VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
AT GJERGJ FISHTA, SHQIPTARI POET (fragmente) Nga Prof. ABAS ERMENJI (1913-2003) E Premte, 10.29.2010, 08:53pm (GMT1) Ndonëse, në kohët që po jetojmë, shpirti i ynë - shpirti i kombit shqiptar - është i ngarkuar me të tjera kujdese dhe s'ia ka ngenë të merret me poezi e me poetë, me gjith këtë s'duhet të na hutojnë problemet e ditës aqë sa të mos e çojmë mëndjen në një çast tek Fishta, te këngëtari i math, që mbylli sytë në një ditë të vrenjtur Dhjetori dhjetë vjet më parë. Vargjet e tij bien të fortë si oshëtimë gurrash, si rropame shkëmbejsh që rrokullisen, dhe nëpër ta duket lakuriq shpirti shqiptar - shpirt i pa-prishur nga butësitë e qytetërimit - me një tok cilësish nga të burrërisë së lashtë, prerë mbi një fisnikëri t'ashpër, dhe që Fishta i tregon shquar si vija të gdhendura në gur. Por boshti rreth të cilit vepra e poetit t'onë ngihet në kulm, është antiteza shqiptaro-sllave, lufta heroike që bëjnë të parët për t'u mprojtur nga lakmitë e të dytëve. Në këtë dyluftim epik, Fishta e dallon me vija të forta shqiptarin prej shkjahut si popull, si komb, si fe. A është "LAHUTA E MALCIS" epopeja e jonë kombëtare ? Me poemin e tij epik pra, Fishta i ngriti kombit shqiptar monumentin më të bukur. Lahuta e Malcis s'e përmbledh ndoshta jetën kombëtare t'onën në të gjitha çfaqjet e saj por vë në dukje kaq mirë tipin e shqiptarit të pa-prishur - shpirtin, mëndësinë dhe vleftat morale të tij - saqë duket sikur ia sheh të gjitha këto si të prera në gur. Jetë-kuptimin dhe vleftat morale të shqiptarit, Fishta i gdhend si në mermer në tipin e Marash Ucit e në porositë që ky iu lë Djemve të Calit. Pastaj bukuria është se Lahuta thesarin e folklorit, besimet popullore, mënyrë-shprehjen dhe botë-kuptimin e shqiptarit përgjithësisht i ka shkrirë e përdorur aq mirë si elementa të saja, sa që ke përshtypjen se është poemi i ndonjë këngëtari që s'e njeh jetën përtej rrethit të maleve. Prandaj çdo përshkrim, çdo figurë, edhe hiperbolat më të guximshme të saj, na vinë të këndëshme e të natyrëshme dhe s'të lënë aspak përshtypje se dalin jashtë masës. Çdo gjë në të, çdo ndjenjë, mendim, koncept e mënyrë të thëni është tipike shqiptare. Edhe gjuha e Fishtës është ajo e malevet, e pa-ngrënë prej limës s'artit, por e pasur, e fuqishme me frazologjinë e saj të natyrshme, ashtu siç del nga burimi psikologjik shqiptar. Ndër shkrimtarët shqipëtarë, Fishta është ai që ka derdhur thesarin gjuhësor më të pasur, me një mënyrë të menduari e të thëni krejt shqip. Fishta është i zoti të vërë në dukje, me katër pesë vargje, tipin e burrit të hovshëm e të fortë trup e shpirt:
Vetëm fjala "lshon" këtu tregon burrin e papërmbajtshëm, i cili derdhet me vrull si një forcë e lidhur që këput vargonjt, si një ujë i mbyllur që thyen pengesat. Krahëso efektin që bën këtu vargu: Shllungë mustakun derdhë n'dy dega me notën e vrazhdë e disi komike që shtojnë vetullat e mustaqet tek Malaziasi Vulo Radoviqi: Vetllat trashë ngërthye kular, Një nga skenat më të bukura e më pathetike të Lahutës është mbledhja e krerëvet të Hotit te Kisha e Shnjonit, ku Marash Uci parashtron rrezikut që i kanosej Malësisë e ku merret vendimi i qëndresës. Kjo mbledhje, madhështore në thjeshtësinë e saj, nuk është më pak epike nga ato t'Iliadhës, e ku Marash Uci, ky Uliks i Malësisë që:
tregon rrezikun e afërt dhe pregatit, me një oratori të rrallë, fushën shpirtërore për marrjen e vendimit heroik. Fjalët e tij rrokullisen ngadalë njera pas tjetrës, të thjeshta e të sigurta si çapat e luanit, dhe bëjnë që krerët e Hotit
Atëhere Marashi, pasi i ka sjellë shpirtrat në këtë gjëndje, hedh shkëndijën e fundit:
Këta katër vargje bjenë si katër ura zjarri që e shkrijnë akullin e heshtjes ; vendimi që ka marrë seicili në thellësinë e zemrës, zbërthen si gurrë nëpër gojën e Gjeto Markut dhe e vendos Çun Mula me benë e tmerrëshme. Shih, për shembull, se ç'figurë ka gjetur poeti për të paraqitur ndeshjen me jatagana ndërmjet shqiptarëve e malazezëve te Ura e Rrzhanicës, dhe me sa forcë e shpejti sillen përfytyrimet, ashtu siç ka qënë e hovëshme edhe përpjekja: Po, dy prroje prej dy kulmesh, Duke kënduar këta vargje, ke përshtypjen sikur të dridhet toka nënë këmbë. Pjesa satirike e veprës së Fishtës nuk është më pak e denjë për t'u përmendur, pse qëndron gati në një lartësi me krijimet e tij epike. Edhe aty si objekt mbetet prap shqiptari (por këtë radhë jo shqiptari i maleve), ku poeti i rreh me sarkazmë disa nga anët e dobëta. Eshtë për t'u vënë re, sidomos, që humori a mënyra tallëse e Fishtës ka diçka tipike shqiptare, dhe zbulon gjithkund natyrën sulmonjëse të poetit të Lahutës. Pa zbritur në trashamani, gjithnjë me kripë, satira e Fishtës nuk është pupël që të gudulit por është kamzhik që të djek lëkurën. Gazeta FLAMURI, janar-shkurt 1951 Prof. ABAS ERMENJI
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |