VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - AT GJERGJ FISHTA, SHQIPTARI POET (fragmente)Nga Prof. ABAS ERMENJI (1913-2003)

                                                                                      

E Mërkurë, 04.24.2024, 08:43pm (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SHQIPTARËT
 

AT GJERGJ FISHTA, SHQIPTARI POET (fragmente)

Nga Prof. ABAS ERMENJI (1913-2003)


E Premte, 10.29.2010, 08:53pm (GMT+1)

Ndonëse, në kohët që po jetojmë, shpirti i ynë - shpirti i kombit shqiptar - është i ngarkuar me të tjera kujdese dhe s'ia ka ngenë të merret me poezi e me poetë, me gjith këtë s'duhet të na hutojnë problemet e ditës aqë sa të mos e çojmë mëndjen në një çast tek Fishta, te këngëtari i math, që mbylli sytë në një ditë të vrenjtur Dhjetori dhjetë vjet më parë.

Vargjet e tij bien të fortë si oshëtimë gurrash, si rropame shkëmbejsh që rrokullisen, dhe nëpër ta duket lakuriq shpirti shqiptar - shpirt i pa-prishur nga butësitë e qytetërimit - me një tok cilësish nga të burrërisë së lashtë, prerë mbi një fisnikëri t'ashpër, dhe që Fishta i tregon shquar si vija të gdhendura në gur.

Por boshti rreth të cilit vepra e poetit t'onë ngihet në kulm, është antiteza shqiptaro-sllave, lufta heroike që bëjnë të parët për t'u mprojtur nga lakmitë e të dytëve. Në këtë dyluftim epik, Fishta e dallon me vija të forta shqiptarin prej shkjahut si popull, si komb, si fe.

A është "LAHUTA E MALCIS" epopeja e jonë kombëtare ?

Me poemin e tij epik pra, Fishta i ngriti kombit shqiptar monumentin më të bukur. Lahuta e Malcis s'e përmbledh ndoshta jetën kombëtare t'onën në të gjitha çfaqjet e saj por vë në dukje kaq mirë tipin e shqiptarit të pa-prishur - shpirtin, mëndësinë dhe vleftat morale të tij - saqë duket sikur ia sheh të gjitha këto si të prera në gur.

Jetë-kuptimin dhe vleftat morale të shqiptarit, Fishta i gdhend si në mermer në tipin e Marash Ucit e në porositë që ky iu lë Djemve të Calit. Pastaj bukuria është se Lahuta thesarin e folklorit, besimet popullore, mënyrë-shprehjen dhe botë-kuptimin e shqiptarit përgjithësisht i ka shkrirë e përdorur aq mirë si elementa të saja, sa që ke përshtypjen se është poemi i ndonjë këngëtari që s'e njeh jetën përtej rrethit të maleve. Prandaj çdo përshkrim, çdo figurë, edhe hiperbolat më të guximshme të saj, na vinë të këndëshme e të natyrëshme dhe s'të lënë aspak përshtypje se dalin jashtë masës. Çdo gjë në të, çdo ndjenjë, mendim, koncept e mënyrë të thëni është tipike shqiptare.

Edhe gjuha e Fishtës është ajo e malevet, e pa-ngrënë prej limës s'artit, por e pasur, e fuqishme me frazologjinë e saj të natyrshme, ashtu siç del nga burimi psikologjik shqiptar. Ndër shkrimtarët shqipëtarë, Fishta është ai që ka derdhur thesarin gjuhësor më të pasur, me një mënyrë të menduari e të thëni krejt shqip.

Fishta është i zoti të vërë në dukje, me katër pesë vargje, tipin e burrit të hovshëm e të fortë trup e shpirt:


Prap prej Shllakut lshon Gjetë Gega;
Faqja e tij kuq porsi shega,
Shllungë mustakun derdhë n'dy dega;
Kur nji fjalë po e folka burri,
Ma si luejtka me sa curri.

Vetëm fjala "lshon" këtu tregon burrin e papërmbajtshëm, i cili derdhet me vrull si një forcë e lidhur që këput vargonjt, si një ujë i mbyllur që thyen pengesat.

Krahëso efektin që bën këtu vargu:

Shllungë mustakun derdhë n'dy dega

me notën e vrazhdë e disi komike që shtojnë vetullat e mustaqet tek Malaziasi Vulo Radoviqi:

Vetllat trashë ngërthye kular,
Porsi lesh derrit bugar;
Vesh e m'vesh dega e mustakut,
Si dy korba lidhë pr' i lakut.

