VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë të orientuara drejt objektivave integruese
E Djelë, 03.08.2009, 10:10am (GMT1)

Marrëdhëniet Shqipëri-Kosovë, me ndërtimin e rrugës Durrës-Kukës-Prishtinë dhe rritjen e kapaciteteve të Portit të Shëngjinit, do të shënojnë një perspektivë të re në raportet mes dy vendeve, në përmbushjen e objektivave të përbashkëta drejt integrimit në NATO dhe BE. Sipas ekspertëve, Porti i Shëngjinit dhe rruga Durrës-Kukës-Prishtinë, do të jenë dy trasetë që do të lidhin dy vendet në fjalë, jo vetëm në fushën ekonomike, por dhe politike e kulturore. Këto investime madhore kombëtare do të shoqërohen me veprime të tjera në kuadër të  përpjekjeve të përbashkëta integruese në të gjitha fushat e zhvillimit ekonomiko-shoqëror. 
Gjatë një vizite në Tiranë (23 shkurt) të një përfaqësie të kabinetit qeveritar kosovar, Kryeministri Sali Berisha shprehu gatishmërinë që Kosovës t`i akordohet një port për të plotësuar nevojat e saj. Në këtë kuadër u diskutua nevoja e një studimi për zgjerimin e mundshëm të portit të Shëngjinit, në mënyrë që ai të plotësojë me kapacitetet e tij nevojat e shtetit të Kosovës. Qeveritë e të dy vendeve kanë rënë dakord, që së bashku me një grup ekspertësh, të shikojnë mënyrën se si mund të zgjerohen kapacitetet e portit, si një korridor i lirë për Kosovën. Në momentin që mbaron rruga Durrës-Prishtinë, porti merr një rëndësi strategjike për fluksin e trafikut që do të vijë nga Kosova drejt Italisë dhe pjesës perëndimore të Europës. Ndërsa veprat në infrastrukturë afrojnë interesat dypalëshe, niveli i shkëmbimeve tregtare bilaterale nuk i përgjigjet këtyre interesave. Shqipëria është vendi i parë që ka nënshkruar marrëveshjet për tregtinë e lirë me Kosovën që në vitin 2003, duke eliminuar taksat e dyfishta, ashtu siç e ka nënshkruar këtë marrëveshje dhe me vendet e tjera të rajonit.
Por, 6 vjet pas nënshkrimit të saj, volumi i shkëmbimeve tregtare dypalëshe është i ulët. Sipas të dhënave të INSTAT-it të Shqipërisë dhe Entit të Statistikave të Kosovës, shkëmbimet mes dy vendeve gjatë vitit 2008 arritën në 9.97 miliardë lekë, eksportet nga Shqipëria në drejtim të shtetit të ri fqinj janë tepër modeste me vetëm 2% e totalit të importeve kosovare. Ndërkohë, që importet serbe arrijnë 15% dhe ato maqedonase 20%. Edhe pse potencialet për shkëmbimin e mallrave Shqipëri-Kosovë janë të larta, ato janë ende të pashfrytëzuara mirë. Zgjerimi i aftësisë përpunuese të portit të Shëngjinit dhe vendosja e tij në funksion të ekonomisë kosovare do të krijonte një portë shumë të mirë gjeoekonomike mes Kosovës dhe perëndimit të Europës, gjë që do sillte përfitime ekonomike dhe politike të dyanshme, si për Shqipërinë dhe Kosovën, duke e orientuar këtë të fundit në volumet tregtare, drejt vendeve të BE-së.
Përsa i takon Shqipërisë, Porti i Shëngjinit do të rriste investimet në vendin tonë, të cilat do t'i jepnin një impuls të rëndësishëm zhvillimit ekonomik, sidomos pjesës veriperëndimore dhe verilindore të vendit. Gjithashtu, kjo vepër do ta kthente Shqipërinë në një burim stabiliteti dhe zhvillimi në Ballkanin Perëndimor e më gjerë, duke u bërë një faktor potent stabilizues ekonomik e politik. ATSH



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.