VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve | ||||
Wolfsburgu kampion i Gjermanisë në futboll E Hënë, 05.25.2009, 03:00pm (GMT1)
Traineri Felix Magath duke i përshëndetur tifozët në stadium
"Eshtë një ëndërr që këtë sezon jo vetëm u bëmë kampion i Gjermanisë, por e morëm me meritë titullin. Ne ndoshta nuk kemi ekipin më të mirë por luajtëm futbollin më të mirë gjatë gjithë sezonit", u shpreh traineri Magath. Në formë të shkëlqyer u paraqit sërish sulmuesi Grafite i cili shënoi përsëri dy herë duke e rritur në 28 bilancin e golave të shënuar prej tij gjatë kampionatit.
Bajerni i Mynihut me numrin më të madh të titujve kampion, arriti të paktën të siguronte vendin shumë të rëndësishëm në Ligën e Kampionëve. Bajerni fitoi në lojën me Stutgartin me rezultatin 2:1 dhe e mbylli sezonin duke u renditur në vend të dytë. Ashtu si dy vjet më parë, pra sërish një vit pa titull për Bajernin. Traineri Jupp Heynckes e pranoi me qetësi rezultatin: "Mendoj se Wolfsburgu e fitoi me meritë titullin e kampionit dhe për këtë i shpreh urimet e mia. Ata ishin ekipi më i mirë gjatë gjithë sezonit dhe pra një kampion i merituar", u shpreh Heynckes. Megjithë humbjen edhe ekipi i Stuttgart-it ishte i kënaqur në fund të këtij sezoni. Me vendin e tretë në tabelë, ekipi mund të marrë pjesë në kualifikimin për Ligën e Kampionëve dhe të shpresojë sezonin e ardhshëm për shumë para. Fytyra të mërzitura ishin ato të ekipit të Berlinit, Hertha BSC. Kryeqytetasit humbën 0:4 me Karlsruhe-n dhe humbën kështu shansin për Ligën e Kampionëve. Vendi i katërt në tabelë i jep Hertës të drejtën të marrë pjesë në Ligën Evropiane e cila duke filluar nga sezoni i ardhshëm zëvendëson kupën UEFA. Një betejë e vërtetë për vendin e dytë në Kupën e Evropës u zhvillua mes Dortmundit dhe Harmburgut. Në fund Hamburgu fitoi 3:2 në Frankfurt dhe siguroi vendin e pestë. Dortmundi humbi të drejtën për të marrë pjesë në Kupën e Evropës me barazimin 1:1 me Gladbach-un dhe u rendit i gjashti në tabelë. Traineri Jürgen Klopp u shpreh: "Unë megjithatë jam krenar për atë çfarë arriti ekipi gjatë këtij viti. Jam krenar për kontributin e tifozëve. Unë mundem vetëm të premtoj se do të vazhdojmë aty ku na u desh ta ndërprisnim sot." Ekipi Energie Cottbus mund të vazhdojë të shpresojë të mbetet në kategorinë e parë. Cottbus-i mundi Leverkuzenin 3:0 dhe arriti vendin 16-të, i cili i jep të drejtën për një ndeshje kualifikuese për mbetjen në kategorinë e parë. Për t'u përmendur ishte loja e Ervin Skelës, lojtar i kombëtares shqiptare, i cili me një formë të shkëlqyer kontribuoi në fitoren e ekipit. Në datë 28 dhe 31 maj Cottbus do të luajë kundër të tretit në klasifikim në kategorinë e dytë, për të zënë vendin e 18-të pjesëmarrës në kategorinë e parë. Për Mönchengladbach-un pika e fituar kundër Dortmundit kishte vlerën e arit. Kështu ekipi i Borussia-s arriti me forcat e veta të ruante mbetjen në kategorinë e parë. Lot dhe zhgënjim pati tek ekipi i Bielefeld-it. Megjithë ndryshimin e trainerit - Jörg Berger zëvendësoi Michael Frontzeck-un - Arminia Bielefeld arriti vetëm barazim 2:2 me ekipin Hannover 96. Në fund mbeti vendi i 18-të, pra zbritja nga kategoria. Në kategorinë e dytë zbret edhe Karlsruhe SC megjithë fitoren 4:0 me Berlinin. www.voal-online.ch
|
||||
Copyright © 2005-2008 Nulled by [x-MoBiLe]. All rights reserved. |