Një nga skenat më të bukura e më pathetike të Lahutës është mbledhja e krerëvet të Hotit te Kisha e Shnjonit, ku Marash Uci parashtron rrezikut që i kanosej Malësisë e ku merret vendimi i qëndresës. Kjo mbledhje, madhështore në thjeshtësinë e saj, nuk është më pak epike nga ato t'Iliadhës, e ku Marash Uci, ky Uliks i Malësisë që:


Anë e mbanë i kisht'ra detit,

tregon rrezikun e afërt dhe pregatit, me një oratori të rrallë, fushën shpirtërore për marrjen e vendimit heroik. Fjalët e tij rrokullisen ngadalë njera pas tjetrës, të thjeshta e të sigurta si çapat e luanit, dhe bëjnë që krerët e Hotit


Si t'u rake i rrfe prej Zotit,
...............................
Kishin ndejë me sy për dhe.

Atëhere Marashi, pasi i ka sjellë shpirtrat në këtë gjëndje, hedh shkëndijën e fundit:


Ç'thoni burra? Fe e zakona,
Bjeshkë e vrri e kullat t'ona,
A'imend Knjazit pa luftue,
Pa 'i pushkë t'shtime kem m'ia lshue?

Këta katër vargje bjenë si katër ura zjarri që e shkrijnë akullin e heshtjes ; vendimi që ka marrë seicili në thellësinë e zemrës, zbërthen si gurrë nëpër gojën e Gjeto Markut dhe e vendos Çun Mula me benë e tmerrëshme.

Shih, për shembull, se ç'figurë ka gjetur poeti për të paraqitur ndeshjen me jatagana ndërmjet shqiptarëve e malazezëve te Ura e Rrzhanicës, dhe me sa forcë e shpejti sillen përfytyrimet, ashtu siç ka qënë e hovëshme edhe përpjekja:

Po, dy prroje prej dy kulmesh,
Ndryshej nuk përpiqen shkulmesh,
Kur t'ken hasun n'grykë t' ndo 'i malit,
Për me u lshue mandej gjatë zallit,
Nëpër ara e fusha t'gjana,
Si u-përpoj'n, ahi! me tagana,
Dy ushtrinat ke Rrzhanica :
Heshti huta edhe "novica",
U përzien ksula e "kapica",
Flakuruen kaptina e koka,
Shkumboi gjaku, bumblloi toka.

Duke kënduar këta vargje, ke përshtypjen sikur të dridhet toka nënë këmbë.

Pjesa satirike e veprës së Fishtës nuk është më pak e denjë për t'u përmendur, pse qëndron gati në një lartësi me krijimet e tij epike. Edhe aty si objekt mbetet prap shqiptari (por këtë radhë jo shqiptari i maleve), ku poeti i rreh me sarkazmë disa nga anët e dobëta.

Eshtë për t'u vënë re, sidomos, që humori a mënyra tallëse e Fishtës ka diçka tipike shqiptare, dhe zbulon gjithkund natyrën sulmonjëse të poetit të Lahutës. Pa zbritur në trashamani, gjithnjë me kripë, satira e Fishtës nuk është pupël që të gudulit por është kamzhik që të djek lëkurën.

Gazeta FLAMURI, janar-shkurt 1951

Prof. ABAS ERMENJI


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
RRËFIMI I ALIDA HISKUT: UNË, KËNGËTARJA E AKUZUAR SI PJESËTARE E GRUPIT ARMIQËSOR TË FIQIRETE SHEHUT (10.28.2010)
TEFTA TASHKO KOÇO/NJËQIND VJET QË IA DËSHIROJMË AQ SHUMËNga AGRON SEJAMINI (10.28.2010)
LETËRKËMBIMI I STUDIUESVE TË KOSOVËS ME PROFESOR ÇABEJNNga BEGZAD BALLIU, Universiteti i Prishtinës, Fakulteti i Edukimit (10.25.2010)
PIRAMIDA PARLAMENTNga MUJË BUÇPAPAJ (10.24.2010)
NDIHMESA E SELMAN RIZËS NË ZBULIMIN E SHENJAVE LETRARE TË LETËRSISË SË HERSHME SHQIPENga BEHAR GJOKA (10.24.2010)
IU DHA DJE LAMTUMIRA E FUNDIT MR. JETISH CUFË KADISHANIT (10.23.2010)
U HAP EDHE GALERIA VERIORE E KALIMASHIT (10.22.2010)
Nënë Tereza, një shembull unikal i qytetërimit-Të varfërit janë dhurata më e çmuar për ne;prania e fshehtë e Jezusit. Nënë TerezaNga Petrit Nika (10.22.2010)
"IMPERIALIS" IA JEP ZHANI CIKOS ÇMIMIN "YLLI I ARTË AKADEMIK" (10.20.2010)
NË BUJANOC THEMELOHET QEVERI TEKNIKE (10.19.2010)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 
::| Hot News
Ismail Kadare: Koha po punon për shqiptarët

 
VOAL
[Shko lartë]