Maqedoni" dhe "Rilindësit shqiptarë".
Zonja Gordana Sinadinovski falënderoi të gjithë pjesëmarrësit dhe shoqatën "Dibra" për mikpritjen që i bënë.  Pasi bëri një përshkrim të shkurtër të jetës së saj, Ajo foli me krenari për origjinën e bashkëshortit dhe të vjehrrit të cilët e kanë frymëzuar për historinë e mahnitshme të popullit shqiptar.  Unë u rrita në shtëpinë e bashkëshortit tim me këtë frymë shqiptare dhe për këtë shkruajta për Rilindësit shqiptarë që kanë bërë një punë të jashtëzakonshme për ruajtjen e identitetit shqiptar, për gjuhën dhe kulturën shqiptare.
            Prof.Dr.Sinadinovski foli me krenari për librin e botuar rreth ortodoksëve shqiptarë të maqedonisë, punën e madhe dhe plot mundime që kishte bërë për ta botuar këtë libër dhe për të thënë të vërtetën e padiskutueshme të identitetit të shqiptarëve në Maqedoni.  Ndërsa fliste rreth librit autori shfaqej si një misionar i vërtetë i çëshjtes ortodokse të shqiptarëve në Maqedoni, ku duan të na asimilojnë, zhdukin rrënjët e të parëve tanë.
Autori tha se librin e parë të tij e ka botuar rreth Josif Bagerit nga Reka e Epërme e Dibrës.  Unë gjeta frymëzimin tek ky Rilindas i shquar kombëtar, shkrimtar, poet, gazetar publicist dhe mbi të gjitha një burrë i rrallë i dijes dhe kulturës shqiptare.
 Njëkohësisht foli dhe për të drejtat e popullsisë shqiptare që duhen të njihen me kushtetutë në Maqedoni ashtu sic mbrohen dhe njihen të drejtat e maqedonasve.  Me duartrokitje u mirëprit kur njoftoi se së shpejti do të hapet në fshatin e tij të lindjes kisha ortodokse shqiptare dhe për herë të parë do të mbahet mesha në gjuhën tonë të bukur shqipe.  Uroj që të jemi të gjithë të bashkuar për çështjen shqiptare dhe kurrë mos të ndalemi për bashkimin tonë. 
Prof.Dr.Sinadinovski foli për reagimet negative, kërcënimet e ndryshme që ka pasur rreth librit nga qarqet shoviniste maqedonase si dhe nga kisha maqedonase, por ai tha se kurrë nuk do të ndalem për çështjen e shqiptarëve, identifikimin e tyre si shqiptar, ngase në gjakun tim kam qenë, jam dhe do të mbetem shqiptar.
Aktiviteti u mbulua nga media të Diasporës si gazeta "Illyria", Diellli, TV Kultura Shqiptare dhe TV Alba Life.
 
11 Prill, 2015
Brooklyn, New York

 
KEZE KOZETA ZYLO


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.