VOAL - Online Zëri i Shqiptarëve - Një zë më shumë në Parlament jo vetëm për futbollin por për të gjithë sportin shqiptar

                                                                                      

E Shtunë, 04.20.2024, 07:35am (GMT+1)

Ballina Linqe Stafi Kontakt
 
 
::| Fjala:       [Advance Search]  
 
Gjithë lajmet  
LAJMI I FUNDIT
OPINONE-EDITORIALE
ZVICRA
INTERVISTË-PRESS
SHQIPTARËT
LAJME NDËRKOMBËTARE
POLITIKË
DIASPORA NË ZVICËR DHE BOTË
PERSONAZH
ART KULTURË
DOSSIER
KËNDI I SHKRIMTARIT
HOLLYWOOD
AFORIZMA
GOSSIPE
SPORT
::| Newsletter
Emri juaj:
Emaili juaj:
 
 



 
SPORT
 

Një zë më shumë në Parlament jo vetëm për futbollin por për të gjithë sportin shqiptar


E Enjte, 05.28.2009, 05:15pm (GMT+1)

 

Mendoi se do t'i ketë rënë numrit gabim, miku i vet Gent Strazimiri, kur i njoftoi lajmin. Por, u emocionua, kur telefonuesi i tha se kjo ftesë bashkëpunimi është e Partisë dhe jo e shokut të fëmijërisë...

 

Surprizë jo vetëm për të tjerët, por dhe për atë vetë. Indrit Fortuzi është një nga figurat emblematike të futbollit të Tiranës. Me ekipin bardheblu, ai çdo vit fitoi trofe, kampionatin ose Kupën e Republikës dhe në disa sezone, të dyja bashkë. I lindur për t'u bërë lojtar lider i dha ekipit mentalitetin absolut të triumfuesit. Këto ditë, vjen lajmi surprizë: Indrit Fortuzi, kandidat për deputet i Partisë Demokratike në Tiranë. Dhe përsëri me një ekip fitues...

Nga e djathta kanë anuar bindjet e tij dhe të familjes përherë. Nuk është se kanë qenë të persekutuar. I ati ka qenë zoteknik dhe e ëma llogaritare. Pra, bënin pjesë në atë mesataren e artë të asaj kohe, por si gjithë tiranasit nuk kanë patur simpati për atë sistem. Ndaj e mirëpritën ardhjen e demokracisë dhe në të gjitha votimet të djathtën kanë mbështetur. Por, askush nga kjo familje nuk ka rënë në sy për militantizëm. Më e shumta, ka qenë pjesëmarrja e tyre nëpër takimet e lagjes së tyre, me kandidatët deputetë si Bamir Topi, Edi Paloka, Spartak Ngjela.... Natyrisht që, ka ikur me dëshirën e tij në këto tubime edhe Indriti, por imazhi i tij ka vlejtur jo pak. Është një zgjidhje interesante dhe e saktë ftesa e fundit, pasi nuk bëhet fjalë thjesht për një emër futbollisti me karrierë të shkëlqyer, por për një imazh dinjitoz dhe të respektuar, jo vetëm në Tiranë, por për gjithë Shqipërinë. E kush subjekt politik nuk do ta dëshironte këtë emër?! Por emocionet e tija të këtyre ditëve, tregojnë se edhe ai e ka pritur me shumë dëshirë. Ndjehet i vlerësuar nga një Parti që ai e ka patur për zemër dhe për votë. Kjo vlen më shumë për të se sa rezultati përfundimtar personal... Gjithnjë në natyrën e tij modeste, ka shprehur gatishmërinë për të shkuar në çdo cep të Shqipërisë. Jo vetëm pse është shumë i njohur elektorati, por se e ka për nder që të dëshmojë arritjet e këtij mandati qeverisës dhe të shpalosë programin e ardhshëm të saj. Nuk e vë në dyshim fitoren. Madje, thotë se "do të votohemi nga mbi 50% e elektoratit". Niset nga serioziteti dhe rezultatet që PD-ja ka arritur në këto vite, por edhe nga një parandjenjë që e ka shoqëruar ndër vite, para çdo ndeshje... Nuk rreshtin telefonatat dhe mesazhet e urimit. Veç tifozëve të shumtë janë edhe shokët dhe kolegët. Përgëzojnë, sepse shpresojnë që edhe interesat e tyre në Parlament, do të përfaqësohen më mirë. Një zë më shumë dhe më i fuqishëm, jo vetëm për futbollin, por për të gjitha llojet e sportit. Kjo është dhe një nga motivimet kryesore që nuk u mendua gjatë për t'i thënë "PO" kësaj ftese.

