VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Qytetarët e Vlorës festojnë në Sheshin e Flamurit fitoren e Kupës së Shqipërisë
E Enjte, 05.07.2009, 10:33am (GMT1)

ATSH - Festa e fitores së Kupës së Shqipërisë në futboll, që nisi në stadiumin "Niko Dovana" në qytetin e Durrësit, vazhdoi me dimensione të tjera edhe më të mëdha dje në mbrëmje, në Vlorë mes entuziazmit të madh që u shoqërua me hedhje fishekzjaresh për futbollistët e "Flamurtarit".
Dhjetëra autobusë e autovetura me sportdashës, që kishin ndjekur takimin final të edicionit të 57-të të Kupës së Shqipërisë, mbërritën në mbrëmje në Sheshin e Flamurit, ku u pritën nga mijëra qytetarë. Për më shumë se 60 minuta, sheshi u shndërrua në epiqendër të një feste të vërtetë sportive, e alternuar me fishekzjarrë të shumtë. Emocionet pafund të futbollistëve vlonjatë, fitues të aktivitetit të dytë më të rëndësishëm të sezonit futbollistik në vend, u përzjenë me ato të bashkëqytetarëve të tyre që kishin mbushur sheshin. 
Brohoritjet dhe thirrjet përshëndetëse, krijuan një atmosferë të pazakontë që riktheu ngjarje të ngjashme të shumë viteve më parë, kur, "Flamurtari", realizonte suksese edhe në skenën ndërkombëtare të futbollit duke sfiduar skuadra me emër si "Partizani" i Beogradit. 
Të pranishmit u përshëndetën nga kryetari i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i cili tha se, fitorja e skuadrës së "Flamurtarit" ishte plotësisht e merituar dhe dëshmi e rikthimit të skuadrës tek profili triumfues. 
Kryebashkiaku vlonjat, njëkohësisht president i Klubit të Futbollit "Flamurtari", nënvizoi se, ky sukses do të pasohet në të ardhmen edhe nga të tjerë. 
Nën "lumin" e fishekzjarrëve që ndriçonin qiellin, ceremonitë spontane të mbrëmjes së djeshme, vazhduan me një paradë festive, ku qindra autovetura përshkuan rrugët e qytetit, të përcjella prej qindra qytetarëve, që përshëndesnin nga trotuaret.
Skuadra e "Flamurtarit" fitoi dje 2-1 ndaj "Tiranës" në takimin final të edicionit të 57-të të Kupës së Shqipërisë në futboll, që u zhvillua në stadiumin e qytetit të Durrësit. Vlonjatët u shpallën fitues për të tretën herë në këtë aktivitet, ndërkohë që kanë dalë 12 herë në finale, nga të cilat katër herë me skuadrën e "Tiranës".

www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.