VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Agustin Kola: Çdo ndeshje një finale për Tiranën
E Enjte, 04.23.2009, 02:19pm (GMT1)

ATSH- Superliga ka hyrë në 5 javët e saj të fundi, kur  pritet të shpallet ekipi i 70-të kampion i Shqipërisë, për të cilin luajnë fort ekipet Teuta, Besa, Shkumbini, Dinamo dhe Vllaznia, që do të jenë kundërshtarët e ardhshëm të Tiranës. Tirana, kryesuesja e Superligës me 55 pikë, do të përballet në fundjavë me Teutën, ndaj së cilës humbi në fazën e dytë, me rezultatin1-2 në kryeqytet. Formacioni durrsak i mundësoi bardhebluve kryesimin, pasi një javë më parë mposhti në "Niko Dovana", Vllazninë me rezultatin 1-0. I vetëdijshëm për forcën në rritje të Teutës dhe aftësitë e teknikut Sulejman Starova, vetë trajneri i Tiranës, Agustin Kola paralajmëroi sot se: "Teuta është një ekip mjaft i mirë dhe këtë e ka treguar nga java në javë. Ka lojtarë të rinj, por cilësorë. Për ne, çdo ndeshje është si finale, pasi nëse luftojmë për titullin, Teuta kërkon një vend në Kupën UEFA".  Vllaznia është kundërshtari i madh i Tiranës si në kampionat, ashtu dhe në Kupën e Shqipërisë. "Vllaznia është e fortë dhe ajo ka pretendimet e saj, por për Tiranën fitorja është obligim deri në javën e fundit. Nuk ka mbaruar asgjë, pasi jemi vetëm një pikë para. Edhe për ndeshjen e Kupës, Tirana duhet të shënojë e të fitojë që të shkojë në finale", theksoi Kola. Tirana-Vllaznia do të jetë sfida e javës së fundit të  kampionatit të 70-të Kombëtar të futbollit, ku do të njihet edhe fituesi.



Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.