Kanë kaluar ditë, por ende nuk është çliruar nga emocionet e takimit prezantues. E ka ndjerë veten më të ledhatuarin dhe më të komplimentuarin. Batutat dhe përqafimi i kryetarit të Partisë Demokratike e kanë befasuar.

 

- Indrit, vërtetë ju të Tiranës fituat kampionatin, por më e rëndësishme se kaq, është që finalja u zhvillua mes dy skuadrave demokrate. Ju morët kupën, por dhe unë do të mbaj fjalën që t'u bëj shkodranëve një fushë futbolli...- bashkëbisedoi zoti Berisha me të. Ende, ndjen përqafimin dhe vlerësimin e kreut të Partisë. U bëmë kurioz për të mësuar, nëse është takuar herë tjetër me të, apo jo. Kujton se gjatë mandatit të tij si President, zoti Berisha u ka dorëzuar kupën e kampionatit. Thjesht një përgëzim dhe takim duarsh. Disa vite më vonë, gjatë një fushate zgjedhore, në kuadër të takimeve me elektoratin, Kryetari i PD-së ka pritur në seli, një grup futbollistësh të Tiranës. Ishte Indriti, Alban Tafaj, Isli Hidi, Bledi Nallbani, Ervin Bulku, Ad Mema... Vetëm kaq. Një bashkëbisedim i ngrohtë dhe informues për projektet sportive. Pra, dy takime që nuk ka mundur të ndjejë emocionet e kësaj. Menduam se deri këtu do të shkonin mbresat dhe opinionet e tij. Por, jo! Duke qenë se për shumë vjet, familja Berisha ka jetuar në një lagje me të, ai nuk rresht së shprehuri konsiderata. Çmohej dhe vlerësohej shumë nga banorët e lagjes ajo zgjidhje. Ishte xhest thjeshtësie, por dhe fisnikërie që pak kush nga presidentët dhe kryeministrat shqiptarë ka mundur ta bëjë. Krenohej lagjia për bashkëqytetarin e tyre. Ndaj e mbështesin dhe e votojnë për vit atë, qeverinë dhe Partinë që ai drejton.

 

