VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve

Shënim: Kombëtarja shqiptare një muaj pa trajner
E Premte, 05.15.2009, 09:21am (GMT1)

Kur ka kaluar një muaj nga largimi i trajnerit holandez Ari Han nga drejtimi Kombëtares shqiptare, Federata Shqiptare e Futbollit ende nuk ka zgjedhur zëvendësuesin e tij.

      Kombëtarja shqiptare, e drejtuar nga trajneri i Shpresave, Artan Bushati, zhvilloi një ndeshje të një niveli të mirë në barazimin 3-3 me Milanin, por më 6 qershor, kur Shqipëria do të ndeshet me Portugalinë për eliminatoret e Botërorit "Afrika e Jugut 2010", në bankinën kuqezi do të jetë një emër tjetër. 
      Pas refuzimit të kroatit Branko Ivankoviç dhe mos gjetjes së kandidaturave në takimet e Vjenës, presidenti i FSHF-së, Armand Duka, pritet që në fundjavë të përzgjedhë trajnerin e ri të përfaqësueses kuqezi. 
      Trajneri italian Serse Kozmi, ish-tekniku i Udinezes, Peruxhias e Breshias, aktualisht i papunë, i është shtuar listës për të pasuar në pankinën kuqezi holandezin Ari Han, të shkarkuar pas rezultateve të dobta në shtatë ndeshjet e para të eliminatoreve të Kampionatit Botëror. 
      Emra të fortë mbeten edhe austriaku Peter Pakult e kroati Ilija Lonçareviç. Sipas burimeve pranë FSHF-së, Pakult, i cili drejton aktualisht Rapidin e Vjenës, ka pranuar në parim kërkesat financiare të federatës dhe kushtin e saj për të qëndruar gjatë në Shqipëri. 
      Ndërkohë që të shtunën me rastin e hapjes së "Milan Park Tirana" në Shqipëri do të vijë edhe ish- mbrojtësi legjendar i Milanit, Franko Barezi, emri i të cilit është përmendur si kandidaturë për të marrë stolin kuq e zi. Nga FSHF-ja nuk përjashtohet mundësia e ndonjë takimi mes tij dhe krerëve të federatës.
      Gjithsesi kur kanë mbetur edhe 22 ditë nga ndeshja me Portugalinë, FSHF duhet të bëjë zgjedhjen e saj pa humbur kohë dhe të vendosë trajnerin e ri të Kombëtares për tre vitet e ardhshme. ATSH
www.voal-online.ch


Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved.