VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Nga Tirana në Kopenhagë vazhdë humbjesh
E Enjte, 04.02.2009, 07:37am (GMT1)

Voal-online - Kombëtarja shqiptare ka pësuar humbjen e dytë brenda katër ditëve, duke konfirmuar në këtë mënyrë dështimin në eleminatoret e Botërorit 2010. Takimi i zhvilluar në "Parken Stadium" të Kopenhagenit ka përfunduar në shifrat 3-0, një rezultat që bëhet akoma më i rëndë po të kihet parasysh se Shqipëria nuk goditi asnjëherë në portë në harkun e 90 minutave. Për kombëtaren kuqezi ishte humbja e tretë në këto eleminatore, por natyrisht më e rënda. Një notë tepër negative edhe për trajnerin Ari Han, për mënyrën se si e kishte përgatitur këtë ndeshje.
Ashtu siç pritej danezët e kanë nisur takimin në sulm dhe në minutën e 10-të, Romedahl ka një mundësi të artë pas një gafe të Agollit. Por, mesfushori preferon të pasojë te Larsen dhe ndërhyn mbrojtja kuqezi. Pesë minuta më pas, është sërish Romedahl që del vetëm me Hidin dhe e shmang, por ndërhyrja e Vangjelit është vendimtare. Sapo kalon gjysmë orëshi i parë, vjen ndëshkimi.
Gjuajtje pa pretendime e Leon Andreasen dhe Hidit i hyn topi nën duar. Gafë e portierit kuqezi dhe vendasit janë në avantazh. Në minutën e 37-të, është Soren Larsen ai që dyfishon shifrat, këtë herë pas një tjetër gafe të mbrojtësve. Romedahl fut një top në zonë dhe sulmuesi arrin të shënojë.
Në pushimin mes pjesëve Han nxjerr Bulkun për Salihin, por sërish loja e kuqezinjve në sulm nuk funksionon. 10 minuta para përfundimit, kapiteni Kristian Poulsen shënon edhe golin e tretë, pas një tjetër gabimi të portierit Hidi. Pas kësja humbje, Shqipëria mbetet në kuotën e 6 pikëve, me 7 ndeshje të luajtura, ndërsa Danimarka ngjitet në kuotën 13, duke ruajtur vendin e parë në grupin 1.


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.