Nëse do të dini se kush ia shtiu ndërmend Indrit Fortuzit, për t'u bërë futbollist, ne do të thoshim se ka qenë "17 Nëntori". I ati i vet ka qrnë një ndër adhuruesit më të zjarrtë të ekipit bardheblu. Ishin një grup i tërë që shkonin si lagje. Madje, për hir të bakshishit biletashitësi ua hiqte mënjanë biletat për çdo takim. Kishin një vrnd të caktuar, përkarshi pranë tribunës E. Qysh i vogël pjesë e këtij grupi, u bë edhe Indriti pesëvjeçar. Gjithë atë kënaqësi që ndjente në shkallët e stadiumit, ai fëmijë mezi priste ta shprehte në rrugicën e lagjes. Aty ku çdo ditë, luanin futboll deri sa i zinte nata. Entuziasmin dhe dëshirën kishte Indriti se lojën dhe golat i bënin shokët e tij që ishin më të gjatë dhe më të fortë fizikisht se ai. Mundohej për të imituar idhujt e tij, Çim Muçën dhe Agustin Kolën, por në të shumtën e rasteve kundërshtarët ia shpërblenin në shkelma. Më pas edhe pse nuk rritej me trup filloi të bëhej mollë sherri kur ndaheshin në skuadra. Triblimet e tij, shpejtësia dhe zgjuarsia në veprime, shumë herë përcaktonin fitoren. Më i miri i lagjes, por jo më shumë. As që i kishte shkuar ndër mendje kujt që ky mund të rregjistrohej në ndonjë nga ekipet zinxhir të moshave. Por, për atë vogëlush imcak gëzimi dhe dëshira fillonte dhe mbaronte vetëm te ajo lojë. Me të gjitha notat dhjeta mbaroi shkollën tetëvjeçare "7 Marsi". Kur prindërit vrasinin mëndjen nëse do ta çonin në gjimnaz apo në ndonjë shkollë profesionale, ai kishte filluar të pyeste se ku ndodhej shkolla e mjeshtërisë sportive. Mësoi vendin, por nuk mundi të shkojë kurrë atje. E rregjistruan në gjimnazin "Petro Nini Luarasi" një nga shkollat më të mira të kryeqytetit. Ndërsa, kur e panë se meraku për futbollin po i kthehej në dhimbje, për ta qetësuar prindërit e lanë të shkonte me para të rinjtë e "Dinamos", sepse ishte klubi më i afërt me shkollën. U "harrua" "17 Nëntori" se nuk bëhej fjalë për të ardhme futbollisti, por për të qetësuar një fëmijë... Deri në vitin e tretë vazhdoi të mos u ndahej dhjetave në mësime. Më pas, filloi t'u gëzohej fjalëve të mira që i thoshte traineri i tij, Artur Krantja. Fjalë që e lumturonin dhe e bënin me krah... Që në muajin e parë, vuri në krah shiritin e kapitenit. Kapiten i një ekipi, mbase më i dobët se ai i lagjes së vet, pasi nuk spikaste talenti. Në krye të tre muajve, i vjen e mira tjetër në derë...Trajneri i të rriturve Bejkush Birçe, si specialist i kësaj loje, kishte kuptuar të ardhmen e sigurtë. Menjëherë, e kalon në trajtim ushqimor me të rriturit. Një motivim i jashtëzakonshëm për Indritin. Në moshën 17-vjeçare, filloi të luante duke patur në krah Sul Demollarin dhe Agim Canaj. Shpërtheu talenti i tij sa nuk kishte vend për t'u diskutuar talenti i tij. Në dy vite me "Dinamon" ishte golashënuesi më i mirë i ekipit dhe i kampionatit në sezonin e dytë. Pikërisht në këtë moment, shfaqet dashuria për ekipin e zemrës. Ka qenë sezoni i vitit 1993 kur refuzon një ofertë shumë të mirë nga "Partizani", pasi i qante zemra vetëm për Tiranën. Iku për të mbetur përjetësisht bardheblu, luajti me ta, duke u bërë shpirti dhe golashënuesi i jashtëzakonshëm. Çdo vit që në gjirin e saj, Tirana kishte Indrit Fortuzin, i shtonte një kupë arkivit....Janë vite kur "Zogun" donin ta bënin për vete edhe shumë ekipe të huaja. Por është edhe koha kur jo thjesht interesi material, por edhe egoja sportive, të ngacmonte të ishe pjesë e futbollit europian.

 

Fillimisht, talentin bardheblu e dëshiron ekipi kampion i Austrisë, "Salcburgu". Trajneri Otto Bariç, e bëri pjesë të formacionit bazë ku Indriti në gjashtë muaj, shënoi vetëm tre gola. Më pas, u ndanë udhët për të dy... Edhe kur kroati erdhi në Shqipëri për të drejtuar përfaqësuesen, më shumë se buzëqeshjen nuk i ofroi gjë ish-lojtarit të dikurshëm. Rikthehet te "Tirana" si për të bindur veten dhe të tjerët se, Indrit Fortuzi më shumë se kujtdo i duhet ekipit të zemrës. Dhe kur fiton shkëlqimin e vet, është presidenti i klubit grek "Apollon" që këmbëngul ta ketë në shërbim të tij. I kishte provuar me kohë greku, talentet shqiptare si Alban Bushin, Bledar Kolën etj. Nisur edhe nga niveli i kampionatit helen, nuk mjaftonin vetëm shqiptarët, për të realizuar objektivat e klubit. Gjithsesi, kjo e keqe për Fortuzin ishte gëzim për Tiranën, duke ia lënë përherë portat të hapura... Ekipi i tretë dhe i fundit që Indriti luajti jashtë, ishte Iraklis i Selanikut. I treti, i vërteti! Është shkëlqimi i karrierës së tij si futbollist. Sapo iku ra në sy talenti i tij i padiskutueshëm. Ishte derbi selanikas me PAOK-un, takimi prezantues për të. U aktivizua 15' e fundit, por çoi peshë një stadium të tërë kur Fortuzi shënoi golin e fitores. Më pas, shënoi 7 gola në dhjetë ndeshje. Iraklis zuri vendin e katërt, duke siguruar pjesëmarrjen në UEFA. Sezonin tjetër dëmtohet dhe operohet në gju. Dikush humbi dhe shpresat. Por po aq keq shkuan edhe punët për Iraklisin...Atëherë kur nuk pritej, aftësohet idhudhi i tifozerisë greke. E si për t'u larë këtë borxh, Fortuzi që në ndeshjen e parë, i fut ata në borxh... Në minutën e 94, rrëmben një top nga mesi i fushës, kalon plot gjashtë kundërshtarë dhe shënon golin e fitores kundër Larisës. Të gjithë të mirat i pati ai gol që u krahasua me atë të Maradonës. Kishte 11 ndeshje rresht që humbiste Iraklis, duke rrezikuar kategorinë e parë. Pas këtij takimi, erdhën 5 fitore që siguruan shpëtimin matematikor. Ende nuk është shuar jehona e atij goli në Selanik edhe pse është shënuar para tre vjetësh. Në prill të këtij viti, kur Indriti drejtonte "Skënderbeun" e Korçës, ikën në Selanik për të parë ndeshjen Iraklis-Larisa. Sa hyri në stadium shpërtheu tifozeria vendase në përshëndetje të ish-lojtarit të tyre. Në pjesën e dytë kur ende rrjetat ishin të paprekura, natyrisht edhe me humor, i luteshin Fortuzit që të hynte në fushë, për t'iu dhënë fitoren. Si dikur...

