VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

FESTIVALI I FILMIT NË PRIZREN NDERON BEKIM FEHMIUN
E Shtunë, 07.31.2010, 02:18pm (GMT1)

Sot në qytetin e Prizrenit nis një prej festivaleve më të rëndësishëm të filmit në Kosovë, Dokufest.

Edicioni i nëntë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit të shkurtër dhe atij dokumentar përfundon më 7 gusht.

Ky festival këtë vit do të nderojë artistin e madh Bekim Fehmiun, i cili u nda nga jeta pak kohë më parë.

Në këtë festival do të marrin pjesë mbi 150 krijues filmi, nga zhanret e filmit të metrazhit të shkurtër dhe atij dokumentar.

Juritë profesionale do të japin një sërë çmimesh, duke përfshirë edhe krijimet më të mira nga rajoni i Ballkanit, si dhe atyre që vijnë nga vendet jashtë tij.

Të gjitha këto krijime filmike do të garojnë në kategorinë kombëtare, ballkanike dhe atë ndërkombëtare.

Përveç këtyre kategorive do të jetë edhe kategoria për çmimin "Green doc" dhe ajo për çmimin për të drejtat e njeriut.

Në konkurencë për këto çmime janë gjithësej 156 filma nga 34 vende të botës.

Organizatorët kanë thënë se përveç vendeve që kanë kohë që marrin pjesë në festival, dhe të cilët prezantojnë filmat fitues në festivalet ndërkombetare, sivjet do të prezantohet edhe kinematografia e vendeve si Afganistani, Finlanda, Turqia, Gjermania, etj.

Një e veçantë tjetër e festivalit, thonë organizatoret, do të jetë retrospektiva që do t'i bëhet regjisorit të njohur jugosllav Zelimir Zilnik.

Dokufesti nuk është i vetmi festival i këtij lloji që organizohet në Kosovë, por që nga nisja e tij, është vlerësuar si një ndër organizimet më prestigjioze të artit dhe të kulturës në vend.

(http://www.bbc.co.uk/albanian)

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.