Tre gëzime ndjeu këtë muaj, Indrit Fortuzi. "Skënderbeu" në superligë, Tirana fitoi kampionatin dhe kandidatura për deputet i Partisë Demokratike. Kjo është renditja kronologjike, pasi me ndjesi shpirtërore e fundit ka qenë e para. Për suksesin e korçarëve më shumë i gëzohet faktit që nuk u bë një humbës i madh se sa ndjen meritën e asaj që u arrit. E gjeta në krye të renditjes ekipin, madje me pikë të shkëputura dhe me një përbërje cilësore lojtarësh, shprehet me modesti Indriti. Për mua, ngjarje është që nisa me sukses karrierën si trajner. Ka përshtypjet më të mira për atë qytet dhe është ndjerë shumë mirë në atë ambjent vlerësues dhe të kulturuar. Nëse bashkia dhe drejtuesit e klubit do e mirëkuptojnë dhe mbështesin në projektet që ai u ka paraqitur, ai përsëri do të jetë në krye të "Skënderbeut". Edhe po të fitojë mandatin e parlamentarit.... Pasi futbolli është mbi gjithçka për të. Është ai që nuk e la të mendohej gjatë për të pranuar atë ftesë. Por, nuk dëshiron të shkojë në Korçë thjesht se i besohet përsëri drejtimi i ekipit. Sepse nuk do që të zhgënjejë sportdashësin korçar dhe t'i premtojë siguri dhe ecuri, pa u përforcuar skuadra edhe me dy-tre lojtarë më cilësorë. Por, jo më shumë se edhe një sezon, pasi do që të jetë sa më pranë Ketlinit dhe Rajanit. Fitoren e Tiranës e përjetoi si ta ngrinte vetë trofeun e kampionit. E dëshiron të jetë përherë në krye të futbollit shqiptar. Edhe pse nuk është momenti, shpreh keqardhje për mënyrën se si vazhdon të menaxhohet ky ekip. Presidentët e deritanishëm nuk mund t'u mohohet kontributi financiar, por as autorësia e mbytjes së të ardhmes. Gjithçka duhet të fillojë nga e para. Dhe të parën, rendit privatizimin e klubit. Vetëm atëhere presidenti nuk do të bëj ndere në kurriz të fanelës që peshon shumë, vetëm atëherë atij do t'i dhimbset leku i vet. Presidentët e sotëm e ndjejnë veten kalimtarë ndaj punojnë dhe gëzojnë vetëm për të sotmen. Po nuk u rikthyen ekipet zinxhirë, nuk ka perspektivë dhe strategji afatgjatë. Se vërtet ke para dhe blen më të mirin e Shqipërisë, por ke shitur perspektivën e klubit. Vazhdimisht e ka shprehur këtë opinion. Ndoshta se edhe vetë e ka për pasion menaxhimin. Madje edhe më shumë se sa trajner ekipi. Jo më kot vazhdon edhe ekonomikun... Një pjesë të entuziasmit dhe dëshirës për të hyrë në Parlament e lidh edhe me mundësinë e përshpejtimit të legjislacionit që mbështet privatizimin. Ka hallin e "Tiranës"...

 

Të vetmin peng që ndjen në jetë

 

Për gati 10-15 vjet ka qenë absolutisht futbollisti më i mirë i Tiranës dhe golashënuesi më i mirë shqiptar. Kanë qenë vite, kur "Zogu", i kishte siguruar skuadrës bardheblu, fronin e mbretëreshës. Një shqiptim i dalë jo nga goja, por nga shpirti i tifozerisë tiranase. Ajo lojë e shpejtë, inteligjente dhe rezultative kishte bërë që rezultati të dihej para çdo takimi. "Zogu" nuk rreshte së fluturuari gjatë gjithë 90 minutave në çdo cep të fushës. Vite që ia bën të pavlefshëm emrin Indrit jo më pak tingëllues dhe kuptim plotë. Dëgjonte një stadium të tërë që thërrisnin "Zogu", "Zogu" dhe mes kësaj oshëtime i bëhej sikur ndjente pëshpëritjet dhe ledhatimet e së ëmës: "Zogu im!". Ndjehet mirë, kur mendon se kjo mund të jetë kjo e vërteta e atij etiketimi. Por e ka edhe një peng... Madje që e mundon shumë edhe tani. I vjen keq që me ekipin kombëtar, nuk arriti të japë atë që dha me ekipin e Tiranës. Nuk do të justifikohet për mosaktivizim, sepse luajti në 26 takime ndërkombëtare, por në asnjërin nuk shkëlqeu. Vetëm 2 gola të shënuar. Madje dhe këta jo në takime të vlefshme për eliminatoret e kampionatit europian apo botëror. Një e ka shënuar kundër Finlandës dhe tjetrin kundër Bahrenit. I dhëmb kaq shumë kjo statistikë e keqe, sa mezi pret që të mbyllet tema e kësaj bisede. Mundet të ketë qenë i pafat, por arsyeja më bindëse është fakti se ka luajtur në një periudhë kur konkurenca ishte e madhe. Jo thjesht në numër sulmuesish, por edhe në cilësi vlerash. Ka qenë koha e Sokol Kushtës, Altin Rakllit, Alban Bushit, Igli Tares...Mbase edhe inferioriteti ka bërë të vetën. Si për atë, por edhe për trajnerët. Indriti ishte një lojtar i kampionatit shqiptar, ndërsa të tjerët kishin bërë emër me skuadra të njohura në kampionatet europiane. Paçka, se asnjëri prej tyre nuk kishte shënuar aq gola sa ai. Pengu i tij, por edhe i tifozerisë bardheblu që nuk mundi ta shihte idhullin e vet, lider edhe me fanelën kuqezi. Gjithsesi, Indrit Fortuzi mbetet një nga yjet e artë në futbollin e Tiranës.

 

 

Agron Sejamini


Rating (Votes: )   
    Comments (0)        Dërgoja shokut        Printo


Other Articles:
Kristian Gros është shkarkuar (05.28.2009)
Kombëtarja grumbullim në Durrës përpara sfidës me Portugalinë (05.28.2009)
Barcelona kampione e Evropës (05.28.2009)
Ndërron jetë vajza 4 vjeçare e legjendës Majk Tajson (05.27.2009)
Tri skuadra angleze në garë për Lorik Canën (05.26.2009)
Wolfsburgu kampion i Gjermanisë në futboll (05.25.2009)
Zyrihu është kampion i Zvicrës (05.24.2009)
Karateistët shkodranë medalje në turneun ndërkombëtar "Luan Haradinaj" në Kosovë (05.24.2009)
Tirana fiton titullin e 24t kampion të Shqipërisë (05.23.2009)
Josip Kuze është kroati i ri që do ta drejtojë Kombëtaren (05.22.2009)



 
::| Lajme të fundit
::| Kalendari
Prill 2024  
D H M M E P S
  1 2 3 4 5 6
7 8 9 10 11 12 13
14 15 16 17 18 19 20
21 22 23 24 25 26 27
28 29 30        
 

 
VOAL
[Shko lartë]